Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Serbia Tjetër – Bogdan Bogdanovic

Projekti “Serbia tjetër” i përmbledh për lexuesin qëndrimet e intelektualëve serbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999. Këto shkelje kulmuan gjatë viteve 1998–1999 në krime lufte e krime kundër njerëzimit, me vrasjet e gati 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra grave, deportimin e gati një milion shqiptarëve, djegien dhe shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me dëme të tjera shpirtërore e materiale.

Në këtë vëllim, të parin me radhë, përfshimë fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, arkitektit Bogdan Bogdanović [1922–2010], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90. Veç këtyre, me rëndësi të veçantë e pamë përfshirjen e fragmenteve në të cilat Bogdanović shpalos mendime mbi statusin e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë, si dhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.

Në njërën prej intervistave, Bogdan Bogdanović rrëfen se si në fund të viteve ’80, teksa po kthehej nga Mitrovica në Beograd me një shofer shqiptar, e kishte kuptuar se ç’do të thoshte me qenë shqiptar në Jugosllavi: “Gjithçka na bënë gjatë rrugës – i binin borisë, fishkëllonin, kërcënonin se do të na shtypnin me kamion”. Sa i takon gjendjes së shqiptarëve në Kosovë në fillim të viteve ’90, Bogdanović kujton se si një milic serb i kishte thënë: “Ju nuk e dini se çka po bëjnë milicët tanë nëpër Kosovë”. Represionin dhe aparteidin e Serbisë në Kosovë, që po intenfisikohej gjatë viteve ‘90, e kishte cilësuar fashizëm, duke shtuar se “…këtë populli serb, ne serbët, fëmijët dhe nipat tanë, do ta mbajmë në ndërgjegje”.

Lidhur me mitin se në mesjetë Kosova kishte qenë djepi i mbretërisë serbe, Bogdanović-i thotë se asokohe Beogradi kishte qenë i hungarezëve. Ai nuk e mbështeste ankesën serbe se situata demografike në Kosovë po ndryshonte me rritjen e popullsisë shqiptare. Njëri prej argumenteve se pse serbët shpërnguleshin prej Kosovës gjatë njëqind vjeteve sa Kosova ishte pjesë e Serbisë, ishte sipas tij dëshira e tyre për t’u vendosur në në pjesë më të pasura, duke ua shitur tokat shqiptarëve për çmime shumë të mira. Ai pohonte se meqë në Kosovë jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë, që përbëjnë mbi 90% të popullatës, Kosova u takonte atyre që jetonin aty dhe kjo i duhej thënë popullit serb, ndonëse, sipas tij, këtë e dinin të gjithë, por nuk kishin forcë e guxim ta pohonin. Në vijim të kësaj, Bogdanović shpesh shprehej në terma disi ekonomikë: “…kemi këmbyer shumë mirë sepse e kemi dhënë Kosovën, por e kemi marrë Vojvodinën”.

Bogdanović-i ngulmonte që popullit serb t’i sqarohej se në Kosovë vërtet mbetet trashëgimia e identitetit serb, mbeten tempujt serbë. Mirëpo, edhe tempujt grekë ndodhen kryesisht jashtë Greqisë, në Azi të Vogël, nga Aleksandria e deri në Serbi. Ai ishte i bindur se po të mos u hynte Serbia shqiptarëve në hak, këta do ta ruanin trashëgiminë serbe në Kosovë, e ndoshta edhe do të mund të gjendej ndonjë zgjidhje e tipit të Malit të Shenjtë. Për më shumë, ai u referohej historive se si shqiptarët i kishin ruajtur këta tempuj, si për shembull Patrikanën e Pejës, që e kanë ruajtur Kelmendët e Rugovës.

Bogdanović i kundërshtonte standardet e dyfishta të përfaqësuesve të regjimit serb gjatë viteve ‘90, të cilët për Krajinën në Kroaci kërkonin autonomi me të drejtë të shkëputjes, ndërsa Kosovës këtë ia mohonin kategorikisht. Ai është i pari intelektual serb që qysh më 1990 e kishte thënë publikisht se në Kosovë ishte tashmë vonë edhe për republikë, madje duke e konsideruar dëshirën e shqiptarëve për bashkim si të drejtë legjitime. Sipas tij, sa më parë që Kosova të shkëputej prej Serbisë, aq më mirë për Serbinë moderne, sepse Kosova e tillë çfarë është në vetëdijen serbe, nuk shkon me botën moderne.

Bogdanović është prej patriotëve më të jashtëzakontë serbë, sepse brengoset për fatin e popullit të vet dhe për tragjedinë e tij. Ai e vuan faktin që politikanë meskinë, agresivë e kriminelë ia kanë vënë në shpirt popullit të tij gjithë atë tmerr, duke kryer krime të rënda ndaj popujve të tjerë, e sidomos ndaj shqiptarëve. Fatin e popullit serb gjatë viteve ’90 ai e shihte si shumë të zi, kurse luftërat e Serbisë gjatë këtyre viteve s’i shihte as si fitore ushtarake, as si epërsi politike, por “…si katastrofë morale, madje edhe mendore, të popullit serb,”.

Ndër komponentët e interesit nacional serb, Bogdanović e konsideron miqësinë me shqiptarët, ruajtjen e popullatës serbe që dëshiron të jetojë në Kosovë, si dhe ruajtjen e përmendoreve serbe në Kosovë. Patriotizmin e tij e vërejmë po ashtu në qëndrimin e tij se nëse do të duhej të jetonte në Serbinë e Madhe e cila do t’i ngjante Lindjes së Mesme, ose në Serbinë e Vogël e cila do t’i ngjante Zvicrës, ai gjithmonë do ta zgjidhte të dytën.

Kundërshtimin e nacionalizmit serb më së miri e ilustron letra e gjatë, të cilën në fund të viteve ‘80 ia dërgoi Milošević-it. Kjo letër dhe kritikat e tjera antinacionaliste ndaj Milošević-it i nxitën përpjekjet për t’ia thyer banesën, kërcënimet për linçim dhe, në fund, përjashtimin nga partia. Sulmet kundër tij e detyruan, që më 1993, bashkë me të shoqen Ksenija-n, të shpërngulej nga Beogradi në Vjenë, ku vdiq më 2010.

Bogdanović kishte bërë një sërë parashikimesh të sakta për zhvillimet politike gjatë viteve ’90, madje shumë vite përpara se ato të jetësoheshin. Tri prej tyre janë të jashtëzakonta: i pari, se presidenti i RFJ-së Slobodan Milošević do të ulej në bankën e të akuzuarve sepse ka për t’u përgjigjur para shumë popujve, sidomos para shqiptarëve, për jetët e vrara; i dyti, se nëse populli serb ia mësyn një lufte në Kosovë, do ta humbë atë me turp; dhe, i treti, se si pasojë e politikës provokuese, Beogradi do të bombardohet.

Përgjegjësinë mbi katastrofën kombëtare serbe – se si u bë që kombi serb të jetë aq i urryer dhe i rrethuar nga gjithë ata armiq – Bogdanović-i e shihte te elita intelektuale, e cila nuk e ka mësuar popullin serb si të dojë dhe nuk i ka thënë popullit serb se jetojmë në një botë të përzier e për këtë duhet të jemi të lumtur, meqë bashkëjetojmë në kontakt me kultura të ndryshme. Prandaj, ai gjithë kohën kërkonte nga populi serb që ta kuptonte se të fitosh miq është më me rëndësi sesa të pushtosh territore, dhe sugjeronte që e gjithë forca, mendja, vullneti dhe intuita e popullit serb të përqëndrohej në marrëdhënie miqësore me shqiptarët, e se kjo e kërkonte një Charles de Gaulle serb. Pas rrënimit të qyteteve dhe mbytjes së njerëzve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), ai priste që vetëdija serbe të zgjohej, dhe faktin që kjo nuk ndodhi, e përjetoi me shumë vuajtje dhe e konsideroi tragjedi morale të popullit serb.

Pas botimit të mendimeve të intelektualit Bogdan Bogdanović, në kuadër të projektit “Serbia tjetër” përfshihen fragmentet nga artikujt dhe intervistat e disa intelektualëve të tjerë serbë si: Miloš Minić [1914–2003], Srđa Popović [1937–2013], Lazar Stojanović [1944–2017], Bogdan Denitch [1929–2016], Ilija Đukić [1930–2002], Ivan Đurić [1947–1997], Mihajlo Mihajlov [1934–2010], Mirko Kovač [1938–2013], e të tjerë.

Të gjithë këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratët serbë si Dimitrije Tucović, Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević, Triša Kaclerović, e të tjerë, të cilët gjatë viteve 1912-13, kur Serbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare në Kosovë. Sa për ilustrim, një artikull i socialdemokratit Tucović, në gazetën socialiste të Beogradit ‘Radničke novine’ thotë: “ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Një artikull redaksional i kësaj gazete thoshte se posedonte të dhëna për krime aq të tmerrshme të forcave serbe ndaj shqiptarëve, sa parapëlqente të mos i publikonte fare. Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), pastaj gjatë viteve 1946-1966, e në fund edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

Fatkeqësisht, këto personalitete te populli serb janë parë si tradhtarë, janë paragjykuar, anatemuar e sulmuar, ndërkaq te populli shqiptar janë shikuar kryesisht me mosbesim dhe rrjedhimisht janë shpërfillur.

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë, me emrin e arkitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai e kishte kundërshtuar ashpër terrorin shtetëror të pushtetit të Milošević-it në fillim të viteve ‘90. E megjithëse ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual serb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.