Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Serbia i ka shtruar Kinës tapetin e kuq – por me çfarë kosto?

Kur filloi pandemia COVID-19 në fillim të këtij viti, presidenti serb Aleksandar Vucic deklaroi me zemërim se serbët nuk mund të mbështetet më te Bashkimi Evropian për përkrahje. Serbia mund të llogarisë vetëm në një aleat – Republikën Popullore të Kinës – tha Vucic.

Që prej fillimit të Nismës së Rripit dhe Rrugës të Kinës [Belt and Road Initiative], përmes së cilës Pekini ka investuar në projekte infrastrukturore në dhjetëra vende, që prej minierave te autosdradat, prej fabrikave te hekurudhat, investimi kinez është derdhur në Serbi që prej vitit 2016.

Prania e Kinës në Serbi nuk është e re, lidhjet mes dy vendeve ishin forcuar gjatë kohës së diktatorit serb Slobodan Milosevic, por prania kineze ishte e dukshme vetëm në ngjarje të rralla kulturore dhe në komunitetin e vogël të tregtarëve të vendosur në zonën e Beogradit të Ri.

Duke folur në fillim të këtij viti, Vucic e quajti marrëdhënien mes dy kombeve si “miqësi të çeliktë”, përshkrim i përshtatshëm duke marrë parasysh blerjen e fabrikës së çelikut në Smederevë nga Grupi HBIS kinez.

Marrëveshja është e dobishme për Kinën, meqë borxhi prej 300 milionë eurosh i fabrikës tash është marrë përsipër nga taksapaguesit serbë, me projektin që u quajt “program shpëtimi” për qytetin dhe ekonominë serbe në përgjithësi.

Por qytetarëve të Smederevës  dhe të qyteteve e fshatrave përreth iu doli diçka që s’e kishin pritur.

Vladimir Milic, aktivist i OJQ-së Tvrdjava i tha Euronews-it se pluhuri i hekurit nga fabrika e çelikut ka mbuluar çdo gjë 10 km rreth impiantit.

“Jemi në zor. Njerëzit po kolliten, nuk mund të hapësh dritaret, edhe lulet janë të mbuluara me pluhur. Nuk mund të shesim produktet tona dhe shumica prej nesh nuk punon në fabrikë – me se do të jetojmë,” tha ai.

Milic tha se vendasit po përgatisin një padi kundër kompanisë, përderisa një numër peticionesh dhe raportesh u dorëzuan në institucionet e Serbisë në lidhje me ndotjen, por asgjë nuk është ndërmarrë deri më tash.

“Kemi protestuar në rrugë por qeveria dhe kompania heshtin. Morëm vesh se qeveria i ka dhënë kompanisë për ta shfrytëzuar portin mbi Danub falas, me koncesion për 50 vite,” tha ai.

Gjendja është e ngjashme në qytetin e Borit, ku qytetarët dolën në rrugë me mijëra javës së kaluar, për të protestuar ndotjen pasi që kompania kineze Zijin bleu minierën më 2018.

Ky është kompleksi më i madh i minierave të bakrit në Ballkan dhe puna e saj ka sjellë ndotje të madhe. Në shtator, u regjistrua niveli prej 1645 mg të SO2 në ajër, më shumë se dhjetë herë se 125 mg që lejohen me ligj.

Aktivistja lokale dhe politikanja e opozitës Irena Zivkovic tha se vetëm vitin e kaluar arseniku në ajër është 200 herë më shumë se koncentrimi i lejuar. Ajo gjithashtu i tha Euronews-it se metalet e rënda janë vërejtur në masë shumë të madhe se nivelet e lejuara.

“Kur kërkuam të dhënat zyrtare për ndikimin e saj në shëndetin publik, se sa raste të reja të të sëmurëve janë në rajon – me sëmundje të mushkërive, kancer – nuk morëm përgjigje prej institucioneve,” tha ajo.

Zivkovic tha se qeveria lokale e Borit nuk pranoi t’iu përgjigjej pyetjeve të qytetarëve lidhur me cilësinë e ajrit.

Që prej fillimit të punës më 2018, gjykatat serbe kanë gjobitur Zinjin-in tre herë për ndotje. Por në përputhje me ligjin lokal, gjobatpër këso lloj shkeljesh nuk mund të kalojnë 26,000 EUR.

As Zinjin as HBIS Group nuk iu përgjigjen kërkesave të Euronews-it për të komentuar rreth kësaj çështjeje. Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të shtruara nga Euronews.

Kritikët druhen se përderisa Serbia bëhet rast testimi dhe model për investimet kineze në vendet evropiane më të varfëra dhe më në borxh, asetet shtetërore do të shiten me kosto të lartë për qytetarët lokalë dhe mbrojtjet e brishta ambientale do të mënjahohen pa bërë zhurmë.

Ata thonë se Serbia ka nevojë të madhe për investime dhe se qeveria tashmë ka treguar gatishmëri për të anashkaluar protokollet normale në mënyrë që të heqë qafe asetet e dobëta, përfshi këtu shitjen e zonës pranë lumit në Beograd një firme nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkaq, bashkëpunimi biznesor mes dy vendeve ka ardhur krah për krahu me bashkëpunimin ushtarak dhe në fushën e sigurisë. Deri para se të tërhiqej për shkak të kritikës së ashpër nga Uashingtoni, Serbia qe gati të blinte sistemin raketor kinez FK-3, duke u bërë vendi i parë jashtë Kinës që do të përdorte atë sistem.

Huawei

Megjithatë Serbia tashmë ka siguruar dronët kinezë CH-92A dhe ministri i mbrojtjes Aleksandar Vulin ka thënë së fundmi se Kina i ka dhuruar vendit pajisje ushtarake.

Në këmbim të kësaj, Kina ka marrë përkrahje politike nga Beogradi, përfshi përkrahjen për politikat e Pekinit ndaj komunitetit ujgur. Serbia është i vetmi vend evropian që përkrah pretendimet kineze se po “lufton terrorizmin dhe ekstremizmin” në Kinën veriperëndimore.

“Është e qartë se Kina depërton në Evropë përmes Ballkanit dhe posaçërisht Serbisë,” tha Vuk Vuksanovic nga LSE IDEAS, thinktank-u për politikë të jashtme i London School of Economics.

Vuksanovic thotë se statusi i Serbisë si kandidate dhe jo anëtare e Bashkimit Evropian, e bën të dëshirueshme për Pekinin, i cili do një pikëmbështetje në Evropë pa barrën rregullative që vjen me anëtarisimin formal në bllok.

Kështu Kina mund të llogarisë në Serbinë dhe anëtarët e BE-së Greqinë dhe Hungarinë, për të përkrahur atë në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, Vuksanovic pret që zënka rreth gjitantit të telekomunikacionit Huawei të paraqesë probleme për orvatjet e Serbisë që të jetë e afërt si me Kinën ashtu edhe me SHBA-në. Beogradi është bërë gjithnjë e më i afërt me SHBA-në nën presidentin Donald Trump, por Shtëpia e Bardhë nuk duket se do të jetë aq miqësore nëse Serbia nuk rreshtohet në luftën e saj kundër Huawei-t.

Së fundmi, Huawei ka instaluar në 60 vende kryesore të Beogradit gati 1000 kamera HD të cilat përdorin programe kompjuterike të njohjes së fytyrave dhe targave të makinës por gjithashtu sisteme të menaxhimit të videove. Gjithashtu janë bërë plane së bashku me Huawei-n për një qendër të dhënash në qytetin e Kragujevcit.

“Do të jetë një dilemë e vështirë. Beogradi mund të blejë kohë por kur Uashingtoni të godasë Huawei-n, Serbisë do t’i duhet të vendosë se në cilën anë është. Dhe kjo do të ndodhë,” thotë ai.

***

Artikulli origjinal në Euronews.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.