Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Brishtësia e strategjisë së Evropës ndaj Kinës

Në marrëdhniat e saj me Pekinin, me qëllim të ruajtjes së parësisë së saj, Shtetet e Bashkuara u janë kthyer strategjisë klasike. Për dallim, BE-ja ka ndjekur një qasje shumëpistëshe më pak të qëndrueshme, por shumë më të përshtatshme. Veprimet e fundit të Kinës mund të shtyejnë evropianët drejt rreshtimit të plotë krah ShBA-ve, që do të ishte sa e rëndësishme, edhe e rrezikshme.

Në pranverën e vitit 2021, trekëndëshi i marrëdhënieve BE-ShBA-Kinë ka marrë një dinamikë kaleidoskopike.

Mendoni përsëri për mënyrën se si dukej bota hiç më larg se në dhjetor të vitit 2020. Kina po dilte e përforcuar nga shoku i virusit. Shtetet e Bashkuara ishin ngatërruar në një kaos paszgjedhor të pashoq. Administrata e Trump-it kishte lënë epideminë të dilte nga kontrolli. Për dallim, Bashkimi Europian po koordinohej rreth paketës së rimëkëmbjes NextGenerationEU (NGEU). Si përshendetje të fundit e de facto lideres së Evropës, e përkrahur nga aleatët e saj në Komisionin Europian, kancelarja gjermane Angela Merkel shtyu përpara Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Invesitme [CAI] BE-Kinë.

Konfigurimi dukej i qartë. Amerika ishte në mëshirë të fatit. BE-ja dhe Kina po krijonin një bosht të bashkëpunimit pragmatik në tregti, investime, dhe politikë klimatike. Tash, vetëm pas disa muajsh, kaleidoskopi papritmas ka ndërruar kahje.

Ndryshim i papritur

Administrata e Biden-it ka lëvizur me shpejtësi për të shtënë nën kontroll epideminë në Shtetet e Bashkuara dhe ka lançuar një fazë të tretë të paketës stimuluese. I ka vënë frenat nën makthin e tranzicionit, por nuk është zbrapsur nga qëndrimi ballafaques karshi Kinës, të miratuar nga administrata e Trump-it.

Nga ana e saj, Kina u përgjigj duke rikonfirmuar modelin e ri të dyfishtë të qarkullimit të zhvillimit ekonomik kombëtar gjithnjë e më autonom.

Në Evropë, vetëkonfigurimi rreth NGEU-së ishte ende në hovin më të madh teksa kontinenti rrëshqiti në kundërakuza rreth shpërndarjes shkel e shko të vaksinave. Përkundër fillimit të operimit të plotë të NGEU-së, perspektiva ekonomike është e zymtë. Ndërkohë, sanksionet dhëmb për dhëmb me Kinën rreth Xinjiangut nënkuptojne se marrëveshja e investimeve mes Kinës dhe BE-së është pezulluar. Më së miri që të mos ia përmendim këtë Parlamentit Evropian. Për të mos mjaftuar kjo, firmat evropiane të veshjeve po shënjestrohen sistematikisht nga bojkotet e konsumatorëve të organizuara nga Partia Komuniste e Kinës (CPP) dhe të orkestruara nga maqinat kryesore të kërkimit të Kinës.

Në planin afatshkurtër, kjo nuk i lë shumë mundësi BE-së, pos rreshtimit krah ShBA-ve karshi Kinës. Çështja është se a flet kjo për një ndryshim rrënjësor në strategjinë evropiane karshi fuqisë aziatike. A është rrështimi me ShBA-të më shumë se sa taktik?

Shpallja e luftës ekonomike

Bëhet fjalë për dy koncepte të ndryshme të strategjisë ndaj Kinës.

Që prej presidentit Barack Obama, por me theks më të veçuar nën pasardhësin e tij Donald Trump, trendi i politikës amerikane ka qenë drejt çiftimit të fushave të ndryshme politike – tregtisë, investimeve, teknologjisë, politikës së sigurisë, dhe çështjeve të të drejtave të njeriut. – nën shenjën e garës gjeopolitike. Ajo që e ka dominuar diskutimin amerikan është më shumë prospekti i garës së fuqive të mëdha për atë që amerikanët që nga viti 2017 e kanë quajtur arena e Indo-Paqësorit. Që prej pranverës 2020, kjo mori tone dramatike të Luftë së Ftohtë mes ideologjive. Sanksionet e Amerikës mbi teknologjinë nënkuptojnë hiç më pak se shpallje të luftës ekonomike.

Administrata e Biden-it po shfaq gatishmëri për t’u takuar dhe bashkëpunuar me Kinën në çështjet si klima. Por nëse qendrojnë kufizimet në eksportin e pajisjeve për prodhimin e çipëve dhe sanksionet ndaj firmave si Huawei, SMIC, dhe DJI, ShBA-të po shpallin efektivisht qëllimin që t’i vënë kapak zhvillimit industrial të Kinës. Për më tepër, ShBA po e bën këtë në baza të sigurisë kombëtare. Kjo është pengesë për përparimin e Kinës, që është thelbësisht e papajtueshme me ambiciet e Kinës për të pretenduar një pozicion në botë konform historisë së Kinës dhe pozicionit të tashëm dhe të ardhshëm ekonomik.

Strategjia e Amerikës ka meritën e koherencës. Është koncept klasik i strategjisë së madhe që i shkon për shtati një fuqie të madhe. Por si e tillë, e ka gjithashtu një aspekt të parehatshëm të pasqyrimit. Kompleksi ushtarako-industrial i ShBA-ve fillon të pasqyrojë atë të Kinës. Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Kjo është ajo për çfarë brengosej presidenti Dwight D. Eisenhower në vitet 1950, fill pas mccarthyizmit, kur paralajmëroi shfaqjen e kompleksit ushtarako-industrial dhe shtetit ushtarak.

Qasja shumëpistëshe e BE-së

Në ballafaqimin me Kinën në shekullin 21, rikthimi i Amerikës ndrejt strategjisë së madhe klasike ka qenë deri më tash në kundërshti me përpjekjet e BE-së për të formuluar politikë të veten karshi Kinës. Siç thuhet në dokumentin themeltar të politikës të vitit 2019, kjo bazohej pikërisht në refuzimin e logjikës amerikane të sintezës dhe lidhjeve. Përkundrazi, për çudi të shumë komentuesve amerikanë, BE-ja përkufizoi Kinën njëkohësisht si partner të mundshëm, garues, dhe rival sistemik. Ç’është më e rëndësishmja, ajo nuk lejoi një aspekt të marrëdhënies që të dominojë të tjerët.

Draft marrëveshja e investimeve e negociuar në dhjetor 2020 është plotësisht konsistente me atë pozicion. Ajo hap dyer të reja pa kushtëzime të rënda, përtej dispozitës që Kina të përmbushë obligimet e saj si anëtare e ILO [Organizata Ndërkombëtare e Punës], dhe me fjalë të tjera, asgjë më shumë se një miratim i heshtur për shqetësimet për punën e detyruar.

Nën presionin nga kritikët e marrëveshjes, edhe Berlini edhe Parisi këmbëngulën se inkurajimi i marrëveshjes së investimeve në asnjë mënyrë nuk e përjashton pozicionimin e fuqishëm në çështjet me interes për evropianët, sikurse regjimi shtypës në Xinjiang apo shtypja e lirive në Hong Kong. Edhe ajo është pjesë e qasjes shumëpistëshe europiane. Bashkëpunimi në një fushë nuk përjashton pranimin e hapur të dallimeve ose të konfliktit në një sferë tjetër. Mbështetja e njërës krahas tjetres mundet që në fakt të jetë thelbësore për sigurimin e legjitimitetit të marrëdhënies në tërësi.

Ajo që ka ngjarë javët e fundit është thjesht zbatim i kësaj logjike. Çështja është se a mund të pranojë Kina këtë kompleksitet.

Regjimi kinez nuk duhet të presë që shkaktarët e krimeve kundër njerëzimit të mirëpriten ndoku në Perëndim. Nuk duhet të presë që organizatat e saj të sigurisë të jenë në gjendje të bëjnë biznes në Perëndim. Mund të mos i pëlqejë, por do të ishte e mençur të pranonte sanksionet e propozuara deri më tash si gjeste të kufizuara që janë. Në fund të fundit, ato nuk kanë për cak liderët kryesorë të Kinës, të cilët në fakt janë përgjegjës për atë që po ngjan në Xinjiang.

Nëse Pekini përgjigjet duke shënjestruar deputetët evropianë dhe aktivistët e shoqërisë civile, atëherë duhet të marrë përgjegjësinë për përshkallëzimin e konfliktit. Nuk duhet të befasohet nëse si pasojë pezullohet marrëveshja e investimeve dhe nëse konflikti gjithnjë e më i ndezur kthen BE-në në krahët e ShBA-ve. Pekini është ai që po e detyron lidhjen të cilën avokuesit evropianë të detantës shumështresore po përpiqeshin ta shmangnin.

Drejt Ballafaqimit

Çfarë na pret?

Për momentin, në të dy anët e Atlantikut, iniciativa është qartazi në anën e atyre që parapëlqejnë ballafaqimin. Marrë parasysh taktikat bulliste të Kinës, qasja e Evropës duhet të bashkërendohet me ShBA-të dhe partnerët e tjerë. Është më rëndësi që Pekinit t’i dërgohet një porosi e qartë. Nëse do të bëjë biznes me Evropën, duhet të pranojë dhe respektojë sistemin politik të Evropës dhe kufijt e saj, si dhe atë çfarë mundëson ai për sa i përket përkushtimit të besueshëm ndaj sundimit të ligjit, sigurimit të së drejtës së pronës, e kështu e me radhë.

Fjalët boshe për “shekullin e turpërimit” mund të bëjnë punë për publikun kinez, por nuk do të pinë ujë në Evropë. Edhe ky është një fakt i parehatshëm me të cilin duhet të merret Kina. Na pëlqen apo jo, ndryshe prej raportit me Afrikën, Evropa ka pak apo fare ndërgjegje fajtore në raport me Kinën. Mund të mos jetë e drejtë, por kjo është Realpolitika.

Sigurisht, edhe Evropa duhet të pranojë kufijt e fuqisë së saj negociuese. Mbrojtja e vlerave të Evropës është parësore dhe e panegociueshme. Por është absurd çdo pretendim nga ana e Evropës për të “ndryshuar” kahjen e zhvillimit kinez në çfarëdo mënyre fundamentale. Pekini mund të zgjedhë të “spastrojë” procesin e prodhimit të pambukut në Xinjiang. Mund të lehtësojë regjimin e shtypjes në Hong Kong. Por, kjo nuk do të modifikojë bazën e qendrimit të saj strategjik rreth këtyre çështjeve.

Do të ishte mirë për diskursin publik në Evropë, po qe se kombet evropiane respektive të bënin përpjekje të përbashkëta për t’u përballur me trashëgimitë historike të imperalizmit evropian në Kinë. Kjo do t’i kontribuonte iluminimit publik dhe do të mund të ndihmonte në zbutjen e skajeve të ngurta të opinionit publik në të dy anët. Sidoqoftë, është fantastike që të paramendohet se publiku evropian ka gjasë që të zbusë ndonjëherë qendrimin ndaj regjimit thellësisht të huaj kinez. Dyshimi, mosbesimi, dhe inati, fshihen menjëherë përfundi sipërfaqes. Firmat që zgjodhën profitin në të dy tregjet, do të navigojnë si të munden me nivele të ndryshueshme të cinizmit dhe etikës. Do të jenë të ndërgjegjshme si ndaj konsumatorëve kinezë dhe dëmit në reputacion që mund t’i shkaktohet nga OJQ-të perëndimore. Nëse kjo nënkupton shitjen e më pak rrobave të lira në Perëndim të bëra nga pambuku i Xinjiang-ut, atëherë ky është çmim i vogël për t’u paguar.

Çështja më e gjërë është nëse këto konflikte do të mbizotërojnë tërë agjendën. Propozimi evropian në shtyerjen përpara të marrëveshjes së dhjetorit për investime, është se kjo nuk do të ngjajë. Ajo çfarë rrezikon reagimi i tepruar i Kinës është shkrirja e çështjeve që do ta bënte të pamundur progresin në fronte të tjera. Madje, kjo mund të çojë në reshtimin e plotë me pozicionin e ShBA-ve. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme.

Çështja e parësisë

Deri më tash, denoncimi i Evropës i regjimit abuziv në Xinjiang krijon vetëm rreshtim të pjesshëm me ShBA-të. Prej palës amerikane, marrëdhënia  ShBA-Kinë për momentin përkufizohet si përplasje mes fuqive të mëdha. Ç’është e vërteta, siç e ka bërë të qartë presidenti Biden, këtu bëhet fjalë për çështjen e spikatjes. Siç është shprehur më vetëbesim të madh presidenti amerikan: “Kina ka një qëllim të përgjithshëm … të bëhet lidere në botë, vendi më i pasur në botë, dhe vendi më i fuqishëm në botë … kjo s’do të ndodhë sa të jem unë këtu.”

Kjo është mënyrë shumë e pavend nga ana e ShBA-ve për të formuluar qëllimet e veta. Me sa duket, Amerikës do t’i duhet kohë që të pajtohet me logjikën e një bote shumëpolare, në të cilën nuk është e qartë se ç’do të thotë të jesh i pari. Shumëçka varet nga kjo. Por ndërkohë, kjo nuk është betejë e Evropës. Çështjet e vlerave dhe mbrojtjes së autonomisë së Evropës janë thelbësore. Kjo nuk mund të thuhet për çështjet e parësisë.

Avokimi i Evropës për një strategji shumështresore të angazhimit me Kinën ka qenë dhe është i duhur. Kjo nënkupton një shkallë të kompromisit. Ashtu si në epokën e uljes së tensioneve në vitet 1970, kjo nënkupton me raste standarde të dyfishta, madje edhe hipokrizi. Si atëherë dhe tash, marrë parasysh rëndësinë, ky është çmim që vlen të paguhet. Ishte diagnoza e duhur strategjike për Evropën, por siç është bërë e qartë tash, zbatueshmëria e saj varet nga gatishmëria e Kinës për të pranuar logjikën e diferencimit.

Mësimi i Evropës

Qasja shumështresore është e brishtë. Në të dy anët, opinioni publik është shumë i fortë. Nëse Pekini antagonizon segmente të gjëra të opinionit evropian, tensionet dhe mospërputhjet e strategjisë shumështresore të uljes së tensionit do të shemben në përzierje antagoniste. Fakti se Kina tashmë ka arritur që të shkaktojë indinjatë në kohën kur Evropa është e ndarë rreth shumë çështjeve, jep të nënkuptojë se sa i paqëndrueshëm është ekuilibri.

Konflikti nuk është i shkruar në gur. Evropa po zhvillohet si aktor global. Ndërsa, të tjerët po mësojnë se si të ndërveprojnë me të. Duket sheshit që strategjia e madhe evropiane është e brishtë. Nuk e ka autonominë masive të makinës së politikave në ShBA, pale atë në Kinë. Kjo mund të jetë frustruese për strategët evropianë, por e pasqyron strukturën politike unike të BE-së. Qasja shumështresore mund të jetë mënyrë natyrale veprimi e Evropës, por kjo është thelbësisht e kushtëzuar dhe kufizuar nga opinioni publik dhe strukturat demokratike që operojnë në shumë nivele të ndryshme. Fuqitë tjera globale mund të mësojnë nga kjo.

***

Artikulli origjinal në Internationale Politik Quarterly, edicioni i pranverës 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.