Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Amnistia, krimet e luftës dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë

Në vitin 1997 kolosi i të drejtës penale ndërkombëtare e atëbotë edhe President i Tribunalit Penal Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë, Antonio Cassese, kur i drejtohej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Tribunalin për ish-Jugosllavinë, përgëzonte vendet anëtare që i kishin dhënë fund mosndëshkimit të krimeve të luftës e mundësimit të amnezisë historike, dhe që kishin zhbërë praktikën imorale të miratimit të ligjeve që amnistojnë dhe i lirojnë nga përgjegjësia fajtorët. Ai i bënte thirrje Asamblesë që të vazhdoj t’i përgjigjet thirrjes të viktimave të barbarisë për drejtësi dhe kjo praktikë e mirë të jetë boshti i ri kurrizor i bashkësisë ndërkombëtare. Sot 30 vite më vonë, është hera e tretë në dy vitet e fundit që opinioni publik në Kosovë ekspozohet ndaj idesë dhe diskutimit për amnistinë për krimet luftës.

Cassese vazhdimisht kur komentonte në punimet e tij akademike rëndësinë e pamundësimit të amnistisë në juridiksionet vendore pas themelimit të Tribunalit për ish-Jugosllavinë, shprehej se një praktikë e tillë e amnistimit të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, jo që është e pamoralshme por edhe e paligjshme. E pamoralshme sepse të lejosh kriminelët e luftës të “shkruajnë në paqe kujtimet e tyre do të ishte tallje me të vdekurit dhe viktimat”. E paligjshme për shkak se “ndalimi i këtyre krimeve dhe obligimi i shteteve për ti ndëshkuar duhet të konsiderohen norma të patjetërsueshme të së drejtës ndërkombëtare (jus cogens)”. Cassese vazhdon se nuk duhet të jetë e mundshme që këto çështje të amnistohen me ligje nga shtetet e as të bëhen objekt diskutimi i marrëveshjeve politike a ndërkombëtare mes shteteve. Leximi i te drejtës penale ndërkombëtare sipas modelit të Cassese’s, sot është pjesë e normave të patjetërsueshme të së drejtës ndërkombëtare, të cilat janë bërë edhe pjesë e të drejtës zakonore ndërkombëtare, norma me efekt erga omnes respektivisht ndaj të gjithë subjekteve të të drejtës ndërkombëtare.

Krimet e luftës të sanksionuara në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Plotësuese, krimet kundër njerëzimit të sanksionuara në instrumente të ndryshme ndërkombëtare, krimi i gjenocidit i sanksionuar nga Konventa e Gjenocidit dhe shkeljet e tjera serioze të të drejtave të njeriut, nuk mund të amnistohen as përmes ndonjë ligji e as përmes ndonjë marrëveshjeje politike. Kategoritë e sipërpërmendura konsiderohen krime kundër rendit ndërkombëtarë dhe krijojnë obligime për shtetet për ti parandaluar dhe për ti ndëshkuar ato, dhe amnistimi i tyre do të nënkuptonte mos përmbushje të obligimeve të shteteve për parandalim dhe ndjekje penale, dhe mos-realizim të të drejtave të viktimave dhe familjeve të tyre. Normat e së drejtës ndërkombëtare që sanksionojnë krimet e luftës janë norma fundamentale dhe të patjetërsueshme, dhe si rrjedhojë duhet të respektohen nga të gjitha shtetet pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e konventave respektive, meqë këto norma përfaqësojnë edhe principe themelore të së drejtës zakonore ndërkombëtare. (GJND, Opinioni këshillues në çështjen e armëve nukleare, 1996, para. 79)

Nuk ekziston as mundësia e parashkrimit të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe krimit të gjenocidit. Konventa për Mos-Aplikueshmërinë e Limiteve Statutore për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit afirmon parimin tjetër të së drejtës ndërkombëtare që këto krime nuk vjetrohen dhe si pasojë nuk mund të parashkruhen. Edhe kjo konventë konsiderohet se reflekton të drejtën zakonore, dhe është krejt e parëndësishme nëse kanë kaluar 10, 20 apo 50 vite prej kohës kur janë kryer krimet në fjalë, obligimi i shteteve për ti ndëshkuar nuk pushon përderisa përgjegjësit për kryerjen e krimeve të luftës janë gjallë. Përderisa krimet e sipërpërmendura kategorizohen si krime kundër rendit ndërkombëtarë të ndaluara me norma të patjetërsueshme, krijohen efekte specifike juridike si (1) obligimi i shteteve për të ndjekur dhe ndëshkuar penalisht apo ekstraduar kryerësit; (2) krimet e sipërpërmendura nuk mund ti nënshtrohen limiteve statutore, pra nuk mund të parashkruhen; (3) kanë karakter universal duke krijuar mbi to juridiksion universal.

Amnistitë që lirojnë nga përgjegjësitë individë që kanë kryer krime të natyrës së trajtuar më lart dhe që pengojnë realizimin e të drejtave të viktimave janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, dhe si pasojë ekspozojnë shtetet ndaj përgjegjësisë në rast të mos përmbushjes së obligimeve të tyre. Të dy shpjegimet më lart lidhur me raportin mes amnistisë dhe krimeve të karakterit universal na sjellin në përfundimin që amnistimi i këtyre krimeve, pavarësisht kur dhe sa kohë pasi që këto krime kanë ndodhur, përmes miratimit të ligjeve në juridiksionet e brendshme ose përmes marrëveshjeve politike mes shteteve, do të përbënte shkelje flagrantë të së drejtës ndërkombëtare. Kjo reflektohet edhe në të drejtën tonë të brendshme pasi legjislacioni jonë nuk njeh mundësinë e amnistimit e as të parashkrimit të krimeve të luftës.

Tash që e konstatuam që amnistimi i këtyre krimeve do ishte shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare, përgjigjen në pyetjen se a mund të amnistohen krimet e luftës në një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta kërkojmë tek një pjesë tjetër e së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja përfundimtare, që do të jetë baza juridike e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen, do të qeveriset patjetër nga Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe nga e drejta e traktateve në përgjithësi. Neni 53 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (tutje KVDT), shprehet që një traktat është i pavlefshëm në rast se është në konflikt me një normë fundamentale ose të patjetërsueshme, jus cogens, të së drejtës ndërkombëtare. Ky nen përcakton rregullën e invaliditetit të traktateve kur marrja dhe zbatimi i obligimeve që rrjedhin prej një traktati do të qonte në shkelje të një norme jus cogens. Në këtë rast, një traktat apo një marrëveshje ndërkombëtare do të ishte null, e pavlefshme, e cila nuk prodhon kurrfarë efekte juridike ab inito. Neni 53 parasheh invaliditet automatik të traktatit nëse ai ose pjesë të tij janë në kundërshtim me normat e patjetërsueshme.

Në rast se provizione të caktuara të një traktati janë në konflikt me normat e patjetërsueshme, jo vetëm provizionet specifike por i gjithë traktati është i pavlefshëm. Neni 44(5) KVDT parasheh që në çështjet e parapara me nenet 51-53, ndarja e provizioneve të traktateve nuk është e lejueshme, pra ndarja dhe suspendimi i provizioneve respektive pa prishur integritetin e gjithë traktatit nuk do të ishte i mundur. E drejta ndërkombëtare është paranojake dhe fanatike në këtë aspekt, dhe kur vjen në pyetje konflikti me normat e patjetërsueshme, ajo obligon shtetet të ndërmarrin një lloj ekzorcizmi dhe dekontaminimi legal pasi kërkon nga to të shlyejnë të gjitha gjurmët dhe të gjitha derivatet që mund të kenë rrjedhur nga një traktat që është në konflikt me normat e patjetërsueshme. Pra një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do të trajtonte çështjen e amnistimit të krimeve të luftës, do të ishte një letër e vdekur që nuk do të prodhonte kurrfarë efekti juridik a obligimi për palët, përveç se potencialisht përgjegjësi për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Normat jus cogens qëndrojnë përmbi traktatet dhe të drejtën zakonore e si të tilla kanë fuqinë invaliduese të të gjitha normave që janë në kundërshtim me to, dhe në rast se shtetet nuk përmbushin obligimet e tyre në garantimin dhe respektimin e tyre, mund të mbahen përgjegjëse për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mund të jenë objekt i kundërmasave të ndryshme.

Cassese në punimin e përmendur në fillim të këtij shkrimi, citon Desmond Tutu’n kur thotë që politikanët kur janë në pyetje shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, zgjedhin pajtimin përpara drejtësisë. Sidoqoftë edhe nëse politikanët tanë do të preferonin të zgjidhnin amnistimin përpara drejtësisë si mjet më të kollajshëm politik, një gjë e tillë nuk do të ishte e realizueshme. Në rastin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe në rastin e arritjes së një marrëveshjeje finale, amnistimi jo që nuk mund të gjejë vend në marrëveshje, por nuk mund as të jetë temë e bisedimeve. Edhe në rast se palët do të shprehnin vullnetin e tyre që ta bënin amnistinë pjesë të agjendës, kjo gjë do të ishte e pamundur: (1) për shkak se është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare; (2) do ta reduktonte marrëveshjen në të pavlefshme dhe në një letër që nuk prodhon kurrfarë efektesh; dhe (3) nuk do lejohej nga ndërmjetësuesit që do garantojnë marrëveshjen, si Bashkimi Europian dhe SHBA’të, të cilët janë pionierë në forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave të njeriut në botë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.