Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Më e vrazhdë se Caravaggio: gruaja që u hakmor në vaj

Artemisia Gentileschi ktheu tmerret e jetës së saj – shtypjen, padrejtësinë, përdhunimin – në piktura biblike brutale që qenë poashtu edhe piskama lufte për gratë e shtypura. Pse nuk është vënë re dhuntia e saj e jashtëzakonshme?

Jonathan Jones

Dy gra po e mbajnë një burrë të ngulitur për shtrati. Njëra ia shtyp kokën me grusht, në mënyrë që ai të mos mund ta ngrejë atë nga dysheku, ndërsa shoqëruesja e saj ia mbërthen bustin në vend. Të gjithë duken të fortë me krahë të fuqishëm, por me gjithë këtë atyre u duhet fuqia e përbashkët për ta mbajtur viktimën e tyre të palëvizshme teksa njëra nga to ia pren fytin me një shpatë të ndritshme. Gjaku rrjedh çurk nga gejzerët e kuq të thellë ndërkohë që ajo e sharron. Ajo s’do të ndalet derisa koka të jetë tërësisht e këputur. Sytë e viktimës së saj janë të zgurdulluar. Ai e di shumë mirë se çfarë po i ndodh.

Burri që po vdes është Holofernesi, një armik i izraelitëve në Dhjatën e Vjetër, dhe gruaja e re që po i këput kokën është Judith, vrasësja e tij e emëruar nga hyjnia. E megjithatë, në të njëjtën kohë ai është poashtu piktori italian i quajtur Agostino Tassi, përderisa gruaja me shpatë është Artemisia Gentileschi, që e pikturoi këtë skenë. Ky është, realisht, një autoportret (të cilin mund ta shihni këtu).

Dy piktura të mëdha të zhytura në gjak të Judithit dhe Holofernesit nga Gentileschi mbijetojnë, njëra në Capodimonte të Napolit, dhe tjetra në Uffizi të Firences. Të dyja janë gati identike pos disa detajeve – në Napoli fustani i Judithit është i kaltër, në Firence i verdhë – sikur ky imazh të ishte një makth që e mundonte vazhdimisht, akti i fundit i një tragjedie që përsëritet pafundësisht në kokën e saj.

“Kjo është unaza që më dhe, dhe këto janë premtimet e tua!” çirrte Gentileschi nësa ajo po torturohej në një sallë gjyqi në Romë më 1612. Litarët i qenë lidhur rreth gishtave dhe i qenë tërhequr fort. Gjykatësi e kishte këshilluar për një përdorim të moderuar të sibille-it, përgjatë shpalljes së kësaj torture, meqë ajo qe mbi të gjitha 18 vjeç. Në anën tjetër të sallës qe i ulur burri i cili e kishte përdhunuar atë. Askujt nuk i shkoi në mendje ta torturonte atë. Mospërfillshëm, Gentileschi i thoshte se vidat e gishtave ishin unaza e martesës që ai i pat premtuar. Përsëri e përsëri, ajo nguli këmbë se dëshmia e saj për përdhunimin qe e besueshme: “Është e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë.”

Gentileschi qe artistja më e mirë femër e kohës së barokut dhe njëra prej ndjekëseve më briliante të artistit nxitës Caravaggio, piktura e tmerrshme Judith dhe Holofernes e të cilit e influencoi të sajën. Me fjalë dhe imazhe, ajo luftoi kundër dhunës mashkullore që dominonte botën në të cilën jetonte ajo.

Gentileschi arriti diçka aq të pangjashme, aq afër të pabesueshmes, saqë ajo meriton të jetë njëra prej artistëve më të famshëm në botë. Nuk është thjesht për shkak se ajo u bë një artiste shumë e suksesshme në një kohë kur shoqatat dhe akademitë u mbyllën dyert grave. Ajo poashtu bëri një gjë që asnjë prej grave të tjera të barokut dhe Rilindjes që patën sukses si artistë, nuk patën mundësi të arrinin: ajo komunikoi një vizion të fuqishëm vetjak. Pikturat e saj janë dukshëm autobiografike. Sikurse Frida Kahlo, Louise Bourgeois apo Tracey Emin, ajo e shprehu jetën e saj në artin e saj.

E çfarë jete brutalisht të shkatërruar pat ajo. Në botën e egër të artit, në Romën e Caravaggios, artistët qenë të pasur, arrogantë dhe mund të bënin çfarë t’u donte qejfi derisa papa t’i kishte në sy të mirë. Gentileschi duhet ta kishte takuar Caravaggion shumë herë si fëmijë: mbase ai e kishte inkurajuar atë që të pikturonte. I ati i saj Orazio, poashtu artist i talentuar, qe mik i ngushtë i Caravaggios. Më 1603, Orazio dhe Caravaggio u paraqitën në gjyq së bashku pasi që kishin shkarravitur shpifje rreth një artisti armik në rrugët e Romës. Në dëshiminë e tij, Orazio rastësisht përmend faktin sesi Caravaggio pat ardhur në shtëpinë e tij për të huazuar një palë krahë engjëlli.

Kjo na jep një fotografi të këndshme të fëminisë së Gentileschit: Caravaggio i madh që shfaqet befas për të kërkuar gjëra. E lindur më 1593, ajo qe 10 vjeç kur ndodhi kjo. Kur ajo qe 13, katastrofa ra mbi rrethin e Caravaggios. Ai ishte gjithmonë në zgrip të rrezikut – ai mbante shpatë dhe ishte i gatshëm ta përdorte – por më 1606 ai vrau një burrë i cili kishte miq në gjykatën papnore. Ai u arratis. Orazio dhe e bija e tij nuk do ta shohin kurrë më frymëzimin e tyre.

Të qenit bija e një artisti qe e vetmja mënyrë që një grua e re të mund të shpresonte të mësonte aftësitë e ndërlikuara që duheshin për të pikturuar profesionalisht në epokën e barokut. Duket se Orazio kishte ambicie për të bijën e tij – mbi të gjitha, ai i kishte vënë asaj një emër të mrekullueshëm dhe klasik. E përderisa shkathtësitë e saj po zhvilloheshin, ai punësoi një artist të ardhshëm, të quajtur Agostino Tassi, që t’i jepte mësime. Pastaj, më 1612, Orazio e akuzoi Tassin për përdhunim të së bijës, dhe gjithashtu se e kishte mashtruar atë duke i marrë një pikturë nga studioja e tij.

Procesi gjyqësor zgjati për shtatë muaj dhe shokoi Romën. E bëri Gentileschin me famë – në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Për mrekulli, çdo fjalë e këtij gjykimi mbijeton, në një transkript që hap dritaret drejt jetëve të artistëve në kohën e Caravaggios. Gentileschi na flet përmes një dokumenti 400 vjeçar më një zë që është elokuent, i guximshëm dhe imponues. Ky është një shembull i rrallë i një gruaje në epokën paramoderne që merr qëndrim kundër shtypjes që ishte pjesë e jetës së përdëtishme.

Ajo dëshmoi se Tassi hyri fshehtazi në dhomën e saj dhe filloi t’i bënte oferta të padëshiruara për seks. “Pastaj më plandosi në cep të shtratit, duke më shtyrë gjoksin me duar, dhe e vuri njërin gju mes kofshëve të mia që të mos mund t’i mbyllja. Duke më ngritur rrobat, ai vendosi një dorë me shami në gojë që të mos mund të bërtisja.”

Ajo u përlesh me të. “Unë ia gërvishta fytyrën, – i tha ajo gjykatës, – dhe ia shkula flokët, para se të më penetronte përsëri, i kapa penisin aq fort saqë madje i hoqa një copë të mishit.” Por ajo s’mundi ta ndalonte. Më pas, ajo nxitoi për te një sirtar dhe nxori një thikë. “Dua të të vras me këtë thikë sepse më ke çnderuar,” – bërtiti ajo. Ai e zbërtheu pallton e tij dhe tha: “Ja ku jam.” Gentileschi e gjuajti me thikë por ai u mbrojt. “Përndryshe, – tha ajo, – mund ta kisha vrarë.”

Procesi gjyqësor u karakterizua poashtu me muaj ekzaminimesh bishtnuese të dëshmitarëve. Miq, qiramarrës, artistë dhe të afërm formuan një pasqyrë të vatrës së Gentileschit. Ajo është portretizuar si një adoleshente e cila e kalonte gjithë kohën duke pikturuar dhe duke dalë shumë rrallë jashtë. Përdhunuesi i saj, ndërkohë, doli të ishte një karakter edhe më i lig sesa dukej në pamje të parë. Disa dëshmitarë pohuan se ai e kishte vrarë të shoqen e tij – dhe ai nuk mund të ofronte ndonjë mbrojtje të mirë në lidhje me këtë.

E prapë se prapë Gentileschi u torturua ndërsa Tassi u lirua. Pse? Ai ishte i mbrojtur prej papës, sepse arti i tij – i harruar sot – asokohe vlerësohej lart. Çdokush e dinte se ai qe një maskara. “Tassi është i vetmi prej këtyre artistëve i cili nuk më ka zhgënjyer asnjëherë,” tha Papa Inocenti X. Artistët e tjerë shtireshin sikur të ishin njerëz të nderit, shpjegonte ai, por që e kishin lënë në baltë. Me të pazëvendësueshmin Tassi, ai e dinte se me kë kishte të bënte.

Gentileschi, ende një adoleshente, kur u përfundua procesi, qe turpëruar në një kulturë ku nderi ishte gjithçka. E prapë se prapë kjo i dha asaj një publicitet monstruoz. Përgjatë viteve 1620, ajo u bë një artiste e suksesshme që punonte sa më larg që mund të ishte nga Roma. Ajo po hakmerrej me të vetmen armë që kishte në duar: brushën. Ajo nuk mund të shkruante tregimin e saj sepse, siç tregoi gjatë procesit, ajo qe pak a shumë analfabete. Ajo mund ta pikturonte atë tregim, megjithatë, dhe t’i ndryshonte përfundimin – siç tregojnë pikturat e saj të Judithit dhe Holofernesit.

Përfundimisht, Gentileschi sjell një element të tregimit biblik që nuk i kishte shkuar ndërmend asnjë artisti mashkull. Në shumicën e pikturave, duke përfshirë pasqyrimin haluçinues të Caravaggios, Judith ka një shërbëtore e cila pret që të marrë kokën e prerë. Por Gentileschi e përfaqëson shërbëtoren si një grua të re e të fortë, e cila merr pjesë aktivisht në vrasje. Kjo shkakton dy gjëra. I shton skenës një realizëm të egër të cilin as Caravaggio nuk e kishte menduar – do të duheshin dy gra për ta vrarë këtë shtazë. Por kjo gjithashtu i jep skenës një implikim revolucionar. “Çfarë do të ndodhte, – pyeste veten Gentileschi, – po të bashkoheshin gratë? A do të mund ta luftonim këtë botë të sunduar prej burrave?”

Pastaj është piktura e vitit 1622 e quajtur Sussanah dhe Pleqtë (shiheni këtu). Këtu, përsëri, ajo përdor një tregim biblik për të dramatizuar atë se çfarë do të thoshte të ishe grua në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Dy burra të moshuar po e përgjojnë një grua të re që lahet, por Gentileschi e nxjerr në pah edhe më shumë ngjethshmërinë e kësaj skene duke i bërë burrat që të shfaqen dhe të ngulin sytë haptas, ndërsa artistët tjerë priren t’i shfaqin ata duke u fshehur në largësi. Përse i pasqyron ajo soditësit si totalisht të pasikletosur, duke mos u përpjekur fare të fshehin epshin e tyre dhe ndërhyrjen në hapësirën e Susannahs?

Ky është një efekt shqetësues, një përkujtim i parehatshëm i persekutimit të saj. Gjatë procesit gjyqësor, u mor vesh se Tassi kishte një bashkëfajtor që poashtu e dëshironte atë. Që të dy vazhduan t’i silleshin, ta ngacmonin, ta shikonin, sikur soditësit që e mundonin Sussanahn. Trauma e përdhunimit të Gentileschit dhe procesi i cili nuk i dha drejtësi, nuk iu nda artit të saj. E prapëseprapë, ajo nuk u shkatërrua nga vuajtja e saj. Përkundrazi, fuqia e brendshme e pikturave të saj e shndërroi në njërën prej artistëve më të famshëm në Evropë.

Madje edhe oborri i largët britanik kishte dëgjuar për të. Më 1638, Charlesi i parë, e ftoi personalisht për vizitë në Londër që të punonte për të. Aty, Gentileschi pikturoi atë që mund të jetë piktura e saj më origjinale dhe më e rëndësishme. Në Autoportretin si Alegori e Pikturës (shiheni këtu) ajo përshkruan veten si një karakter muskuloz, dinamik dhe i fortë, sikurse ato gratë që mbajnë të nënshtruar Holofernesin. Në vend të shpatës, ajo është e armatosur me një brushë. Shekuj para feminizmit, Gentileschi lëviz përgjatë hapësirës me një rrjedhshmëri të jashtëzakonshme, krijuese e imazhit të saj, heroinë e jetës së saj.
____________

Vepra e plotë e Gentileschi-t.

Artikulli origjinal i botuar në The Guardian, më 5 tetor 2016.

Përkthyer nga Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.