Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Për një edukator si John Dewey

Filozofi dhe psikologu amerikan John Dewey, foto nga Gettyimages.

Ekskurs rreth teorisë për raportin shkollë & shoqëri dhe anasjelltas, nga John Dewey

Charles Sanders Piers njihet si themelues i pragmatizmit, i cili në fillim u njoh si një teori e kuptimit. Termi Pragmatizëm buron nga fjala greke pragama që do të thotë: punë, aktivitet, veprim. Në filozofinë bashkëkohore, pragmatizmi konsiderohet rryma e cila duke njësuar objektin e njohjes me procesin e njohjes, i shikon nocionet, idetë, teoritë etj., së pari nga pikëpamja e rëndësisë së tyre praktike. Ndërsa sipas pragmatistit radikal William James: “Pragmatizmi e braktis abstraksionin dhe pamjaftueshmërinë, zgjidhjet verbale, arsyet e këqija a priori, parimet fikse, sistemet e mbyllura dhe absolutet, e origjinat e rreme (William James, Pragmatizmi, f. 216). Po ashtu edhe John Dewey e ndërton teorinë e tij mbi premisa tërësisht pragmatike, në lidhje me edukimin.

Pragmatizmi dhe Shkolla – Koha të cilën John Dewey po e jetonte dhe po e ndjente zhvillimin e shoqërisë amerikane, ishte një kohë mjaft dinamike. Industrializmi ishte në fillet e tij. Një dinamizëm i tillë ofronte indikacione për të menduar se e ardhmja do të sillte mjaft vështirësi dhe se po aq i vështirë do të ishte parashikimi i saj. Madje këtë e potencon edhe vetë Dewey, kur thotë se ne nuk mund të parashikojmë me ndonjë saktësi, as për 20 vitet e ardhshme, sepse kjo pamundësi ishte pikërisht për shkak të kësaj dinamike të zhvillimit të shoqërisë. Këtë zhvillim rapid, Dewey fillon ta  perceptojë nën prizmin e pragmatizmit. “I inspiruar nga idetë inovative dhe i impresionuar nga aktivitet praktike të komunitetit, në vitin 1902 Dewey prezentoi një ide briliante, profetike, që ishte e adresuar në konferencën e Asociacionit Edukativ Kombëtar, që ishte shumë influencuese, – Shkolla si qendër sociale” (Lee Bensoon, John L. Puckeett, Ira Harvary, Dewey’s Dream, f. 34). Dewey këmbëngulte që shkolla të ishte një qendër që do të aftësonte fëmijët në mënyrë konkrete, praktike, dhe jo që të merret me teoretizime boshe. Zhvillimi i hovshëm shkencor kërkon një edukim aplikativ, e që Dewey ishte tërësisht i vetëdijshëm për këtë. Ai edukimin e mendonte si një lidhje mes individit dhe shoqërisë dhe se këto dy komponente e plotësonin njëra-tjetrën në masën përkatëse. Ai pohon: “Unë besoj se edukimi është një normë e procesit që arrin të marrë pjesë në vetëdijen shoqërore; dhe se rregullimi i aktivitetit të individit në bazë të kësaj vetëdijeje shoqërore është e vetmja metodë e sigurt e rindërtimit shoqëror” (John Dewey, Shkolla dhe Shoqëria, f. 27).

Duke e kundërshtuar filozofinë, e cila merret me teoretizime abstrakte, si një disiplinë shterpë, e cila vetëm sa i komplikon punët duke u marrë me gjëra të kota, Dewey rekomandon që të dalim nga ky qorrsokak dhe të merremi me fenomenet konkrete. Edukimi nuk ka nevojë as për mësuesin tradicional, i cili e ngulfat mundësinë që fëmija të marrë njohuri, sepse sipas Dewey, edukatori tradicional është autoritar dhe jashtë trendeve të edukimit. Dewey pohonte se edukatori tradicional nuk është i vetëdijshëm për rëndësinë e potencialit të individit brenda shoqërisë: “Për të ditur ç’është realisht një potencial ne duhet të dimë se cili është qëllimi i tij, dobia, ose funksioni; dhe këtë mund ta dimë vetëm nëse e konceptojmë individin si aktiv në marrëdhëniet shoqërore” (Ibid., f. 13). Pa kuptimin e këtyre rrethanave, që për Dewey janë vendimtare nuk mund të kemi rezultate të dëshirueshme.

Filozofia e edukimit dhe pragmatizmi – Filozofia e edukimit është kritika e teorisë së përgjithshme e edukimit. Ajo përbëhet prej vlerësimit kritik dhe reflektimit sistematik mbi teoritë e përgjithshme edukative. Dewey nuk e përkrahte idenë, që e ndiqte ‘filozofia kontinentale’, sepse ai mendonte se ajo nuk ofron ndonjë rezultat konkret. Dewey ishte një luftëtar radikal kundër çdo tradicionalizmi, të spekulimeve metafizike. Ai mendonte se detyrë primare e filozofisë është që t’u sqarojë njerëzve idetë lidhur me konfliktet shoqërore dhe morale të kohës. Ai pohon: “Sistemet filozofike të cilat formulojnë problemet, regjistrojnë tiparet dhe vështirësitë e praktikës bashkëkohore sociale, ato sjellin vetëdije eksplicite, çka njeriut i vjen të mendojë, në virtytin e cilësisë së eksperiencës së tanishme, për natyrën, vetveten, dhe realiteti që e konceptojmë, i përmban ose i qeveris që të dy” (John Dewey, Democracy and Education – An Introduction to the Philosophy of Education, f. 349). Sipas kësaj premise, filozofia nuk duhet të përqendrohet vetëm në gjetjen e fakteve, por edhe në vete duhet të përmbajë sqarimin e vlerave të përvojës së dhënë objektive dhe postulimin e zgjidhjeve të situatave të reja me karakter human dhe socio-kulturor. Filozofia në esencë ka për detyrë të jetë sociale dhe pedagogjike. “Është imediate ta lidhim filozofinë me mendimin në dallushmërinë me dijen. Dija, e bazuar në njohjen në shkencë, i përfaqëson objektet të cilat janë të akomoduara, rradhitura, të predestinuara të racionalitetit” (Ibid., f. 350). Dewey mendonte se filozofia mundet dhe duhet të përdoret për formimin e njeriut sa më mirë dhe të një rendi demokratik sa më të drejtë.

Shkolla, shoqëria dhe eksperienca – Në librin e tij, Experience and Education, Dewey paraqet problemet edukative që janë ende me rëndësi jetike për mësimdhënësit që kanë rëndësi edhe në ditët e sotshme. Teoria e Dewey në lidhje me edukimin, shpesh cilësohet si eksperimentalizëm ose instrumentalizëm (Dewey njihet edhe si themelues i instrumentalizmit). Ai rekomandoi që edukatorët duhet të përcaktojnë me sensitivitet objektivat edukativë dhe rezultatet e pritura, duke përdorur përvojën si një instrument konstruktiv të të mësuarit. Ideja se çdo përvojë është parë si një forcë lëvizëse që në fund të fundit do të ndikojë mbi përvojat e ardhshme, është faktor bazë në filozofinë e edukimit. “Pyetja bazike është se shqetësimi i natyrës së edukimit, është parashtesë kualifikuese e synimit. Çka na nevojitet dhe dëshirojmë është edukim i pastër dhe i thjeshtë, dhe ne do të duhej që sa më shpejt dhe sigurt të përparojmë, e kur ne i përkushtohemi vetes sonë që të gjejmë, çka është edukimi dhe çfarë kushtesh duhet të jenë të kënaqshme në atë mënyrë që edukimi mund të jetë një realitet dhe jo një emër apo slogan. Për këtë arsye të vetme, unë kam theksuar nevojën për një zë për filozofinë e eksperiencës” (John Dewey, Experience and Education, f. 95). Ai beson se përvoja ngjall kuriozitete, forcon iniciativën si dhe orienton dëshirat dhe qëllimet që forcojnë procesin arsimor. Po ashtu ai besonte se arsimi është një proces i vazhdueshëm dhe kështu ai propozon që arsimi duhet t’i parapërgatisë nxënësit për vazhdimin e mësimit nëpërmjet rekomandimeve, sugjerimeve dhe kështu të konkludohet, se qëndrimi më i rëndësishëm që mund të formohet nga kjo përvojë është dëshira për të shkuar në shkollë. Ja sesi shprehet konkretisht për këtë Dewey: “Unë besoj se shkolla është kryesisht një institucion shoqëror. Edukimi, duke qenë një proces shoqëror, e bën shkollën thjesht një formë jete, komuniteti në të cilën të gjitha degët e saj të mësimdhënies janë të përqendruara të jenë sa më efektive në nxitjen e fëmijës, për të ndarë kështu burimet e trashëguara të njerëzimit dhe për t’i përdorur forcat e tij për qëllime shoqërore” (Ibid., f. 15). Ai insiston që mësimdhënia të jetë atraktive për nxënësin dhe njohuritë të stimulohen që të ketë sa më shumë kreativitet.

Edukimi dhe Përvoja – Përvoja në filozofinë e edukimit është komponenti themeltar, ku nëpërmes saj bëhet i mundur aspekti aplikativ në formën sa më të mirë të mundshme. “Edukimi, si pasojë, duhet të fillojë me një vëzhgim psikologjik për kapacitetet, interesat dhe shprehitë e fëmijës” (Ibid., f. 14). Këto njohje në lidhje me fëmijën që mund t’i kemi, Dewey pohon se duhet aplikuar në realitetin i cili buron nga përvoja materiale, ku atëherë do të ketë vlerën e vërtetë vetëm nëse kjo njohje përdoret si mjet, si instrument. Ai mendonte se të menduarit është vetëm një mjet i njeriut për të arritur dhe që ta realizojë jetën e tij në mënyrë sa më të mirë. Ai pohonte: “Unë besoj, së fundmi, se mësuesi duhet të interesohet jo thjesht në trajnimin e individëve, por në formimin e jetës së duhur shoqërore” (Ibid., f. 29). Koncepsioni mbi edukimin, edukatori duhet ta jetë nën prizmin e një eksperience, e cila do të pasohet edhe nga një elokuencë pedagogjike dhe me një ndjeshmëri shumë të lartë në raport me individin, ashtu edhe shoqërinë.

Mësuesi Tradicional dhe Progresiv – Kritik i ashpër i mësuesit tradicional, por edhe i shkollës tradicionale, Dewey përkrah idenë e mësuesit progresiv. Ai mendonte se aspekti tradicional i edukimit është i pranishëm, sepse siç e argumentonte: “Në mesjetë, ai ishte një grumbull shkollash profesionale, më së shumti të fushës së drejtësisë dhe teologjisë. Universitetin tonë të sotëm e kemi trashëguar nga mesjeta. Me këtë nuk dua të them se ai sot është një institucion mesjetar, por rrënjët i ka nga mesjeta, prandaj edhe nuk i ka kapërcyer të gjitha traditat mesjetare të të mësuarit” (Ibid., f. 71). Dewey bën krahasime të ndryshme mes niveleve të shkollimit, por edhe krahasime për tema dhe terma të caktuar ndërmjet vendeve të ndryshme të Amerikës. Ai has në shumë ndryshime dhe karakteristika të veçanta. P. sh., ai bën dallimin e emërtimit gjimnaz dhe tregon sesi ky term është klasik dhe po ashtu edhe sesi në periudhën klasike kishte tjetër domethënieje dhe tjetër në periudhën liberale. Ai e dallonte si progres në edukimin e njerëzve, përkundër aspektit tradicional, se është aftësia e edukatorit që ai të jetë një ndihmës në procesin njohjes, por edhe në përshtatshmërinë sa më të madhe të mundshme mes kurrikulave dhe fëmijës. Fëmija duhet të ndihet plotësisht i çliruar nga autoriteti i edukatorit edhe edukatori njëkohësisht duhet të jetë mendjehapur, me përvojë, konkret dhe aplikativ, të jetë koshient në zbatimin e kurrikulave.

Prandaj, Dewey mendon: “Tani më, oponenca, deri më tani në marrëdhëniet praktike në lidhje me shkollën, tenton ta marrë formën e kontrastit midis edukimit tradicional dhe progresiv. Nëse idetë e nënvizuara të së kaluarës janë të formuluara përgjithësisht, pa kualifime të nevojshme për praktika konkrete, ato janë të gjetura si në vijim: Çështja qëndron se edukimi konsiston në trupin e informimit dhe aftësive që janë të përpunuara nga e kaluara; prandaj, shefi i biznesit të shkollës duhet t’i përçojë ato tek gjeneratat e reja” (Experience and Education, f. 17). Për Dewey ishte vendimtare që gjeneratave të reja t’u jepej hapësira e mjaftueshme që ata të absorbojnë njohuritë e nevojshme, “(…) për më tepër, që studenti të jetë aktiv, antarë efektiv i shoqërisë demokratike dhe progresive, ai duhet të jetë i edukuar për lidership dhe gjithashtu për lojalitet. Ai duhet të ketë fuqi për vetudhëheqje dhe që t’i udhëheqë të tjerët, forcën administrative dhe shkathtësinë që të ketë pozitë të përgjegjshme” (Lee Bensoon, John L. Puckeett, Ira Harvary, Dewey’s Dream, f. 23).

Laboratori i Dewey – Për ta revolucionarizuar sistemin e edukimit në Amerikë, Dewey besonte se duhej gjetur një metodë e cila do ta mbante si koherent ashtu dhe efiçient nivelin e edukimit. Ai besonte se ndryshimet ishin për shkak të ndikimeve të grumbulluara të individëve, të nismave dhe vendimeve e tyre. Insistonte në mësimin laboratorik, në formulimin e termave të tilla si hetim, mendim reflektues, dhe metodë shkencore. Ai mendonte se e gjithë kjo ishte e lidhur ngushtë me demokratizimin e shoqërisë, sepse me këtë mund të arrihet qëllimi dhe aplikativiteti që është i lidhur ngushtë me përvojën. Dewey tenton të shkëputet tërësisht nga dimensioni, jo vetëm tradicional, por edhe nga qasjet që nuk kanë si qëllim dobishmërinë e rezultateve. Ai shprehet: “Pa marrë parasysh kontekstet dhe problemet e ndryshme, udhëheqja operon si radhitje, kontroll, klasifikim dhe ulitimativisht përbrendëson kuptimet dhe relacionet sesi problemet mund të zgjidhen, si duhet të pasurohet rritja e eksperiencës që kemi, si në aspektin individual dhe në atë social, dhe sesi duhet të procedohet me atë” (Ibid., f. 27). Nëpërmes këtyre formave aplikative të edukimit, Dewey mundohet që në njëfarë mënyre tërë teorinë e edukimit ta vendosë në një stad të ri konceptual, që për fundament ka aspektin shkencor. Nëpërmes mësimit laboratorik tenton të krijojë kushte të atilla që elementet përvojësore të mund të bëhen aplikative me ndihmën e metodave shkencore aplikative.

Era e re: Edukimi mes teorisë dhe praktikës – Me zhvillimet shkencore që po ngrinin kokën dhe të cilat premtonin një potencial të fuqishëm ndryshimi, Dewey paralajmëron në njëfarë forme për një përqendrim në defektet që mund të krijohen nga ky zhvillim. Antagonizmat e përhershme mes teorisë dhe praktikës në filozofi, Dewey mundohet t’i pajtojë në teorinë e edukimit. Ai mendon se filozofia duhet të ndjekë shembullin e fizikës dhe t’i nënshtrohet strukturës së përvojës, sepse; “…edhe mendja është vetëm organ natyror i përvojes” (Dewey’s Dream, f. 25). Sipas kësaj teze, filozofia do të mund të bëhej e dobishme si shkencë ekzakte ose si ndihmëse e shkencës. Për Dewey shkenca para së gjithash është fuqi e cila nuk duhet të përdoret në njerëzit, por mbi natyrën, e në shërbim të rendit social. Edukimi duhet ta zhvendosë njëherë e përgjithmonë metodën mesjetare akademike dhe të orientohet kah metodat hulumtuese shkencore.

Dinamikat e zhvillimit janë shumë të shpejta dhe në mënyrë specifike ndikojnë në kohezionin social, andaj duhet të krijohen mekanizma të atillë që nëpërmes formave të ndryshme të edukimit të balancohen raportet. Rritja e mirëqenies, progresi, fushëveprimi, liria ishin momentumet të cilat njëkohësisht përcilleshin edhe me defekte mjaft serioze. Për këtë Dewey bënte thirrje për një demokraci përfaqësuese, e cila do t’i mundësojë secilit individ të jetë i pranishëm. “Nëse demokracia përfaqësuese ishte realizuar, Dewey tani teorizonte, që është e detyrueshme për lirinë e kërkimit të të dhënave dhe informacionit që të ekzistojë si një shkallë në rritje universale dhe që mjetet praktike të zhvillohen domosdoshmërisht, ‘intelegjenca’ të jetë në dispozicion të të gjithë antarëve të shoqërisë” (Ibid., f. 11). Pra, kapërcimi i defekteve të tilla të cilat mund të bëhen problem serioz, për Dewey bëhen të mundshme nëpërmjet formave më të avancuara të edukimit liberal dhe të një ndërlidhje sa më të madhe mes teorisë dhe praktikës. Synimi i Dewey-it ishte që edukimin ta bëjë prioritet dhe njëkohësisht dëshirë për fëmijët, sepse ai besonte se një arsimim kualitativ dhe me rezultate të dëshiruara është edhe një mundësi më e mirë për ta bërë grupin, komunitetin, shoqërinë më të avancuar. Andaj, jo pa të drejtë theksohet edhe sot e kësaj dite se jetojmë në “Kohën e Dewey-it”.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.