Fakti se sivjet mbahen zgjedhjet në Serbi dhe në Kosovë shkakton ngritje të konsiderueshme të tensioneve, si në raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ashtu edhe në raportet ndëretnike në Kosovë.
Kësisoji, që nga fillimi i këtij viti ka pasur mjaft trazira politike dhe situata të cilat potencialisht kanë mundur të prodhojnë krizë. Megjithatë, derisa kriza në nivelin më të lartë dhe retorika e shtuar politike ndërmjet elitave politike mund të kontrollohen dhe të qetësohen me rolin e shtuar të bashkësisë ndërkombëtare, apo edhe me bisedat telefonike të vendimmarrësve politikë, ajo që mbetet si pasojë e kësaj retorike në diskursin publik ka rrezik t’i shkatërrojë marrëdhëniet edhe ashtu të brishta.
Po e theksoj qartë se kriza në nivel të kryeministrave dhe Qeverive të Beogradit dhe të Prishtinës nuk është aq e theksuar. Përkundrazi, katër vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, është bërë mjaft që vendimmarrësit nëpërmjet raportit dhe negociatave të vazhdueshme të krijojnë një praktikë përmes së cilës do të jenë në gjendje ta kontrollojnë krizën. Problemi është se shpeshherë kriza mund t’u shkojë për shtati pikërisht atyre. Gjithsesi, duhet pranuar se për normalizmin e marrëdhënieve është bërë më shumë në 4 vitet e fundit sesa që është bërë gjatë 12 viteve të shkuara.
Megjithëkëtë, kriza lehtë mund të shfaqet mu në atë fushë e cila në krejt këtë proces të normalizimit është anashkaluar. Konflikti i Kosovës edhe më tutje mund të cilësohet si i ngrirë por pikërisht këto ngjarje të kaluara, si “treni”, “demarkacioni”, “asociacioni” apo “muri” mund t’i shkrijnë frustrimet e shtypura edhe të palës sërbe edhe të asaj shqiptare. Sigurisht, këtu e kam fjalën për popullsinë lokale, e cila vazhdimisht shpërfillet dhe së cilës marrëveshjet si të tilla as që i shpjegohen. Komuniteti serb dhe ai shqiptar kanë ide të ndryshme sa i përket krejt procesit dhe gjendjes aktuale, por për këtë parimisht nuk duhen fajësuar qytetarët, por elitat politike të cilat manipulojnë me informacione në dobi të përmbushjes së agjendave të tyre personale, e këto agjenda paketohen në letra dekoruese dhe prezantohen si diçka që është bërë në të mirë të qytetarëve.
Ndër manipulimet e fundit është edhe nisma e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Përkundër kundërshtimit të komunitetit serb në Kosovë si dhe përfaqësuesve të ambasadave kyçe në Prishtinë, Thaçi provoi që me shkeljen e Kushtetutës ta shpërfillë dyfishin e shumicës prej dy të tretave, e cila nevojitet për ndryshimin e statusit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Një potez i tillë i paartikuluar dhe i pamenduar, vetëm sa i ashpërson tensionet tashmë të ngritura, dhe nuk u sjell dobi as proceseve në Kosovë as përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike.
Në anën tjetër, është interesante dhe paksa shqetësuese të dëgjohen e të lexohen deklaratat e një pjese të elitës akademike dhe intelektuale në Kosovë, gazetarëve, aktivistëve, duke përfshirë edhe disa ish-vendimmarrës, se si e miratojnë këtë nismë e cila shkel Kushtetutën e Kosovës, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, duke argumentuar me këtë se është legjitime të shpërfillet komuniteti serb në këtë proces, sepse ata gjithsesi nuk do të votojnë për Ushtrinë e Kosovës.
Ka shumë arsye pse pikërisht tani hapet çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës, përkundër kundërshtimit të qartë të partnerëve kyç në bashkësinë ndërkombëtare, e disa prej tyre do të përpiqem t’i përmend në këtë tekst.
Inicimi i procesit të formimit të Ushtrisë së Kosovës është spin klasik medialo-politik, dhe ai ndër të tjera e shfokuson vëmendjen nga çështjet prioritare reale në terren siç janë: formimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, lufta kundër korrupsionit, dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Ajo që në veçanti meriton vëmendje është formimi i Gjykatës Speciale për Kosovën, që të procesohen krimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Mund të pritet që individë të caktuar, të afërt me Presidentin, do të gjenden në listën e emrave të cilët do të gjykohen në këtë Gjykatë.
Gjithashtu, koalicioni qeveritar aktual në Kosovë është jostabil, ndërsa opozita, si gjithmonë, është e pakënaqur. Nisma për formimin e Ushtrisë së Kosovës mund të shikohet edhe nga përpjekja e Thaçit ta zgjerojë ndikimin e vet, madje edhe jashtë kornizës të cilën presidenti, me kompetencat e veta, e ka. Ai përpiqet ta pozicionojë veten si aktor kyç në skenën politike të Kosovës dhe ta lë në hije ndikimin shumë më të madh e më të rëndësishëm formal të kryeministrit Isa Mustafa, nga partia e koalicionit qeverisës, LDK-ja.
Në fund, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës paraqet manipulim me simbole kombëtare dhe ndjenjat e popullit në momentin kur uniteti kombëtar është i domosdoshëm. Aktualisht, qeveria, siç u përmend më parë, është nën presionin e madh të opozitës sa i përket çështjeve kombëtare kyçe, prandaj edhe janë të nevojshme “fitoret” e matshme dhe “të dukshme” në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
Gjithashtu, më duhet t’i përmend argumentet të cilat qarkullojnë në opinionin kosovar sa i përket aktualizimit të kësaj teme, dhe të përpiqem t’i hedh poshtë. Retorika është e tillë se formimi i ushtrisë është përgjigje ndaj armatosjes së Serbisë dhe ndikimit të shtuar të Rusisë. Theksi mbi aktivitetet e Serbisë vihet për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit. Është e qartë se Serbia nuk ka qëllim ta cënojë Kosovën ushtarakisht, pasi që në këtë mënyrë do t’i vënte në rrezik integrimet europiane. Në këtë aspekt, çdo argument e këtij lloji e ka efektin e “gogolit”. Në anën tjetër, shtrohet pyetja se a është kjo “armatosje” e ushtrisë së Serbisë gjithashtu spin për hir të interesave të brendshme politike para zgjedhjeve serbe dhe sa do ta forcojë ajo fuqinë ushtarake duke marrë parasysh se një pjesë e mirë e armatimit i cili blehet nga Rusia e vjetëruar dhe se funksionalizimi i atij armatimi, sipas disa llogaritjeve, do të kushtonte rreth 300 milionë euro. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, duke marrë parasysh se NATO-ja përmes KFOR-it është forca e vetme ushtarake në Kosovë, është e pakuptimtë të konisderohet që Serbia do ta rrezikonte konfliktin me Aleancën.
Roli ynë është që në të ardhmen sa më shumë t’i demistifikojmë proceset të cilat zhvillohen, që të mos biem në grackën e interesave politike ditore nga cilado palë qofshin ato. Shoqëria civile do të duhej t’i trajtonte në mënyrë shumë më të përgjegjshme problemet me të cilat ballafaqohen shoqëritë, e jo t’i mbështesë agjendat e elitave politike.
________
Ky shkrim është pjesë e projektit të mbështetur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, që implementohet nga Sbunker dhe New Social Initiative. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura i takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë medoemos pozicionin e donatorëve apo organizatave.