Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi “ofertat e mira,” apo neoliberalizimin e politikës

Ilustrimi nga Big Eye.

Sado që fushata zgjedhore nuk ka filluar akoma zyrtarisht, më rastis të dëgjoj herë pas here përfaqësues të ndryshëm partish politike duke thënë se “ata kanë ofertën më të mirë për qytetarët e vendit,” se “partitë e tjera nuk kanë kurrfarë oferte serioze,” dhe se “vetëm oferta e tyre do të bëjë të mundshëm lulëzimin ekonomik të Kosovës.”

Për habinë time, sidoqoftë, këto ditë arrita të dëgjoj të njëjtën gjë edhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje – të cilët, në disa emisione televizive ku ishin të ftuar, thoshin se “Lëvizja Vetëvendosje ka ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës.”

Pa dyshim, nuk jam aq i trashë nga mendja për të mohuar faktin që, për dallim nga partitë e tjera, Lëvizja Vetëvendosje ka alternativën më të mirë qeverisëse; që është i vetmi subjekt politik që nuk është i përfshirë në afera korruptive dhe kriminale; që qeverisja e saj në Komunën e Prishtinës është përnjëmend model sesi duhet qeverisur me vendin; dhe që i nominuari i tyre për kryeministër, Albin Kurti, është politikani më i guximshëm, më i ditur, dhe më i ndershëm që ka pasur Kosova e pasluftës.

Megjithatë, për një subjekt politik siç është Lëvizja Vetëvendosje, adoptimi i një gjuhe të tillë, mendoj, është problematik.[i]

Pse?

Sepse, përgjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike e ashpër e neoliberalizmit. Dhe, përderisa i kundërvihesh një doktrine të tillë, mendoj se duhet pasur kujdes që po ashtu ligjërimin dhe aktivitetin politik të mos e kornizosh në terma ekonomikë; sepse këtë gjë, në fakt, e synon ta bëjë bash neoliberalizmi. Pra, të rikonfigurojë të gjitha sferat e ekzistencës njerëzore në terma ekonomikë: politikën, kulturën, estetikën, religjionin, edukimin, e kështu me radhë.

Në të kundërtën, duke thënë se “ne kemi ofertën më të mirë,” Lëvizja Vetëvendosje, dashur pa dashur, po i bashkëngjitet partive të tjera në përpjekjen e tyre të përditshme për ta reduktuar qytetarin në një taksapagues të thjeshtë, klient e blerës (ashtu siç në fakt e synon logjika e kapitalizmit neoliberal); dhe, në të njëjtën kohë, politikanin në një shitës e ofertues, qëllim i vetëm i të cilit është të mashtrojë qytetarët (ngjashëm siç bëjnë, do të thoja unë, soji i Ramiz Kelmendit me këto “super-ofertat” në qendrat e mëdha tregtare në Kosovë).

Dhe, më me rëndësi se kjo, mendoj, duke thënë se “ne kemi ofertën më të mirë,” Lëvizja Vetëvendosje, dashur pa dashur, po i bashkëngjitet partive të tjera në reduktimin e sferës publike dhe politike në një aktivitet tregtar, ku shitësit (politikanët) dhe blerësit (qytetarët) aranzhojnë aktivitetet e tyre ekonomike. Ama, politika demokratike, siç kanë argumentuar shumë filozofë e mendimtarë politikë, nuk mund të reduktohet në një aktivitet ekonomik (të menaxhimit të financave, buxheteve dhe kapitalit, – siç po insiston kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti), dhe as nuk mund t’i nënshtrohet tregut apo ekonomisë. Këtë gjë, siç e dimë të gjithë, e synojnë mu fundamentalistët e neoliberalizmit. Pra, të përmbysin rendin e sferave njerëzore, duke i dhënë fuqi absolute tregut mbi ekonominë, shoqërinë, politikën, dhe shtetin.

Në këtë kuptim, do të ishte më mirë sikur të insistohet edhe më tutje në përdorimin e togfjalëshit politikisht kuptimplotë: ‘Alternativë Qeverisëse,’ sepse, përveç tjerash, i kundërvihet haptazi edhe sloganit të famshëm neoliberal të Thatcher-it: “Nuk ka alternativë,” me: “Po, ka alternativë”; dhe, po ashtu, përpjekjes së papranueshme neoliberalizuese për ta reduktuar politikën në një çështje administrimi e menaxhimi (të buxheteve, kapitalit, dhe financave). Alternativisht, mendoj se do të mund të përdorej edhe ‘program qeverisës,’ ‘program qeveritar,’ ‘program politik,’ ‘program ekonomik,’ e kështu me radhë. Ama, jo ofertë. Sepse politika nuk është treg. As lëvizjet, partitë e organizatat politike nuk janë kompani e korporata. Dhe as qytetari nuk është (vetëm) taksapagues, konsumator, dhe blerës.

Disa, sigurisht, do të thonë se jam duke e fryrë këtë punën e gjuhës më shumë nga ç’duhet. Ama, po t’i besojmë asaj që thoshte një mendimtar i famshëm në shekullin e XX, që ne banojmë te gjuha në sensin më të lartë të fjalës; dhe që, gjithashtu, ne nuk e zotërojmë gjuhën por ajo na zotëron neve, atëherë do të bënim mirë sikur t’i kushtonim më shumë kujdes ruajtjes së gjuhës nga kontaminimet e tilla neoliberale, sepse korruptimi i saj, mendoj, është njëkohësisht korruptim i qenies tonë politike.

______________

[i] Po them Lëvizja Vetëvendosje, dhe jo PDK, LDK, AAK, ose Nisma, sepse vetëm ajo e ka kritikuar modelin ekonomik neoliberal, kurse këto të tjerat, së bashku me misionet dhe organizatat ndërkombëtare, jo vetëm që e kanë përqafuar një model të tillë, por edhe kanë bërë gjithfarë gjërash për ta imponuar atë në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.