Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fuqizimi ekonomik i grave si parakusht për zhvillim ekonomik

Ilustrimi: Big Eye

Fuqizimi ekonomik i grave mbetet në periferi të planifikimit të politikave publike dhe ekonomike në Kosovë edhe pse shpesh, sidomos për përfitimin e poenëve politik, cilësohet që me mungesën e aktivizimit të grave në treg të punës Kosova është duke humbur shumë, sepse nuk po e shfrytëzon gjysmën e potencialit ekonomik. Mirëpo, edhe pse ka pasur progres në disa aspekte të nevojshme të cilat çojnë drejt përmirësimit të predispozitave për barazi gjinore, ka ende shumë punë për t’u bërë, sidomos, nëse e shikojmë barazinë gjinore, dhe specifikisht fuqizimin ekonomik të grave si kontribuues drejt zhvillimit ekonomik.

Këta hapa të ardhshëm që duhet të ndërmerren janë drejt krijimit të kushteve që mundësojnë funksionimin e politikave publike në të ardhmen të kontribuojnë në zhvillim ekonomik dhe fuqizim të grave njëkohësisht. Rezultatet e analizave mikro dhe makroekonomike tregojnë që në mënyrë që politikat të cilat stimulojnë fuqizimin ekonomik të grave të ndikojnë si në rritjen e barazisë gjinore, ashtu edhe në rritjen ekonomike të një vendi, kushtet në vijim duhet të plotësohen: (1) gratë dhe burrat të ndajnë në mënyrë më të barabartë punët riprodhuese – këto përfshijnë punët e shtëpisë e të kujdesit, që janë të papaguara; (2) dallimi në paga të jetë i vogël; (3) të ekzistojë një sektor i kujdesit i kualitetit të lartë; dhe (4) të ketë investime të mjaftueshme në infrastrukturën që ulë ngarkesën e kujdesit.

Bazuar në këtë, kemi ende rrugë të gjatë, jo vetëm si Kosovë, por në përgjithësi si botë, drejt ofrimit të kushteve bazë, të cilat mundësojnë fuqizimin ekonomik të grave në funksion të barazisë gjinore dhe zhvillimit ekonomik. Mirëpo, të fokusohemi në Kosovë.

Kushti i parë, ai i ndarjes së barabartë të punëve riprodhuese mbetet problematik edhe më tutje, duke qenë që gratë janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të punës së papaguar në ekonomitë shtëpiake në Kosovë. Ky problem është prekur nga shkrime të mëhershme dhe ende mbetet problem, duke qenë që adresimi i këtij problemi kërkon jo vetëm ndryshim të politikave apo implementim të tyre, por edhe ndryshim të mendësisë dhe qëndrimeve shoqërore. Mirëpo, në aspektin e ndryshimit të mundshëm, në këtë shkrim, do të fokusohem në mënyrat specifike se si mund të plotësohet ky kusht. Atë që e parasheh literatura del edhe nga hulumtimi në raportin “Gratë në Tregun e Punës,” të Institutit Riinvest, i cili ndër të tjera tregon se në ekonomitë familjare ku gratë janë të punësuara dhe kanë të ardhura substanciale, angazhimi i burrave në punët e kujdesit dhe riprodhuese shtëpiake, rritet. Në formë ciklike, pavarësia ekonomike e grave, ndikon në fuqizimin e tyre në ekonominë familjare, duke u dhënë kështu edhe mundësi më të mira për ndarje të barabartë të punëve riprodhuese. Dhe duke u bazuar në të gjeturat e sipërpërmendura, ndarja e barabartë e punëve riprodhuese është parakusht që politikat ekonomike që synojnë fuqizimin ekonomik të grave të kontribuojnë në zhvillim ekonomik të vendit dhe në barazi gjinore.

Kushti i dytë, që dallimi në paga të jetë i vogël, kusht i cili për mendimin tim do të duhej të ishte dallimi në paga të mos ekzistojë, duhet të rregullohet me ligj, i cili ndër të tjera parasheh dënime në rast mos-respektimi. Por përveç pagave, duhet të rregullohen edhe kushtet e vendeve të punës. Duhet të ndalohet praktika që në shpallje për vende të caktuara pune, të paracaktohet gjinia ose mosha. Kushti për barazi në tregun e punës duhet të mbërthejë të gjitha këto, e më shumë. Në mënyrë që gratë të kontribuojnë në ekonomi, dhe drejt zhvillimit të saj, kontributi i tyre duhet të konsiderohet dhe të vlerësohet si i barabartë me atë të burrave.

Kushti i tretë dhe ai i katërt janë të ndërlidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Infrastruktura e kujdesit ndaj fëmijëve dhe të moshuarve është parakusht shumë i rëndësishëm që u mundëson grave aktivizimin ekonomik. Ekzistimi i çerdheve cilësore dhe me kosto të përballueshme u mundëson grave të aktivizohen ose ri-aktivizohen në tregun e punës edhe kur kanë fëmijë. Në shoqërinë tonë, barra më e madhe e kujdesit ndaj fëmijëve i bie nënave, dhe kështu, investimi në sektorin e kujdesit, është indirekt edhe investim në aktivizimin e grave në tregun e punës. Ngjashëm, ekzistimi i qendrave dhe infrastrukturës të kujdesit ndaj të moshuarve kontribuon në lehtësimin e barrës së kujdesit në përgjithësi, e për gratë në veçanti. Agjenda për Fuqizimin Ekonomik të Grave, e publikuar nga Forumi Ekonomik i Grave, shpërfaqë pesë modele të mundshme për të rritur mundësitë për kujdesin ndaj fëmijëve. Këto modele parashohin përfshirjen më të madhe të sektorit publik dhe investimit publik në këtë aspekt, partneritetet publiko-private, si dhe përfshirjen e sektorit privat. Ide si këto, janë hapa në drejtimin e duhur për të ofruar infrastrukturë të mirëfilltë kujdesi, dhe si rezultat duke ofruar mundësi për aktivizim më të lartë të grave në ekonomi.

Plotësimi i kushteve të paraqitura në këtë shkrim, në izolim, nuk garanton fuqizim ekonomik të grave, arritje të barazisë gjinore, e as zhvillimi ekonomik. Mirëpo, këto janë hapa të cilët ndihmojnë që politikat dhe ndryshimet në të ardhmen, të cilat kanë për qëllim barazinë gjinore, të ndikojnë në fuqizimin ekonomik të grave, dhe në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.