Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Përmbledhje e Raportit “Vjetari i Politikës së Jashtme” të Institutit të Prishtinës për Studime Politike

Viti 2018 në aspektin politik siç duket nuk është vetëm një vit kalendarik. Zhvillimet në vitin që shënjon dekadën e mëvetësisë së Kosovës është karakterizuar me sfida, por edhe me suksese të caktuara. Procesi i tërheqjeve të disa njohjeve, vendosja e një sërë marrëdhëniesh dypalëshe e deri tek hapja e kartave për shkëmbim territoresh që është edhe saga e gjysmës së dytë të këtij viti, janë disa nga ngjarjet që përbëjnë politikën e jashtme kosovare.

Në trillerin politik kosovar ku ‘e bukura dhe bisha’ shpesh janë i njëjti personazh – politika e jashtme mbetet në mesin famoz, gjithmonë në tentativë për përmirësimin e personazhit, në këtë rast  personazhi është Republika e Kosovës, por jo rrallëherë është politika e jashtme që i jep Kosovës imazh jo të mirë ndërkomëbëtar.

Tatëpjeta e mundimshme e Republikës së Kosovës drejt njohjes ndërkomëbëtare dhe e konsolidimit të shtetësisë në shoqërinë ndërkombëtare ka bërë që vendi ende të mbetet i fragmentuar nga brenda dhe i kontestuar nga jashtë. Këto dy problematika shumë serioze dhe në tërësi politikën e jashtme kosovare për vitin 2018 e përshkruan dhe e analizon në mënyrë kritike Instituti për Studime Politike i Prishtinës (PIPS) përmes “Vjetari i Politikës së Jashtme”, i hartuar nga hulumtuesi Gëzim Visoka.

Në Raportin që ndahet në: Politika e Jashtme e Kosovës 2018; Njohja diplomatike; Marrëdhëniet dypalëshe; Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë; Integrimi Evropian; Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dhe Tejkalimi i ngecjes politike, dhe rimëkëmbja diplomatike – artikulohet një tërësi sfidash, procesesh dhe suksesesh të politikës së jashtme, duke i vënë themelet për vlerësimin e polikës së jashtme kosovare edhe për vitet që do vijnë.

Politika e jashtme e Kosovës në 2018 dhe Njohja Diplomatike

Si në shumicën e herave edhe viti 2018 nuk ka mbetur më prapa sa i përket sfidave që ka pasur politika e jashtme e Kosovës. Analizuar në tërësi ky vit ka pasë reperkusione politike që janë shtresuar përgjatë ngërçit politik trevjeçar, shtuar këtu edhe zhvillimet e papritura globale dhe rajonale, ka bërë që planet e Kosovës për forcimin e sovranitetit të jashtëm të devijojnë dukshëm. Në këtë vit Kosova ka arritur të sigurojë vetëm një njohje të re diplomatike nga Barbados, ndërkaq për të dytin vit është përballur me një sfidë të madhe siç është tërheqja e njohjeve diplomatike. Raporti vë në pah kompleksitetin që ka fushata për njohje diplomatike, dhe në këtë dimension Qeveria e Kosovës ka lënë anash fushatën për njohje ndërkombëtare, ndërsa Ministria e Jashtme e vendit nuk ka qenë në gjendje të zgjerojë njohjen ndërkombëtare të vendit. Kjo rënie e sigurimit të njohjeve lidhet edhe me asistencën e aleatëve perëndimorë, që viteve të fundit ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë Kosova në vitin 2018 ka arritur që të ketë progres në agjendën e integrimit evropian. Përpos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, edhe përmbushja në masë të madhe e kritereve për liberalizimin e vizave përbën një nga proceset që mund të konsiderohen të suksesshme për politikën e jashtme kosovare. Gjithsesi, raporti skenon mangësitë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Kosova nuk ka qenë në gjendje të përfitojë nga dialogu politik me BE-në i përcaktuar përmes MSA-së, sidomos në çështjet e sigurisë. Një stagnim i konsiderueshëm është bërë në aspektin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, të cilat u ndalën për shkak të mungesës së koordinimit politik dhe humbjes së mbështetjes së jashtme. Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO dhe shanca për ta bërë kët vit të suksesshëm në aspektin shumëpalësh mbetet votimi për Interpool në muajin Nëntor. Integrimi në organizata ndërkombëtare konsiderohet se e forcon shtetësinë dhe ky anëtarësim varet edhe nga përkrahja e partnerëve, që për shkak të zhvillimeve globale duket se nuk e kanë vëmendjen ndaj Kosovës sikundër më herët.

Hulumtimi i PIPS artikulon se 2018 nuk ka qenë aq vit i suksesshëm për Kosovën. Për këtë arsye rekomandohet që vendi duhet të zhvillojë një strategji të zbatueshme dhe gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme dhe të gjejë hapësira për të bërë një ndikim pozitiv në pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Së këndejmi politika e jashtme duhet të izolohet nga kriza e brendshme politike dhe ta zvogëlojë varësinë në aleatët e saj ndërkombëtarë, në mënyrë që të fillojë sa më parë të sillet si një vend normal sovran.

Në anën tjetër, në konglomeratin e politikës së jashtme, njohja diplomatike ende mbetet një prioritet kyç. Në këtë drejtim Kosova ka treguar një progres konstant për njohje ndërkombëtare. Deri tani Kosova është njohur nga 116 shtete sovrane dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 80 sosh, ka hapur 40 misione diplomatike dhe është anëtarësuar në mbi 50 organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Ky stabilitet relativisht i kënaqshëm sa i përket njohjeve i asociohet edhe stabilitetit politik të brendshëm 2008-2014. Ndërkaq, prej krizës kronike politike të 2014 e tutje Kosova ka humbur hapin në procesin e njohjeve diplomatike. Për të mos mjaftuar me kaq, gjatë 2017-2018 Kosova përjetoi për herë të parë procesin e tërheqjes së njohjeve nga Surinami, Burundi dhe Papau Guinea e Re. Arsyet e tërheqjeve të njohjes lidhen më fushatën diplomatike që e ka bërë Serbia.

Në tentativë për ta kufizuar këtë praktikë kundërproduktive, Kosova i bëri thirrje Serbisë për një ‘armëpushim politik’ për ta ndalur fushatën kundër njohjeve të Kosovës – përderisa partitë opozitare dhe instanca të tjera brenda vendit kanë propozuar ndalimin e mallrave serbe në Kosovë e deri tek pezullimi i bisedimeve. Por, raporti analizon se përpos fushatës agresive të Serbisë, një nga faktorët që kanë ndikuar në mosnjohjen e Kosovës ka qenë mungesa e marrëdhënieve diplomatike me shumë vende njohëse. Si reagim, MPJ në 2018 ka vendosur marrëdhënie dypalëshe në Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine.  Në maj të 2018, Kosova ka hapur ambasadën në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në të ardhmen e afërt Kosova ka në plan hapjen e ambasadave të reja në Tajlandë, Portugali, Katar, Bangladesh dhe Kuvajt.

Ajo çfarë mbetet thellësisht shqetësuese është moslëvizja në pozicion nga pesëshja mosnjohëse karshi statusit së Kosovës. Pozicioni i tyre shpjegohet nga lëvizjet seperatiste që kanë brenda, problemet politike dhe aleancat gjeostrategjike. Që nga 2008 Kosova, por edhe BE kanë dështuar t’i bindin këto vende të ndërrojnë qëndrim. Përderisa për shembull Greqia ka shënuar progres më njohjen e pasaportave dhe hapjes së zyrës ndërlidhëse, një refuzim më rigoroz është bërë nga Spanja, edhe pse Kosova ka tentuar në vazhdimësi të bëjë një ndarje në mes rasteve të Katalunisë dhe Kosovës.

Në përgjithësi, viti 2018 ka qenë më pozitiv në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet që tashmë e njohin pavarësinë e Kosovës. Njohjet diplomatike kanë përkuar me një siguri kolektive më të mirë dhe përkatësi në shoqërinë e shteteve demokratike. Sidoqoftë, njohjet dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk janë përkthyer në përfitime të prekshme politike dhe socio-ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Sfida më e madhe vazhdon të mbetet fushata proaktive e Serbisë kundër njohjes së Kosovës. Ky aspekt nuk duket se i shqetëson shumë akterët e tjerë të politikës së jashtme; opozitën, mediat dhe komunitetin e gjerë të shoqërisë civile.

Marrëdhëniet dypalëshe dhe Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

Marrëdhëniet dypalëshe janë thelbësore për politikën e jashtme të Kosovës sepse hapin horizonte për anëtarësime në mekanizma të tjerë rajonalë dhe organizata ndërkombëtare. Kjo mundëson edhe konsolidimin e shtetësisë në aspektin e jashtëm. Por, sfida ka edhe në këtë drejtim. Në njërën anë Kosova ka etabluar me sukses rivendosjen e lidhjeve të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane, në anën tjetër fushata agresive e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, mungesa e përkrahjes së vendeve perëndimore për njohjen e Kosovës, si dhe mosanëtarësimi në organizata ndërkombëtare, gjithashtu qëndrimi i pasigurt karshi temës së ndarjes së Kosovës dhe bisedimeve me Serbinë kanë qenë goditje e fortë për diplomacinë dypalëshe të Kosovës.

Vjetari i Politikës së Jashtme argumenton që marrëdhëniet e Kosovës me me SHBA janë fundamentale për pozitën ndërkombëtare të vendit. Specifikisht, mbështetja e SHBA për Kosovën është e lidhur drejtpërdrejt me interesat e politikës së jashtme të saj për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar kërcënimet e krijuara nga ndërhyrjet ruse në rajon, e deri tek puçja e agjendës për luftimin e terrorizimit. Megjithatë janë dy episode që kanë antagonizuar SHBA dhe partnerët e tjerë perëndimorë. Tentimi për tërheqje nga demarkacioni me Malin e Zi si dhe përpjekjet për rishikimin e Dhomave Specializuara, të dyja këto kanë rrezikuar dëmtimin e raporteve me partnerët qenësorë të shtetësisë së Kosovës.

Gjersa SHBA është aleat global, Gjermania mbetet partneri më i madh evropian i Kosovës. Sidoqoftë, rënia e autoritetit të Angela Merkel në Gjermani, në zgjedhjet e fundit, dhe mospajtimet me SHBA kanë bërë që autoritet kosovare të frikësohen se mund të humbasin një nga aleatët më të vyeshëm. Britania e Madhe mbetet ende një partner i përkushtuar sidmos në aspektin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Tutje, raporti sqaron se jo më pak të rëndësishme janë marrëdhëniet e Kosovës me shtetet si Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia, që janë në nivel të shkëlqyeshëm. Përparim substancial ka me Maqedoninë që nga ardhja në krye të saj të qeverisë socialiste, dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera mbeten marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. Orbita e marrëdhënieve diplomatike e Kosovës është e drejtuar kah vendet perëndimore, por marrëdhënie ka edhe me vende si Turqia që konsiderohet si një aleat i fuqishëm nga Kosova. Aktor problematik ndërkombëtar mbetet Rusia që është bllokuesja kryesore e anëtarësimit në OKB, gjithsesi akterët politik vendorë janë të ndarë në qasjen karshi këtij shteti, përderisa disa refuzojnë kategorikisht ndonjë formë bashkëpunimi, ka akterë pragmatikë që i ikin një antagonizmi me faktorin rus.

Në anën tjetër, një ngecje e marrëdhënieve dypalëshe ekziston me Serbinë. Dhe, kryetema politike përgjatë 2018 ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i sponzorizuar nga BE. Karshi këtij dialogu ka një fragmentim dhe moskoordinim institucional, dhe shteti ka një mungesë strategjie të qartë për të udhëhequr bisedimet me Serbinë.

Megjithëse ka pasur progres në zbatimin e shumicës së marrëveshjeve teknike dhe politike të arritura që nga viti 2011, mungesa e besimit dhe e komunikimit kanë komplikuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Përderisa ka pasur progres në marrëveshjen rreth menaxhimit të kontrolluar të kufirit, marrëveshja për shpërbërjen e tërësishme të strukturave paralele nuk është implementuar në tërësi. Dialogu është prolonguar edhe më tej me marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), për të cilin ka mospërputhshmëri sa i përket formës institucionale dhe kompetencave të tij.

Më tej, Brukseli ka intensifikuar takimet e nivelit të lartë Prishtinë – Beograd. Dhe në fazën e re të dialogut janë diskutuar çështje si autonomia e zgjeruar për serbët, çështja e ndarjes dhe e rregullimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivat për pranimin e Kosovës në OKB. Momentalisht debatin po e dominon ideja e korrigjimit të kufirit apo e shkëmbimeve të territoreve që ka polarizuar skenën politike vendore, si dhe akterët ndërkombëtarë. Përderisa Gjermania është deklaruar kundër shteteve si SHBA e Franca, e kanë lënë të hapur mundësinë për këtë opsion nëse palët pajtohen. Në këtë dramë politike MPJ është tërësisht e përjashtuar çka përbën edhe regres institucional.

Raporti artikulon se dialogu me Serbinë në mënyrë të njëanshme do të luajë rolin më të rëndësishëm  në çështjet e jashtme të Kosovës. Veçse, nësë Kosova nuk i zgjidh mosmarrëveshjet me Serbinë do të detyrohet ta vazhdojë këtë qasje për integrim ndërkombëtar ose të kërkojë ndryshim rrënjësor të statusit që do të thotë – bashkim me Shqipërinë. Gjë që një lëvizje e tillë do të mund të hapte edhe më shumë konflikte në Ballkan.

Integrimi Evropian dhe Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare

Integrimi në BE mbetet një nga prioritetet strategjike të Kosovës, përmes të cilit shihet si një platformë që shërben për modernizimin politik, ekonomik, dhe social të vendit. Me nënshkrimin e MSA-së Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, dhe viti 2018 ka shënuar një progres solid në avancimin e agjendës së integrimit evropian. Hulumtimi shpjegon se përderisa integrimi në BE mbetet prioritet i qeverive të ndryshme ka një dështim kronik në përmbushjen e reformave të kërkuara për antëtarësim. Për më tepër Kosova në vitin 2018 nuk ka qenë në gjendje ta kapitalizojë kapitullin II të MSA-së për dialogun politik, që do t’i mundësonte Kosovës për të rritur bashkëpunimin me institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të saj. MSA i mundëson Kosovës të shfrytëzojë platformën e dialogut politik për të kërkuar mbështetjen e BE-së në konsolidimin e dimensioneve të jashtme të shtetësisë duke bashkëpunuar me BE-në në fushat prej harmonizimit të politikave të jashtme, sigurisë dhe të mbrojtjes, deri tek harmonizimi i politikave me sanksionet ndërkombëtare dhe masat kufizuese.

Pavarësisht ndarjes së shteteve të BE-së karshi pavarësisë së Kosovës, MSA-ja përfaqëson një mundësi për Kosovën që të kërkojë mbështetjen e BE-së për anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që shpie drejt integrimit është edhe lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza. Në 2018 veçse janë plotësuar kriteret teknike dhe politike të kërkuara nga BE-ja, ku më kryesori ishte demarkacioni me Malin e Zi. Megjithatë, anëtarësimi i plotë në BE mbetet kompleks pasi nevojitet pëlqimi edhe i vendeve mosnjohëse, por deri atëherë Kosova duhet ta shtyjë para MSA-në që do t’i mundësonte përafrim me politikat e BE-së dhe qasje me të gjithë vendet anëtare.

Për zhvillimin politik, kulturor, ekonomik dhe të sigurisë së Kosovës anëtarësimi në organizata ndërkombëtare konsiderohet aspekt kyç, që duhet ndjekur. Thënë këtë, Kosova ka arritur anëtarësim në vetëm dy agjenci të Kombeve të Bashkuara (Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe një numri të bankave rajonale. Për shkak të pengesave nga Rusia dhe Serbia, Kosova ka mbetur jashtë anëtarësimit në agjenci të rëndësishme të OKB-së, në Këshill të Evropës, OSBE-në dhe të tjera.

Si pasojë e kësaj, pozita ndërkombëtare e Kosovës vazhdon të jetë e prekur nga mungesa e ulëses në OKB edhe pse në parim Kosova i përmbush kushtet për të qenë përkrah vendeve anëtare. Në pamundësi të anëtarësimit në OKB Kosova ka vazhduar përpjekjet për anëtarësim në organizata të ndryshme si UNESCO, Këshill të Evropës dhe Interpol. Dështimi për anëtarësim edhe në këto mekanizma shpjegohet në dimensionin e brendshëm dhe të jashtëm. Në të brendshmin kontribuojnë faktorët e polarizimit politik dhe vendosja e prioriteve nga ana e shtetit, ndërsa në atë të jashtëm lufta diplomatike e Serbisë, mungesa e një qasjese proaktive nga Kosova dhe rënia e përkrahjes për anëtarësim nga partnerët e Kosovës. Gjithsesi, Kosova mbetet e interesuar për anëtarësim në organizata të sigurisë si NATO dhe organizata të tjera që kanë boshtin në vendet demokratike. Mëgjithatë, për shkak të identitetit fetar Kosova ka shfrytëzuar edhe Organizatën për Bashkim Islamik (OIC) si platformë për lobim.

Tejkalimi i ngecjes politike, dhe rimëkëmbja diplomatike

Si përfundim raporti i PIPS rekomandon që për t’u tejkaluar ngërçi politik ekzistues dhe të ketë një rimëkëmbje diplomatike si shtet sovran, Kosova duhe të zhvillojë një diplomaci të ngushtë – niche diplomaci, ta shkëpusë politikën e jashtmë nga rivaliteti meskin i brendshëm politik, dhe të zhvillojë një strategji gjithpërfshirësë të politikës së jashtme. E kjo bëhet duke zhvilluar një diplomaci të mençur, e cila do të udhëheqë punën e institucioneve dhe shërbimin e jashtëm drej avancimit të interesave të vendit jashtë.

Kosova duhet që përmes diplomacisë së ngushtë të shfrytëzojë fronte të tjera që jo domosdo nënkuptojnë njohje diplomatike. Në këtë mënyrë vihen në pah alternativa tjera të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe juridike me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën përmes bashkëpunimit funksional të zonave me interes të përbashkët.

Politika e jashtme është multidimensionale dhe nuk mbetet gjithherë e paprekur edhe nga zhvillimet e politikës së brendshme. Por, për të pasur një funksionalitet politika e jashtme duhet të krijojë një imunitet ndaj politikës toksike të brendshme në mënyrë që të mos e zvarritë edhe më tej pozicionimin ndërkombëtar të vendit. Pavarësisht kufizimeve, Kosova ka hapësirë për projektimin e politikës së jashtme në mënyrë sovrane në një sërë fushash.

——

Raporti  i plotë “Vjetari i Politikës së Jashtme” gjendet tek:

http://pips-ks.org/wp-content/uploads/publications/sq/980210142_Vjetari_i_Politikes_se_Jashtme_te_Kosoves.pdf

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.