Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rritja pa zhvillim ekonomik

Rritja pa zhvillim ekonomik

Këtë vit, si për ironi, qeveria e ka shpallur vit të ekonomisë. Paradoksalisht, përmes etimologjisë, kjo qeveri del radikale, se po kthehet te rrënjët. Ajo i është kthyer definicionit të antikitetit për ekonominë, atëherë kur ajo nënkuptonte menaxhim të punëve të shtëpisë. Natyrisht se shtëpia  për këtë qeveri është ajo privatja, ku bëjnë pjesë familjarë e kushërinjtë, e menaxhimi  i saj nuk po bëhet me të ardhurat e tyre por me buxhetin publik.

Raporti vjetor financiar për vitin 2018, i publikuar muajin prill nga Ministria e Financave, është edhe një dëshmi sesi kjo qeveri e menaxhon paranë publike. Por, para se të flasim për disa të dhëna shqetësuese në të, duhet kuptuar konturat e ekonomisë në kuadër të së cilave janë bërë këto shpenzime, dhe mendësinë si shkaktare të tyre.

Tash e sa vite ministrat e financave mburren me rritjen ekonomike në Kosovë. Këtu janë se paku dy probleme: fillimisht, ekonomia është reduktuar në financa, me ç’rast edhe reformat ekonomike janë lënë në dorë të Ministrisë së Financave dhe, pastaj ka një mbivlerësim të nocionit të rritjes ekonomike.

Ekonomia është shumë më shumë se financat. Ajo është prodhim e konsum, shpërndarje e rishpërndarje, krijim e shkëmbim. Financat na tregojnë vlerën e këtyre transaksioneve, por financierët nuk mund të na determinojnë as rrugën e zhvillimit të sektorëve e as sjelljen e agjentëve brenda tyre.

Ekziston një dallim i madh në mes të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik. Rritja ekonomike është dallimi në përqindje mes vlerës së prodhimit vendor bruto në kohë të ndryshme. Zhvillimi ekonomik është procesi përmes të cilit një shoqërie mund t’i përmirësohet mirëqenia ekonomike, sociale, e politike. Rritja ekonomike mund të jetë e nevojshme për zhvillim, por në asnjë rast përgjatë historisë nuk ka qenë e mjaftueshme për zhvillim.

Pse është kjo e rëndësishme? Sepse Kosova ka pasur një ndër rritjet më të larta ekonomike në rajon, me 3-4%. Por, në të njëjtën kohë, ka pasur normën më të lartë të papunësisë dhe normën më të ulët të rritjes së vendeve të punës. Përveç zvogëlimit të tregut të punës, me njerëz që po e lëshojnë vendin, në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 58.4% e atyre që janë në treg të punës duhet të presin më shumë se një vit për të gjetur punë. Rritja ekonomike që nuk krijon vende të punës mbetet veç një shifër pa ndikim pozitiv e efektiv në mirëqenie. Ajo mbetet një fitore e Pirros.

Çuditë e paradokset e mënyrës sesi kjo qeveri e përfytyron zhvillimin ekonomik janë të pafundme. Ajo vazhdon të besojë se tempo e rritjes ekonomike mbahet e përshpejtohet thjesht falë rritjes së konsumit, pa e shtuar numrin e vendeve të punës, dhe duke mos e marrë parasysh inflacionin. Në Kosovë jo vetëm se është ngadalësuar krijimi i vendeve të punës, por rritja e çmimeve në produktet bazë është brengë që preokupon secilin qytetar të republikës.

Në bazë të të dhënave të ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve është për 3.3% më i lartë në mars të 2019 sesa ai në mars të 2018. Çmimi i bukës dhe i drithërave është rritur për rreth 11.6%; çmimi i mishit është rritur për rreth 3.7%; ai i qumështit, i djathit, dhe i vezëve për 4.2%, i perimeve për 32.5%; e kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personal për 6.4%. Këto janë produkte e shërbime bazë, nuk janë luks. Pra, raporti i zhdrejtë mes normës së papunësisë dhe normës se inflacionit, tek ne është kthyer në raport të drejtë – ne kemi edhe rritje të papunësisë, edhe rritje të çmimeve.

Një përcaktues tjetër i rritjes ekonomike thuhet të jetë eksporti në shërbime. Por, në masë të madhe, kjo ndodh për shkak të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë për vizitë nuk është meritë e ndonjë politike proaktive të qeverisë. Në tregtinë me mallra, ku mund të ketë dorë kjo qeveri, kemi deficit të lartë tregtar: ne vitin 2018, deficiti tregtar iu afrua shifrës së 3 miliardë eurove, që ishte mbi 11% më i lartë se deficit tregtar në vitin 2017. Pra, për një euro të fituar nga eksporti, ne i kemi dhënë 9 euro në import.

Krenaria tjetër e Ministrisë së Financave mbetet stabiliteti makroekonomik. Por, norma e papunësisë rreth 30%, norma e popullsisë ekonomikisht joaktive rreth 59.1%, deficiti tregtar prej afër 3 miliardë eurosh, normat e larta të interesit në kredi dhe dallimi mes tyre dhe atyre në depozita,  inflacioni prej rreth 3.3%, tregojnë se ne jemi në krizë. Dhe, në kohë krizë stabiliteti do të thotë mirëmbajtje e krizës. Neve na duhet stimulimi.

Fakt që jemi në krizë është edhe mënyra sesi kjo qeveri shpenzon dhe planifikon për të shpenzuar, pra papërgjegjshmëria fiskale. Në vitin 2018, mbi 12 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, nga të cilat mbi 7 milionë vetëm për akomodim dhe mëditje të zyrtarëve. Ndërsa, qeveria ka ndarë 120,000 euro për 800 familje të rrezikuara të komunitetit egjiptian. Pra, 150 euro për ta nxjerrë nga rreziku një familje të komunitetit egjiptian, dhe mbi 7 milionë për meditje dhe akomodim të zyrtarëve jashtë vendit.

Gjatë vitit të kaluar, rreth 3 milionë e gjysmë janë shpenzuar në dreka zyrtare. Ndërsa për këtë vit, për 103,409 qytetarë të varur në ndihmën sociale, janë ndarë 30 milionë euro, që i bie rreth 0.79 euro në ditë. Pra, qeveria që ka shpenzuar 3.5 milionë euro për dreka zyrtare në 2018, ka planifikuar 0.79 euro në ditë për një të varfër në vitin 2019.

Natyrisht, se në raport mund të gjejmë edhe shpenzime tjera krejtësisht të paarsyshme, por kjo nuk duhet të na bëjë të mos diskutojmë për konturat e ekonomisë.

Ne kemi nevojë për ndryshim të paradigmës së zhvillimit ekonomik në vend. Nuk mjafton ndalja e keqpërdorime apo rialokimi i mjeteve.

Duhet të kalojmë nga një ekonomi si menaxhim i shtëpisë, në një ekonomi me një Marrëveshje të Re. Nga një ekonomi në funksion për pakicën e pasur, në një ekonomi që funksionon për shumicën e varfër.

Nga tregtia, në prodhim. Nga prekariati, në punë e pagë të dinjitetshme. Nga privatizimi neoliberal, në shtet zhvillimor. Nga reformat në transformim. Nga rritja në zhvillim. Nga zhvillimi në progres.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.