Një vështrim i shkurtër historik – vendimi i nxjerrjes dhunshëm nga objektet shkollore dhe universitare nga aparati shtetëror serb në fillim të viteve ’90-të, shpejt do të prodhojë efektin e ashtuquajtur arsim paralel, e që po ashtu do të pasohet pothuajse në tërësi edhe me një jetë paralele nën okupim. Mirëpo, nga pozita aktuale mund ta shtrojmë pyetjen se: cilat ishin efektet që prodhoi ajo gjendje dhe cila është lidhja e saj me aktualitetin? Arsimi, por edhe jeta paralele e organizuar përgjatë atyre viteve, ushtrohej nën masa të dhunshme, pra në një gjendje të jashtëzakonshme. Konkretisht, shkollat mbanin mësim, zhvillonin jetën e tyre paralele si një kundërpërgjigjje, që ishte më shumë rezistencë ndaj armikut sesa arsimim. Gjendja e krijuar, kushtet në të cilat ndodheshin shqiptarët në Kosovë në atë periudhë, ishin të atilla që më së paku arsimi mund të ofronte atë për çka ishte i thirrur në të vërtetë. Dhuna ishte sistematike. Mësimi nëpër shtëpitë shkolla zhvillohej nën këtë presion. Kushtet nuk e përmbushnin as minimumin. Nuk po flas këtu për mungesat eventuale, sepse në ato shkolla mungonte çdo gjë, madje tingëllon ironike, por aty mungonte edhe mësuesi, mungonte nxënësi, sepse mungonte normaliteti. Prandaj, secili që hynte në ato objekte ishte i frikësuar, qëndronte aty i frikësuar dhe dilte nga aty i frikësuar. E pamundur që brenda një ore mësimi, një pjesë e mirë e kohës të mos i kushtohej gjendjes së rëndë. Pothuajse, secila lëndë ishte shndërruar kushtimisht të themi në një lëndë historie. Në atë periudhë të shkoje në shkollë, pra, vetë prania fizike e secilit aty, ishte një akt patriotik, që në vetvete shprehte një akt rezistence. Kjo lloj sjelljeje (e natyrshme për rrethanat) kishte forcuar edhe më shumë idenë që shoqëria kosovare e kishte për shkollën, deri në idealizim. Për shqiptarin nën Jugosllavi dhe pastaj nën Serbi, shkolla perceptohej dhe përjetohej së pari si një mekanizëm për çlirim. Idealizimi kishte marrë aso përmasa glorifikuese saqë besohej (ky besim na përshkon edhe sot) se pa shkollë nuk ke asgjë.
Paslufta – mirëpo, pas përfundimit të luftës ne u kthyem në tokën e shenjtë të dijes, në objektet arsimore. Entuziazmi i atëhershëm nuk mund të përshkruhet sot. Universiteti i Prishtinës asnjëherë, që nga themelimi, nuk kishte pasur banorë më shumë. Nuk ka lidhje a janë aftësitë tuaja për të studiuar, ti duhet të shkosh atje, sepse secili që ka lindur në këtë vend, është i gatshëm edhe për universitet. Kriteri i vetëm ishte se nuk kishte kritere (sic)! Duke qenë shkolla kaq e idealizuar ndër ne, dikujt iu kujtua që këtë ta përkthente në pushtet dhe ashtu ndodhi dhe po ndodhë edhe sot e kësaj dite. Që nga shkolla fillore e deri në akademi gjithçka u kthye në marrëdhënie politike. Mësues, drejtor shkollash, profesorë universiteti, rektorë, akademikë, nxënës e studentë u shndërruan në militantë partish politike. Asnjë tani nuk e shihte arsimin si një rezistencë, si dikur, por si një mundësi e artë për përfitime personale. Stafi i shkollave të mesme, bashkë me drejtorët e tyre, ishte aty që në ditën e zgjedhjeve të vilte vota për partinë e cila e kishte sjellë aty. Këta e mbanin partinë në pushtet, kurse partia këta i mbante në pozitat e shkollës. Universiteti i Prishtinës ishte (dhe vazhdon të jetë) vendi ku partitë politike vazhdojnë pushtetin, ose bien nga pushteti. E gjithë kjo ishte përkthyer në një marrëdhënie të fuqishme nepotizmi dhe klientele.
Në vazhdim e tutje – pothuajse secili që ka kaluar pragun e ndonjë fakulteti në Universitetin e Prishtinës është shpërblyer me një diplomë. Në historinë e vetë Kosovës dhe të vetë shoqërisë kosovare prej se ekziston, nuk ka pasur asnjëherë më shumë njerëz që kanë kryer shkollë dhe janë certifikuar. Në vendin tonë doktorët e shkencës gëlojnë sikur milingonat para shiut. Mësues, profesorë, shkrimtarë, akademikë, gazetarë, historianë, gjeodetë, matematikanë, doktorë…, kemi për eksport. Tituj shkencorë pafund, por shkencë askund. Të gjitha partitë që kanë ardhë në pushtet (edhe këto partitë që fituan zgjedhjet e 6 tetorit 2019 siç duket nuk përjashtohen nga ky rregull), përmirësimin e arsimit nuk e kanë pasur në fokus. Politika aq shumë e ka keqpërdorur arsimin në Kosovë, domethënë, në mënyrë strukturore institucionale sa që shpeshherë të krijohet përshtypja se ndryshimi për të mirë është mision i pamundur. Duke prodhuar të ashtuquajturit analfabetë funksionalë, shoqëria kosovare është në kolaps nga njerëzit që bartin një certifikatë kualifikimi akademik profesional. Ky kolaps pastaj ka krijuar një zhvlerësim në të gjitha fushat dhe prandaj sot nuk është kurrfarë risie nëse je afër 30 vjeç dhe mban titullin doctor shkence (nuk ka asgjë të keqe dhe nuk është e pamundur të jesh doktor shkence edhe në një moshë të tillë, por kjo tek ne është shndërruar kaherë në dukuri). Pra, në një shoqëri kur bien vlerat (e këtu tek ne ky ka qenë qëllimi), atëherë gjithsecili e konsideron vetën si të denjë për t’iu qasur një hapësire publike me një kompetencë të pashoq. Kjo më nuk ka lidhje me pozitën, as me fushën, por kjo ka lidhje me besimin e krijuar për vete se askush nuk mund ta zgjidhë problemin eventual më mirë se ti (ju kujtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e presidentëve Sejdiu dhe Pacolli, apo rasti me demarkacionin me Malin e Zi, kur secili e ndjente veten kompetent për t’u marrë me problematika shumë specifike?) Nuk është rastësi kur thuhet se sa më pak që di, aq më shumë guxim ke.
Sot – sa herë që dalin rezultatet e testit PISA, shoqërinë tonë e kap një sekëlldi dhe një çirrje e paskrupullt, duke mallkuar këdo që na del para në lidhje me gjendjen e keqe në arsim. Dhe shumë shpejt na kap një demencë kolektive deri në rezultatin e radhës (përveç disa OJQ-ve që këtë e kanë punë dhe mbijetesë të njerëzve që i udhëheqin ato). Partitë që fitojnë pushtetin koalicionet e tyre i bëjnë me një grindje të gërditshme se kush po i merr ato pozita qeverisëse ku qarkullon paraja apo mundësia për të vjedhur. Mirëpo, tash e njëzet vite ne asnjëherë nuk kemi parë se partitë janë grindur për ta marrë Ministrinë e Arsimit (kjo me gjasë as që pritet të ndodhë në këtë shekull), sepse arsimi në Kosovë nga këto parti shihet si një sektor që nuk të garanton mbajtje apo rifitim të pushtetit, kur kihet parasysh se rezultatet e prekshme të një ndryshimi eventual janë në një afat më të gjatë dhe zgjedhjet sipas rregullit janë në çdo katër vjet (sic). Sot secili, si i hutuar, pyet se kush është fajtor për këtë gjendje. Të gjithë kërkojmë te tjetri fajin, mirëpo, harrojmë se secili prej nesh, në pozitën që jemi, ka faj, jo vetëm për arsimin, por për të gjitha fushat. Ky konstatim nuk është përgjithësim dhe, si rrjedhim, relativizim i përgjegjësisë. Jo, aspak. Është konfirmim i një situate tanimë të dhënë. Pse? Sepse asnjëherë nuk jemi ndalur t’i bëjmë pyetje vetes se ku na dërgon kjo mënyrë e sjelljes tonë. Kur prindi kërkon që fëmija ta ta mbarojë klasën me të gjitha notat pesëshe (shoqëria jonë ende beson në nxënësin me të gjitha notat pesë, këtë as që e vë kush në dyshim), kur mësimdhënësi nuk e ka dijen në përputhje me diplomën, kur politika të dy këta i konsideron vetëm si votë, atëherë rezultatet në PISA janë vetëm një fakt i një gjendjeje “normale” tash e njëzet vjet.