Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Raporte pa kufinj

Më tregoi që emrin ia ka lënë një kushëri i afërt. Tasht që i është afru viteve të tridhjeta, i shkon dita duke u sqaru të tjerëve pse nuk është martu e se kur do të vendosë. Gjatë gjithë kohës merr udhëzime, edhe pse asnjëherë nuk pyeti askënd që t’i japë këshilla.

Merr konsultime prej prindërve, kojshive, musafirëve, e kujtdo që e takon sepse të gjithë kanë diçka për t’i treguar se çfarë duhet të bëjë me jetën e tij. Të gjithë e dinë se çka duhet të ndodhë me jetën e tij. Veç ai jo. Ndërsa ata që e dinë për të, a thua a e dinë se çka duhet të ndodhë me jetën e tyre?!  Ka mundësi që nuk e dinë, sepse është gjithmonë dikush tjetër që e di për ta dhe ua kujton vazhdimisht.

Është problem ta gjesh fillimin e imponimeve që reflektohet në raportet tona ndërpersonale. Si me njerëz të afërt ashtu edhe me të largët. Jemi rritë në një mjedis ku hapësira personale nuk është e definuar. Ka raste kur kushëriri i largët ka të drejtë ta emërojë fëmijën tënd, kur prindi zgjedh se çka duhet të studiosh, e këdo që e takon merr hov të këshillojë për çdo aspekt të mundshëm të jetës.

A nuk ndiheni sikurse keni nevojë për një pushim nga këto drama të përditshme? Kemi nevojë për një qasje kujdesi që e respekton privatësinë dhe hapësirën mes individëve. Një qasje që e thekson se imponimi i mendimeve të pakërkuara nuk i ndihmon askujt.

Gjatë gjithë kohës hyjmë në oborre të njëri tjetrit, duke projektuar pasiguritë e imagjinatat tona. E kështu kjo qasje e tillë i bën shumë njerëz të jetojnë duke ‘kontrolluar’ apo duke ‘u kontrolluar’ nga të tjerët. Edhe pse shpeshherë ky efekt ndodh në përpjeke për t’i ndihmuar të tjerëve, ato vazhdojnë të ndikojnë negativisht.

I gjithë ky kujdes i shndërruar në presion, imponim e këshilla të pakërkuara, reflekton një problem që është i dikushëm e që ka të bëjë me raporte pa kufinj të definuar. Psikologët, Black & Enns (1998) vlerësojnë se indikatorë të kufinjve të shëndetshëm janë, (1) kur mund të lidhemi emocionalisht me të tjerët por duke e mos e harruar veten, (2) kur mund t’u themi të tjerëve ‘jo’ pa frikë se nuk do të na duan më, dhe (3) kur pranojmë përgjigjje “jo” pa u tërhequr emocionalisht.

Me fjalë të tjera, jemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë mendore dhe e kemi të qartë kur të tjerët shkelin limitet tona. Zakonisht, këto veti duhet të komunikohen dhe adaptohen qysh në fëmijëri, por, ende ka shumë të rritur që duhet t’i mësojnë e riforcojnë tani.

Është sfiduese ta gjesh fillimin e këtij lëmshi të imponimeve, por, çdo përpjekje për t’i përmirësuar ato kërkon angazhim individual. Duke u informuar dhe reflektuar rreth raporteve të shëndosha mund t’i kuptojmë më mirë dhe parandalojmë kaosin që sjell mungesa e kufinjve.

Paterna të zakonshme të thyerjes së kufinjve

Disa shembuj të tjerë të thyerjes së kufinjve të hapësirës intelektuale e emocionale janë kur merr përgjegjësi pse dikush nuk ndihet mirë edhe pse ti nuk e ke shkaktuar atë ndjesi. Pastaj, kur i sakrifikon dëshirat dhe planet e tua vetëm për t’i bërë të tjerët të ndihen mirë. Kur nuk merr përgjegjësi por ua lë fajin të tjerëve për problemet e tua, kur u tregon të tjerëve si të mendojnë e si të ndihen.

Shpeshherë këtë e kam parë në mënyrën sesi ua qasemi njerëzve që përjetojnë distres psikologjik. Në vend që t’i pyesim, t’i lëmë hapësirë të shprehen dhe procesojnë ndjenjat e tyre, u japim këshilla, mohojmë mendimet e validitetin e përjetimeve të tyre. Kjo shukatje e përkohshme e fajësim nuk e lë individin të procesojë emocionet e veta, por mundohet t’i shtypë ato.

Pastaj, raportet pa vija të qarta mundohen ta fshijnë vijën e respektit dhe autononomisë mes çifteve, kolegëve, familjarëve e kujtdo tjetër.

Për shembull, kur nëna të telefonon gjatë gjithë ditës, të sigurohet për çdo lëvizje e vendndodhje, kjo shpeshherë mund të reflektojë një mungesë privatësie e vëzhgimi abnormal. Mund të jetë pasiguri e reflektuar, apo një ves i imponimit, e pjesëmarrjes aktive në jetën e fëmijës, pa njohur limite, hapësira, e privatësi që çdo individ ka nevojë t’i ketë. E sigurisht që nuk i shkon mendja që ky kontroll mund t’i pengojë fëmijës, sepse kufinjtë e tillë nuk janë vendosur asnjëherë.

Definimi i kufinjve

Aftësia për t’i definuar kufinjtë ndaj të tjerëve vjen nga njoha e vetvetes dhe vlerësimi i vetës, pa marrë parasysh ndjenjat apo emocionet që na transmetohen nga të tjerët. Pa e kuptuar rëndësinë e vetes dhe shëndetit tonë mendor, është vështirë t’i definojmë e përcaktojmë këto limite.  Rreth zhvillimit të individit në aspektin shoqëror, kulturor, e qytetar kam shkruar në shkrimin e mëhershëm. Sidoqoftë, për të gjitha raportet ndërshoqërore, janë të rëndësishëm kufinjtë intelektualë dhe emocionalë.

Vendosja e kufinjve është e pamundur pa konfrontim dhe komunikim të sinqertë. Nëse dikush të thotë, mos qaj, se nuk ke arsye për të qarë, ky imponim shkel kufinjtë emocionalë. Në të vërtetë, hulumtimet tregojnë që të qarit e balancon trupin pas ndonjë eventi stresues. Kemikalet që mblidhen gjatë ndonjë stresi emocional lirohen nëpërmjet të qarit. Andaj, kur dikush mundohet t’i ndalojë përjetimin e emocioneve, mundohu, t’i tregosh që është në rregull t’i manifestosh emocionet e tua.

Pra, herën tjetër kur dikush të pyet se kur dhe pse nuk po martohesh, mund t’ua reflektosh këtë invazion të hapësirës suaj personale. Nëse pyetje e imponime të ngjashme të pengojnë, tregoji që pyetje të tilla janë jashtë kufinjve tuaj. Në këtë formë i forconi kufinjtë tuaj, por edhe edukoni personin që të ketë kujdes me imponimin e mendimeve të tilla.

Në fakt, ne nuk mund t’i kontrollojmë reagimet e të tjerëve apo nëse të tjerët do t’i thyejnë kufinjtë tonë. Por, gjithmonë e kemi rastin t’u tregojmë të tjerëve kur thyejnë kufinjtë tonë, të jemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë emocionale, reagojmë, në vend se të biem pre e kontrollit të tyre. Kufinjtë janë sikurse dyert e shtëpisë. Nëse nuk kujdesemi se kur duhet të mbyllen apo hapen dyert, shtëpia mund të rrezikohet e të dëmtohet. Raportet ndërpersonale do të jenë gjithmonë të shëndosha kur kufinjtë janë në vendin e tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.