Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fryma e dekadës së ardhme duhet të jetë për atë se si ta njohim vërtet njëri tjetrin dhe të marrim të ardhmen në duart tona

Fryma e dekadës së ardhme duhet të jetë për atë se si ta njohim vërtet njëri tjetrin dhe të marrim të ardhmen në duart tona

Ndërkohë që po shkruaj këtë artikull për përmbushjen e pritjeve në rajonin tonë këto njëzet vitet e fundit, kuptoj se kjo në fakt do të thotë, të krahasosh ato me pritjet nga jashtë ndaj nesh si rajon. Jo se këto pritje janë të këqija a se janë nocione të huaja për ne, apo se nuk janë pjesë e kulturës tonë politike, por se kemi humbur kokën pas prototipeve, ligjeve të kopjuara, përmbushjes së detyrave sa për të qenë, vrapimit pas agjendave, duke u përpjekur të dëshmojë se jemi “perëndimorë’ e ‘demokratikë’, sa që duket se nuk mbetet kohë për kritere lokale me të cilat do të krahasoheshin si arritjet dhe dështimet tona. Jemi bërë aq shumë të varur nga aktorët dhe proceset e jashtme dhe operojmë përbrenda instrumenteve e kornizave që na janë caktuar, saqë nismat rajonale janë të rralla e madje të shkurajuara. Pjesë e problemit është mungesa e vullnetit politik për të ndërmarrë përgjegjësi dhe pronësi.

Kjo nuk do të duhej të kishte qenë e vështirë, duke marrë parasysh se kur dolëm prej të 90ve, u përkushtuam gjithashtu që të ndryshojmë dhe ndjekim rrugën që kërkon bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë. Integrimi europian ofronte urën aq të nevojshme, poaq sa edhe orientimin, për të bërë bashkë rajonin. Megjithatë, duket sikur pritjet tona se procesi i hyrjes në BE është vlerë dhe proces i bazuar në reforma ishin disi të gabuara si pasojë e faktorëve të brendshëm (vullnetit politik) e kombinuar me një qasje gjithnjë e më vetë-referuese, si dhe ‘stabilitokracinë’ në anën e BE-së. Për kosovarët posaçërisht, pritja se BE është aktor strikt por i drejtë – e promovuar nga vet BE- u çmontua në mënyrë spektakolare në kornizën e procesit të liberalizimit të vizave.

Kështu që është vërtet zhgënjyese që për njëzet vite kemi dështuar të ndërtojmë emërues të përbashkët; dhe ajo çfarë na lidh, çfarë na mundëson të shfaqim normalitetit si rajon është në thelb e jashtme. Në këtë drejtim, prospektet për paqe në rajonin tonë duken të vagullta, po nuk përvetësuam procesin e të ndërtuarit të një shteti të tillë, si në marrëdhëniet brenda shtetit ashtu edhe në ato ndërshtetërore.

Kjo nuk është e vështirë të arrihet, po pati vullnet politik. Pikë se pari, na duhet të ndalemi dhe të merremi pak me veten, në mënyrë që të kemi bisedime të duhura e të vërteta për problemet tona – e jo bashkëbisedime me skripta perëndimore. Do të jetë e mjaftueshme për aktorët politikë dhe të jashtëm në rajon që thjesht mos të demonizojnë përpjekjet për të vendosur bashkëpunim jashtë kornizave dhe instrumenteve të sanksionuara. Sigurisht, kjo kërkon gjithashtu ndryshim të mentalitetit politik, ku bashkëpunimi rajonal nuk shihet dhe përdoret si valutë dhe/ose pazarllëk karshi Brukselit, por integrohet në qasjet zhvillimore kombëtare. Se sa urgjente është kjo, bëhet edhe më e dukshme kur merret parasysh realizmi radikal dhe popullizmi që po formëson proceset e vendim-marrjes së BE-së. Transferimi tek të tjerët i zgjidhjes së problemeve nuk do të jetë i qëndrueshëm as i zbatueshëm për ne. Na duhet një plan A-2.0, në rast se BE-ja e shtyn apo madje e ndryshon/anulon planin A.

Kjo është gjithashtu e rëndësishme ngase duket sikur, njëzet vite më pas, ende nuk njohim njëri tjetrin. Nuk e kam fjalën këtu për atë se si ndjehesh rehat kur pi kafe në Prishtinë a Beograd, apo të dish vendet e mira për të pirë ‘raki’, por për vazhdimësinë e hapur dhe të pasfiduar të po të njejtëve nocione në shoqëritë tona, që kushtëzuan pikëmapjet tona për njëri tjetrin në vitet 90. Mizoritë e luftës në rajonin tonë duhej të na kishin ofruar kompasin e përbashkët moral për të gjithë, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se në ç’pus na hodhi sistemi ynë i vlerave. Të shumtën e herave, këto besime të rrënjosura thellë e të bazuara në paragjykime e stereotipe, dhe me raste në racizëm të pastër, janë rigjallëruar dhe mbështetur nga diskursi i udhëheqësve të lartë dhe janë normalizuar përmes praktikave të përditshme. Një shembull është deklarata e fundit e Kryeminstres serbe Ana Brnabic se në Kosovë ‘keni të bëni me njerëz të paarsyeshëm, me më të keqin lloj të popullistëve, njerëz që kanë ardhur tamam prej pyllit’. Edhe pse më vonë ajo u shpjegua se e kishte fjalën vetëm për udhëheqësit politikë të përfshirë në luftë, kjo nuk e bën deklaratën më pak raciste. Çfarë e bën deklaratën edhe më fyese është se pasqyron deklaratat dehumanizuese të së kaluarës së afërt që portretizonte shqiptarët e Kosovës si ‘njerëz me bisht’. (Për më shumë, rekomandoj këtë artikull nga Gazmend Kapllani).

Edhe më zhgënjyes në kontekstin e argumentit të këtij artikulli është fakti se brezi im, që është pitur të jetë brez i ndryshimit dhe transformimit, është zhytur fatkeqësisht edhe më thellë në nacionalizëm që manifestohet me doza të fashizmit.

Duhet të fillojmë t’i flasim njëri tjetrit pa mbikëqyrës dhe njëherë e përgjithmonë të pajtohemi se ajo çfarë kemi menduar për njëri tjetrin në vitet 90 është e gabuar në aq shumë nivele. Kjo s’do të duhej të jetë e vështirë, po pati vullnet politik. Ndërkohë që në pesë vitet e ardhme BE merret me punët e saj, ashtu duhet të bëjmë edhe ne. Kjo duhet të jetë fryma e rajonit tonë për dekadën e ardhme.

—–

Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues me remarker.media nga Beogradi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.