Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Lumturia totalitare: Pjesa I

Foto nga Freepik.

Në një tregim të tijin të quajtur “Fytyra ime e trishtë,” shkrimtari i famshëm gjerman Heinrich Böll, rrëfen për një personazh që, vetëm pse dukej i trishtë, i ngrysur apo i vrenjtur në fytyrë, befas vihet në pranga nga një polic në bazë të një ligji absurd që kishte hyrë në fuqi tridhjetë e gjashtë orë më parë, e ligj i cili i detyronte të gjithë pa përjashtim të duken të lumtur [1].

Në fillim, personazhi e merr me të qeshur, duke pandehur që polici është thjesht duke e qesëndisur. Mirëpo më pas – mbas sqarimit (me ton të sertë) të policit që një ligj i tillë tashmë kishte tridhjetë e gjashtë orë që kishte hyrë në fuqi – ai arrin të kuptojë se ç’taksirat i madh e kishte zënë pakujtimas. Dhe, përnjëherë më pas, mundohet të shfajësohet, duke i thënë policit që, ndonëse ai nuk e përjashton dot mundësinë që një ligj i tillë të ketë hyrë në fuqi tjetërpardje, ai, për veten e tij, megjithatë, nuk ka dëgjuar për këtë ligj më përpara.

Pavarësisht arsyetimit të personazhit, polici vijon këmbëngultas me procedurën e duarlidhjes. Dhe, me një turr të papërmbajtur, e shpie drejt e në hetuesi.

Edhe aty, natyrisht, personazhi bën çmos që t’ua mbushë mendjen “ruajtësve të ligjit dhe rendit publik” që ai nuk dinte gjë për hyrjen në fuqi të këtij ligji – meqë, siç tregon edhe vetë, sapo qe liruar nga burgu (ku po mbahej prej pesë vitesh, për një akuzë po aq absurde sa edhe kjo që po akuzohej tani), dhe prandaj nuk kishte kurrfarë mundësish që ai, ose të burgosurit e tjerë, të ishin në dijeni për ekzistencën e këtij ligji.

Aty për aty, hetuesit e pyesin për arsyen e burgimit të mëhershëm – dhe ky, sakaq, u sqaron që shkaku i burgimit të mëparshëm lidhej mu me fytyrën e tij të lumtur në përvjetorin e vdekjes së Udhëheqësit – përvjetor ky në të cilin të qenit i lumtur a i buzëqeshur ndalohej rreptësisht në bazë të një dekreti që ishte nxjerrë nergut për këtë punë – për përkujtimin e vdekjes së Udhëheqësit, e që personazhi në tregim e kishte shpërfillur.

Megjithëkëtë, hetuesit nuk tregohen aspak të butë e të dhembshur. Përkundrazi, vetëm sa e rrahin brutalisht të shkretin dhe, ç’është më e keqja, e dënojnë me dhjetë vjet burgim të tjera! Siç e përshkruan edhe vetë tërë këtë situatë absurde:

Më rrahën të gjithë: hetuesi, hetuesi kryesor, hetuesi suprem dhe dy ekzaminuesë të tjerë. Përveç tyre, edhe polici që më arrestoi kreu të gjitha masat ndëshkuese fizike të kërkuara me ligj. Ndërkaq, për shkak të fytyrës sime të trishtë ata më dënuan me dhjetë vjet burg, ashtu si pesë vjet më parë që më dënuan me pesë vjet për shkak të fytyrës sime të lumtur. [2]

Me këtë tregim të mrekullueshëm, Böll, besoj unë, ka kapur një gjë vërtet unike rreth regjimeve totalitare që shkrimtarët e tjerë nuk kanë arritur të kapin dot në krijimet letrare të tyre: raportin që regjime të tilla ndërtojnë me lumturinë e njerëzve në përgjithësi.

Sigurisht, shkrimtarë të tjerë, siç do ta shohim shkurtazi dhe më poshtë, kanë prekur aspekte të tjera – të rëndësishme të këtyre regjimeve. Për shembull, George Orwell-i, shkrimtar i famshëm anglez, të dy veprat e tij të suksesshme, Ferma e Kafshëve dhe 1984, ka prekur elementin e kontrollit, propagandës dhe manipulimit ideologjik që ndodh në regjime të tilla. Franz Kafka, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit njëzet, te veprat e tij të mrekullueshme – Metamorfoza, The Castle, Procesi, si dhe një sërë tregimesh të tjera – ka trajtuar, në mes të tjerash, karakterin totalizues e depersonalizues të rendeve juridiko-burokratike të këtyre sistemeve[3].

Përtej këtyre, Ismail Kadare, shkrimtari ynë i mirënjohur, ka trajtuar – fillimisht te proza e tij Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, dhe më pas te romani Pallati i Ëndrrave – sesi regjimet totalitare (priren të) kontrollojnë jo vetëm të folurën, veprimet dhe mendjet e njerëzve (siç mendonte Orwell-i, bie fjala), por edhe ëndrrat e tyre. Me fjalë të tjera, edhe “skutat më të thella dhe më të fshehta të shpirtit [njerëzor]” (Carl G. Jung) [4] apo, siç (do të) thoshte Sigmund Freud-i, “rrugë[t] mbretërore për njohjen e aktiviteteve të pavetëdijshme të mendjes.”[5] Po kështu, në mos më radikalisht se Kadare, Huxley, shkrimtar i famshëm anglez, te vepra e tij Brave New World ka zbuluar sesi regjimet totalitare nuk kënaqen thjesht dhe vetëm me kontrollimin e të folurës, veprimeve apo mendimeve njerëzore. Madje, sipas tij, ato nuk kënaqen as me kontrollimin e ëndrrave apo shpirtit njerëzor. Në fakt, ajo që i specifikon sistemet totalitare, sipas tij, është bash pikësynimi i tyre për të krijuar një lloj Njeriu specifik – ose, thënë më saktë, një lloj Njeriu të Ri që, krahas nënshtrimit ndaj pushtetit politik (siç ndodh rëndom në regjimet autoritare e tiranike), do të besonte njëherazi te sistemi symbyllurazi, do ta donte me gjithë mend e me gjithë shpirt. Dhe, po qe nevoja, do të sakrifikonte gjithçka e gjithmonshëm për të.

E njëjta gjë, besoj – e kam fjalën që kanë trajtuar tipare të ndryshme të sistemeve totalitare, por jo edhe raportin e sistemeve totalitare me lumturinë – mund të thuhet edhe për shkrimtarë të tjerë. Fjala vjen, Kurt Vonnegut, shkrimtar i famshëm amerikan, te tregimi i tij “Harrison Bergergon” ka trajtuar problemin e imponimit të barazisë absolute nga lart-poshtë që ndodh në regjime të tilla. Nga ana tjetër, Ray Bradbury, një shkrimtar tjetër i njohur amerikan, te vepra e tij Fahrenheit 451 ka trajtuar problemin e djegies së librave që ngjan në sisteme të tilla. Ngjashmërisht, Julio Cortazar, shkrimtar i famshëm argjentinas, ka trajtuar praktikën çensurimit dhe ndalimit të formave të caktuara artistike, te tregimi i tij fantastik “Graffiti”[6]. Kurse Jorge L.  Borges, shkrimtar i mrekullueshëm argjentinas, te tregimi i tij i jashtëzakonshëm “The Lottery in Babylon” ka preferuar të nxjerrë në pah sesi regjimet totalitare bëjnë përcaktimin e fateve njerëzore, pozitave shoqërore dhe centralizimin e pushtetit. Ndërkaq, Yevgeny Zamyatin, shkrimtar më pak i njohur rus, si dhe Jose Saramago, shkrimtar portugez që ka fituar Çmimin Nobel në vitin 1998, kanë preferuar (nga ana tjetër) të marrin në shqyrtim mungesën e privatësisë që ndodh në regjime të tilla. I pari, dihet, te novela e tij We, kurse i dyti, Saramago, te tregimi i tij i mrekullueshëm, “Things.” [7]

S’do mend, kësaj liste me shkrimtarë të ndryshëm që kanë trajtuar dimensione të ndryshme të totalitarizmit do të mund t’i shtonim edhe emra të tjerë të bujshëm nga fusha e letërsisë botërore. Për shembull, Milan Kundera, shkrimtar i famshëm çek, te romani i tij, Shakaja, ka vënë në dukje problemin e mungesës së besimit ndërnjërëzor. Dhe, më specifikisht akoma, sesi një shaka e vetme mund të shpjerë në pasoja të paimagjinueshme në sisteme të tilla.

Ndërkohë, Ivo Andriç, autor serb që ka shkruar, në mes të tjerash, edhe dokumentin e famshëm antishqiptar, me titull Draft on Albania, te vepra e tij e quajtur Damned Yard ka trajtuar praktikën e burgimit të njerëzve të pafajshëm që ndodh në regjime të këtilla. Nga ana tjetër, Bertolt Brecht (p.sh., te Roundheads dhe Peakheads, Frikë dhe Mjerim në Rajhun e Tretë, Arturo Ui, etj.), pastaj Philip Roth (te romani i tij më pak i njohur The Plot Against America), si dhe Michel Houllebecq – te vepra e tij problematike Submission, kanë vënë në dukje problemin fabrikimit dhe eliminimit të Tjetrit që ndodh në sisteme të tilla. Kurse, krahas këtyre, Ryszard Kapuscinski, Miguel Angel Asturias, Gabriel Garcia Marquez, Mario Vargas Llosa, si dhe shumë shkrimtarë të tjerë si këta, kanë shpalosur, ndër të tjera, edhe makutërinë e pafundme për pushtet që dallon apo karakterizon diktatorët e këtyre sistemeve. Dhe, më me rëndësi se kjo, terrorin sistemik e sistematik që regjime të tilla ushtrojnë pareshtur e vazhdimisht. (I pari, dihet, te vepra e mirënjohur Perandori; i dyti te romani i tij fantastik Zoti President; i treti te vepra e mrekullueshme The Autumn of the Patriarch; dhe i fundit, por assesi për nga rëndësia, te dy veprat e jashtëzakonshme: The Feast of the Goat, si dhe Conversation in the Cathedral).[8]

Në këtë sens, pavarësisht se të gjitha këto vepra – dhe ato që nuk i kam përmendur unë, e që janë shkruar veçan nga të mbijetuarit e Lager-it Nazist dhe Gulag-ut Stalinist[9] – kanë trajtuar tipare të shumta të sistemeve totalitare, ajo që dallon tregimin e Böll-it nga veprat e tilla, besoj unë; por, qe besa, edhe nga filmat e serialet e tjera televizive distopike – së paku prej filmit Alphaville (1965) të Godard-it dhe World on a Wire (1972) të Fassbinder-it (ndonëse, si pikënisje, disa mund të marrin megjithatë filmin fantastik Blade Runner (1982) të R. Scott-it), e deri te filmat e serialet e dy viteve të fundit, si WesterworldCleverman, The Handmaid’s Tale, What Happened to Monday, etj., është pikërisht vënia e theksit te marrëdhënia e regjimeve totalitare me lumturinë e njerëzve në përgjithësi.

Ndonjë lexues, ma ha mendja, do të thotë:

– Ore, tregimi që ti i referohesh nuk ka të bëjë asgjë me realitetin; është thjesht një trill i shkrimtarit.

Pa dyshim.

Mirëpo, përtej kësaj, besoj se është e rëndësishme të pyesim nëse kjo që rrëfen shkrimtari gjerman në tregimin e tij qëndron (apo jo) për sa i përket sistemeve totalitare. Pra, nëse njerëzit në sisteme të tilla detyrohen të duken të lumtur e të trishtë nga ç’janë në të vërtetë.

(vijon)

_________________

[1] Heinrich Boll, “My Sad Face,” in The Collected Stories, trans. Leila Vennewitz and Breon Mitchel (Brooklyn, NY: MelvilleHouse, 2011), f. 138.

[2] Ibid., f. 142.

[3] Në lidhje me temën e totalitarizmit në veprën e Kafka-s, lexuesit do të sugjeroja që, krahas leximit të veprave të Kafka-s, të lexohet dhe një ese e shkurtër nga Milan Kundera: “Kafka’s World,” The Wilson Quarterly, Vol. 12. No. 5 (Winter, 1988), ff. 88-99.

[4] Carl G. Jung, Civilization in Transition, trans. R. F. C. Hull (New Jersey: Princeton University Press, 1970), f. 144 (paragrafi 304).

[5] Sigmund Freud, The Interpretation of Dreams, trans. and ed. James Strachey (New York: Basic Books, 2010), f. 604.

[6] Këtij tregimi i jam referuar edhe në një shkrim tjetër, të botuar te Peizazhet e Fjalës. Për më shumë, shih linkun: https://peizazhe.com/2017/07/02/graffiti-ne-regjim/.

[7] Përveç tregimit të quajtur “Things,” Saramago e prek temën e totalitarizmit edhe te veprat e tij të tjera: Blindness, Seeing, The Cave, “The Chair” dhe “Reflux.”

[8] Varësisht në cilën gjuhë i kam lexuar veprat e tilla, i jam referuar edhe titujve. Shpresoj që lexuesi nuk do të ma shohë për të madhe këtë gjë.

[9] Edhe pse jam i vetëdijshëm që, në të shumtën rasteve, termi ‘totalitarizëm’ përdoret si një nocion ideologjik për të diskredituar çdo lloj kritike që i bëhet rendit hegjemonik (neo)liberal, unë nuk kam kurrfarë qëllimi të tillë këtu {edhe pse, sipas Slavoj Zizek-ut (nuk e ndaj të njëjtin mendim), vetë pranimi i një shënjuesi i tillë të pozicionon në kampin (neo)liberal}. Po ashtu, pavarësisht se, në masë të madhe, pajtohem me kritikën që i është bërë totalitarizmit (sidomos nga Hannah Arendt, Claude Lefort dhe Albert Camus), përsëri mendoj që ekzistojnë dallime të rëndësishme midis nazizmit dhe stalinizmit. Më shumë rreth kësaj problematike specifike, lexuesit do t’i rekomandoja librin e S. Zizek-ut, Did Somebody Say Totalitarianism? Five Interventions in the (Mis)Use of a Notion (London/New York: Verso, 2011).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.