Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rilindja’ 88: Pse shpeshtohen grevat?

Foto nga Rob Curran, Unsplash.

Gjatë gjashtë muajve të kaluar të këtij viti u bënë 39 ndërpreje pune, ku morën pjesë 7.817 punëtorë. Të ardhurat e ulëta personale shkaku kryesor që punëtorët ta ndërprejnë punën.

 Artikull origjinal i shkruar nga Mehmet Kajtazi për Rilindjen.

(11 korrik 1988) – Analizat që u bënë këto ditë tregojnë se prej korrikut të vitit 1987 e deri më 30 qershor të këtij viti në Kosovë u bënë 81 greva të punëtorëve, në të cilat kanë marrë pjesë 16.140 punëtorë. Gjatë këtij viti (duke filluar nga janari i deri në ditët e sotme) vazhdimisht është në rënie mirëqenia e popullësisë në përgjithësi dhe e punëtorëve në veçanti. Pakënaqësinë në këtë gjendje punëtorët po e shfaqin me anë të ndërprerjes së punës. Gjatë periudhës janar-qershor të vitit të kaluar në Krahinën tonë kishte 24 greva me 2.121 pjesëmarrës në to, ndërsa gjatë së njejtës periudhe të këtij viti numri i grevave u shtua dukshëm dhe arriti në 39 sosh me 7.817 punëtorë. E gjithë kjo tregon se ndërprerjet e punës po shtohen.

Prin Prishtina

Në cilat komuna kishte më shumë greva? Edhe rreth kësaj pyetje janë bërë analiza të bollësishme dhe është konstatuar se aty ka klase punëtore më të zhvilluar, kishte më shumë greva. Gjatë periudhës së kaluar të këtij viti në Prishtinë kishte 17 greva, por numri i tyre nuk ishte i vogël edhe në komunat tjera. Ferizaji kishte 9 greva, Prizreni 8 , Peja 4, po aq edhe Gjakova, Leposaviqi dhe Podujeva nga tri ndërsa në Lipjan kishte 14 greva. Në komunat e tjera të Krahinës sonë kishtë nga një e dy greva, andaj nuk mund të thuhet se kjo apo ajo komunë ishte e qetë nga vala e pakënaqësive të punëtorëve. Analizat që janë bërë tregojnë se në këto ndërprerje pune janë humbur hiq më pak se 1.265 orë pune dhe se mesatarisht një grevë ka zgjatur 16 orë pune. Kështu është mesatarja, ndërsa ka pasur raste (siç është ai me kombinatin  të Prishtinës) ku greva ka zgjatur 9 ditë.

Të gjiha këto dihen, siç dihet edhe fakti se në greva janë përfshirë, të thuash shumica e kategorive të punëtorëve dhe të profesioneve. Gjatë muajve të kaluar të këtij viti punën e ndërprenë 23 herë ata që punojnë në industri dhe xehetari, punëtorët që punojnë në ndërtimtari dhe në industri të materialit ndërtimor 20 herë, ata të tekstilit dhe lëkurë-këpucëve 6, në komunikacion dhe lidhje 7 dhe në lëmin e arsimit dhe të edukimit pari 11 ndërpreje pune. Në valën e pakënaqësisë hynë edhe punëtorët e shëndetsisë dhe të lëmenjve të tjerë, por ata nuk dallohen si të tjerët. Themi se nuk dallohen si të tjerët ngase shumicaa e grevistëve të këtij viti pakënaqësinë e tyre e shafaqën haptazi, duke u tubuar rëndom pranë drejtorisë së tyre në oborre të fabrikave dhe të kombinateve.

Kërkesa themelore e të gjithë grevistëve ishte që të shtohen të ardhurat personale. ‘’Po jetojmë shumë keq, jemi në pozitë të tillë ku nuk po na sigurohet as buka, andaj e ndërpremë punën.’’ Këto ishin fjalët kryesore që i thoshin grevistët. Edhe për këtë çështje janë bërë analiza të duhura dhe është konstatuar se në 43 grava është dëgjuar një kërkesë e vetme: kërkojmë të na paguhet djersa jonë.

Kur punëtori kërkon t’i paguhet djersa dhe ai pa fije demagogjie e shtron këtë kërkesë haptazi, diçka duhet të lëzivë. Nuk është fjala për një punëtorë, as për një grup punëtoresh, por këto kërkesa i shtruan më mijëra punëtorë, atëherë edhe një herë diçka duhet të lëvizë. Çka duhet të lëvizë brenda këtyre kolektivave punonjëse që nuk u paguhet djersa punëtorëve? Pikë së pari duhet të lëvizin nga karrigat e tyre të buta ata drejtorë dhe udhëheqës të tjerë që ua kanë uzurpuar të drejtat vetëqeverisëse punëtorëve. Lëvizja e tyre nuk duhet të ketë mashtrime dhe makinacione, se po atëherë, të tillët(ata që u kane uzurpuar të drejtat punëtorëve) do të ulen në karrigë të tjera, prapë të buta, se ata do të shkonin edhe në forume të ndryshme të niveleve edhe më të larte. Kështu ka ngjarë kohëve të mëparshme, andaj e kemi gjendjen e vështirë sot. Këtë e dinë punëtorët se makinacionet dhe keqpërdorimet mund të fshihen para një grupi të caktuar të njerëzve. Por klasës punëtore nuk mund tu fshihet asgjë,  për këtë në shumë greva punëtorët me emër e mbiemër i tregonin udhëheqësitë që i kanë vënë buzë greminës.

Kryesia e KLS të Kosovës këto ditë shqyrtoi hollësisht çështjen e grevave dhe konstatoi, pos të tjerash, se punëtorët janë të brengosur për perspektivën e OPB-ve dhe zhvillimin e shoqërisë. Ata kërkojnë përgjigje për çështjet e hapura, janë shumë të mllefosur nga dallimet e theksuara sociale dhe për shkak të malverzimeve që i bëjnë individët e caktuar.

Përgjigjjet lakonike

Kërkojmë, thoshin punëtorët e Goleshit, po edhe punëtorë të tjerë që të merret në përgjegjësi ky edhe ai udhëheqës komunal dhe i kolektivit. Jo vetëm kaq. Punëtorët, për të qenë të argumentuara kërkesat e tyre, kërkonin që të jepen përgjigjje pse filan udhëheqesi ka disa shtëpija private dhe banesa shoqërore, pse filan udhëheqësi ka vetura të shtrenjta dhe i ka futur në punë gjithë anëtarët e familjes së vet, kundruall shtëpisë së tij jeton kjo edhe ajo familje pa asnjë të zënë në punë. Pas këtyre fjalëvë punëtorëve pasonin përgjigjet lakonike të atyre që i kishin dalë t’i qetësojnë punëtorët.

Pas këtyre fjalëve dëgjoheshin duartrokitjet e punëtorëve. Kur bindeshin për këtë, të nesërmen ia fillonin punës. Por situata ende nuk ka ndërruar.

Deri sivjet punën e ndërprenin kryesisht ata që ishin dhe janë prodhues të drejtpërdrejtë, ndërsa kohët kanë ndërruar e kriza e përgjithshme ka përfshirë edhe veprimtarinë shoqërore. Në krahasim me veprimtaritë e tjera (kryesisht në ekonomi), numri i grevave në veprimtaritë shoqërore është më i vogël, por ata paralajmërojnë se edhe këtu ka pakënaqesi. Bie fjala, në disa shkolla të Krahinës sonë arsimtarët shfaqën pakënaqësitë e tyre duke mos hyrë në mesonjotore, ku i pritnin nxënësit. Kështu vepruan arsimtarët e Dragashit, të Prizrenit, Lipjanit, Podujevës, Ferizajit etj.

Nxënësit  sigurisht se janë befasuar kur kanë parë se arsimtarëte tyre ua kanë kthyer shpinën. Nxënësit sigurisht se në meditimet e tyre rreth kësaj çështjeje praktikisht janë ballafaquar me grevën, e cila nesër(kur të rriten)nuk do të duhej t’i priste.

Pakënaqësia me gjendjen e tashme nuk hiqet me fjalime, andaj të merren masa të gjithanshme e konkrete. Kjo është dëshira parësore e klasës punëtore kosovare, e cila edhe gjatë grevave pati kujdes që prona shoqërore të mos dëmtohet që të mos ketë përçarje mes kombeve e kombesive, që të mos ketë kurrfarë kërkesash jashtë vetëqeverisjes.  Brenda mundësive tona kosovare, thoshin edhe punëtoret, duhet t’i zgjedhim problemet tona. Kur ndonjëri prej punëtorëve bënte krahasime se si jeton dhe çfare pasurie ka punëtori jashtë Kosovës, se të ardhurat tona duhet të shtohen edhe mbi 100 për qind, pavarësisht nga puna, atëherë punëtorët e tjerë e përcillnin me fishkëllimë. Kështu ngjau në shumë greva, ku qëllimi ishte që të hiqen nga rendi i dites problemet edhe vështirësitë që kanë lindur si rrjedhojë e punës jo të mirë të vetë strukturave të një kolektivi të caktuar.

_____________

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.