Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Lufta, Kujtesa, Identiteti

Ilustrimi nga Big Eye.

Kujtim i kohës së luftës dhe përvojat traumatike nga kjo periudhë, luajnë rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të paqes, por edhe të zhvillimit politik të një vendit të dal nga lufta. Siç thekson Nigel Hunt (2010) në studimin e tij përkitazi me këtë dukuri, përvoja e luftës ndikon dukshëm në diskursin shoqëror dhe mund të ndryshojë rrënjësisht identitetin individual dhe kolektiv. Vet fakti që në gjuhën tonë të përditshme, ne iu referohemi vazhdimisht kohës ‘para dhe pas lufte’, flet mjaft shumë për ndikimin e saj në botëkuptimet tona.

Një segment i rëndësishëm është sidomos, ndërlidhja mes përvojës nga lufta të fëmijëve të asokohshëm dhe qëndrimi e veprimi socio-politik i të rinjve të sotëm. Ekspozimi i fëmijëve ndaj dhunës dhe krimeve të luftës janë të evidentuara në shumë raste. Ata kanë qenë shpesh dëshmitar apo edhe viktima të luftës në forma e mënyra të ndryshme. Kështu, një studim i kryer në lidhje me luftën në Ruanda e vitit 1996, hedhë dritë mbi shkallën e ekspozimit të fëmijëve ndaj dhunës. Rreth 70% e fëmijëve të intervistuar kishin parë dikë të vrarë ose të plagosur, 80% të tyre  kishte humbur një anëtar të familjes, dhe 96% kishin qenë dëshmitarë të dhunës (Machel, 2001). Një tjetër studim në kampet refugjatësh në Evropë,  me fëmijët nga zonat e konfliktit gjeti se 60% e tyre kishin qenë të ekspozuar në një apo tjetër mënyrë ndaj dhunës (Chandi / Ferrari 2013). Për fat të keq studime të tillë sistematike në rastin e Kosovës nuk janë kryer, por ka me dhjetëra intervista me fëmijë apo të ri, që tregojnë ekspozimin e tyre ndaj dhunës dhe përvojën në luftë.

Në mesin e shumë prej përvojave të tilla të kohës së luftës, dua të paraqes kujtimet e njërit prej ish-studenteve të mi, i cili ishte dëshmitar i masakrës mbi civilët shqiptarë në fshatin Beleg. Pas shumë viteve nga kjo ngjarje, ai përveç tregimit të tij mblodhi edhe historitë dhe kujtimet e dëshmitarëve të tjerë nga ky fshat për këtë krim lufte, dhe rishtazi e ka botuar si libër. Përmes dëshmive të banoreve të mbijetuar dhe përvojat e veta ai përpiqet të rindërtojë ngjarjet e asaj dite tragjike dhe gjithashtu se si fshatarët sot përballen me të kaluarën e sidomos me pasojat e masakrës. Qasja në këtë libër korrespondon me kombinim e dy llojeve të kujtesës kolektive, si ajo e ‘kujtesës autobiografike’ dhe të ‘kujtesës historike’. Këto koncepte janë shtjelluar së pari nga sociologu francez Maurice Halbwachs (1925), i cili konsiderohet edhe si themelues i studimeve mbi kujtesën kolektive. Sipas tij, lloji i parë i kujtesës ka të bëjë me ngjarjet e dikujt, që jetën e vet e kujton nga përvojat e drejtpërdrejta, ndërsa e dyta i referohet përpunimit të ngjarjeve në bazë të cilave grupet e caktuara pretendojnë identitetin e vazhdueshme nëpër kohë (Olick, 2011). Por, të dy llojet e kujtimeve janë të ndërlidhura; në fakt kujtesa individuale është e mundur vetëm në kontekst të kornizës shoqërore. Studiues të tjerë theksojnë rëndësinë e ‘kujtesës të dorës së dytë’ (Sebald, 2004) dhe atë çfarë Marianne Hirsch e quan ‘pas-kujtesa’ (postmemory), e cila i referohet atyre kujtimeve që barten nga ata që përjetuan ngjarjet, në breza të rinj që nuk i kanë përjetuar vet ato.

Kjo mënyrë e trashëgimisë të kujtesës së luftës, ndikon veçanërisht te gjeneratat që janë lindur gjatë luftës ose menjëherë pas saj, dhe kanë ndikim të madh në identitetin e tyre shoqëror, politik dhe kombëtar. Në diskursin politik ashtu edhe në jetën e përditshme, kujtimet traumatike dhe përvojat nga lufta vazhdojnë të luajnë një rol të madh dhe rrjedhimisht ndikojnë thellësisht në identitetin e brezave të rinj, që kanë pak ose aspak përvojë nga ajo periudhë kohore.

Në këtë kuptim, debati i ashpër e antagonist në muajt e fundit, për shkak të Gjykatës Speciale, pasqyron qartazi ndikimin politik që ka e kaluara dhe se sa të renda janë pasojat e mosballafaqimit të drejtë me të kaluarën. Nocionet e ‘tradhtisë’ e ‘patriotizmit’, si në debatet parlamentare ashtu edhe në diskursin publik ishin në rend të ditës. Instrumentalizimi i të kaluarës dhe manipulimi emocional me të duke u viktimizuar, ishin dhe mbesin për qëllime e motive politike e elektorale. Mohimi i çfarëdo krimi dhe kundërshtimi për të gjykuar krimet eventuale të kryera nga pjesëtar e vet etnik, ndoshta mund të shpjegohen më së miri me thënien e famshme nga filozofi Bertrand Russell, se: “Patriotët gjithmonë flasim se sa janë të gatshëm për të vdekur për vendin dhe asnjëherë për atë se sa janë gati të vrasin për vendin e tyre.”

Diskursi dhe hapësira publike, transmetimet si dhe interpretimet nga e kaluara e afërt janë fabrikuar dhe instrumentalizuar në mënyra të ndryshme nga politikanë të ndryshëm kosovarë dhe grupet para-politike (kujtojmë vetëm listat e regjistrimit të studenteve në Universitet), për të fituar pushtet dhe legjitimitetin përmes ngjarjeve të luftës, qoftë në formë të martirizimit apo heroizmit të supozuar. Kështu kujtesa kolektive e derivuar nga historiografia zyrtare e gjysmë-zyrtare dhe e miratuar nga pushteti, ndikojnë jo vetëm në formimin e identitetit por edhe në qëndrimet e sjelljet politike, veçanërisht në mesin e brezave të rinj të Kosovës.

____________________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.