Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Babai

Foto nga filmi “Babai” me regji të Visar Morinës.

Roberto Benigni në tragjikomedinë e tij antologjike, e refuzon një realitet të rendit të përgjithshëm botëror. Për më shumë se kaq karakterin e një lufte të egër, e vë në funksion të argëtimit. Dhe në funksion të lojës. Në funksion të dashurisë. Në funksion të paqes. Në funksion të një bote më të mirë dhe më pak barbare. Dhe gjithë këtë përpjekje të tij njerëzore, e bën përmes raportit babë dhe bir. Në këtë mënyrë kampi i përqëndrimit bëhet një fushë e rëndomtë e lojës. Një tank që shtyp kockat njerëzore bëhet lodër e zakonshme. Dhe ecja drejt vendit të vdekjes, duhet ta themi këtë, një fund i këndshëm i një loje. Një raport i tillë paraqet në mënyrën më të mirë, atë se çfarë kishte përjetuar bota në atë kohë të frikshme. Me anë të këtij raporti, Benigni zbavitës, nuk ishte se na kishte zbavitur edhe aq shumë. Thënë të drejtën, na kishte përplasur në sy një të kaluar tronditëse, që në forma të ndryshme na takon secilit. Tragjedia e një individi është tragjedi e të gjithëve. Lumturia e një njeriu është e të gjithëve. Kush cënon tjetrin, më cënon mua. Kush më cënon mua, ka bërë diçka kundër tjetrit. Herët ose vonë, dëgjohet krisma. Dhe kjo do t’i përkasë secilit prej nesh.

***

Edhe ,,Babai,, i Visar Morinës ka pikërisht këtë raport. Por të shtrirë dhe të shtjelluar në një mënyrë tjetër. Këtu nuk ka vend për ironi. Dhe nuk ka vend për lojë. Arma e fsheshur nën miell është një armë e fshehur nën miell. Pikë. Këtu nuk ka nevojë për një simbolikë. Dhe as për një metaforë. Megjithëse aspak nuk i mungojnë. Në të vërtetë përshtypja e imja e parë, nëse më lejohet ta them këtë, ishte e çuditshme. Një sërë gjërash që nuk varen nga ne, janë përcaktuese të asaj se kush jemi. Disi e dhimbshme t’i takosh një vendi të vogël. Fati është një zar hedhur nga dikush tjetër. Dhe ne e kemi në trup si një pallto të padëshirueshme. Sidoqoftë për të mos u futur lakrave duhet ta them se ,,Babai,, është filmi më i mirë shqiptar. I vendosur në vitet e nëntëdhjeta kur terrori mbi mendjen dhe dhuna, në mes tjerash ajo psikologjike, ishin shprehje e një pushteti çnjerëzor, Morina, zgjedh pikërisht raportin babë e bir për të dokumentuar mbi kohën kur dinjiteti njerëzor, ishte një hiç i madh qesharak dhe lufta për të mbetur gjallë, përkthehej në nevojën për të ikur. Në nevojën për ta futur bishtin ndër shalë dhe për ta thyer qafën. Në dreq të mallkuar. Dhe atë me peshën e fyerjes, nënshtrimit, përbuzjes. Që të gjitha të palosura në ballin e ekzistencës sonë. Që të gjitha të palosura në kapitullin e njërit libër mbi gadishullin ballkanik, që kishte dalur mendsh. Që e kishte rruar dreqi.

***

,,Babai,, është film që ju takon të gjithë popujve. Kudo në botë. Madje nuk ka reshtur së qeni i pranishëm edhe tash. Në një situatë pak më ndryshe. Ende emigrimi mbetet opcional. Ende dëshira për jetë më të mirë nuk është shuar. Péter Szijjártó, para disa ditësh bëri të ditur se qeveria hungareze, do të ndërtoj një gardh me gjemba, njëqind e shtatëdhjetë e pesë kilmoetra të gjatë. Përfytyroni një botë që nëpër vijat e shpifura kufitare, të vendos këso farë lloj gardhiqesh të mprehura mirë. Dhe atëherë do të ju bie në mend një fëmijë i gjorë që duke njohur mirë shijen e braktisjes nga babai, tani jeton diçka të re. Diçka impresive. Një jetë të lumtur brenda një valigjeje të drurit, që pluskon gjak nga gishti i babait ëndërrimtar. Megjithëse njëjtë sikurse tash ëndrra ishte një derë e mbyllur. Dhe vuajtje të tilla sikurse tek personazhet e ,,Babait,, ende jehojnë kudo mbi faqe të dheut. Si këmbana. Si thirrje për ta pastruar qenien tonë. E pastaj botën. Nga secila ndyrësi. Përgjithmonë. Nëse mundemi. Natyrisht. Duke pasur vullnetin si shprehjen më të thellë të domethënies sonë, si qenie humane.

***

Shpresoj të jetë kështu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.