Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Rimendimi i Politikës (II)

Harresa e politikës 

Përgjithësisht, si Platoni, ashtu dhe Aristoteli, me anë të përfundimeve teorike të sipërcekura e promovuan racionalizmin teleokratik edhe në gjykimin e çështjeve politike. Logjika “mjet-qëllim” ka qenë thelbi i saj. Ndërkaq një pjesë e mirë e kësaj paradigme ishte e motërzuar edhe me të menduarit metafizik të këtyre filozofëve.

Kurse këtë të fundit, siç pohon Dana R. Villa në librin e tij “Arendt-i dhe Heidegger-i – Fati i Politikës” (Arendt and Heidegger – The Fate of the Politicial), që nga fillimi e ka veçuar “paragjykimi” produksionist i botës greke. Duke interpretuar mendimin e Heidegger-it mbi historinë e metafizikës, Dana R.Villa konstaton se karakteri produksionist i ontologjisë perëndimore ka qenë persistent në të gjitha fazat e zhvillimit të vet. Madje edhe të menduarit krisitian mbi “Qenien e qenieve si qenie krijuese (ens kreatum) nuk bën asgjë tjetër pos që e zgjeron horizontin e asaj bote, vetëm se tani duke e afirmuar Zotin në rolin e krijuesit suprem (supreme artificier).

E fundi i kësaj strukture mendore, sipas filozofit të njohur gjerman Martin Heidegger në punimin e tij “Fundi i Filozofisë dhe Detyrat e të Menduarit” (The End of Philosophy and the Task of Thinking), erdhi jo më herët se me shfaqjen e Friedrich Nietzsche-s (Fridrih Niçe)  dhe Karl Marx-it. Për Heidegger-in, “përgjatë gjithë historisë së filozofisë mendimi i Platonit mbeti vendimtar qoftë edhe i ndryshuar tërësisht në formë. Metafizika është platonizëm. Nietzsche e karakterizon filozofinë e tij si një platonizëm të kthyer së prapthi. Ndërkohë që në përkëmbimin përfundimtar të metafizikës, të realizuar nga Karl Marx-i, mund të themi se është arritur mundësia më ekstreme e filozofisë”.

Një linjë të ngjashme e mbron edhe Hannah Arendt,  kur pohon se traditës perëndimore të mendimit politik të inauguruar nga Platoni i erdhi fundi i saj me Karl Marx-in dhe tezat e tij se “filozofia dhe të vërtetat e saj nuk ndodhen jashtë sferës së përbashkët njerëzore, por pikërisht brenda saj dhe të kushtëzuara nga raportet e prodhimit”.

Megjithatë, edhe përkundër revoltës së hapur dhe mllefit që këta filozofë artikuluan ndaj traditës, as këta nuk ia dolën të çlirohen plotësisht nga pesha e saj dominuese. Ata mbeten të ngujuar brenda gërmadhave të ndërtesës që aspiruan ta rrënojnë. Hijerorja e saj i ndoqi gjatë gjithë kohës. Në fund vetëm i konvertuan kriteret e saj hierarkike. Prandaj me filozofimet e tyre me çekan përsëri nuk arritën ta hapin një horizont të ri për ta ndriçuar kuptimin e “asaj që zhvillohet në mes nesh” si qenie politike. S’u krijua një vokabular autentik politik i pa ndikuar nga tradita. Dhe nëse mendimin metafizik, siç thotë Heidegger-i, e kishte karakterizuar “harresa e qenies”, atëherë paradoksalisht thelbin e mendimit politik të kësaj tradite e ka shënjuar pikërisht “harresa e politikës”.

Ajo mbeti e bllokuar dhe pa asnjë shtegdalje. U orientua vetëm në kërkim të vizionit hierarkik të drejtësisë. Inventarin e saj e formësuan kategoritë e sundimit të më të mirit, nënshtrimit të shumicës nga pakica, dominimit nga idetë transcendente, subordinimit të jetës njerëzore nga parimet qiellore dhe projektimit të “qytetit të tokës” vetëm si medium për t’u spastruar nga mëkatet ditore si dhe përfitimit të shëlbimit shpirtëror personal në këmbim të jetës së përtejme dhe parajsës së përhershme që e dominon “qytetin e Zotit”. Po ashtu mbi këtë sferë u imponuan qëllime përfundimtare tej-politike të sajuara si nga mendimi klasik, doktrinat teologjike, vizioni eskatologjik modern i historisë apo dogmat rigide ideologjike.

Shembja e traditës dhe rimendimi i politikës 

Sidoqoftë, përkundër pandehmave që fundin e mendimit metafizik e lidhin me ligjërimet e Marx-it dhe Nietzche-s, politikisht mbase shembjen dhe tejkalimin e parimeve fondatore të saj mund ta kërkojmë te një filozof tjetër që kishte jetuar më herët sesa dy figurat “rebeluese” të sipërpërmendura. Dhe këtë fund kemi mundësi ta gjejmë në konstatimet e jashtëzakonshme të mendimtarit të njohur francez  Baron de La Brède et de Montesquieu (Monteskjë) të artikuluara në librin e tij të monumental “Fryma e Ligjeve” (The Spirit of Laws – De l’Esprit des lois).

Natyrisht, kjo s’do të thotë që format paraprake të mendimit politik u davaritën plotësisht. Përkundrazi ato vazhduan të ekzistojnë edhe pas kësaj kthese rrënjësore që e promovoi filozofi francez. Mirëpo, ky i fundit e hapi një shteg të paprovuar më parë, efektet e të cilit do të dëshmohen vendimtare në konstituimin e mendimit politik modern të pandikuar dhe kushtëzuar nga solucionet e traditës.

Gjatë elaborimit të frymës së ligjeve, Montesquieu (Monteskjë) e anashkalon për herë të parë pyetjen tradicionale politike të inauguruar nga Platoni “se kush duhet të sundojë?”, në atë se si duhet të ndahen pushtetet në mënyrë që ta kufizojnë dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Pra, mendimi politik modern nuk duhet të përhumbet në pretendimet e së kaluarës në kërkim të heroit, misionarit, shpëtimtarit, filozofit, klerikut, ideologut, teologut, princit, monarkut që e mishëron vullnetin hyjnor, por të themelimit dhe fuqizimit të disa qendrave të pushtetit si mjet i domosdoshëm për ta mirëmbajtur balancën politike dhe afirmimin e “sundimit të ligjit” si alternativa finale ndaj çdo modeli tjetër të sundimit.

Sidoqoftë, krahas këtij koncepti nomokratik, ajo çka në të vërtetë e bën novatore teorinë politike të Montesquieu-së mbetet edhe zbulimi dhe afirmimi që ai ua bëri kategorisë së parimeve dhe forcës së tyre mobilizuese. Sepse, sipas tij, ligjet e formojnë “natyrën e një qeverisjeje dhe janë ato që e bëjnë atë të jetë e tillë dhe jo tjetër gjë, mirëpo janë principet ato që e detyrojnë atë të veprojë në përputhje me to”. E pjesë e tyre janë edhe pasionet njerëzore që e nxisin atë të lëvizë.

Ato thjesht shndërrohen në inspirim për aksionet e përbashkëta politike. Dhe si të tilla ato nuk kanë karakter transcendent, s’janë në funksion të qëllimeve finale ekstra-politike përtej tokësore, por janë zembereku inherent i një rendi politik. Kështu, nëse parimi i aristokracisë është nderi, i despotizmit frika, ajo që e bën të veprojë dhe e vë në lëvizje një demokraci është forca e virtytit. Madje kjo e fundit vështirë mund të funksionojë pa këtë nxitës.

Ai s’moralizoi mbi mirësinë origjinale natyrore të njeriut që rendi politik e kishte tjetërsuar për shkak të mëkatit fillestar, apo s’u zhyt në ëndrra romantike që “ligjin e zemrës” së tij ta kumtojë si ligj të përgjithshëm njerëzimit. Po ashtu s’u josh nga idetë e sundimit të vullnetit të përgjithshëm, një term ky plot ambiguitete, siç edhe bëri bashkëvendësi i tij Zhan Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau), veprat e të cilit u shndërruan në një lloj ungjilli politik në gijotinën e terrorit revolucionar të drejtuar nga Maksimiljen Robespier (Maximilien Robespierre).

Këtë doktrinë askush s’e ka kapërthyer me mirë sesa Hegeli në veprën e tij monumentale “Fenomenologjia e Frymës” (The Phenomenology of Spirit). Në pjesën mbi “Lirinë Absolute dhe Terrorin”, ky zotërues “absolut” i frymës krijuese njerëzore, pohon se kodin themelor të kësaj logjike e përbëjnë aspiratat politike jakobine. Kushdo që nuk i përshtatet asaj konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim; si armiq të popullit, vullnetit të përgjithshëm dhe kërcënim për këtë të fundit; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm. Pra, të gjithë të tjerët definohen si vullnete private që duhen eliminuar dhe shtypur.  Kjo edhe është arsyeja që asgjë s’mund t’i ikë furisë së saj destruktive dhe negativitetit të zbrazët. Sepse, siç pohon Hegeli, “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ e përjeton sensin e të qenët ekzistent”.

Mjerisht, kjo skemë mentale do të shndërrohet në ushqim fanatik për shumë nga tërmetet e mëvonshme politike. Diktatura e proletariatit e përbën vetëm njërën prej tyre. Prandaj, nuk është e rastësishme që kudo që hovëzoi flakërima e kësaj zjarrmie revolucionare, ajo përfundoi në terror. Kurse sociologu i njohur Jean-Werner Muller, në traktatin e tij politik” Ç’është Populizmi? (What Is Populism?), pohon se edhe sot ekziston një përkitje e çuditshme ndërmjet populizmit dhe doktrinës politike jakobiniste. Ndërkaq William Galston konstaton se ngjashëm edhe populzimin e karakterizon revolta kundër pluralizmit (Anti-Pluralism: The Populist Threat to Liberal Democracy). Apo, siç thotë Jurgen Habermas, sa herë që populli shfaqet politikisht, ai s’mund të shfaqet ndryshe, pos si “kategori plurale”.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.