Për të gjithë ju, ky titull ndoshta nuk është shkruar drejt, por jo edhe për dekanin e Fakultetit Filozofik. E si të mos e marr si model të drejtshkrimit një “dekanë” të Universitetit të Prishtinës?
Në fund të fundit, dekani i Filozofikut dhe kolegët e tij në UP janë ata që shumicës prej nesh, në ndonjë fazë të studimeve, na kanë legjitimuar dijen. Këtë legjitimim të dijes ata e kanë bërë duke na dhënë një notë kaluese në lëndët që ligjërojnë, apo duke mentoruar temat tona të diplomës, magjistraturës e doktoraturës. Atëherë, kush jemi ne që të dalim kundër këtyre legjitimuesve?
Shumë vite më parë, filozofi Erich Fromm parashtronte këtë pyetje: kush legjitimon dijen? Cili është ai person e ai sistem edukimi, i cili e ka të drejtën e pakontestueshme për të legjitimuar dijen e juaj? Po dija e fituar jashtë sistemit edukativ, e për të cilën nuk ekziston një diplomë, si të legjitimohet? Sipas Fromm-it, mënyra e funksionimit të shkollave dhe universiteteve, mënyra e testimit dhe ligjëruesit, nuk janë mënyra më e duhur për të legjitimuar dijen.
Për shumë dekada, e sidomos pas vitit 1999, arsimi i lartë publik dhe privat në Kosovë është përqendruar kryesisht në dhënien e diplomave. Diplomat kanë shërbyer si legjitimues të dijes dhe si mundësi për të siguruar një vend pune, sidomos në sektorin publik, aty ku diploma është e obligueshme.
E shumë prej tyre që morën një diplomë për të pasur një vend pune, arritën shumë shpejt edhe deri tek doktoraturat. Ministra, deputetë e kryetar komunash, u bënë hiperaktiv dhe magjistruan e doktoruan. Tek e fundit politikës nuk i dihej, qytetarët edhe mund të mos i votonin më. Andaj duhej një karrierë e dytë. E paraja sot më së lehti fitohet në arsim.
Me postet e tyre publike, këta “studentë VIP” kaluan studimet pa qenë nevoja që të jenë edhe fizikisht prezentë në ligjërata e provime. Shumë shpejt ata përgatitën edhe tezat e doktoraturës dhe i mbrojtën me “sukses të lartë”. Me lidhjet partiake, një post asistenti, profesori, dekani e rektori tani ishte shumë i lehtë. Një universitet publik ishte pak të sistemoheshin krejt këto kuadro. Kështu që u hapën edhe gjashtë të tjerë.
Për të arritur deri tek titujt akademik, këta individë publikuan punime në revista indiane e revista vendore në pronësi të politikanëve. Të njëjtat i listuan si punime shkencore.
Së fundmi, UP ka filluar publikimin edhe të tezave të doktoratave për disa profesorë të UP. Në një shfletim të shpejtë të këtyre doktoratave, e vëren nivelin e dijes së shumicës së profesorëve universitarë.
Profesori që ligjëron shkrimin akademik dhe vlerëson me mijëra studentë për nivelin e të shkruarit, bën me mijëra gabime bazike drejtshkrimore në punimin e tij. E të mos flasim për gabime logjike e strukturore që mund të gjenden tek shumë teza doktorate. Logjika e shumicës së doktoraturave të publikuara është kjo: zgjedh një periudhë të caktuar kohore të historisë, zgjedh një lokalitet apo etni të caktuar dhe shkruaj duke u bazuar në shkrimet në gjuhën serbe/kroate.
Në fakt, shumica e doktoraturave janë nga fusha e historisë. Në këtë fushë ka doktoruar dekani i Fakultetit të Edukimit, dekani i Fakultetit Filozofik, shumë profesorë të juridikut, të sociologjisë e të gazetarisë. Me tërë këto doktoratura në histori dhe prapëseprapë na duhet t’i referohemi Noel Malcolm-it për hulumtimin më autentik të historisë së Kosovës.
E ai që ka doktoruar për fshatarët, ligjëron jurisprudencën. Ai që ka doktoruar për histori, ligjëron shkrimin akademik. E historiani tjetër, dekan në Fakultetin e Edukimit, ligjëron “Udhëheqje në arsim”. E dikush që ka doktoruar për poezitë e Fishtës e të Kadaresë, ligjëron për mediat dhe gazetarinë moderne.
Sot, disa nga ta kërkojnë me çdo kusht edhe avancime akademike. Në të kundërtën, ata kanë vendosur të bllokojnë vendimet dhe reformat në UP. Me ndihmën e një grupi të studentëve, këta profesorë po arrijnë të bllokojnë punën e Rektorit Ramadan Zejnullahu.
Nuk mund të pritet që vetëm Rektori dhe një grup profesorësh të arrijnë të shtyjnë reformat përpara. Po ashtu, nuk mund të pritet që studentët të aktivizohen më shumë për reforma në universitet. Nevojitet një angazhim më i madh i të gjithë shoqërisë.
Ashtu sikurse studentët aktual, edhe ish-studentët e UP kanë interes që ky institucion i arsimit të lartë mos të vazhdojë e të rrëshqasë edhe më tutje në injorancë. Përmirësimi apo keqësimi i gjendjes në UP, ndikon direkt në kredibilitetin e diplomave të të gjitha gjeneratave.
Për këtë arsye, në shumë universitete të njohura nëpër botë, krijohen shoqata të studentëve të diplomuar, të cilët angazhohen vazhdimisht, qoftë financiarisht apo në forma tjera, që të kontribuojnë në universitetin e tyre, edhe shumë vite pas diplomimit.
Nuk mjafton që shoqëria të mobilizohet vetëm për të përmbysur një të keqe, ashtu siç u mobilizua për shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi. Por nevojitet mobilizim edhe për të mbrojtur punën e mirë, në këtë rast atë të Rektorit Zejnullahu.
Ndryshe, njerëzit do të vazhdojnë të doktorojnë për “fshatarët si kategori e punëtorëve”, duke mbushur plot 249 faqe me paragrafë që nuk kanë asnjë kuptim, si këta në vijim:
“Zhvillimi ekonomiko-shoqëror i një vendi varet prej një numri të konsiderueshëm faktorësh të ndryshëm, të cilët edhe për nga ndikimi i tyre mund të jenët të ndryshëm, varësisht nga rëndësia dhe efekti që ndikojnë në zhvillimin e atij vendi. Kjo vlen edhe për Kosovën si bashkësi shoqërore me tërësi territoriale dhe me shumicë etnike shqiptare.
Zhvillimin ekonomik të çdo vendi por edhe të Kosovës e kushtëzojnë faktorë të ndryshëm, të cilët në mënyrë të përgjithshme mund të grupohen në faktorin njerëzor, shoqëror, natyror, materialo teknik. Secili prej këtyre faktorëve e ka rëndësinë e vet të veçantë dhe këta të gjithë veprojnë së bashku dhe në ndërlidhje ndërmjet tyre. Faktori njeri është kryesor dhe bartës i të gjitha proceseve ekonomike të funksionit shoqëror dhe të teknikës e teknologjisë, ku të gjithë këta faktorë i ndihmojnë njeriut për ngritjen e nivelit të zhvillimit të forcave prodhuese dhe të standardit jetësor. Faktori subjektiv e ka rëndësinë e vet, por ai, sado që të jetë i rëndësishëm, nëse nuk disponon faktorët të tjerë të prodhimit, siç janë pasuritë natyrore dhe mjetet e tjera teknike për shfrytëzimin e tyre, ai nuk mund të prodhojë e as ta realizojë qëllimin e vet.
Nëse një shoqëri i ka këta faktorë, të cilët paraqesin bazë të begatshme për prodhimin material, për atë shoqëri mund të themi se ka mundësi reale për zhvillim më të shpejtë shoqëror dhe ekonomik.”