Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosovarizmi jo-shqiptar vs. Kosovarizmi brendashqiptar

Meqë Krenar Gashi paska marrë mundin të bëjë një shkrim të gjatë si përgjigje ndaj shkrimit tim të fundit “Stërnipat e Skënderbeut me flamur ahtisarian”, po ndihem i detyruar të përgjigjem, sepse më paska keqinterpretuar në disa pika. Po përgjigjem në mënyrë kronologjike sipas radhitjes së shkrimit të tij:

1. Unë jam llapushnikas, drenicak, kosovar, shqiptar, evropian, njeri i planetit, qenie në sistemin diellor, grimcë në Rrugën e Qumështit, hiç në univers. Unë nuk kam asnjë problem me këtë zinxhir, por e kam problem kur dikush dëshiron të ma zhbëjë një hallkë të këtij zinxhiri (shqiptar). Pra, nuk kam asnjë problem me “kosovarizmin” si sub-kategori e si sub-identitet.

2. Nuk jam unë (dhe ata që mendojnë si unë) që e kemi ngritur duelin deri në vdekje mes shqiptarit e kosovarit. Këtë lloj fryme të debatit e të duelit e kanë ngritur pikërisht ata që “kosovarizmin” e promovojnë si përjashtues për “shqiptarizmin”, jo ne që “kosovarizmin” e pranojmë si pjesë të “shqiptarizmit”.

3. Nuk ke mundësi ta çmontosh thirrjen time për të zgjedhur mes shqiptarit dhe kosovarit, sepse unë nuk kam bërë thirrje të tillë (si duket të ka nervozuar vetëm titulli i shkrimit tim dhe nuk e ke lexuar përmbajtjen me vëmendje). Thirrja ime ka qenë për të zgjedhur mes “kosovarit shqiptar” dhe “kosovarit jo-shqiptar” (madje jo as “kosovarit anti-shqiptar”).

4. Për aq kohë sa unë e ti pajtohemi që ne kemi komb të konsoliduar, edhe në kuptimin klasik edhe në kuptimin modern, dhe ai komb është kombi shqiptar, atëherë ne nuk kemi debat mes vete. Debatin e ke me të tjerët, jo me mua dhe jo me ata që mendojnë si unë.

5. Nëse të tjerët na shohin si komb tjetër nga ai shqiptar, veç pse kemi shtet të pavarur (nisur nga modeli amerikan që shtetin e kombin nuk e dallon shumë – nation), kjo nuk është problematike. Problemin e kemi me militantët tanë që duan të na detyrojnë të ndihemi si komb kosovar, me dashje e pa dashje, duke u thirrur në ca teori në ndërkohë që harrojnë që shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë t’i besojnë historisë e jo teorive t’lodhta post-moderne.

6. Relaksim i tepruar duket nga ana juaj kur konstatoni që identitetin kombëtar e kemi ruajtur edhe gjatë okupimit dhe nuk kemi pse frikësohemi se e humbim tani që jemi të lirë. Okupatori serb na ka luftuar pikërisht për shkak të identitetit tonë kombëtar, prandaj identiteti kombëtar ka qenë motivi kryesor pse ne kemi rezistuar e kemi luftuar deri në çlirim. Ndaj, ka qenë e pamundur që të na cenohet identiteti kombëtar gjatë okupimit. Ndërsa tani është më rrezik, sepse në forma të ndryshme, të tërthorta e të drejtpërdrejta, në Kosovë ekziston fushatë, gati-gati fashiste e raciste, kundër gjithçkaje shqiptare në Kosovë përfshirë edhe identitetin kombëtar. Propaganda “dashamirëse” është shumë më e rrezikshme e më funksionale se tankset e armikut.

7. Skënderbeun në shkrimin tim e kam përdorur në të njëjtën linjë që e ka promovuar Rilindja Kombëtare Shqiptare, pra si simbolikë të bashkimit e mosnënshtrimit (Skënderbeu si figurë historike është çështje e tryezave shkencore). Dhe e kam vënë këtë simbolikë përballë kundër-simbolikës, Ahtisaarit. Ahtisaari nuk është simbol i kosovarit shqiptar e i Kosovës shqiptare. Ahtisari është simbol i kosovarit pa të shkuar e pa histori, pa identitet kombëtar, pa të drejtë për të vetëvendosur, i detyruar t’i nënshtrohet të tjerëve, etj. Dhe këto dy simbolika në fakt janë të kundërta, nuk i kam vendosur unë si të kundërta, por të tilla janë.

8. Asnjëherë nuk kam thënë e nuk kam nënkuptuar që kombi shqiptar është superkomb apo komb hyjnor. Kombin shqiptar e kuptoj si identitet të veçantë që i shërben pasurimit dhe diversitetit global njerëzor, njëjtë siç i kuptoj edhe të gjitha kombet tjera, të gjitha.

9. Këtu kemi një mospërputhje të vogël, në fakt shumë të madhe. Unë e pranoj shtetin e Kosovës dhe simbolet e tij, por insistoj që Kosova duhet të jetë shtet i mirëfilltë e me simbole përfaqësuese të popullit, jo shtet i kushtëzuar nga 3%-shi dhe me simbole jo-simbolike. Përtej kësaj, projekti ahtisaarian për Kosovën në fakt është fjalëpërfjalshëm projekt anti-shqiptar, jo vetëm jo-shqiptar. Ky konstatim nuk ka nevojë për shumë argumente, mjafton që të gjithë e dimë që këtë projekt për Kosovën e ka imponuar kundër-pala, serbët, pavarësisht që vet nuk e ka pranuar. Serbia nuk e ka pranuar projektin ahtisaarian, jo pse ai e lë Kosovën shqiptare, por sepse Serbia e do Kosovën të tërën për vete.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.