Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi analistët, gazetarët dhe aksionet radikale të opozitës

Ilustrimi nga Big Eye.

Ka një kundërthënie të pazgjidhshme, besoj, në kritikën dashakeqe që gazetarët dhe analistët iu bëjnë aksioneve radikale të subjekteve opozitare, e sidomos atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, sa i përket çështjes së demarkacionit dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në njërën anë, ta zëmë, insistojnë se qëllimi kryesor i aksioneve radikale të partive opozitare kundër demarkacionit dhe asociacionit serb është, thjesht dhe vetëm, marrja e pushtetit; ndërkaq, në anën tjetër, të njëjtit na thonë se, nëse opozita vazhdon me kësi “aksione të dhunshme” (mjerisht, ata ende nuk dinë ta bëjnë dallimin ndërmjet aksioneve radikale dhe aksioneve të dhunshme), kurrë nuk kanë për ta parë pushtetin me sy.

Tash, pyetja që ngre unë në këtë shkrim është si vijon: nëse është e vërtetë se aksionet radikale të partive opozitare qenkan duke i mbajtur ato larg nga pushteti, cili është atëherë kuptimi i të deklaruarit se qëllimi kryesor i aksioneve të tyre na qenka ardhja në pushtet?

Vërtet këtë gjë s’kuptoj unë.

Sepse, ta themi hapur: nëse do të ishte e vërtetë që aksionet radikale të subjekteve opozitare qenkan duke i mbajtur ato larg nga pushteti, si rrjedhim i bie që qëllimi kryesor i aksioneve të tyre të mos jetë marrja e pushtetit, por saktësisht e kundërta: distancimi nga ai.

Për më tepër, do të thosha unë, po të kishte qenë e vërtetë që qëllimi kryesor i aksioneve radikale të subjekteve opozitare ka qenë dhe mbetet marrja e pushtetit, Lëvizja Vetëvendosje, sipas kësaj logjike, ka qenë dashur të jetë në pushtet qëmoti. Sepse, dorën në zemër: ja ka bërë aksione radikale Lëvizja Vetëvendosje ja mos të thotë kush.

Po disa mund të ma tërheqin vërejtjen duke thënë:

– Ore, ne e kemi fjalën për metodat e veprimit.

Mirë, mirë, do të thosha unë, po kush na qenka ai kokëkrisur, ai i lojtur mendsh, ai i shkalluar nga mendja që zgjedhka metoda veprimi që nuk dërgokan në drejtim të realizimit të qëllimeve meskine siç është marrja e pushtetit? Ose edhe më keq: në drejtim të kundërt me atë që synohet?

Është e zorshme derisa të korruptosh parimet dhe idealet, se paskëtaj metodat e veprimet hajgare janë.

Kujtojeni, për shembull, Partinë Demokratike të Kosovës.

Në kohën kur njerëzit e saj udhëhiqeshin në bazë të disa parimeve dhe idealeve kombëtare (nëse vërtet janë udhëhequr ndonjëherë!), PDK bojkotonte seancat “parlamentare” të asaj kohe, kundërshtonte planet e dëmshme ndërkombëtare që i kërcënoheshin Kosovës, pozicionohej kundër privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, mbronte luftën çlirimtare, reagonte kundër padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në Ballkan, ishte kundër dialogut me Serbinë, e kështu me radhë.

Në kohën kur braktisën përfundimisht çdo ideal kombëtar, sidoqoftë, dhe qëllim të vetëm kishin thjesht dhe vetëm marrjen e pushtetit, PDK zgjodhi sall ato veprime e metoda që mundësuan realizimin e këtij qëllimi. Pra, nënshtrimin absolut ndaj ndërkombëtarëve, privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, dialogun pa kushte me Serbinë, injorimin e vazhdueshëm të padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve kudo në shtetet e rajonit, distancimin e vazhdueshëm nga lufta e UCK-së (kuptohet, jo në kohë fushatash zgjedhore), trajtimin e Shqipërisë vetëm si shtet fqinj (në mos më keq se Serbinë), e kështu me radhë.

Ironikisht, për analistët dhe gazetarë tanë mendjendritur, PDK-ja e vitit 2007 përfaqësonte shpresën më të madhe për Kosovën; ndonëse, siç e ceka më sipër, ky vit qe në të vërtetë ai i korruptimit përfundimtar të parimeve dhe idealeve kombëtare.

Cuditërisht, sot e njëjta gjë i sugjerohet Vetëvendosjes; thua se Vetëvendosja ka nevojë të ndryshojë, jo Kosova. Në fakt, të paktën për mua, personalisht, çdo ndryshim eventual i Vetëvendosjes (lexo: korruptim i pozicioneve ideo-politike dhe kombëtare të saj) do të thoshte që Kosova të mbetet kjo që është: shtet i kapur; ose, edhe më keq: shtet i dështuar.

Prandaj, fiqiri im më thotë se për sa kohë që nuk i shohim udhëheqësit e subjekteve opozitare duke ecur nëpër tepihun e kuq (të shtruar nga ata që e kanë sjellë shtetin e Kosovës në zgrip të dështimit); por, përkundrazi, duke realizuar takime nëpër lagje, fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës; duke fishkëlluar, hedhur vezë dhe gaz lotsjellës; duke protestuar, duke u arrestuar dhe burgosur, qëllimi përfundimtar i tyre nuk është kurrësesi ardhja në pushtet, por vetëm dhe thjesht ruajtja e tërësisë territoriale e shtetit të Kosovës.

Në këtë kuptim, mendoj unë, veprimet e subjekteve opozitare tregojnë pothuajse gjithçka edhe rreth qëllimeve të tyre: nëse njëmend e kanë për shtet e sovranitet, apo thjesht për parti e pushtet.

Sigurisht, tash mbetet të shihet nëse veprimet e tyre (veçmas ato të AAK-së dhe Nisma-s) do të jenë ato të postimeve në Facebook, konferencave të zakonshme për shtyp, tryezave të rrumbullakëta me pushtetin, të fjalimeve të kota në parlament, të debateve televizive dhe shkencore; apo nëse do t’i bashkëngjiten Vetëvendosjes në rezistencën gjithë popullore kundrejt këtyre dy rreziqeve të mëdha për tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës.

Sall atëherë, them unë, do të kuptojmë qëllimin e tyre të vërtetë sa i përket këtyre dy rreziqeve të pariparueshme për shtetin e Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.