Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

(Pa)Barazia

Tema mbi barazinë çdo herë ka ngjallur debate të ashpra, sepse papajtueshmëria është e pranishme që në fillim. Gjithashtu rrisku i të keqkuptuarit (qëllimshëm apo pa qëllimshëm), është shumë i madh. Përveç kësaj vetë barazia në vetvete nga njëra anë cilësohet si ‘e mira’ a priori, mirëpo, ata që nuk pajtohet me këtë, pjesa tjetër pra, mendojnë se është e pamundur që të jemi të gjithë të barabartë, ani pse mund të ngjajmë shumë. Kjo përplasje është shumë e hershme, siç edhe e dimë barazia është koncept biblik dhe si i tillë vazhdimisht ka prodhuar debat. Sipas modelit religjioz ligjërimi mbi barazinë lidhet me Zotin, ku thuhet se para tij të gjithë jemi të barabartë. Mirëpo, barazia si koncept dhe si substrat i mendimit filozofik ngjan në modernitet, konkretisht me Iluminizmin. Pra, është Iluminizmi ai i cili barazinë e bëri pjesë të diskursit të tij dhe ku edhe nëpërmes këtij koncepti ai ushtroi tek masat një ndikim të jashtëzakonshëm. Barazia i përket dimensionit historicist dhe si e tillë ka karakter universalist dhe pikërisht kjo prerrogativë barazinë e bën vështirë të realizueshme në formatin, të cilin e kërkon vetë ideja e saj. Thirrja se të gjithë jemi të barabartë për nga natyra dhe si të tillë domosdoshmërisht duhet të ketë barazi për të gjithë njëlloj pa dallim, pikërisht këtu edhe fillon problemi.

Të kërkosh barazi duke u nisur nga premisat natyrore, në fakt kjo prodhon pabarazi në vetvete, sepse nëse jemi të barabartë për nga natyra, kjo nuk na lidh përjetësisht që të jemi të barabartë domosdoshmërisht në çdo gjë dhe për gjithçka. Madje një kërkesë e tillë për barazi është edhe imorale së paku për dy arsye: a) tentohet që të përligjet diçka që është në nivelin e dëshirueshmërisë, sepse nëse jemi të barabartë për nga natyra, atëherë dëshira jonë është që kjo barazi të shtrihet në tërë horizontin praktik të mundshëm dhe b) një dëshirë e tillë në fakt prodhon mundësi pushteti, për shkak se kur dikush tenton që këtë dëshirë të na përkthejë në realitet, atëherë ai direkt apo tërthorazi do të ushtrojë një lloj pushteti karshi nesh. Gjithashtu edhe Friedrich A. von Hayek kur e shtjellon këtë problematikë në termat ekonomikë ai vjen në përfundimin se: “…fakti se njerëzit nuk janë shumë të ndryshëm, ne në qoftë se ata i trajtojmë në mënyrë të barabartë, rezultati do të jetë pabarazia në pozitën e tyre aktuale, dhe se e vetmja mënyrë për vendin e tyre në një pozitë të barabartë do të jetë për t’i trajtuar ata në mënyra të ndryshme”. Pra, në njëfarë forme kërkesa për barazi, është kërkesë edhe për pushtet, sepse nëse ne ngjajmë, kjo nuk do të thotë që duhet të jemi edhe të barabartë.

Kjo formë e tillë e të insistuarit në barazi është e njohur tek grupet e ndryshme sociale. Ato secila në mënyrën e vet e shtrojnë kërkesën për barazi. P.sh., grupet e majta kërkojnë që idenë e marksizmit për barazinë ta bëjnë të mundshme, sepse ajo do të sillte një gjendje paqeje, materialisht do të ishim të barabartë, klasat do të zhbëhen, shteti do të shuhet dhe shoqëria do të kalonte në një gjendje barazie. Mirëpo, Hayek-u mendon se: “Një kërkesë për barazi të pozitës materiale mund të përmbushet vetëm nga një qeveri me fuqi totalitare”. Sepse për t’i bërë të gjithë të barabartë duhet edhe t’i nënshtrosh dhunshëm të tjerët. Po ashtu edhe feminizmi është ai i cili thekson nivelizimin e barazisë mes gruas dhe burrit, për shkak se gruaja mendohet se është e pabarabartë në raport me të. Por, shpeshherë është devijuar, ose hequr tërësisht targeti kur njeriu grua (siç shprehet Simone de Beauvoir), kërkon barazi. Të kërkosh nga dikush diçka, është t’i nënshtrohesh pushtetit të tij, andaj, shpeshherë gratë e bëjnë një gjë të tillë, kërkojnë nga burrat që të jenë të barabarta me ta. Mirëpo, Beauvoir pyetjen për këtë fenomen që e shtron në një format të tillë si: “Çka i ka bërë njeriu njeriut femër?” (sic), e shpjegon komplet fenomenin e problemit. Kjo dilemë që Beauvoir e shtron ngërthen edhe një lloj përgjigje, sepse njeriu femër, është margjinalizuar nga njeriu, e që njerëz janë edhe burri edhe gruja e që Beauvoir i bën përgjegjës. Madje unë mendoj se margjinalizimi edhe më i madh i gruas në shumicën e rasteve vjen nga vetë gratë (sidomos në shoqërinë tonë). Është gruaja ajo e cila duhet ta çlirojë veten nga vetja e saj dhe nga shoqëria në përgjithësi.

Ndërsa shteti liberal siç pohon edhe Robert Nozick-u, insiston në barazinë e qytetarëve para ligjit, por edhe barazi në mundësi. Sepse Nozick-u mendon që shteti liberal është për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve, por edhe duke u mundësuar atyre kushte sa më të barabarta dhe pushteti të jetë sa më pak i vërejtshëm. Gjithashtu edhe Hayek-u mendon se: “Barazia para ligjit dhe barazia materiale janë jo vetëm të ndryshme, por janë në kundërshtim me njëri-tjetrin; dhe ne mund të arrijmë ose njërën ose të tjerën, por jo të dyjat në të njëjtën kohë”. Pra insistimi i Hayek-ut është pamundësia që njerëzit të jenë të barabart. Pikërisht kjo është pika neuralgjike ku papajtueshmëria në mes të shtetit liberal dhe shtetit socialist konsiston. Mbase edhe Tocqueville në analizat e tij për demokracinë në Amerikë vjen në konkluzione të tilla si: “Demokracia dhe socializmi nuk kanë asgjë të përbashkët në raport me barazinë, përveç si fjalë. Po ta vini re ndryshimin: ndërsa demokracia kërkon barazi në liri, socializmi kërkon barazi në vetëpërmbajtje dhe robëri”. Me këtë Tocqueville na tregon se sa të shpërputhshme janë qëndrimet e këtyre dy sistemeve politike.

Pra, po të shprehemi me gjuhën e Fernando Pessoa-s, barazia ekziston vetëm në iluzionin e saj. Apo siç satirizonte Kurt Vonnegut-i kur thoshte se: “Ishte viti 2081, dhe të gjithë ishin në fund të barabartë”.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.