Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Mbi mjerimin

 

Gjithnjë kam besuar se nuk ka asgjë më esenciale për qenien njerëzore se liria. Liria për të zgjedhur. Liria për të qenë ai që je. Liria për të dashur atë që e ke në gjak. Por kurrë nuk kam besuar se shkaku i saj, ne mund ta shpërfaqim kaq shumë apo deri në këtë pikë tronditëse mjerimin dhe llumin shpirtëror, që na është tharë ndër kohërash gjithnjë të ashpra dhe të egra. Që ta ilustrojmë pakëz më mirë. Pata lexuar një libër biografik të shkëlqyeshëm mbi Ataturkun dhe më kujtohet se ajo që më kishte lënë përshtypje ishte pikërisht ajo që ndodhte pas luftës. Për këtë lider fantastik thelbësore ishte ajo që po ndodhte në liri. Pikërisht në këtë kohë ishte fillimi i një lufte tjetër jo më pak e rëndësishme. Përballja me veten. Me të vërtetën. Dhe me atë se kush jemi. Ma ha mendja se jemi në një pus të thellë. Duket se shoqëria jonë është ndërtuar mbi shtyllat e fanatizmit të mendjeve. Të agresivitetit dhe të përçmimit ndaj tjetrit që nuk është si ne. Lehtësisht mund të arrish në konstatimin se tjetri që nuk është si ne gjithmonë është dreqi i lidhur nga litarë të trashë, që është aty sall për ta qëlluar me gur. Deri sa t’ia çajmë kafkën në dysh. Mosgatishmëria për ta pranuar tjetrin është paaftësi për ta pranuar veten. Si qenie humane. Të hedhura në mbretërinë e fatit, këtij nocioni të ftohtë barbar.

***

Të merremi edhe pak me ilustrime. Ma ha mendja se çështja është serioze. Nuk kam se si mos të merrem me këto mendje të ndritura. Poeti sirian Adonis në intervistën e tij përmend Sufiun Arab që para njëmijë vjetësh kishte thënë diçka që për mendimin tim është një e vërtetë e pamohueshme. Pa qenë nevoja të provohet. Pra Tjetri jam unë. Hajde të bëhemi matrapaz dhe ta mohojmë këtë të vërtetë. Dhe ta shporrim nga përvoja jonë bazuar në argumente. Të bëhemi mizor dhe ta heqim qafe këtë postulat. Me mendjen se e drejta jonë çfarëdo që është, përbën kuptimin e dritës. Me mendjen se kemi vënë duart në fytin e së drejtës. Por ama nuk mund të rri dot pa shkuar edhe pak më tej. Amos Oz në një intervistë të mrekullueshme përmend gjëra të shkëlqyeshme. Ai mendon se imagjinata është thelbësore për çdo lidhje njerëzore. Sipas tij nëse ne e imagjinojmë tjetrin, ne nuk e urrejmë atë. Nëse e imagjinojmë tjetrin, ne do të dimë se si të sillemi me të. Nëse ne e imagjinojmë tjetrin, do ta kemi edhe jetën më interesante. Dorën në zemër. Kam bindjen se ne nuk jemi të prirur për t’i bërë interesante. Pastaj ai përpiqet të na jep edhe diçka jo më pak të domosdoshme. Kompromisin. Megjithëse sipas tij tingëllon gjithmonë negative në veshin e idealistëve.

Kompromisi është sinonim i jetës. Aty ku ka jetë ka vend edhe për të. Kur i urti Amos Oz thotë kompromis, ai nuk nënkupton të heqësh dorë nga vetja në të mirën e tjetrit, nuk nënkupton atë që ka thënë Krishti; tregoja faqen tjetër atij që të qëllon. Për të kompromis do të thotë ta takosh tjetrin në mes të rrugës. Që ta takosh tjetrin në mes të rrugës ti duhet ta imagjinosh atë. Sipas tij e kundërta e kompromisit është vdekja. Fatkeqësisht këndejpari në vend të imagjinatës, kompromisit dhe tjetrit. Kemi vendosur mjerimin, përjashtimin dhe dhunën. Ky trekëndësh përbindësh vendosur nën këmbët e dashurisë njerëzore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.