Këtë vit rritja ekonomike në Kosovë pritet të jetë diku rreth 3.5% – matur në bruto produktin vendor për kokë banori në dollar të vitit 2005. Në mesatare, pas krizës ndërkombëtare financiare të vitit 2008, Kosova është rritur rreth 4.9% në vit, ndërsa në vitet pas krizës rritja mesatare vjetore është zvogëluar në 2.3% në vit. Në përgjithësi, në periudhën 2002-2014 rritja mesatare vjetore ka qenë 3.4%. Për BE-në kjo rritje ka qenë diku rreth 1% në vit (2.3% në vit për periudhën para krizës dhe -0.06% pas krizës).
Pra gjatë të dy periudhave Kosova është rritur për rreth 2.5 pikë të përqindjes më shpejt së BE-ja. E meqë Kosova po rritet më shpejt, kjo nënkupton që Kosova është në rrugë të drejtë për arritjen e standardit të jetesës së BE-së – pra jemi rrugës së konvergjencës. Por sa kohë do të marrë kjo rrugë? Grafika më poshtë tregon disa skenarë. Në të gjitha skenarët është supozuar që BE-ja do të vazhdojë të rritet rreth 1% në vit, ndërsa skenarët për Kosovën ndryshojnë. Nëse gjërat vazhdojnë siç kanë qenë këto 15 vitet e fundit, dhe Kosova rritet 3.5% në vit, atëherë Kosova do të ketë standardin e BE-së në vitin e largët 2111 – me fjalë tjera pas 95 viteve. Nuk e di për ju, por përveç nëse ndodhë ndonjë mrekulli mjekësore, deri atëherë besoj që do të kem shërbyer si ushqimi kryesor i festës së krimbave dhe baktereve nëntokësore. Për më shumë, duhet të ceket që mesatarja e BE-së përfshin standardin e jetesës së Bullgarisë, Rumanisë, dhe Greqisë – vende shumë më të varfra se Europa perëndimore. Për të arritur tek standardi i jetesës së Gjermanisë së sotme, Kosovës i duhen afërsisht edhe 75 vite!
[Image]
1. Burimi i të dhënave: Banka Botërore. Kalkulimi për të ardhmen është bërë nga autori.
Nëse, megjithatë, ritmi i rritjes mbetet ky i 5 viteve të fundit, pra 2.5% në vit, në vitin 2111 standardi i jetesës së kosovarëve do të jetë aq i lartë sa është standardi i jetesës së BE-së sot. Por nëse ndodh ajo çfarë nuk ka ndodhur këto vite dhe Kosova rritet mesatarisht 4.5% në vit (ndërsa BE me 1%), BE do të jetë shumë më afër: konvergjenca me BE-në do të ndodhë në vitin 2083.
Disa mund të më akuzojnë për pesimizëm, për faktin që në vend se të zgjedh njësinë matëse bruto produktin vendor për kokë banori me parimin e fuqisë blerëse kam vendosur të zgjedh pa parimin e fuqisë blerëse. Dallimi ndërmjet këtyre dy indikatorëve është që parimi i fuqisë blerëse përfshin diferencën e kostos së jetesës në vende. Për shembull, në Kosove një burrë pren flokët për 3-4 euro, ndërsa në BE do të duhej të paguante së paku 15 euro. Pra, nëse marrim parasysh koston e jetesës, Kosova i ka punët shumë më mirë sesa çfarë na thonë numrat e BVP për kokë banori dhe si rezultat BE-ja nuk është edhe aq larg.
Megjithatë, nuk besoj që parimi i fuqisë blerëse është indikatori i duhur. Kjo për faktin që me zhvillimin ekonomik rritet edhe kostoja e jetesës. Zakonisht, kostot e sektorëve që nuk tregtohen dhe që përdorin intenzivisht fuqinë punëtore kanë tendencë që rriten me zhvillimin ekonomik. Edhe pse puna e berberit mbetet e njëjtë si në ekonomi të varfra ashtu edhe të pasura, në ekonomi të pasura një person ka shumë më shumë opsione punësimi dhe me pagesa shumë më të larta. Por meqë nuk mund të zëvendësojmë berberët me robotë (se paku jo deri më tani) dhe na duhen gjithqysh shërbimet e berberëve, atëherë edhe shërbimet e berberëve do të shtrenjtohen. Po ashtu, nëse nivelet e të ardhurave në botë mbeten kaq të ndryshme, atëherë edhe kostoja e jetesës do të rritet bashkë me zhvillimin ekonomik. Kjo për arsye se shteti në zhvillim fillon e prodhon produkte me vlerë të shtuar më të madhe, ndërsa produktet me vlerë të shtuar më të vogël mund t’i importojë nga vende që kanë fuqinë më të lirë punëtore. Por meqë shërbimet e berberëve nuk mund të blihen nga vendet tjera, atëherë çmimet e këtyre shërbimeve rriten në relacion me çmimet e prodhimeve tjera.
Sido që të jetë, ja po e shohim çfarë ndodh edhe në rastin që e përdorim parimin e fuqisë blerëse. Nën skenarët e njëjtë si më lart, shohim që Kosova do t’i bashkohet BE-së në aspektin e standardit të jetesës në vitin 2071, apo pas 55 viteve. Do ta mbërrijë shumë më shpejt këtë standard nëse rritet rreth 4.5% në vit, apo më saktë në vitin 2055; dhe do të ketë standardin e BE-së sot në vitin 2071 nëse rritja zvogëlohet në 2.5% në vit. Pra në përgjithësi, situata është shumë më pozitive.
[Image]
2. Burimi i të dhënave: Banka Botërore. Kalkulimi për të ardhmen është bërë nga autori.
Disa tjerë mund të më thonë që po e barazoj standardin e jetesës me Bruto Produktin Vendor dhe që standardi jetësor përfshin shumë më shumë – si gjendjen ambientale, shëndetësore, pabarazinë në të ardhura, etj. – se mirëqenia materiale. Për këtë pajtohem plotësisht, por kjo mbetet temë për herën tjetër.
E fillova këtë shkrim me liberalizimin e vizave, por përfundova me shumë përqindje dhe vite. Liberalizmi i vizave është sigurisht lajm tejet pozitiv për Kosovën. E megjithatë, Kosovës i duhet rritje më e madhe ekonomike. Shpesh është krahasuar rritja e Kosovës me vendet fqinj apo edhe me vetë BE-në, por të rritet ekonomia në të njëjtin ritëm me vendet fqinj apo europiane është dështim duke pasur parasysh bazën e ulët të të ardhurave fillestare. Gjithashtu, në diskursin publik shpesh një përqind më shumë a një përqind më pak nuk bën shumë dallim sa i përket rritjes ekonomike, por në bazë të këtyre grafeve shihet që diferenca është në fakt shumë e madhe. Europa është larg, mirëpo me rritje një përqind më të madhe Europa afrohet se paku 10 vite më afër.