Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Policia morale dhe delet e zeza

Foto nga KATRIN BOLOVTSOVA.

Mbajtja e kodit moral ka qenë dhe mbetet preokupim i secilës shoqëri. Si rrjedhojë, shoqëritë krijojnë kalorësit e tyre të lirë të cilët mbajnë rregullin moral dhe penalizojnë shkelësit e tij. Këta kalorës që ne sot i njohim me emra si polici morale apo vigjilentë të nderit, pozicionohen në mbrojtje të praktikave të pranueshme shoqërore duke advokuar në emër të mbrojtjes së vlerave. Misioni i grupeve të tilla zakonisht është i përkufizuar në targetimin e anëtarëve të shoqërisë që sillen si dele të zeza, pra që nuk luajnë rolet e përcaktuara nga shoqëria. Në fakt, delet e zeza nuk janë aspak një fenomen negativ për shoqërinë. Ato dhe ata janë individë që kanë bërë zgjedhje të ndryshme nga masa apo kanë marrë role jotradicionale. Shpeshherë, ndryshimi dhe avancimi vjen pikërisht nga individë të tillë që sfidojnë praktikat e vjetra. Prandaj, nga respekti për impaktin e deleve të zeza në shoqëri na lindi një thënie e njohur “vetëm peshqit e vdekur notojnë me rrymën”.

E ku ka lulëzuar policia morale?! Aktiviteti i tyre në fakt është bërë super i njohur në disa fise primitive të Indisë ku shkelja e rregullave të fisit penalizohej me masa të rënda. Si çdo dënim tjetër edhe ky kishte për qëllim që të konservojë praktikat e fisit dhe të shmangë ndryshimin apo avancimin shoqëror. Sot, ky komunitet i policisë morale është pjellë e çdo shoqërie, bile edhe të atyre shoqërive në zhvillim si kjo e jona. Punën e policisë morale e kryen çdokush me
zell edhe pse natyrshëm një rol i tillë i shkon personave me ndikim në komunitet si kryeplaku i fshatit, udhëheqësi i fisit, udhëheqësi shpirtëror, gazetari, artisti, opinionisti, aktivisti dhe isti tjetër, të cilit i ecë fjala.

Historia e zhvillimit tonë shoqëror na thotë që kodet e tilla morale kryesisht kanë targetuar femrat dhe janë vendosur për “të ruajtur e mbrojtur nderin e tyre”. Fjalët ruajtur dhe mbrojtur po i veçojmë për të theksuar faktin se çka është mbrojtur nuk kishte të bënte me moralin e femrave, por me mbrojtjen e praktikave patriarkale. Praktikat e tilla vendosnin femrën në shërbim të gjinisë së fortë dhe shtypnin mendimin e saj të lirë. Ato që ne i njohim si vlera tradicionale të femrave shqiptare, në fakt kishin një bazë kanunore apo fetare dhe penalizonin çdo rezistencë duke etiketuar, përjashtuar, apo asgjësuar ndryshimin me ndihmën e policisë morale.

Ja të themi një vajzë e re nga një vend rural që refuzonte martesën dhe ëndërronte studimet, do të ishte detyruar të arratisej nga shtëpia ose të martohej pa dëshirë sepse jeta në komunitet për të ishte bërë e pamundur nga policia morale. Një nuse e re që refuzonte t’i shërbejë mysafirët e shpeshtë të burrit për t’u kujdesur për fëmijët apo veten e saj ishte penalizuar nga burri, familja e tij dhe e saj sepse femra sipas kodit duhet të jetë në shërbim e detyrë. Në raste ekstreme, mospërfillja e mysafirit mund të ishte ndëshkuar edhe me vdekje. Më vonë, një vajzë adoleshente e një vendi rural kishte mbetur shtatzënë me kushëririn e moshës madhore, e ishte konsideruar si shkelëse e rëndë e kodit moral. Ajo ishte penalizuar rëndë nga policia morale të cilët e kishin detyruar të marrë arratinë apo të abortojë në kushte çnjerëzore. Kështu policia morale e unifikuar drejt paragjykimit, gjykimit dhe penalizimit të çdo sjelljeje të papranueshme femërore bënte një punë të palodhshme për të vendosur standardet e “femrës së denjë”. Praktikat e tilla rezultonin në një realitet të hidhur ku adoleshentja penalizohej, ndërsa kushëriri ia hidhte pa u lagur.

Edhe sot me pak avancim socio-kulturor, penalizimi i deleve të zeza vazhdon fuqishëm me metoda më moderne të moralizimit. Në kohën e zhvillimit teknologjik, gjuetia e shtrigave bëhet përmes mjeteve të informimit, rrjeteve sociale dhe adresave private elektronike. Kjo gjueti virtuale e shtrigave të cilat guxojnë të thyejnë rregullat e kodet shoqërore duke bërë zgjedhje që shoqëria nuk i pret prej tyre apo duke bërë rezistencë ndaj praktikave patriarkale, po ashtu kryhet me ndihmën e gazetarisë sonë joprofesionale e joetike që ia kanë shitur shpirtin djallit për klikime. Shkrime me tituj bombastikë, spekulativë e çorientues mbi stilin e jetës së deleve të zeza të shoqërisë, zgjedhjet e vendimet e tyre jetësore, janë arma më e fortë kanunore që shoqëria patriarkale ka për momentin në dispozicion. Shpeshherë edhe të arriturave jetësore të tyre i mvishet ndonjë akti amoral, sepse shoqëria ende mendon që “femra e denjë shqiptare duhet t’i shërbejë mashkullit dhe të sigurojë riprodhimin e racës sonë ariane”. Kjo nuk është sarkazëm.

“Ja, ky është zezaku për të cilin Linda Halimi la një shqiptar”, “Ky është burri me të cilin Teuta kishte tradhtuar Bleron”, “Ky rengen vërteton si një politikane përdor vagjinën për të bërë rezistencë politike”, “Cila është e vërteta e dashurisë së politikanes Grida Duma me të vrarin Artan Santo?”, “Shokon Jahjaga. Presidentes i dalin të brendshmet”, “Cila lidhje dashurie e bëri Vlorën ambasadore?”.

Kështu pra, policia morale atakon çdo ditë ato që zgjedhin të notojnë në rrymën e tyre dhe i
shndërron në dele të zeza për ta ushqyer patriarkalizmin modern. Me këtë lloj gjuetie shtrigash përmes metodave moderne të komunikimit, shoqëria vazhdon të bëjë përpjekje që të promovojë rolet tradicionale, të mos pranojë femrat që pozicionohen në jetë ndryshe nga të tjerat, t’ua mveshë lloj-lloj etiketash e nofkash vetëm për të shtypur ndryshimin dhe vetëm për t’u siguruar që privilegjet e jetës të mbeten në duar të kalorësve të lirë. Kryekëput.

Në fund të kësaj sage dele-polici më vjen ndërmend romantika populiste me të cilën shoqëria jonë i ka shpallur dashuri vlerave europiane e perëndimore. Harrojmë që këto në thelb janë vlera që promovojnë barazinë gjinore, trajtimin e barabartë dhe diverstitetin. Por, a jemi të gatshëm të heqim dorë nga privilegjet tradicionale të mashkullit dhe të asgjësojmë policinë morale për të ofruar trajtim të barabartë?! A jemi të gatshëm të pranojmë ata që kanë zgjedhur rrymën e tyre të jetës pa i gjykuar, moralizuar e penalizuar? A jemi të gatshëm të shohim një femër që shkon në rrymën e saj, pa vënë në aksion policinë morale që ta gjykojë e sulmojë veç pse nuk është pozicionuar në ndonjë rol tradicional?! Përfundimisht, a jemi të gatshëm të çrrënjosim konceptin “ah, sikur t’isha djalë”?!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.