Në të njëjtën mënyrë si tërmeti zhveshi fasadat dhe nxorri në pah disfunksionalitetin e këtyre ngrehinave abuzive që për vite me radhë ua kanë rrezikuar jetën mijëra qytetarë, ashtu edhe zhveshi edhe fasadën e shtetit tonë dhe nxorri në pah fytyrën e vërtetë disfunksionale. Kjo gjë u pa qartazi qoftë tek reagimi i institucioneve shtetërore pas ballafaqimit me fatkeqësinë natyrore dhe qoftë tek gabimet njerëzore e papërgjegjshmëritë institucionale që sollën për pasojë bilancin e rëndë njerëzor nga tërmeti. Pra tek fakti që dëmi do ishte shumë më i vogël nëse institucionet do të kishin bërë detyrën e marrë masa parandaluese.
Së pari dështimi i shtetit u bë i dukshëm tek raportimet televizive që treguan se të angazhuarit në operacionet e kërkim-shpëtimit që punonin me përkushtim e zemër të madhe por të papërgatitur, pa koordinim e pa pajisje. Organizimi i punës ishte kaotik e i improvizuar pa ndonjë organizim të mirëfilltë e pa u kujdesur që puna po zhvillohej pranë strukturave të dëmtuara që mund të shembeshin nga momenti në moment. Pamjet televizive nxirrnin se atyre iu mungonin edhe veshjet minimale të sigurisë personale si helmeta, mbrojtëseve të syve, doreza, këpucë sigurie me qafë që kanë shollë e majë hekuri mbrojtëse (shumë kohë më parë kam punuar për një kompani amerikane sizmike si asistent-koordinator për siguri teknike). Mungonin instrumente të detektimit të jetës dhe të pozicionimit të të bllokuarve dhe sot falë avancimi të teknologjisë ka detektorë elektromagnetikë, akustikë e vibrues, optikë, termalë etj. Mungonin pajisje thelbësore pune si trapano, makara, sharra, çekiçë pneumatikë ndërkohë që të gjithë punonin me duar e me qysqi apo leva nëpër duar. Po ashtu mungonin pajisje të specializuara si shtylla pneumatike e hidraulike apo armatura të lëvizshme e të montueshme për të ngritur e mbajtur struktura të shembura. Për më tepër ishin sjellë për t’u përdorur eskavatorë e makina të tonazhit të rëndë edhe me zinxhirë që përbënin një rrezik të vazhdueshëm po aq sa shërbenin për të larguar copat e ndërtesave të rrënuara. Të gjitha këto pajisje të specializuara së bashku me qentë detektorë dhe me mënyra profesionale të organizimit të punës, u panë në veprim vetëm në mesditën e datës 27 nëntor pasi erdhën ekipet prej Kosovës dhe të vendeve të tjera mike që iu bashkuan kërkuesve.
Është e pafalshme që Shqipëria gjendet sërish kaq e papërgatitur ndaj fatkeqësive natyrore kur dihet që ato janë shumë të shpeshta. Tek ne ato nuk janë rastësi por kanë probabilitet të madh dhe përsëri u desh mëshira e lëmosha e shteteve mike që të ofrojnë shërbime të kualifikuara e mirëpajisura për të shfrytëzuara të ashtuquajturat “orët e arta” të mbijetesës së viktimave. Duhet theksuar se Shqipëria renditet e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet dhe ndërkohë është vendi i parë ne Evropë për sa i përket rrezikshmërisë së katastrofave natyrore. Për sa i përket tërmeteve mjafton të përmendet që sivjet kemi pasur në Shqipëri tre tërmete shkatërrimtarë. Instituti për të Drejtën Ndërkombëtare të Paqes dhe Konfliktit të Armatosur (IFHV) i Universitetit të Ruhrit në Bohum prodhon një raport që përllogarit probabilitetin e katastrofave natyrore së bashku me mundësinë e një vendi për t’i përballuar ato i cili ne na nxjerr në pozicionin më të keq në Evropë me indeks 8.18 që konsiderohet e kategorisë rrezikshmëri e lartë.
Por nuk ka nevojë as për raport ndërkombëtar për ta kuptuar kërcënimin masiv, mjafton të shikohet historia e dekadave të tranzicionit për të parë që Republika e Shqipërisë është prekur nga gjithfarë fatkeqësie natyrore. Përveç tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit patëm edhe atë të 21 shtatorit me magnitudë 5.6 i cili kishte shkaktuar dëme në 1528 objekte në një serë fshatrash të Durrësit, Tiranës e Vorës si dhe atë të të qershorit të këtij viti me 5.2 ballë që goditi Korçën me rrethinat. Forcat e Kosovës Katastrofat natyrore katerizohen në gjeofizike me tërmete e vullkane; meteorologjike si stuhitë; hidrologjike si përmbytjet dhe rrëshkitjet; klimatologjike si temperaturat ekstreme, thatësirat apo zjarret; biologjike me epidemi apo masivizim insektesh. Të gjitha këto kategori e shkreta Shqipëri i ka provuar në vite të ndryshme duke nisur nga tërmete e përmbytje masive, epidemi si ato kolerës e poliomelitit e deri tek zjarret e përvitshme.
Në vend që të investohej për të ndërtuar njësi të trajnuara e pajisjura mirë për kërkim, shpëtim dhe rindërtim për të kryer siç duhet detyrën në rastet e fatkeqësive të shpeshta natyrore, mazhoranca aktuale është kujdesur më shumë që të investojë në fasadat e zbukurimeve jofunksionale të qyteteve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në katër vitet e mandatit të parë qeverisë socialiste shpenzimet për programin e fasadave të Rilindjes Urbane llogariten në rreth 440 milionë dollarë. Me një fraksion të vockël të gjithë atyre investimeve të shtrenjta estetike urbane mund të ishte ndërtuar një njësi superfunksionale e moderne për emergjencat civile që do mund të vinte në ndihmë të popullsisë në nevojë në një kohë të shpejtë e në mënyrë me efikase sesa mënyra që pamë nëpër ekrane muajin e kaluar.
Së dyti, zhveshja e fasadës dhe disfunksionaliteti i shtetit u duk edhe tek mosparandalimi i shkatërrimit. Kuptohet që shumë prej dëmeve dhe jetëve të humbura prej tërmetit mund të ishin shmangur nëse qeveria do kishte investuar që të kontrolloheshin, riparoheshin apo rrëzoheshin ndërtesat e ndërtuara keq. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për nevojën emergjente që ka Shqipëria për të bërë bonifikime të lumenjve që mos të ketë më përmbytje. Mund të ndërmerren fushata pyllëzimi për të shmangur rrëshqitjet e tokës. Po ashtu mund të ndërmerren masa parandaluese ndaj zjarrit si dhe të blihen avionë për të shuar zjarret që shfaqen çdo vit në Shqipëri. Kështu mund të vazhdojë më gjatë lista investimeve të ndryshme e masave infrastrukturore parandaluese që mund të ndërmerren për ta bërë Shqipërinë një shtet funksional e popullsinë më pak të rrezikuar e më shumë të mbrojtur. Përpos kësaj, tashmë jemi bërë pafundësisht borxhli ndaj importimit të sigurisë e përkujdesjes që na ka ardhur prej vendeve mike e duhet të ndërtojmë ekipe dinjitoze që në të ardhmen t’i çojmë në ndihmë jashtë vendit për kriza humanitare e të dalim më në fund edhe si eksportues i sigurisë.
Tërmeti që ndodhi nuk duhet parë vetëm si fatkeqësi natyrore që mund t’i ndodhi kujtdo por duhet trajtuar edhe si fatkeqësi njerëzore, si produkt i keqqeverisjes dhe i papërgjegjshmërisë së shumë pushtetarëve e qytetarëve. Pra pasojat apo impakti i rëndë nuk ndodhi vetëm për shkak të tërmetit të rëndë por edhe si pasojë e neglizhencës, papërgjegjshmërisë dhe shkeljeve ligjore të kryera nga individë privatë, nga kompani ndërtimi por edhe nga zyrtarë që nuk e kryen detyrën siç duhet. Janë të shumtë zyrtarët që do duhej të ishin treguar më të përgjegjshëm duke nisur nga ata zyrtarë që analizuan dëmet në Thumanë të tërmetit të 21 shtatorit e që kualifikuan si të banueshme disa ndërtesa që u shembën në nëntor ose që nuk morën masa për t’iu dhënë një strehë alternative e mbajtur jashtë banorët e pallateve të dëmtuara që u shëmbën nënëntor.
Po ashtu shkaktarët njerëzor kanë të bëjnë qoftë me ata që kanë dhënë leje apo kanë mbyllur sytë përpara ndërtimeve pa leje në zona të rrezikshme si këneta e Durrësit e deri tek ata që kanë dhënë firmën e supervizimit për ndërtesat që u rrëzuan më pas. Këtu mandej shtohet lista me kontrolluesit e cilësisë së lëndëve të ndërtimit që mund të kenë qenë shkaktare të shkatërrimeve si dhe me arkitektë, inxhinierë apo kompani ndërtimi që kanë bërë ndërtime jocilësore. Të gjithë këta persona përgjegjës duhet të vihen sot para përgjegjësisë ligjore në mënyrë që të mos ripërsëriten më nesër ato gabime njerëzore fatale që sollën viktima të pafajshme. Për këtë arsye është e nevojshme që pas kësaj fatkeqësie të radhës natyrore e njerëzore, ne të vëmë mësime, të ndërmarrim veprime konkrete për të ndërtuar një shtet funksional që minimizon dëmet fatkeqësive natyrore nëpërmjet masave parandaluese si dhe që ka ekipe profesionale të mirëpajisura e përgatitura për t’i bërë ballë siç duhet çdo emergjence civile.