Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tejkalimi i Asociacionit

Ilustrimi nga Big Eye.

Kushdo që thekson se Kosova është në një pozitë pa rrugëdalje në çështjen e Asociacionit, më e pakta, nuk e kupton logjikën e negociatave e as drejtësinë. Madje, një interpretim i tillë i përhapur në opinionin publik është në kundërshti me natyrën dinamike të diplomacisë. Sepse diplomacia, para së gjithash, është rrugë me shumë korsi, kahja e së cilës determinohet nga vullneti politik, momentumi historik dhe balanca aktuale e fuqisë. Për më shumë, diplomacia nuk është lojë shahu ku kundërshtarët luftojnë për një fitore të plotë, dërrmuese e përfundimtare. Arti i diplomacisë më shumë i ngjan lojës kineze veiqi, e cila është një garë e vazhdueshme në shumë zona, me plane strategjike e iniciativa që për synim kanë epërsinë relative. Prandaj, mbi këtë logjikë, Qeveria e Kosovës duhet të rifillojë një qasje aktive e ritmike në kuadër të asaj që ne i referohemi si diplomacia trekëndore kosovare.

Por, fillimisht, duhet sqaruar temën e ‘obligimeve ndërkombëtare’ të Kosovës për Asociacionin, pasi juristët kosovarë deklarojnë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë “kontraktuale”.

A ekzistojnë obligime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës?

Në të drejtën publike, sikurse në raportet juridiko-private, një marrëveshje cilësohet legalisht e obligueshme nëse është lidhur mes palëve duke u bazuar në procedurën e paraparë dhe nëse objekti i saj është legalisht i mundshëm.

Është fakt notor se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, njërën në vitin 2013 dhe tjetrën më 2015 në Bruksel. E para marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është kthyer në një instrument juridik me rrjedhime detyrimore pasi e  njëjta asnjëherë nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Serbisë, si palë e marrëveshjes.

Një akt juridik mund të ekzistojë, por do të vlejë vetëm atëherë kur hyn në fuqi – shkruante dikur Hans Kelsen. Prandaj, shikuar nga ky parim themelor kelsenian, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ekziston, por nuk vlen. Marrëveshja e vitit 2013 nuk është akt juridik, pavarësisht se këtë e thekson gabimisht edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pa ratifikimin e të gjitha palëve nënshkruese, marrëveshjet ndërkombëtare nuk krijojnë detyrime në formën që proklamohet në Kosovë. Një analogji historike mund ta sqarojë tutje këtë pozicion. Marrëveshja mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore nuk krijoi obligime për palët nënshkruese pasi ajo nuk u ratifikua nga Parlamenti francez. Madje, mbi bazën e kësaj premise, marrëveshja nuk u shqyrtua as nga Gjykata Federale Kushtetuese e Gjermanisë.

Përtej sqarimeve për mungesën e detyrimeve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përkitazi me Marrëveshjen e Brukselit, një tjetër pyetje e rëndësishme kërkon përgjigje. A mund Kosova ta refuzojë themelimin e një asociacioni sipas Marrëveshjes së Brukselit duke u thirrur në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese?  Juristët që deklarojnë se asnjë shtet nuk mund t’u shmanget detyrimeve ndërkombëtare duke u thirrur në të drejtën e brendshme, me të drejtë citojnë një parim të së drejtës ndërkombëtare. Por, një parim i tillë nuk ka relevancë në këtë rast dhe raste të marrëveshjeve të ngjashme.

Në vendet kontinentale ekzistojnë dy praktika të kontrollit kushtetues të marrëveshjeve ndërkombëtare: kontrollin kushtetues paraprak dhe të mëpasshëm. Është fakt gati i gjithëpranueshëm se në rendin juridik kombëtar marrëveshjet ndërkombëtare mund të rangohen në nivel të ligjeve nacionale apo mbi to, por gjithnjë nën Kushtetutë. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë vetëm marrëveshjet ndërkombëtare përmes së cilave bartet vullnetarisht një pjesë e sovranitetit. Tutje, Serbia nuk do të mund ta kundërshtojë refuzimin kosovar në organet e OKB-së pasi Marrëveshja e vitit 2013 nuk është regjistruar në Sekretariatin e OKB-së siç parashihet me Kartën e kësaj organizate.

Një mundësi e re për politikën kosovare

Diplomacia trekëndore kosovare duhet të jetë ritmike duke u përshtatur me zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo përfshinë lobimin e vazhdueshëm në tri qendra vendimmarrëse njëkohësisht: Washington, Berlin dhe Paris. Kjo është fusha e manovrës diplomatike. Sepse, ShBA-ja tashmë ka një strategji të re në vizionin e vet për botën, Gjermania një kancelar të ri dhe Franca kryeson BE-më dhe mban zgjedhjet e ardhshme në vitin 2022. Një diplomaci kosovare potencialisht e suksesshme duhet të ndërtohet mbi këto kontekste të reja gjeopolitike. Por, çfarë duhet bërë?

E para, Qeveria duhet ta ndezë makinerinë e saj diplomatike. Në këtë kontekst, vizitat në qendrat vendimmarrëse në Washington, Berlin, Paris (dhe Bruksel) duhet të jenë në agjendë të lidershipit kosovar. Në kuadër të vizitave, përveç shtrimit të argumenteve, duhet analizuar kohezioni i qëndrimeve amerikane dhe evropiane në lidhje me Asociacionin. Pra takime, sqarime dhe këmbëngulje në qëndrimet kundër asociacionit duhet të përbëjnë fazën aktive të ardhshme të diplomacisë së Kosovës.

E dyta, Qeveria duhet të ketë një mesazh të unifikuar rreth Asociacionit, por i cili duhet të përshtatet varësisht nga subjekti përballë. Parimet e diplomacisë ritmike trekëndore duhet të ndërtohen mbi argumentet juridike dhe politike kundër Asociacionit. Përderisa argumentet juridike sqarojnë arsyet se pse Marrëveshja e vitit 2013 nuk është traktat ndërmjet dy vendeve, ai politik duhet të fokusohet në kontekstin e defunksionalizimit të shoqërisë multietnike. Marrëveshja e vitit 2013, përveç joobligative, ajo politikisht është e rrezikshme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Krijimi i një asociacioni me kompetenca ekzekutive, siç ishte paramenduar me Marrëveshjen e vitti 2013, do t’i nulifikonte përpjekjet 20-vjeçare të Perëndimit për një demokraci multietnike të qëndrueshme. Po ashtu, krijimi i një asociacioni të udhëhequr ekskluzivisht nga serbët lokalë mund t’i krijojë parametrat e nevojshëm për strehimin e personave të futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së. Një narrativë e tillë duhet të shtrohet posaçërisht tek Administrata Biden, e cila nëpërmjet Samitit për Demokraci dhe Strategjisë për Luftimin e Korrupsionit po synon ta rigjallërojë demokracinë në botë.

Për fund, kryeministri Kurti duhet t’i shfrytëzojë bazat e përafërta ideologjike me kancelarin e ri gjerman, Olaf Scholz, për një përafrim të qëndrimit të Gjermanisë me atë të Kosovës në çështjen e Asociacionit. E sa i përket Francës, Kosova duhet të ritheksojë se frika e presidentit Macron për ‘rikthimin e historisë në formën më tragjike të saj’ do të përshpejtohet tutje me themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.