Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Marrëveshja për litiumin vulos heshtjen e BE-së për Serbinë

Credits: AP Photo/Darko Vojinovic
Credits: AP Photo/Darko Vojinovic

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale të BE-së kundrejt parimeve dhe vlerave demokratike të saj.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Beogradi dhe Brukseli zyrtarizojnë ‘partneritetin strategjik’ mbi lëndët e para, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe veturat elektrike. Ky planifikim i mundëson BE-së të mbështetet më shumë ekonomikisht në rrethinën e saj, e kësisoj të largohet gradualisht nga Kina, në dëm të çdo premtimi demokratik që u është bërë më parë shoqërisë serbe dhe shteteve që janë duke pritur të anëtarësohen në BE.

Kjo marrëveshje pasqyron se dyshimi që BE-ja po e ‘përkëdhel’ Serbinë për ta ftohur nga boshti Moskë-Bejing nuk iu përgjigj vetëm shantazhit mjeshtëror gjeopolitik të Beogradit, apo dëshirës së BE-së për ta mënjanuar elefantin në dhomë, por motivit të drejtpërdrejtë për përfitim ekonomik. Tani, Brukseli e thur një fill të ri në ngërçin e ndërlikuar me Serbinë.

Prej Pengut në Bashkëpunëtor

Marrëveshja buron nga projekti kontrovers i nxjerrjes së litiumit, menaxhuar nga kompania multinacionale e gërmimit në miniera Rio Tinto, saktësisht nga plani 2.4 milionë dollarësh për ta shndërruar Luginën e Jadarit, afër Llozhnicës në perëndim të Serbisë, minierën më të madhe të nxjerrjes së litiumit për sa i takon prodhimit.

Aktivistët e mjedisit dhe zërat kundërshtues bënë fushatë të fuqishme kundër këtij projekti, nëpërmjet protestave masive në rrugë më 2021, gjë që e shtyri qeverinë ta ndërpresë projektin në fillim të vitit 2022. Shqetësimet e protestuesve fokusoheshin në përgjegjësinë e Rio Tintos për katastrofat mjedisore në të kaluarën, dëmtimin e bujqësisë dhe rrezikun e shpopullimit të zonës.

Ky projekt u ringjall shpejt sapo Partia Progresive e Serbisë (SNS), në dhjetor të vitit 2023, i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare dhe, rrjedhimisht, brenda pak muajve, i mënjanoi të gjitha pengesat potenciale institucionale, ligjore dhe burokratike. Po kaq i shpejtë ishte edhe njoftimi se Serbia dhe BE-ja po lidhnin marrëveshje, falë së cilës ajo më vonë mund t’i diversifikonte strategjikisht burimet e saj të litiumit, më së shumti për t’i përdorur në bateritë e veturave elektrike, pa qenë të varur nga Kina.

Duke tentuar shkëputjen ekonomike nga Bejingu, Brukseli e pa të rrugës të investojë dhe ta përkrahë Beogradin – duke e lidhur veten, në fakt, me një regjim po ashtu jodemokratik, por që del të jetë fitimprurës.

Ironia politike midis shqetësimeve mjedisore

Ironikisht, marrëveshja u lidh vetëm një ditë pasi presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u përkrah për mandatin e dytë nga një shumicë e rëndësishme e anëtarëve të Parlamentit Europian, me mbështetjen kruciale të Të Gjelbërve të Europës.

Me këtë marrëveshje për litiumin, grupet progresive politike në Parlamentin Europian, e veçanërisht Të Gjelbrit, veçse kanë dështuar t’i kërkojnë llogari presidentes. Kjo detyrë do të bëhet gjithnjë më e nevojshme gjatë mandatit të dytë pesëvjeçar të von der Leyen-it, marrë parasysh precedentin e dyshimtë të krijuar në raportet e Brukselit me shtetet kandidate.

Me ndarjen e thellë ideologjike midis 27 anëtarëve të Bashkimit Europian, mandati i ardhshëm i Komisionit Europian duket të jetë jo i sigurt dhe jo i lehtë. Në këtë kontekst, shumë vendime politike, si ato për të ardhmen e Marrëveshjes së Gjelbër në Europë, do të kontestohen, zbuten apo edhe të anulohen.

Edhe përkundër ndikimit të zvogëluar në Parlamentin Europian, udhëheqësit dhe partitë progresive në nivel të BE-së duhet ta kushtëzojnë sistematikisht mbështetjen e tyre për agjendën e ardhshme të von der Leyen-it me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve mjedisore, përfshirë këtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Megjithëkëtë, do të jetë sfiduese të sigurohen këto koncesione, me prirjet e preferuara ideologjike të von der Leyen-it për grupin ECR të së djathtës ekstreme të Meloni-t, që mund të rezultojë në votimin apo bllokimin e politikave të caktuara, pa pasur nevojë për Të Gjelbrit.

Dalëngadalë, BE-ja është bërë peng i shantazhit gjeostrategjik të Serbisë – “as Lindja, as Perëndimi, ose…” – dhe tashmë Brukseli po e ndihmon ta mbrojë atë. Me rishpikjen e shkathët dhe të volitshme të parimeve, Komisioni Europian tani është kontribues aktiv në platformën e guximshme të Vuçiqit për dominim politik e ekonomik, me anë të zgjatjes së pushtetit të tij. Brukseli është bërë bashkëpunëtor i përsosur i Beogradit.

Teksa ndërmarrja e minierave Rio Tinto po festohet politikisht midis gëzimesh diplomatike, efektet e pritura – direkte dhe të tërthorta – për qytetarët e Serbisë, e jo vetëm banorët e zonës së Jadarit, janë dëshpëruese. Ekstraktimi i litiumit mund të shkaktojë ndotje të ujit dhe tokës, si dhe degradim të përgjithshëm mjedisor, teksa, nisur nga pjellshmëria e lartë e tokës së këtij rajoni, mund të ketë edhe ngritje të çmimeve të produkteve ushqimore. Minierat e litiumit, për shkak të metodave disruptive dhe me kemikate të ekstraktimit të mineraleve, njihen për shkatërrimin e pyjeve dhe natyrës, emetim të gazrave të efektit serrë, si dhe ndotje të ajrit.

Pasurimi i elitës dhe biznesit, si zakonisht

Së pari, marrëveshja do t’u leverdisë – sepse do t’ua mbushë xhepat edhe më shumë – elitave nacionale dhe lokale, që i kanë plaçkitur burimet publike dhe natyrore të shtetit.

Gjithashtu, do ta rikonfirmojë marrjen e konsoliduar nën kontroll të Europës periferike nga bizneset e mëdha, të cilat, së pari, funksionojnë pa kontroll dhe pa ndëshkim, duke anashkaluar qartësisht mirëqenien publike në kërkim të fitimit privat.

I qartë është mesazhi kryesor i BE-së për fqinjët e Ballkanit Perëndimor: “Bëhuni të leverdishëm, ose zhdukuni”. Nuk pritet që premtimet për integrimin sipas meritës në BE të këtyre vendeve të kanalizohen te harmonizimi i politikave për çështjet e nxehta, por te rëndësia ekonomike-tregtare. Kjo bëhet shumë e rëndësishme për vendet më të vogla të rajonit, kapacitetet më të dobëta ekonomike dhe resurset më të mangëta të së cilave mund ta ndikojnë pozicionimin e tyre vizavi qasjes transaksionale të BE-së.

Marrëveshja për litiumin u jep shtytje udhëheqësve rajonalë, si Vuçiqit, Dodikut dhe Ramës, duke nxjerrë në shesh se sa pak përpjekje demokratike duhen për ta pasur BE-në në grusht. Shto këtu edhe mosdëshirën evidente të BE-së për t’i mbështetur forcat prodemokratike në Serbi dhe më gjerë, ku opozitat proeuropiane, nëse nuk injorohen në plotni, janë pothuajse të pavërejtura.

Qytetarët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mund ta shijojnë njësoj mundësinë e të kuptuarit përfundimisht se një dimension i konsiderueshëm i nocionit të tepruar – “autonomia strategjike europiane” – reduktohet në plotësimin e nevojave të jashtme të BE-së, jo më nga partnerët e pabesueshëm 8,000 km larg, por nga ata më afër – pra, zhvendosjen e tyre në partnerë të leverdishëm (por, barabarësisht të pabesueshëm) në zonën përreth. Pasojat alarmante të kësaj situate po zbulohen përditë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.