Pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve) në vitin 2015 pati rezultuar në një fiasko. Në retrospektivë, pjesëmarrja në testin PISA vërtetoi hamendësimet rreth sistemit arsimor në Kosovë. Në vitin 2015, nga 79 shtete pjesëmarrëse, Kosova doli e treta nga fundi në rezultatin e testit PISA duke mos arritur t’i përmbushë kriteret e OECD-së. Ky test është një studim mbarëbotëror nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili vlerëson sistemet arsimore duke matur performancën shkollore të nxënësve 15-vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në anën tjetër, është organizatë ndërkombëtare ku qeveritë punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje për sfidat e përbashkëta, për të zhvilluar standarde globale, për të ndarë përvojat dhe për të identifikuar praktikat më të mira për të promovuar politika më të mira për jetë më të mirë.
Rezultati katastrofal i performancës së nxënësve të Kosovës hapi një diskutim kombëtar mbi arsimin në Kosovë. Për të tejkaluar këtë problem, u propozuan një mori mekanizmash siç janë: dixhitalizimi i teksteve shkollore, pasurimi i bibliotekave shkollore dhe ofrimi i librave falas për nxënës.
Megjithatë, propozimet e lartcekura nuk prekën thelbin e problematikës, atë të cilësisë së arsimit në Kosovë. Kjo u rikonfirmua pas tre vjetësh (2018), kur Kosova mori ‘shuplakën’ e dytë nga testi PISA. Kësaj here doli e katërta nga fundi, me regres në shkrim e matematikë. Edhe kësaj radhe ndodhi e njëjta, nxënësit e mësuesit u gozhduan dhe prapë nuk pati një diskutim të mirëfilltë rreth nivelit të arsimit në Kosovë. Sytë u drejtuan te simptomat, jo te shkaku. Faji u vë në drejtim të nxënësve dhe mësuesve.
Megjithatë, ky realitet nuk mund t’i faturohet vetëm Kosovës. Natyra e këtyre testeve duhet shqyrtuar në veçanti, e sidomos nxitja e garës mes vendeve të ndryshme si fenomen sigurisht që duhet vendosur në pikëpyetje. Organizatat ndërkombëtare si OECD-ja, përtej matjes së “dijes”, po ashtu financojnë projekte të ndryshme arsimore, ndihmojnë në përpilimin e politikave arsimore nën arsyetimin e rëndësisë së arsimit për shtetet përkatëse. Resurset financiare ndërkombëtare që kanë hyrë në Kosovë nuk është se kanë ndikuar shumë dhe paaftësia e Kosovës për të arritur në testin PISA nuk mund të shihet e izoluar nga bota. Përpjekja për të unifikuar një test që u përshtatet të gjitha vendeve në parim është problematike për disa arsye: injorimi i mjediseve të ndryshme socio-ekonomike, të realiteteve të llojllojshme kulturore dhe mënyrave të ndryshme të organizimit të arsimit dhe ushtrimit të pedagogjisë.
Nëse analizojmë listën e rezultateve të PISA-s në vitet 2015 dhe 2018, vërejmë se shtetet që zënë vendet e para janë vende të pasura. Ndërkaq, sa më poshtë që shkojmë, shohim se shtetet e varfra kanë betonuar vendet e tyre në fund të listës. Një gjë që ka ndryshuar prej vitit 2015 deri në vitin 2018 është se vendet me të ardhura të mesme kanë shënuar përparim. Ky është një tregues që shtetet më të privilegjuara ekonomikisht, përveçqë shënojnë sukses në këtë test, janë shtete të fuqishme që po ashtu definojnë kornizat e këtij testi përbrenda OECD-së. Çfarë do të thotë kjo? Vendet më të pasura, jo vetëm që marrin pjesë në test, por edhe e konstruktojnë atë, duke qenë se janë akterë të fuqishëm brenda OECD-së. Nëse e shikojmë këtë nga këndvështrim i Bourdieu-së, ata që janë në ‘krye’ operojnë brenda një loje ku rregullat vendosen vetëm nga ata, të privilegjuarit, duke përjashtuar të tjerët, pra më pak të privilegjuarit.
Vlen të përmenden disa raste konkrete në rajon. Maqedonia në vitin 2018 ka arritur 41 pikë më shumë se në vitin 2015, ndërsa Shqipëria ka përjetuar ngritje stabile që nga viti 2009. Megjithatë, kjo nuk na tregon që kjo rritje është domosdo reflektim i ndryshimeve substanciale. Pra, duke pasur parasysh situatat e ngjashme mes Kosovës dhe rajonit, përpjekja për ta treguar veten në një garë si PISA është një mashtrim dhe nuk e reflekton gjendjen faktike në terren.
Këtë vit, nga data 25 prill – 20 maj, testit PISA i janë nënshtruar 7 mijë nxënës nga shkollat e mesme të ulëta dhe të larta në Kosovë. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë herë PISA do të ketë edhe një komponentë shtesë, test në “mendimin krijues”. Rezultati kësaj radhe do të publikohet në dhjetor të vitit të ardhshëm.
Marrë parasysh vitet e fundit, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i jashtëzakonshëm. Megjithatë PISA nuk duhet të jetë mjeti i vetëm matës i cilësisë së arsimit në Kosovë. Duke konsideruar ndryshimet dhe reformat e vazhdueshme në të cilat ka kaluar sistemi arsimor i Kosovës në dy dekadat e fundit, ende nuk ka arritur një stabilitet. Pra, sistemi arsimor i pasluftës është tentative për ta rietabluar vetveten. Ky proces ende nuk ka përfunduar dhe, si përfundim, testi vetëm sa vendos në pah hendekun e thellë mes Kosovës dhe vendeve të tjera të cilat kanë përparësi socio-ekonomike, e ky hendek sigurisht që nuk mund të reduktohet përmes një testi.