Nuk mund të presim që BH-ja të anëtarësohet në BE derisa të bëhemi rezistent ndaj virusit të korrupsionit, krimit dhe politikave nacionaliste që po e paralizojnë vendin.
Historia ka treguar se, gjatë shekujve, njerëzit janë përpjekur për të përparuar dhe për të bërë ndryshime, drejt një lloj ideal të qeverisjes, udhëheqjes dhe shpërndarjes më të barabartë të pushtetit. Sidoqoftë, në botën e sotme teknologjiko-teknokratike, me probleme të mëdha globale, nga ndryshimet klimatike, migracioni e deri te shpërthimi i pandemisë KOVID-19, struktura politike e shoqërive në të gjithë botën nuk lë shumë hapësirë për projekte utopike dhe idealiste.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, lëvizjet progresive që përpiqen për ndryshime më të thella nuk po shfaqen për një kohë të gjatë. Përkundrazi, konteksti në të cilin kemi jetuar për 20 vitet e fundit ka krijuar një numër idesh populiste nga të dy spektrat politikë. Në të vërtetë, në shumicën e shteteve demokratike garantohen të drejtat themelore dhe demokratike të njeriut, por përkeqësimi i standardit të jetesës dhe humbja e të drejtave sociale, e kombinuar me korrupsionin e përhapur dhe rritjen e ndikimit të elitave politike, hapin shumë hapësirë për një debat politik që kërkon domosdoshmërisht ndryshimin – por, të cilat jo domosdoshmërisht çojnë kah më e mira.
Vendet e Ballkanit Perëndimor po luftojnë me të gjitha problemet e lartpërmendura: qytetarët i kërkojnë ato ide që do t’i çojnë ata drejt integrimit në hapësirën më të gjerë të botës së lirë. Megjithatë, situata aktuale politike në vend, në rajon dhe në botë u dërgon një mesazh të qartë qytetarëve se për momentin ata mund vetëm të ëndërrojnë një vend me mirëqenie/prosperitet.
Në ndërkohë, ne do të jemi dëshmitarë të realitetit ballkanik, në të cilin është e mundur që udhëheqësit e grupeve politike të kënaqin interesat e tyre të veçantë dhe egoistë me lëvizje të lira politike, populiste dhe, mbi të gjitha, primitive, pavarësisht interesave të qytetarëve. Në një realitet të tillë, në këtë baltë politike, po humb çdo shpresë për ndryshim dhe përparim. Në një realitet të tillë, ëndrra e një individi që përpiqet për një vend me prosperitet po bëhet një makth, një ëndërr që pengohet nga proceset dhe menaxhimi i keq politik që e detyron atë individ të bëjë një jetë më të mirë në disa demokraci perëndimore.
Më të guximshmit në realizimin e asaj ëndrre, ose më të vendosurit që duan të ikin sa më larg këtij makthi ballkanik, janë sigurisht të rinjtë. Dëshira e tyre është e qartë, sikur zëri i tyre i pakënaqësisë. Sipas Studimit për të rinjtë e BH-së, të rinjtë “kryesisht duan të largohen nga Bosnja dhe Hercegovina”, madje rreth 50% prej tyre thonë që “Gjermania është zgjedhja e tyre e parë për emigracion”. Për shkak të situatës së përkeqësuar politike dhe ekonomike, të rinjtë nuk besojnë në ndryshime në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nëse shikojmë edhe vendet e tjera të Ballkanin Perëndimor, do të shohim shifra identike. Ky është një realitet që paralizon çdo parashikim optimist.
(Dez)Integrimi i BH-së në Bashkimin Evropian
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, BH-ja po shkon drejt ndërtimit të institucioneve të saj, duke shprehur qartë përkushtimin e saj drejt BE-së. Në rrugëtimin e anëtarësimit, Bosnja dhe Hercegovina ka pasur periudha intensiteti dhe konsolidimi të kënaqshëm politik, reforma dhe përparim, por ndërsa u ndryshuan marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit, me kthimin e lojtarëve politikë globalë të vjetër/të rinj, ashtu edhe BH-ja ndryshoi aspiratat e saj të brendshme integruese drejt BE-së. Megjithatë, më 15 shkurt 2016, ajo dorëzoi aplikimin për anëtarësim.
Në vitet e fundit, me forcimin e entitetit dhe interesave të veçanta, kjo ide ishte lënë në hije nga ngecja politike dhe dezintegrimi i thelluar i shtetit. Për vite, marrëdhëniet midis BH-së dhe Bashkimit kanë qenë të lidhura kryesisht me fitimin e statusit të vendit kandidat. BH-ja kishte një detyrë të qartë: të jepte përgjigje pyetësorit të përgatitur nga Komisioni Evropian. Por u deshën më shumë se dy vjet, për ta përfunduar atë detyrë.
Ndërsa të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës, e cila është në të njëjtën pozitë me BH-në, u është dhënë statusi i vendit kandidat për një periudhë relativisht të shkurtër, BH-ja nuk e arriti këtë, megjithëse kjo mund të nënkuptonte hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë. Rezultati: në vend të statusit të vendit kandidat, Bosnja dhe Hercegovina mori 14 detyra, të reja, respektivisht “Udhërrëfyesin” e vjetër, tani të ri. Kjo e ka vonuar edhe një herë rrugëtimin e BH-së drejt integrimit në BE.
Cilat janë përparësitë kryesore të Bosnjës dhe Hercegovinës në procesin e integrimit në BE
Raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili është i bazuar në përparimin e vendit në raport me kriteret e anëtarësimit, tregon se në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka progres real.
Kur bëhet fjalë për kriteret politike, BH-ja ka bërë përparim të kufizuar në disa segmente, ndërsa shumica e kritereve politike nuk kanë përparim. Në Raport thuhet: “Për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit, Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës ishte bllokuar për arsye politike, duke rezultuar në mos-miratimin e ligjit, kurse Këshilli i Ministrave vepronte me një mandat teknik derisa të formohej një përbërje e re parlamentare, mbledhja e së cilës u zhvillua në muajin dhjetor 2019.”
Burimi: europeanwesternbalkans.com
Problemi është thelluar nga Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila “është ende në konflikt me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)”, siç është konfirmuar me aktgjykimin e rastit/lëndës Sejdiq-Finci dhe aktgjykimeve shoqëruese. Më tej, Raporti vë në dukje se nuk ka pasur progres në “përmirësimin e kornizës zgjedhore në përputhje me standardet evropiane ose sigurimin e transparencës së financimit të partive politike”. Nuk është bërë asnjë progres në “ofrimin e mbështetjes për sektorin e shoqërisë civile”. Bosnja dhe Hercegovina është “në një fazë të hershme dhe në një nivel të caktuar gatishmërie në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kur bëhet fjalë për kriteret administrative, “Bosnja dhe Hercegovina është në fazat e hershme të reformës së administratës publike (RAP) dhe nuk ka asnjë progres në sigurimin e një shërbimi civil profesional dhe të depolitizuar, si dhe një qasje të koordinuar për hartimin e politikave në nivel të gjithë vendit. E njëjta gjë vlen edhe për gatishmërinë në fushën e drejtësisë dhe raporti i BE-së arrin në përfundimin se “nuk është bërë asnjë përparim në këtë fushë”. Pengimi i reformës gjyqësore nga “aktorët politikë dhe brenda vetë sistemit gjyqësor dhe funksionimi i dobët i gjyqësorit rrezikojnë kapacitetin civil për të ushtruar të drejtat e tyre dhe kështu pengojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
BH-ja ka bërë përparimin më të madh në kriteret ekonomike, ku është arritur një “përparim i kufizuar”. Në periudhën e raportimit, në kapituj të ndryshëm të legjislacionit të BE-së, nuk është arritur përparim i kufizuar, madje fare asnjë përparim. “Bosnja dhe Hercegovina në përgjithësi është në një fazë të hershme … të gatishmërisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE dhe duhet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e përafrimit të legjislacionit dhe të zbatojë legjislacionin përkatës.”
A mund të bëhet kjo ëndërr një realitet?
Gjatë gjithë këtyre viteve të kronologjisë së marrëdhënieve me BE-në, BH-ja po përballet me të njëjtat probleme. Qeverisja e keqe, interesat personale të partive politike, retorika etno-nacionaliste dhe manipulimi me tragjeditë e të kaluarës – të gjitha këto e çojnë BH-në një hap prapa, duke kontribuar në dezintegrimin gradual të vendit. Elitat politike në BH ose oligarkitë politike, siç i quan profesori Asim Mujkiç nga Universiteti i Sarajevës, nuk janë të gatshëm të “heqin dorë as nga një milimetër të autorizimeve dhe privilegjeve të tyre dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë asgjë të rëndësishme për të përmirësuar pozicionin e patolerueshëm të shumicës së qytetarëve të këtij vendi”.
Ne kemi nevojë për reforma në fushat e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për hir të interesit tonë, e jo se ato janë një kusht për integrimin e mëtejshëm në BE. Është reale të presim përparim në fusha të tilla si ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe fuqizimi i institucioneve të BH-së.
Sipas ligjërimeve të juristit të diplomuar Irfan Softiç, një avokat me përvojë të madhe pune në ekonomi, “korrupsioni në Bosnjë dhe Hercegovinë është një ligj zakonor”. Softiç konsideron se: “Ka zakone të mira dhe të këqija. Korrupsioni është një zakon i keq, i cili vështirë mund të luftohet“. Indeksi për perceptimin e korrupsionit – CPI i Transparency International për vitin 2020 година, rendit Bosnjën dhe Hercegovinën (BH) midis vendeve në botë ku gjendja e korrupsionit po përkeqësohet më së shumti. Duke nënvizuar rënien e BH-së për “11 vende”, indeksi i BH-së renditet i 111-ti nga 180 vende, me një rezultat prej 35 (shkalla nga 0-100), i cili është gjithashtu rezultati më i keq që nga viti 2012, kur BH-ja ishte renditur në vendin e 72-të, me një rezultat 42. Sipas raportit, BH-ja është “në vendin më të keq në Ballkanin Perëndimor dhe ndan një vend me Maqedoninë e Veriut”, me pandeminë KOVID-19 që padyshim shënoi vitin e kaluar, por gjithashtu ekspozoi anën më të errët të korrupsionit, çmimin e të cilëve, për fat të keq, po paguajnë qytetarët me jetët e tyre.
Institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës janë paralizuar nga korrupsioni, ata i kanë dhënë përparësi “plaçkitjes së paskrupullt të fondeve publike, në dëm të ofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor”. E gjithë periudha e pandemisë ishte shënuar nga prokurimi jo-transparent dhe i papërfunduar i pajisjeve mjekësore. “Ky është vetëm një nga shembujt që adreson raporti; BH-ja nuk ka “një politikë ose strategji të përshtatshme kundër korrupsionit, kurse korniza ligjore po pret me vite për një rihartim të plotë dhe gjithëpërfshirës, i cili adresohet padyshim edhe nga Komisioni Evropian përmes 14 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat”.
Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë përparësia numër një dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër. Nëse një Kroaci ishte e gatshme të paguante çmimin politik duke arrestuar dhe ndjekur penalisht udhëheqjen politike në mënyrë që të fitonte pikë nga BE-ja sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe kështu të blinte një biletë për të hyrë në BE, atëherë mund dhe duhet edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shembulli i Kroacisë ka treguar se rruga për në BE është më e rëndësishme se çdo individ. Por gjithashtu, se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me arrestimin e një personi, as me anëtarësimin në BE.
Anketa e opinionit publik „Qëndrimet e qytetarëve për anëtarësimin në BE dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian“, e kryer nga Drejtoria për Integrim Evropian e BH-së në muajin tetor 2020, tregoi se nuk ka ndryshime të konsiderueshme krahasuar me Konstatimet nga hulumtimi i muajit prill 2019. Në rast të shpalljes së referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, 75,6 përqind e të anketuarve kanë deklaruar se do të votonin për nëtarësim në BE. Qytetarët nga të gjitha pjesët e BH-së mbështesin hyrjen e BH-së në BE për të njëjtat arsye. Kryesisht sepse ata besojnë se kjo është një garanci e paqes së qëndrueshme dhe e stabilitetit politik. Arsyeja tjetër është rritja e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Të njëjtat arsye zakonisht u përmendën edhe në vitin 2019, ndërsa në vitin 2018 dukshëm më shpesh vihej në dukje përmirësimi i infrastrukturës. Nuk ka dallime të konsiderueshme mbi arsyet pse qytetarët e të gjithë pjesëve të BH-së nuk mbështesin hyrjen e BH-së në BE. Deri më tani arsyeja më e zakonshme është frika nga rritja e kostove të jetesës dhe taksave. Qytetarët e BH-së zakonisht konsiderojnë se lufta kundër korrupsionit është një reformë që duhet të zbatohet në mënyrë që të përmirësojë jetën e tyre të përditshme. Kjo ishte përgjigjja më e zakonshme edhe në vitin e kaluar, ndërsa në vitin 2018 reformat e tjera ishin më prioritare sesa në vitin 2019 dhe 2020.
A ardhmja e integrimit pas pandemisë me KOVID-19
Viteve të fundit, megjithë transformimin e dobët të sistemeve politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian gjithashtu po përballet edhe me sfida. Populizmi djathtist në rritje, pasojat e krizës ekonomike që varfëroi botën në vitin 2008, kriza e migrantëve, Brexit etj., kanë çuar në shfaqjen e frymave të reja nacionalistë që kërkojnë të minimizojnë parimin politik mbinacional. Për më tepër, në fund, ndodhi edhe KOVID-19, e cila mbylli të gjitha vendet në kufijtë e tyre kombëtarë.
Konsolidimi i brendshëm në BE, deklaratat skeptike të Presidentit francez Macron mbi integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, programi ambicioz i Gjermanisë gjatë kohës së presidencës së saj me Këshillin e BE-së dhe nevoja që vendet anëtare të BE-së të rikuperohen nga pandemia e KOVID-19 janë përparësitë që do të shtyjnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në plan të dytë. Metodologjia e re e zgjerimit, e cila është shumë e ndryshme nga integrimi i vendeve të raundit të fundit të zgjerimit, çon në rritjen e euroskepticizmit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Që nga viti 1996, Bashkimi Evropian ka investuar më shumë se 3.5 miliardë euro në rindërtimin, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit, një ekonomi të qëndrueshme, bujqësi dhe sfera të tjera kryesore në BH, duke e bërë atë donatorin më të madh të vetëm në BH. Bashkimi Evropian do të mbetet partneri kryesor i Bosnjës dhe Hercegovinës edhe pas pandemisë me KOVID-19. Por kjo nuk do të thotë mbështetje automatike për proceset e integrimit në BE. Natyrisht, duke pasur parasysh situatën, një mbështetje e tillë do të mungojë në një formë konkrete derisa autoritetet e BH-së të tregojnë rezultate në të gjitha fushat prioritare të dhëna nga BE-ja.
Ne nuk mund të presim vendosmëri nga BE-ja nëse nuk tregojmë vendosmërinë tonë për t’u përballur me problemet kryesore në vend. Deri atëherë, qytetarët e BH-së do të mbeten të burgosur me testet PCR brenda kufijve shtetërorë. Në mënyrë të ngjashme, 14 detyrat e vendosura nga BE-ja paraqesin një lloj testi PCR specifik për tërë vendin. Më në fund, nuk mund të presim që BH-ja të anëtarësohet në BE derisa të bëhemi rezistent ndaj virusit të korrupsionit, krimit dhe politikave nacionaliste që po e paralizojnë vendin.
Ky blog është publikuar në kuadër të iniciativës „Histori nga rajoni“ që e zbaton Res publica në bashkëpunim me HAD (Slloveni), Analiziraj.ba (BH), Sbunker (Kosovë) Ne davimo Beograd (Serbi), Makropolis (Greqi) PCNEN (Mali i Zi) dhe Lupiga (Kroaci).