Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ballkan i hapur, kufij të mbyllur

Të gjithë po flasin për bashkëpunimin rajonal. Megjithatë, pakkush e kuptojnë plotësisht ose pajtohen rreth kuptimit të tij. Ai vjen në forma të ndryshme – gjithëpërfshirës dhe jo gjithëpërfshirës, ndërqeveritar, politik, ekonomik, i drejtuar nga jashtë ose vetjak i brendshëm….

Është bërë padyshim shumë, por jo të gjithë në Ballkan kanë përfituar njëjtë prej tij. Personat me pasaporta të Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës (BeH) duhet ende të kalojnë nëpër një procedurë të vështirë që të marrin vizën për të hyrë në vendin tjetër.

Bosnja e Hercegovina është i vetmi vend në rajon, përveç Serbisë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Deri në vitin 2010, qytetarët e Kosovës mund të hynin në BeH vetëm me miratim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave të BeH-së, nëse vlerësohej se ardhja e tyre është me interes për vendin. Kjo praktikë u ndryshua më pas me iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së, në mënyrë që kosovarët të mund të aplikojnë për viza të BeH-së në ambasadat në Shkup, Beograd apo Podgoricë, pasi nuk ka mision diplomatik në Prishtinë. Procedura e mëparshme e vizave u zëvendësua me një procedurë shumë më të ndërlikuar, gjë që u pasua me masa reciproke nga Kosova në vitin 2014.

Nëse dikush nga Sarajeva ose Banja Lluka, për shembull, dëshiron të kalojë një fundjavë në Prizren, të vizitojë atje monumente të bukura si Xhaminë e Sinan Pashës ose Kishën e Shën Premtes, ata duhet të kalojnë nëpër një procedurë të mundimshme që do t’u kushtojë (shumë) para dhe kohë.

Meqenëse as Kosova nuk ka një mision diplomatik në Sarajevë, qytetarët e BeH-së mund të aplikojnë për vizë të Kosovës vetëm në Tiranë ose Zagreb. Pra, një aplikues duhet të udhëtojë personalisht në një nga këto qytete, të dorëzojë dokumentet dhe më pas të presë disa javë për një miratim përpara se të kthehet në Zagreb ose Tiranë për ta marrë vizën personalisht. Lista e dokumenteve të nevojshme për aplikim është e gjatë dhe e kushtueshme: formulari i aplikimit, kopja e pasaportës, ftesa nga një kompani ose një individ që duhet të jetë shtetas i Kosovës (e vërtetuar nga noteri – përsëri, kohë dhe para), kopja e pasaportës së ftuesit, vërtetimi i akomodimit, sigurimi shëndetësor i udhëtimit, vërtetimi i posedimit të mjeteve të mjaftueshme financiare, vërtetimi i punësimit, vërtetimi se nuk është nën hetime (nga gjykata), dhe lista vijon tutje.

Kjo listë mund të ngjallë një traumë të vjetër për shumë qytetarë të rajonit të cilët kujtojnë procesin e marrjes së vizës Shengen përpara se ajo të hiqej për të gjithë, përveç për Kosovën. Në përgjithësi, kostoja totale për marrjen e vizës së Kosovës, duke përfshirë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, taksat administrative, etj., është rreth 250 euro. Për një vend me pagë mesatare më të vogël se 500 euro, kjo është përtej mundësive të shumë qytetarëve, veçanërisht të rinjve.

Siç ka mësuar kohët e fundit Fondi Evropian për Ballkanin gjatë organizimit të një takimi rajonal në Sarajevë, Bosnja e Hercegovina gjithashtu ka një listë të gjatë të kritereve për të mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në një ngjarje që organizohet në këtë vend. Gjegjësisht, për një takim dyditor në Sarajevë, vetëm një organizatë vendase mund jo vetëm të dërgojë një ftesë për pjesëmarrësit nga Kosova në ambasadën në Shkup, por edhe të ofrojë listën e dokumenteve vijuese: kërkesa për vërtetimin e ftesës, verifikuar nga një person i autorizuar (organizatë e autorizuar); formulari i plotësuar i ftesës; kopja e vërtetuar e vendimit për hyrje nga regjistri gjyqësor; dëshmia e aftësisë paguese; vërtetimi nga Administrata Tatimore; vërtetimi nga Autoriteti i Tatimeve Indirekte; kopja e dokumentit të udhëtimit të një të huaji që vjen për një vizitë pune; dëftesa e pagesës së taksës administrative prej 25€ për vërtetimin e ftesës (për secilin person); vërtetimi nga komuna që tregon përfitimet e përfshirjes së personit (për të cilin është dorëzuar ftesa) në aktivitetin e caktuar.

Fatkeqësisht, procedura e ankthshme nuk merr fund me kaq. Pasi të mblidhet i gjithë dokumentacioni i kërkuar, dokumentet duhet të dorëzohen në degën më të afërt të Shërbimit për Çështjet e të Huajve dhe pas të paktën 5-7 ditësh, përfundimit të procedurës i paraprin një vizitë në ambientet e organizatës. Më shpesh sesa jo, aplikimet për vizë refuzohen pa asnjë shpjegim të dhënë.

Megjithatë, sipas përvojave të përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Kosova, edhe në rastet kur miratohen vizat, mbajtësit e tyre rregullisht përballen me marrjen në pyetje dhe vonesat e pajustifikuara në kufi nga oficerët kufitarë të BeH-së.

Pra, regjimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk është një formalitet administrativ, por një procedurë armiqësore që i bën qytetarët e vendit tjetër të ndihen të padëshiruar. Regjimi i vizave duket po aq qëllimshëm i projektuar për të dekurajuar këdo që as të mos përpiqet të bëjë bashkë njerëz nga i gjithë rajoni. Në të njëjtën kohë, kjo kërkon burime financiare dhe njerëzore që vështirë se dikush i ka për këtë qëllim.

Për ironi, nuk dëgjojmë shpesh të flitet për këtë çështje, as nga zyrtarë ndërkombëtarë, as nga politikanë vendas që flasin pafund për përfitimet dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal. Nëse dy nga gjashtë vende kanë ende një regjim reciprok të vizave, si lejuam që kjo të lihet mënjanë ndërsa flitet vetëm për njohjen reciproke të diplomave apo një treg të përbashkët rajonal, kur nuk ka liri themelore të lëvizjes për më shumë se 5 milionë njerëz?

Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është mu në thelb të integrimit në BE. Është bërë shumë në dekadat e fundit, janë krijuar shumë organe dhe nisma rajonale (nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal deri te Zyra Rajonale e Bashkëpunimit të të Rinjve), tarifat e roaming-ut celular janë hequr, udhëtimi vetëm me letërnjoftime është bërë i mundur, që të gjitha këto për të vendosur bazat për integrimin në BE, për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, për të kontribuuar në pajtim dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.

Bosnja e Hercegovina dhe Kosova mund të tregojnë pjekuri dhe një qasje konstruktive në lidhje me bashkëpunimin rajonal duke hequr regjimet e tyre të vizave. Për sa i përket Kosovës, qeveria vazhdimisht dhe me të drejtë po i kujton BE-së se qytetarët e saj mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët janë të privuar padrejtësisht nga regjimi pa viza për të hyrë në zonën Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë që në vitin 2018. Megjithatë, Kosova nuk ka vendosur masa reciproke ndaj qytetarëve të zonës Shengen, dhe të njëjtat parime do të duhej të zbatohen edhe për “fqinjët” e saj rajonalë. Si akt i pjekurisë politike dhe vullnetit të mirë ndaj qytetarëve të BeH-së, Kosova do të duhej së paku në mënyrë të kushtëzuar të heqë sa më shpejt regjimin e vizave ndaj BeH-së. Kosova duhet ta bëjë këtë, sepse e kupton, më mirë se çdo vend tjetër në rajon, ndikimin e një regjimi të pajustifikuar të vizave dhe se ai më së shumti prek qytetarët e zakonshëm.

Bosnja e Hercegovina, nga ana tjetër, duhet të pranojë se hapja ndaj bashkëpunimit ekonomik rajonal nuk mund të bashkëjetojë me regjimet e pakuptimta të vizave. Si përkujtim, Zoran Tegeltija, Kryesues i Këshillit të Ministrave të BeH-së, ishte një nga ithtarët më të zëshëm të bashkëpunimit të zgjeruar rajonal në edicionin e fundit të Samitit të Ballkanit të Hapur, ndërsa Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës e Hercegovinës, doli gjithashtu si mbështetës i fortë i një tregu të përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor. Nëse dëshiron t’i bashkohet nismave rajonale të bashkëpunimit ekonomik, BeH-ja logjikisht do të duhej të heqë regjimin e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës.

Vendosja e një Ballkani Perëndimor pa viza në agjendën rajonale do të mund të ishte gjithashtu një synim shumë konkret i Procesit të Berlinit që është rinovuar dhe po pritet të rifillojë.

*Autoret janë përfaqësuese të Fondit Evropian për Ballkanin – EFB

Artikullin në gjuhen serbe mund ta gjeni këtu

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.