Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Bashkëjetesa me politikë, autocensura dhe liria e shtypit

Media në Kosovë në dekadat e fundit ka lëvizur nga modeli ish-Jugosllav i pamfleteve politike dhe mjetit të propagandës shtetërore apo në shërbim të politikës, duke u spostuar drejt modelit pluralist dhe të pavarur të bazuar në mediat evropiane. Ky tranzicion edhe është ndihmuar nga intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare, së pari, me krijimin e Televizionit Publik (lex. Shtetëror) në Kosovë dhe pastaj edhe duke i ndihmuar mediat në Kosovë në shumë forma të ndryshme, duke përfshirë trajnimin ndërkombëtar që ka mundësuar shkëmbimin e përvojave si dhe donacionet e pajisjeve teknike që kanë mundësuar realizim teknik të punëve të informimit.

E gjithë kjo, së paku në pamjen e parë do të duhej të krijonte atmosferë pluraliste dhe konkurruese në mediat kosovare duke i mundësuar publikut një informim të drejtë dhe të paanshëm. Në fakt, media kosovare ka ngecur në vorbullin e tranzicionit nga një model në tjetrin me gjithë ndihmën ndërkombëtare që ka rritur kapacitetin e gazetarëve dhe teknikën, ndërsa tregu i mediave dhe pronësia nuk ka ndryshuar shumë. Si rezultat i kësaj ngecjeje, gazetaria në Kosovë karakterizohet me disa probleme sistematike dhe sociale.

Problemi i parë i gazetarisë kosovare është “lajmet protokollare” të cilat janë ritransmetim i konferencave për media dhe kjo zë një pjesë të madhe të lajmeve. Prodhimi i lajmeve në këtë rast nuk i nënshtrohet verifikimit tradicional të informacionit nga burime tjera për çështjen e njëjtë, por i nënshtrohet “balancimit” me një burim kundërshtues për lajmin në fjalë. Gabimi i parë që bëhet këtu është në praktikën e mbledhjes së lajmit duke i dhënë rëndësinë konferencave për media më shumë sesa mbledhjes së lajmit të vërtetë. Shpesh, gazetarët përfundojnë lajmin me përfundimin e konferencës për media dhe ky është problem për kualitetin e lajmeve dhe informimin e drejtë të qytetarëve. Tutje, kjo është edhe praktikë e keqe e informimit të publikut. Si rrjedhojë e “gazetarisë protokollare” kemi edhe mungesë të hetimit të temave me interes të madh për publikun. Modeli protokollar aplikohet tutje edhe në temat “hulumtuese” kur infomata e marrë nga gazetarët plasohet me një tekst të shkurtë dhe me fotografi të bëra zakonisht nga telefoni mobil, pa analizuar arsyen e lëshimit të dokumentit, verifikuar besueshmërinë, analizuar dhe interpretuar për lexuesin siç bëhet në media ndërkombëtare. E kundërta e kësaj praktike është dëshmuar me “Panama Papers” ku gazetarët që morën materialin, e analizuan, e verifikuan atë për gati një vit duke mos lëshuar asgjë në publik pa u verifikuar e analizuar.

Problemi i dytë me gazetarinë e Kosovës është bashkekzistenca me politikën. Si veprimtari, gazetaria në vitet e 1990-ta është konsideruar aktivizëm politik dhe modeli i aplikuar në disa dekada të kaluara është ai i aktivizmit politik. Kjo medoemos mundëson pozicionimin e gazetarit në njërën anë të ngjarjes dhe përsëri nga kjo vuan gazetaria kosovare. Në raportimin e krimit në Kosovë, shpesh hasim gjuhë të papërshtatshme për të akuzuarit, për viktimat, për përkatësinë etnike e kombëtare dhe probleme të tjera. Modeli i bashkëjetesës me politikën e ngulfatë median kosovare deri në nivelin që media varet ekonomikisht nga reklamat e akterëve politikë, duke përfshirë Qeverinë, partitë politike si dhe entitetet tjera politike që në këtë kontekst, janë entitete edhe ekonomike për mediat. Kjo bashkëjetesë nuk është unike për Kosovën. Modeli i tillë aplikohet edhe në vende tjera, ku gazetat e mediat identifikohen edhe si të majta apo djathta nga ideologjia, por vetëm në parim dhe jo në shkëmbim të selektimit të burimeve, analizimit të lajmit para se ai të bëhet lajm dhe në verifikimin e informacionit. Bashkëjetesa e mediave me politikën në Kosovë, bëhet për shkaqe më pak të rëndësishme sesa ideologjike. Pra, bëhet për shkaqe praktike dhe ekonomike. Politika, nuk do mend se ka interes të veçantë nga media por edhe media po ndihet komod me këtë bashkëjetesë.

Problem i tretë i mediave në Kosovë është autocensura e gazetarëve, që ndërlidhet shumë me lirinë e mediave. Praktika e gazetarëve në Kosovë manifeston një dozë të autocensurës në raste të caktuara duke bërë zgjedhje “të duhura” të personave të intervistuar, pozitës nga shkruhet lajmi si dhe punë tjera që nuk kontestohen në shtëpitë mediale dhe redaksitë. Autocensura është mosshfrytëzimi i lirisë së mediave, dhe në Kosovë ka shumë arsye për këtë fenomen duke përfshirë problemet strukturore të lidhjeve të pronarëve të mediave me politikën, lidhjeve të redaktorëve me politikën por edhe problemet kulturore të gazetarëve që autoidentifikohen si pjesëtarë të një grupi dhe refuzojnë të shohin më shumë se një anë të medaljes. Autocensura e gazetarëve në Kosovë aplikohet edhe si rezultat i kushteve joadekuate të punës dhe krijimit të praktikave censuruese. Gazetarët qortohen dhe korrektohen nga redaksitë për punën në mënyrë sistematike dhe kjo krijon faktorët psikikë të autocensurës, duke ditur se do të disiplinohen dhe korrektohen nga superiorët në hierarkinë e shtëpisë mediale.

Problemi i katërt i mediave në Kosovë është perceptimi i lirisë nga gazetarët. Duhet theksuar se liria si koncept duhet kuptuar në dy formate: si liri për të bërë diçka e që është e aplikuar nga influenca strukturore editoriale dhe pronare e mediave dhe liria nga opresioni dhe censura që është e aplikuar në raport me faktorët ndikues nga jashtë dhe që në Kosovë atribuohen për institucionet shtetërore. Të dyja liritë janë të brishta në Kosovë sipas raporteve ndërkombëtare dhe si rezultat edhe perceptimi për lirinë e shtypit në Kosovë e vendos Kosovën në pjesën e vendeve me liri të pjesshme. Gjithashtu këto raporte thonë edhe se mediat në Kosovë nuk bëjnë mjaft për të ofruar kushte pune dhe siguri për gazetarët, që në fakt është një ndër problemet më të mëdha me gazetarët në Kosovë duke e ditur se bashkëjetesa e pronarëve të mediave me politikën siguron njëfarë imuniteti nga zbatimi i ligjit të punës për punëdhënësit e mediave.

Edhe pas intervenimit ndërkombëtar me ndihmë për gazetarinë e Kosovës, media e Kosovës nuk ka mundur ende të pluralizohet dhe të modernizohet në kuptimin e krijimit të përgjegjshmërisë për informim të drejtë dhe të saktë. Modeli i mediave në Kosovë është strukur mes të kaluarës dhe të tanishmes duke u stërzgjatur dhe pa shkëputje (qartazi) nga modeli i kaluar i bashkëjetesës me politikën, lajmet protokollare dhe si rezultat i këtyre problemeve edhe duke e aplikuar autocensurën në shumë raste. Ngecjet në lirinë e shtypit medoemos i atribuohen institucioneve të Kosovës por gazetaria si veprimtari në Kosovë ka probleme edhe sistemike, të brendshme dhe sociale e kulturore që reflektojnë në performancën e përgjithshme të shfrytëzimit të kësaj lirie të shtypit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.