Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Bashkimi shqiptar si projekt qytetar

Si çdo 28 nëntor që vjen e shkon, edhe ky u përcoll me thirrje entuziaste për bashkim, por edhe me zëra që e shohin tërë këtë aspiratë si të tejkaluar e të parealizueshme. U publikuan edhe disa sondazhe që flasin për një përqindje mjaft bindëse të shqiptarëve që shprehen pro bashkimit kombëtar, dhe që thonë se populli në Kosovë e në Shqipëri ndjehet më i përafruar sesa qeveritë e tyre respektive.

Në anën tjetër, për arsye historiko-politike të këtyre 2-3 dekadave të fundit, i ashtuquajturi projekt ndërkombëtar i promovimit të shoqërive multi-etnike në Ballkan vazhdimisht potencon se Kosova nuk mund t’i bashkohet Shqipërisë. Një gjë e tillë madje pamundësohet me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore. Për më tepër, mbase si pasojë e moratoriumit kundër bashkimit, ka zënë rrënjë edhe ideja se, në çfarëdo rrethane, edhe po të lejohej kjo, bashkimi kombëtar është disi i dalë mode dhe duhet dekurajuar. Nuk është disi në frymën europiane apo në frymën e shek. XIX.

Duke mos relativizuar komplikimet ligjore, kushtetuese, organizative, administrative të një bashkimi eventual (bashkim që momentalisht mbetet në rrafshin hipotetik), dua që me këtë rast të sfidoj pikërisht logjikshmërinë e argumentit se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet te bashkohen sepse kjo qenka ide arkaike e shek. XIX. Se identiteti etnik apo kombëtar (ethnic or national identity) është i tejkaluar, dhe se e sotmja preferon vetëm identitetin qytetar (civic identity). Sfidoj këto ide duke mëtuar të argumentoj se bashkimi eventual (ne rastin konkret, ai i shqiptarëve) nuk është as ide arkaike e as nuk barazohet me ndonjë nacionalizëm mesjetar apo vetëm me identitet ekskluziv nacional. Pse?

Paragjykimi ndaj vetvetes

Ekziston një paragjykim apo shkarje argumentimi mu në premisën që thotë se bashkimi është ide arkaike. Ky është njëfarëlloj paragjykimi ndaj vetvetes, sepse në mënyrë implicite sugjeron se aspiratat apo ndjenjat e popullit për bashkim janë apriori të prapambetura, pra edhe mendësia e atij populli është disi e papjekur. Si krahasim, jam i sigurt se pavarësimi eventual i Skocisë apo Katalunisë – pra e kundërta e bashkimit, ndarja – nuk do të konsideroheshin si ide të prapambetura. Pse është bashkimi arkaik?

Në fakt, bashkimi në vetvete nuk bie ndesh, dhe s’ka se si të bie ndesh, me ato që quhen vlera europiane, me liritë thelbësore të njeriut, etj. Pra, si parim, është ide që duhet kultivuar e përshpejtuar. Dhe si rrjedhojë, është hiprokrite që të kualifikohet bashkimi, ose t’i jepet përparësi p.sh. bashkimit ekonomik e jo atij kombëtar, atij gjeografik e jo etnik. Bashkimi është ide progresive, pa kualifikim dhe kudo që të mund të ndodhë. Në parim, nuk ka bashkim të keq e bashkim të mirë.

Paragjykimi thellohet pikërisht aty ku bashkimi i shqiptarëve shihet si triumf i identitetit etnik apo kombëtar karshi atij qytetar. Dhe ky është thelbi i çështjes së këtij debati, si dhe i këtij shkrimi. Në këtë pikë pajtohem se e tashmja preferon dhe duhet preferuar identitetin qytetar. Pra, një identitet brenda të cilit, p.sh. në Britani, si anglezi, si skocezi, si pakistanezi, si shqiptari, si ganaiani, ndjehen britanikë.

Të qenit britanik, pra, është ombrella përgjithësuese identifikuese e të gjithë atyre qytetarëve, pa marrë parasysh identitetet më të ngushta të tyre, qofshin ato etnike, fetare etj. Në dy-tri dekadat e fundit në Evropë (të paktën në veri e perëndim të saj), çdo herë e më tepër potencohet nocioni qytetar i kombësisë (jus soli – apo e drejta e nënshtetësisë në bazë të vendit ku jeton), e më pak nocioni nacional(ist) apo etnik i kombësisë (jus sanguinis – apo e drejta e nënshtetësisë në bazë të prejardhjes).

Bashkimi qytetar

Në rastin e idesë së bashkimit shqiptar, ky është thelbi i paragjykimit. Kjo sepse parasupozohet se bashkimi i shqiptarëve do të ishte ekskluzivisht kombëtar. E unë do të thosha se nuk është e thënë të jetë vetëm kështu. Bashkimi shqiptar është edhe ide qytetare, ndërsa të qenit shqiptar është edhe identitet qytetar. Pra, është ide progresive e shek. XXI. Në ditët e sotme të globalizmit, të relativizimit të shtetit-komb, nocioni i të qenit shqiptar po ashtu po pëson evoluim. Koncepti i tij po bymehet, po bëhet më fleksibil, në mënyrë që në gjirin e tij të përfshijë e të përqafojë, ta zëmë, edhe një fëmijë me prejardhje shqiptaro-franceze, një të natyralizuar italiane, apo një fëmijë prindërish afganë që mbase do rritet në Durrës. Edhe këta janë dhe duhet trajtuar si shqiptarë.

Po ashtu, parasupozohet se bashkimi shqiptar krijon “shtet etnikisht të pastër” që gjithashtu është ide démodé. Pajtohem, shteti i pastër etnik është ide e vjetëruar, por bashkimi shqiptar nuk do të krijonte “etni të pastër”. Ashtu sikurse sot që në Kosovë e në Shqipëri jetojnë serbë, boshnjakë, turq, romë, ashkali, vllehë, etj. edhe në një shtet të bashkuar shqiptar do të bashkëjetonin po këto etni. Brenda një nocioni akomodues dhe qytetar të të qenit shqiptar, këto komunitete do të mund të përqafonin këtë identitet po aq sa do te kishin mundësi që të vazhdojnë të kultivojnë identitetet e tyre etnike, fetare, etj.

Pra, bashkimi nuk është akt që krijon tërësi të pastër, por është proces evolutiv që thellon identitetin qytetar. Për ata që insistojnë se kjo është e pamundur të bëhet, se të qenit shqiptar është i gdhendur në gurë, do të thosha se në fund të fundit, identitetet janë edhe konstrukte sociale. Ne vendosim ne ç’kuptim i japim atyre, si i modifikojmë ato, si i pasurojmë. Ne nuk jemi pranues pasivë të identitetit kombëtar, ne edhe e skalitim atë. Konform kohës, konform ndryshimeve që sjellë koha. Nga jus sanguinis drejt jus soli.

Në fund, moratoriumi kundër bashkimit shqiptar nuk duket se është i imponuar për arsye se kjo qenka “nje ide arkaike” apo se kështu krijohet  një ”shtet etnikisht i pastër”. Më lart shpalosa ca ide se pse mendoj se këto arsyetime nuk qëndrojnë. Në të vërtetë, kjo masë parandaluese është ndërmarrë nga komuniteti ndërkombëtar, para së gjithash, për të dekurajuar apo për t’i bërë ballë valës hegjemoniste për bashkim të tokave të përvetësuara si rrjedhojë e luftës, grabitjes, kolonizimit etj., të shtetit fqinj serb.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.