Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të gjera që e tejkalojnë politikën. Buxheti është më shumë sesa një planifikim i të ardhurave dhe shpenzimeve – shërben si deklaratë e qëllimeve, qëndrim politik dhe pasqyrë e performancës së qeverisë.
Së fundmi, në Parlament u miratua Buxheti i Kosovës për vitin 2025. Gjëja e parë që dallohet në buxhetin e vitit 2025 është mungesa e ambicies. Në të shkuarën, qeveritë, të prirura për t’i fituar zgjedhjet nacionale, prezantuan projekte kapitale ambicioze, shumë nga të cilët u ballafaquan me kritika për koston e lartë të tyre. Po sikur në pesë vitet e mëparshme, ky buxhet nuk përmban nisma të tilla.
Parashikimi i rritjes ekonomike për vitet vijuese nga Banka Botërore tregon se Kosova mbetet në shkallën e rritjes 3-4%. Në këtë pikë, ekspertët vlerësojnë se Kosovës mund t’i duhen 40 vite për të arritur standardin mesatar europian të jetesës.
Historikisht, qeveria e Kosovës ka pasur telashe me mirëplanifikim. Këtë vit, shkalla e zbatimit ka qenë e ulët – në 10 muajt e parë të vitit 2024, janë shpenzuar vetëm 45% e fondeve të alokuara për projekte kapitale. Megjithëkëtë, shpesh të fokusuarit mbi shumën e shpenzuar e lë në hije një pyetje më kritike: Ku po shpenzohen paratë?
Për shembull, ndonëse disa projekte infrastrukturore janë të nevojshme, buxheti përmban ndërtimin e disa shkollave në zonat rurale ku numri i nxënësve është në rënie e sipër, duke shpërfaqur kësisoj mungesë të planifikimit strategjik.
Edhe pse asnjë projekt madhor kapital nuk realizohet brenda një viti, planifikimi i tij në buxhet mund ta rrisë besimin në sektorin privat. Sidoqoftë, në vend të prezentimit të planeve të guximshme, qeveria ka zgjedhur masa populiste me mungesë të vizionit, të cilat e minojnë zhvillimin potencial afatgjatë të vendit.
Fondi Sovran i Kosovës dhe Banka për Zhvillim nuk pasqyrohen në buxhet
Vizioni afatgjatë i qeverisë për rritje ekonomike bazohet në dy nisma kyçe: Fondi Sovran dhe Banka për Zhvillim – asnjëra nga to nuk është përfshirë në buxhetin për vitin 2025.
Derisa fondet sovrane zakonisht ngriten në vende me teprica buxhetore të pasura me burime, Fondi Sovran i Kosovës do t’i menaxhonte asetet nga privatizimi dhe ndërmarrjet shtetërore, me mandat për të krijuar ndërmarrje të reja publike – qëllim paksa kundërintuitiv marrë parasysh historikun e performancës së tyre. Me mandatin katërvjeçar të qeverisë që po përfundon, Fondi Sovran mbetet jofunksional, i vonuar nga çështjet ligjore, burokratike dhe të rekrutimit.
Ngjashëm, Banka për Zhvillim synonte t’i mbështeste bizneset me kufizime kreditore, të stimulonte rritjen dhe të nxiste eksportin në sektorë të caktuar. Mungesa e alokimit të buxhetit për këto nisma nxjerr në pah mospërputhjen midis qëllimeve të qeverisë dhe planifikimit të saj fiskal, duke ngritur pyetje rreth nevojës dhe fizibilitetit të këtyre institucioneve.
Populizmi në buxhetet e vitit zgjedhor
Buxheti për vitin 2025 pasqyron trendin e njohur të populizmit të vitit zgjedhor. Në vitin 2010, qeveria ndërmori një ngritje masive të pagave prej 50% në sektorin publik, lëvizje kjo që u kritikua gjerësisht si e paqëndrueshme dhe populiste. Ndonëse kufizohet nga rregullat fiskale të miratuara pas vitit 2010, buxheti për vitin 2025 e pasqyron këtë tendencë.
Buxheti planifikon rritje të pagave dhe ndihmave sociale, që llogariten të jenë rreth 250 milionë euro – afro 2.5% e BPV-së. Edhe pse mund të sigurojnë ndihmë të menjëhershme dhe ta rrisin mbështetjen elektorale, këto masa ngrisin shqetësime serioze rreth qëndrueshmërisë afatgjatë. Ndonëse vitin e fundit inflacioni është zbutur, vala e madhe e shpenzimeve rrezikon ta rikthejë ngritjen e çmimeve në të ardhmen.
Reformat e vonuara të skemave sociale
Qeveria është angazhuar për reformimin e programeve sociale duke marrë një kredi nga Banka Botërore. Qëllimi i këtyre reformave është të standardizohen skemat e ndihmave sociale dhe të themelohet një kornizë e qartë për rritjen e tyre.
Lidhja e programeve sociale me inflacionin dhe rritjen ekonomike mund të ndihmojë në eliminimin e vendimeve të nxitura politikisht gjatë viteve zgjedhore. Thënë ndryshe, në vend të implementimit arbitrar të ndryshimeve të atypëratyshme në skemat sociale, vlera e tyre do të rritej gradualisht, duke e zvogëluar ndikimin e mundshëm në çmime.
Ngjashëm me reformat tjera të mëdha që janë premtuar, rishikimi i ndihmave sociale akoma nuk është përfunduar, duke e rritur edhe më tej listën e nismave shumë të vonuara.
Buxhet me mungesë të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë
Problematikë e dukshme me procesin e buxhetit të Kosovës është mungesa e transparencës. Në shumicën e vendeve, bashkë me buxhetin publikohet edhe një raport i hollësishëm me informata për buxhetin për t’i informuar qytetarët me përmbajtjen e tij. Në Kosovë, shpesh ky dokument shfaqet pas disa muajve dhe ofron vetëm informata sipërfaqësore.
Përveç kësaj, Kosova nuk e zbaton buxhetimin programor, qasje kjo që lidh shpenzimet qeveritare me programe specifike dhe rezultate të matshme. Kjo metodë lejon gjurmim më të mirë se si përdoren fondet publike dhe, me lidhjen e shpenzimeve me rezultate të prekshme, siguron llogaridhënie.
Ngjashëm, Kosova nuk përdorë buxhetimin gjinor – mjet jetik për vlerësimin dhe trajtimin e ndikimeve të ndryshme të politikave fiskale te burrat dhe gratë. Buxhetimi gjinor siguron që gjatë alokimit të burimeve të merren parasysh pabarazitë gjinore dhe promovon barazinë duke integruar perspektivat gjinore në të gjitha etapat e procesit të buxhetimit.
Mungesa e të dyja qasjeve e bën sfidues për publikun vlerësimin e efiçiencës së alokimeve buxhetore apo të garantuarit se burimet po shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe efikase.
Dinamika e borxhit shfaq kalimin drejt huamarrjes nga jashtë
Për të parën herë, borxhi publik i Kosovës më shumë do të mbështetet te kreditorët e jashtëm sesa te huamarrja e brendshme. Ekonomisti Paul Krugman argumenton se borxhi i brendshëm është më i qëndrueshëm sepse në thelb janë “para që duhet t’ia kthejmë vetes”, me pagesën e interesit që mbetet brenda vendit.
Ndonëse niveli i borxhit të Kosovës mbetet i menaxhueshëm dhe kreditë e huaja nuk janë shumë të kushtueshme, kalimi te huamarrja e jashtme vë në pah paaftësinë e qeverisë për të ngritur fonde brenda vendit.
Për më tepër, qeveria nuk i ka rihapur të shumëpromovuarat “Bono të Diasporës”, duke pasqyruar interesin e kufizuar të diasporës kosovare për t’i dhënë hua shtetit.
Debati i munguar
Një nga aspektet më zhgënjyese të buxhetit për vitin 2025 – po sikur me paraprakët – është mungesa e debatit kuptimplotë. Shoqëria civile, e cila duhet të luajë rolin kryesor për të kërkuar llogari për politikat qeveritare, ka qenë kryesisht e pazëshme. Ndonëse ekzistojnë disa raporte mbi buxhetin, ata kryesisht kanë mungesë të analizës kritike dhe fokusohen më shumë në aspektet përshkruese të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Masat populiste, siç janë: rritja e pagave dhe ndihmave sociale, njëherë u kritikuan si “politika për blerje të votës”, kurse tani po pranohen si “politika fiskale”. Kjo mungesë e angazhimit e dobëson llogaridhënien demokratike dhe e privon qeverinë nga reagimet konstruktive.
Për ta përmbyllur, buxheti i Kosovës për vitin 2025 nuk ofron ambicie për të ardhmen afatmesme ekonomike të vendit. Teksa e ruan disiplinën fiskale, buxheti mbetet i rrënjosur në tendencat populiste, tipike për vitet zgjedhore. Udhëheqësit e Kosovës, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të kërkojnë më shumë – jo vetëm më shumë shpenzime, por shpenzime më të mençura; jo vetëm infrastrukturë, por projekte të kualitetit më të lartë; jo vetëm numra, por vizion për të ardhmen e qëndrueshme dhe prosperuese të vendit.