Çfarë është një ndërmarrje publike? Një subjekt juridik, i cili ka për qëllim zhvillimin e veprimtarisë së caktuar për interesin publik, shërbimin tregtar dhe rritjen e profitit në të mirë të qytetarëve. Elementi i fundit është jetik për secilën ndërmarrje, por përtej këtij përkufizimi, roli i ndërmarrjes publike në një shtet është kyç për një ekonomi të zhvilluar dhe si e tillë, secila ndërmarrje publike përbën një ndër shtyllat e kapitalit të një shteti.
Sipas Ligjit NR. 03/L-087 për Ndërmarrje Publike, ajo e ushtron veprimtarinë me qëllim të rritjes afatgjate të vlerës së ndërmarrjes dhe aksionarëve. Ky Ligj thotë që këto ndërmarrje pronar të vetëm e kanë shtetin, si rrjedhojë e kësaj barra e menaxhimit bie mbi supet e qeverisë, meqë është pronare e saj. Qeveria si mekanizëm vendimmarrës i shtetit me rolin që ka duhet të kujdeset që qeverisja kooperative, ndërmarrjet publike qendrore të kenë transparencë e llogaridhënie në procesin e punës. Po ashtu, ekzekutivi duhet të kujdeset edhe për efektivitetin e profesionalizmin e tyre. Detyrë e qeverisë është edhe mbikëqyrja e performancës së këtyre ndërmarrjeve, si dhe të sigurohet për pavarësinë e tyre partiake.
Të paktën kështu duhet të jetë! Por si është në Kosovë?
Secili kryeministër që fiton një mandat katërvjeçar në ekzekutiv e bartet në katin e tretë të ndërtesës së qeverisë përballë statujës së Skënderbeut, në ditët e para të punës së tij shënjestër e ka t’i shkapë bordet.
Praktika në Kosovë tregon që çdo shef ekzekutivi ka pasur dhe vazhdon ta ketë të njëjtin mision. Për t’i kapur pastaj. Por çdo shkarkim i bordeve të ndërmarrjeve publike bëhej e bëhet në thirrjen për pastrime partiake, sepse mëtohet që drejtorët të jenë njerëz që s’kanë librezë të partisë, megjithatë, dështon të veprohet në këtë frymë.
Shqetësim nuk mbetet vetëm shtrirja e dorës së politikanëve në borde. Ata shkojnë edhe më tutje duke ndërhyrë edhe në strukturat e ndërmarrjeve pastaj. Kjo ndodh me hapjen e konkurseve, nëpërmjet të cilave tashmë janë pranuar personat “e duhur”, por kjo e dëmton demokracinë e shtetit të Kosovës dhe e mbyt barazinë e oportuniteteve, duke u thirrur në pseudobarazi dhe pseudotransparencë.
Tradita vazhdon
E përbashkëta e qeverive që nga 2017 është shkarkimi i bordeve me qëllim pastrimin nga kapja partiake, duke emëruar nga partia që është në pushtet.
Rasti më i freskët janë bordet e emëruara nga kryeministri i koalicionit LDK-AAK-Nisma, Avdullah Hoti. Si jo rrallëherë edhe entuziazmi i tij ishte luftimi i nepotizmit në borde. Nuk shkoi shumë e shkarkoi disa borde, të cilët ishin emëruar nga paraardhësi i tij, Albin Kurti, por, depolitizimi i kryeministrit që premtoi shkapjen e shtetit nuk zgjati edhe shumë.
Vetë Hoti emëroi njerëz partie në ndërmarrje publike, duke ndërtuar kështu një kontradiktë të fortë mes premtimeve e veprimeve. Fadil Aliun, që mbante numrin 91 në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në listë të LDK-së, kryeministri Hoti e emëroi në Bordin e Përkohshëm të Postës së Kosovës. Por, Aliu nuk është i vetmi që nën logon e LDK-së ka marrë pozitë në ndërmarrje publike.
Edhe Brahim Selimaj që garonte në zgjedhje nën moton e partisë së kryeministrit, “Beso”, të hënën e tretë të tetorit u emërua në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Hekurudhat e Kosovës-Infrakos”. Në vazhdën e këtyre politizimeve hyri edhe miratimi i vendimit për vazhdimin e mandatit të djalit të deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri, Ardian Gaxherri, në pozitën e anëtarit të bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil. Hoti futi njerëz të LDK-së edhe në bordin e KEK-ut. Këtu emëroi anëtarin e LDK-së, Musa Misini, si kryesues i bordit.
Por në listë të emërimeve nuk hynë vetëm ata të emëruar që i përkasin taborit të LDK-së. Kryeministri u përkujdes të fusë në borde edhe anëtarë të partisë së partnerit të tij në qeveri, Ramush Haradinaj. Në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes publike “Trepça” Hoti vendosi Esat Pecin, ish-asamblist i AAK-së në Mitrovicë. E këtu pa hise në borde nuk mbeti as Nisma. Në mbledhjen e Qeverisë, të datës 7 tetor, aktivistja e partisë së Fatmir Limaj, Elda Maloku, u emërua anëtare në bordin e përkohshëm të Postës.
Megjithatë, kryeministri nuk i ndal deklaratat e tij në emër të luftimit të korrupsionit duke thënë “s’keni parë gjë akoma”. E kësaj valle të kapjeve nuk i shpëtoi as paraardhësi i Hotit, Albin Kurti. Liderit të Vetëvendosjes nuk i ka rënë edhe shumë ta mbajë pozitën e të parit të ekzekutivit.
Edhe Kurti mëtonte të shkapte shtetin duke i shkapur bordet, megjithatë në një mënyrë edhe ai përfundoi duke i kapur ndërmarrjet publike. Kurti pranoi që katër anëtarët e emëruar në borde nga ai kanë librezë të Vetëvendosjes. Por tha që partia s’ka gisht në emërimin e tyre. Ish-kryeministri Kurti e vendosi në pozitën e kryesuesit të bordit të drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ish-kandidatin për deputet të Vetëvendosjes, Mentor Hyseni.
Ai e rehatoi edhe ish-udhëheqësin e Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë, Abdullah Lala, duke e emëruar drejtor të Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”. I treti i Vetëvendosjes që Kurti e emëroi kryesues dhe drejtor i Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” ishte Enis Berisha. Lideri i Vetëvendosjes këto emërime i përmbylli me Blerton Abazin, një përkrahës i tij, që u emërua drejtor në bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Posta e Kosovës.
Hallka e zinxhirit kapës të shtetit shkon më larg se kaq. Tradita e uzurpimit të bordeve nuk ndalet vetëm të këta kryeministra, të cilët njëri më pak e tjetri më shumë ndikuan në politizimin e ndërmarrjeve publike. Militantë partiakë u shpërblyen për punën e partisë me emërime në borde edhe në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Këtë e dëshmon edhe njëra ndër aferat më të mëdha korruptive në Kosovën e pasluftës, “Pronto”. Teksa këto pozita në ndërmarrje publike ndaheshin edhe me kontrata që lidhnin partitë politike para se të pajtoheshin për bashkëqeverisje me rastin e ndarjes së posteve politike mes vete. Në vitin 2015, edhe koalicioni PDK-LDK vendosi njerëz të tij në borde. Naser Canolli, që atë kohë ishte pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së, u emërua anëtar i bordit të Aeroportit të Gjakovës. Në këtë bord po ashtu u emërua edhe Zenun Shala, i cili ishte kandidat për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e LDK-së.
Ndërkaq, emërimet e LDK-së nuk ndalen këtu. Edhe në bordin e ndërmarrjes publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) u emëruan dy ish-kandidatë atë kohë të LDK-së për deputetë, Drita Koxheli e Musa Misini. Përveç emërimeve partiake si shqetësuese gjatë viteve u pa edhe afërsia familjare, e cila ligjërisht nuk përbën shkelje të ligjit, por që po e mbyt parimin e barazisë në konkursin publik.
Fati i këtyre shkapjeve të ndërmarrjeve publike mbetet përsëri në duart e atyre që i kapin. Shpresë këtu mbetët vetëdijesimi për kthimin e motivit tek qytetarët për barazi e integritet e tek vetë efektiviteti i ndërmarrjeve.