Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Darkën ose partinë?

Ballafaqim me të vërtetat në hije

“Pse nuk ka një grua sot këtu, të gjithë jeni burra?” iu drejtua një paneli një vajzë nga audienca e cila si në shenjë proteste nuk e shfrytëzoi mundësinë të ulej në karrigen e zbrazët së bashku me panelistët në skenë, ku mund të uleshin të gjithë pjesëmarrësit që donin t’u drejtonin pyetje atyre. Paneli përbëhej nga përfaqësues nga komuna të ndryshme të Kosovës që ishin ftuar të diskutonin me të rinjtë lidhur me aktivizmin e tyre në vend. Meqenëse të ftuar ishin vetëm nga një përfaqësues nga çdo komunë, të gjithë panelistët ishin burra – kjo përbërje sikur pasqyronte të kuptuarit e barazisë gjinore në përfaqësim e pjesëmarrje në jetën publike; barazia gjinore si luks, mund të realizohet vetëm atëherë kur ka ‘një ulëse më shumë‘ – një ulëse e vetme, gjithsesi u takon burrave.

Përgjigja në pyetjen e vajzës, e vonuar disa sekonda që ndiheshin të gjatë në mes të panelistëve të cilët në çdo formë tentonin t’i iknin pyetjes dhe t’ia kalonin tjetrit barrën e përgjigjes, sikur ua pëkujtoi pernjëheri se mungesa e grave në të tilla ngjarje nuk ishte më normalja – vërehej. Përmes kësaj pyetje shpalosej ajo që në të shumtën e rasteve mbetet e padukshme për burrat në pozitën e tyre, gjinia e tyre. Kështu të stepur, ndoshta ngase nuk kishin një përgjigje, apo ndoshta ngase kishin një të tillë për të cilën e dinin se nuk mund të thuhej hapur para një audience, mund të ishte një nga ato përgjigjet që do të rrezikonte t’i shpërfaqte bindjet e tyre se në fund të fundit ‘pse do të duhej të ishin gratë aty?’

Njëri nga ta, si qingj sakrifice, vendosi të përgjigjej duke thënë “gratë nuk duan të jenë pjesë të politikës”, se ata, burrat si ai, i kanë ‘ftuar’ shumë herë ‘ato’, por “ato nuk pranojnë“.

Më erdhi të ngrihem e t’ia rendis arsyet e pafundme pse një grua edhe mund të mos pranoj të bëhet pjesë e një strukture të tillë dominuar nga burrat si ai, por nuk fola, sepse e dija se nuk do të kuptohesha, qëllimshëm. Sidoqftë, pasi përfundoi paneli, u sigurova të takoja atë zyrtar, të cilin edhe ashtu e njihja prej më parë. U ulëm për një kafe me të dhe të tjerë nga komuna që kishin ardhur ta shoqëronin, edhe ata të gjithë burra, në bisedë e sipër e kthej diskutimin te pyetja e vajzës nga audienca pak më parë dhe e pyes, “kush nga ju shkon në takimet e partisë, ti apo bashkëshortja?”, tha “unë, normalisht. Po çka ka lidhje kjo?”, vazhdova, “po në takimet e këshillit të fshatit kush shkon?”, më tha “gratë nuk shkojnë në ato mbledhje”, e pyeta “pse?”, dhe sikur të më lexonte mendjen, më ktheu përgjigjen duke e thënë pikërisht atë që unë po përgaditesha t’i thoja pasi të përgjigjej sepse unë e dija faktin që takimet e këshilleve të fshatrave bëhen zakonisht në orët e mbrëmjes, duke e arsyetuar mos-pjesëmarrjen e grave në këto takime, i çliruar se tani nuk ishte para një audience, duke aluduar në pamundësinë e grave për t’u angazhuar në aktivitete të tilla jashtë shtëpisë për shkak të pritshmërive ndaj tyre që lidhen me rolin e tyre gjinor, mundësi që gjithsesi u takojnë burrave, më tha “e kush me e bo darkën për to?”

Kush e gatuan darkën që hamë?

“Si e siguroni darkën tuaj?” është pyetja fundamentale ekonomike të cilën e parashtron Adam Smith në librin e tij Pasuria e Kombeve. Sipas tij, darkën nuk e sigurojmë falë dashamirësisë së kasapit apo bukëpjekësit, por nga interesi që ata kanë për ta na e siguruar neve atë. Është pikërisht ky interes vetjak i secilit për të vepruar në një formë të caktuar që paraqet forcën udhëheqëse të ekonomisë sipas tij.

Në diskutimet e tilla politiko-ekonomike mbi atë se si e sigurojmë darkën që hamë dhe çfarë interesa vetjake ka secili i përfshirë në këtë proces; konsumimin dhe prodhimin, e ushqimit, janë disa pyetje fundamentale që mungojnë: kush e gatuan darkën që hamë? Çfarë interesi vetjak kanë personat që e gatuajnë atë? Sa kohë shpenzohet në këtë aktivitet dhe ku ndodh?

Nëse sipas Smith, njerëzit vendosin të kryejnë aktivitete të caktuara bazuar në interesin e tyre; interesi i atyre që konsumojnë ushqimin është i dukshëm, mbijetesa. I atyre që e prodhojnë mbetet ose konsumi i atij ushqimi ose shitja apo shkëmbimi i tij për të mira të tjera të nevojshme, por për ata persona që e gatuajnë atë? Këto janë pyetje që janë shtruar nga filozofet feministe për kohë të gjatë tashmë por në përgjithësi duket sikur këto pyetje menjanohen qëllimshmëm nga diskutimet ekonomike apo politike, shpesh duke u thirrur në pamundësinë për ta matur këtë aktivitet, argument ky që lehtë mund të kundërshtohen duke konsideruar faktin që kur ky aktivitet zhvillohet jashtë shtëpisë, matet në terma ekonomik dhe shpërblehet si punë, kurse e njejta nuk ndodh kur ky aktivitet kryhet brenda në shtëpi, në sferën private, aty ku në të shumtën e rasteve kryhet nga gratë.

Duke u lidhur me pyetjen fundamentale të Adam Smith se si e sigurojmë darkën që hamë, shkrimtarja feministe Katrine Marcal shkon një hap tutje dhe pyet “Kush i gatoi darkën Adam Smith-it?”, kjo për të vënë në dukje se si “Babai i ekonomisë” i cili pozoi pyetjen se si ta bëjmë ekonominë kapitaliste më humane dhe të kuptimshme, nuk e përfshiu në analizën e tij atë veprimtari bazike që në fund të fundit e vë në lëvizje të gjithë ekonominë. Por për të kuptuar thelbin e aktivitetit ekonomik të njeriut përpos që e mendojmë se si sigurohet darka, duhet të mendojmë se kush e gatuan atë darkë?

Marcal thotë, përderisa Adam Smith shkruante për ekonominë dhe besonte se të gjitha veprimet tona bazohen në interes vetjak dhe bota sillet rreth profitit financiar, ai një detaj harronte, që ishte nëna e tij që i gatuante atij darkën çdo natë.

Është kjo pyetje që vazhdon të injorohet edhe sot, por ne pyesim, kush e gatuan darkën e burrave që shkojnë në mbledhjet e partive në mbrëmje? Madje shkojmë edhe më largë dhe pyesim, çfarë humbin gratë që gatuajnë, çfar tjetër do të mund të bënin ato në këtë kohë, përpos që do të mund të merrnin pjesë në këto takime? Shumë e rëndësishme poashtu, cilat janë pasojat për gratë që mund të mos gatuajnë në një shoqëri që pret prej tyre të kryej këtë veprim pa ndonjë interes konkret vetjak?

Zgjedhje?

Në pyetjen e parë, kush e gatuan darkën e burrave që ndjekin takimet e partive, përgjigjem e dijmë nga shtëpitë tona, e nga vetë burrat që na tregojnë, janë gratë ato që e bëjnë këtë.

Një parim tjetër ekonomik shumë i rëndësishëm na ndihmon t’i përgjigjemi pyetjes së dytë, poashtu për të kuptuar peshën e këtij aktiviteti të ‘padukshëm’, gatimit, është koncepti i kostos oportune. Ky parim themelor i ekonomisë tregon se çdo zgjedhje ka një kosto opportune, apo ne kemi një mundësi të humbur për çdo gjë që zgjedhim të bëjmë në vend të diçkaje tjetër.

Për gratë, që gatuajnë mëngjes, drekë, darkë në shtëpi, dhe që nuk llogariten se e bëjnë këtë punë, kosto oportune e përgaditjes së mëngjesit, drekës, e darkës, është pjesëmarrja e tyre në jetën publike, të cilën burrat e bëjnë në një formë ose tjetër përgjatë kohës që ato janë duke gatuar. Sidoqoftë, kur e mendojmë parimin e kostos oportune, supozohet se personi mund të zgjedh në mes alternativave, prandaj nëse një grua do të zgjedhte të qëndronte në shtëpi dhe të gatuante duke e ditur se çfarë humbet në vend të saj, kjo nuk do të ishte problemi, por nëse një grua nuk mund të zgjedh, e që janë shumica, për arsye të ndryshme zakonisht kulturore, sociale, gjinore, ajo mirret si e mirëqenë.

Përderisa burrat marrin pjesë në mbledhjet e partisë, gratë duhet të zgjedhin, darkën ose partinë?

Por a mund të themi se gratë kanë një zgjedhje përderisa pasojat e “zgjedhjes” së tyre përfshijnë edhe dhunën që i bënë ato të përfundojnë në spital, e në rastin më të keq edhe të vdekura. Në një rast të raportuar në fund të vitit 2018, u raportua se një burrë “bëri gruan për spital” sepse ajo ia vonoi çajin. Prokuroria në Ferizaj ngriti aktakuzë ndaj të pandehurit J.K, i cili e sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij duke e kapur për flokë fillimisht dhe duke e goditur për lavamani me kokë disa herë rradhazi. Në raportim thuhej “e dëmtuara në ditën kritike derisa kishte qenë duke i shërbyer çaj të pandehurit e njëkohësisht duke përgatitur mëngjesin për fëmijët, nuk kishte arritur që t’i shërbej në kohë të pandehurit, me ç’rast të njëjtës i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore”.  Duke e konsideruar këtë rrezik dhe këto pasoja për gratë, numrin e lartë të raportimeve të dhunës ndaj tyre, si dhe numrin edhe më të lartë të rasteve që nuk e raportojnë dhunën, a mund të themi që shumica e tyre në fakt kanë një zgjedhje në mes të darkës ose partisë?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.