Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Debati për dialogun ende midis reales dhe ideales

Debati mbi dialogun me Serbinë ende vazhdon të jetë i mbushur me emocione e iluzione e nuk po merr trajtimin e duhur realist që do duhej të merrte. Fatkeqësisht një pjesë e mirë e zërave publikë dhe e shoqërisë sonë është ende duke shpresuar se do të ketë në këto kohëra një marrëveshje me Serbinë që të reflektojë të vërtetën historike dhe që të adresojë padrejtësitë e vuajtjet që na janë shkaktuar. Pra shpresojnë në mënyrë naive se serbët aktualisht do të pranonin të firmosnin një marrëveshje që do e ndëshkojë Serbinë për krimet e bëra dhe që do na kompensojë sadopak për dhimbjet që kemi kaluar e plagët që ende nuk na janë mbyllur. Një marrëveshje kjo që mund të jetë e dëshiruar dhe e drejtë për ne, por që vështirë se do ishte e mundur.

Një ndër problemet kryesore në këtë sjellje ka të bëjë me mungesën e qasjes së realpolitikës ose paaftësinë për të kuptuar se, sikurse thoshte Bismarku në 1867, politika është arti i të mundshmes. Me realpolitikë nënkuptohet politika apo diplomacia që vepron mbështetur në kushtet, rrethanat apo faktorët e tjerë ndikues të realitetit e jo bazuar në nocione specifike ideologjike, parimore apo morale.  Sot termi “realpolitik” në marrëdhëniet ndërkombëtare përdoret kryesisht për të përshkruar një qasje realiste apo më saktë të politikës të mbështetur tek fuqia. Ndërsa në politikën e brendshme përdoret kryesisht në kuptimin e shmangies së perfeksionizmit, pra të qëndrimit “ose gjithçka ose asgjë”. Me realpolitikë nënkuptohet se qëllimi është që të mjaftohesh duke marrë diçka që është shumë e mirë duke patur parasysh rrethanat, pra realen, e mos të bllokohesh duke pritur pafundësisht për të marrë të përsosurën apo idealen. Kjo do të thotë që politika ka të bëjë me arritjen e kompromisit apo me negocimin e konsensusit dhe bashkëpunimit midis fraksioneve që kanë interesa apo qëndrime të ndryshme.

Ekziston mbase në mënyrë të përjetshme një hendek apo një pamundësi përputhje mes reales dhe ideales. Idealja do padyshim do të ishte që Serbia të vetëdijësohej për krimet e bëra, të pendohej e të kërkonte falje. Po ashtu ideale do të ishte që qeverisë dhe popullit serb, t’i brehej ndërgjegja për vuajtjet e shkaktuara dhe krimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe të na pranonte si shtet pa kushte madje duke ofruar që të na dëmshpërblente. Do të kishte qenë ideale që serbët të kishin atë vetemancipim të lartë e kurajo për të pranuar të vërtetën e hidhur sa lideri i tyre të vinte në Prekaz e të përkulej në gjunjë në Prekaz siç ndodhi me të famshmen Warschauer Kniefall të kancelarit Vili Brandt në Varshavë në 7 dhjetor 1970. Është ëndërr që të shpresohet që sikurse Brandti, një udhëheqës serb të vinte të përkulej e të thoshte fjalët emblematike të thëna prej Brandit për homazhin që bëri “Nën peshën e historisë së kohëve të fundit, bëra atë që bëjnë njerëzit kur fjalët mungojnë.” Mirëpo realiteti është ndryshe dhe e ardhmja e afërt nuk premton se do të sjellë ndonjë ndryshim të madh. Ne kemi fqinj si Greqia që edhe pse janë pjesë e BE-së prej 38 vjetësh ende nuk kanë reflektuar e shprehur keqardhje e aq më pak pendesë për krimet ndaj shqiptarëve çamë para mbi 7 dekadash. A mos duhet vallë të presim pafundësisht deri sa Serbia të bëhet Gjermani e të kërkojë falje që ne t’i japim fund konfliktit të ngrirë me këtë vend.

Po ashtu idealja do të ishte që SHBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe aleatët tanë të tjerë ta detyronin Beogradin që të vazhdonte dialogun pavarësisht taksës. Në fund të fundit është e padrejtë sepse Kosova e ka vazhduar dialogun pavarësisht provokimeve të shumta si ajo në urën e Ibrit apo treni rus si dhe pavarësisht ofensivave bllokuese në arenën ndërkombëtare si ajo në UNESCO e INTERPOL.  Pra e dëshirueshme për ne do ishte që presioni të fokusohej në Serbi për të vazhduar dialogun e jo tek ne për ta suspenduar taksën në mënyrë që Serbia të kthehet. Mirëpo ja që realiteti është ndryshe. Pavarësisht argumenteve tona, aleatët tanë kanë këmbëngulur, në mënyrë të qartë e pa ekuivoke, se është Kosova ajo që duhet të tregojë vullnet të mirë duke e suspenduar taksën për t’i dhënë një shans dialogut. Prandaj dëshirat tona duhen lënë mënjanë e duhet bërë ajo që është e duhura dhe reale.

Mungesa e realizmit apo iluzioni që po ushqehet nga një pjesë e mirë e opinion-bërësve sot është se Perëndimi ende do të vazhdojë të na trajtojë si viktimë e do ta mbajë krahun tonë, meqënëse 20 vjet më parë kemi qenë pre e një regjimi gjakatar. Ne për një kohë të gjatë kemi përfituar falë humanitetit, solidaritetit dhe bujarisë ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që shumë të mendojnë se kjo gjë do të vazhdojë pafund dhe se po ashtu perëndimi ka për të vazhduar edhe pas dy dekadave që ta penalizojë Serbinë për krimet e periudhës së Millosheviqit. Mirëpo sot jemi në një situatë ku evropiano-perëndimorët aleatë nuk po ia dalin dot të ndryshojnë qëndrimin e Spanjës dhe katër anëtarëve të tjerë të BE-së që nuk na njohin, e jo më të presim që me presion të ndryshojnë pozicionin e Serbisë. Aleatët tanë e kanë bombarduar Serbinë që të na garantojnë lirinë por nuk kanë ndër mend ta bombardojnë prapë për të na siguruar njohjen e pavarësisë sonë.  Ne vetë, për të qenë me këmbë në tokë, nuk kemi fuqi që ta detyrojmë Serbinë të na njohë. Tarifa doganore 100% na jep neve vetëbesim e respekt për veten mirëpo nuk ka ndonjë peshë të madhe dëmtuese tek ekonomia e Serbisë ku importet tona zënë vetëm 2.5% të totalit të eksporteve serbe. Për mos të folur pastaj që kohëve të fundit po shikohet një lulëzim e kontrabandës së Serbisë, gjë që ia minimizon akoma më shumë efektin detyrues taksës që ka vënë Kosova.

Një pjesë e mirë e shoqërisë ende nuk arrin ta kuptojë se modeli evropian nuk është ai i të ngelurit peng tek hatërmbetja e urrejtja e së kaluarës por tek ndërtimi i paqes konstruktive e të qëndrueshme për të ardhmen. Traktati i Parisit që sanksionoi krijimin e Komuniteteve europiane të Qymyrit dhe Çelikut e që konsiderohet zanafilla e apo gjeneza e Bashkimit Evropian të sotshëm, u nënshkrua 18 prill 1951. Kjo do të thotë më pak se 6 vite prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore apo luftës më gjakatare që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Robert Shuman, një nga ideatorët e këtij projekti shprehej se “Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak. Nga ky vetëdijësim i paguar kaq shtrenjtë, ne duam të ecim në rrugë të reja, që na çojnë në një Evropë të bashkuar dhe në paqe.” Prandaj propozoi që industritë që përbënin bërthamën e armatimit e municioneve, çelikut dhe qymyrit, të administroheshin në mënyrë të përbashkët në mënyrë që të ndërtohej një lidhje e ngushtë e ndërvarësi të thellë mes ish-armiqëve gjë që do e bënte të vështirë rikthimin e konfliktualitetit mes tyre.  Në këtë mënyrë Franca e Gjermania që kishin bërë tre luftëra gjakatare brenda 7 dekadash vendosën që pa kaluar 6 vjet pra pa u mbyllur ende plagët e luftës së fundit, të ndërtonin një kapitull krejt të ri bashkëpunimi. Kjo qasje u shtri mandej në sfera të tjera duke sjellë këtë institucion supra-nacional që kemi sot. Në vitin 2012 Bashkimi Evropian mori çmimin Nobel për paqe pikërisht sepse është një projekt i suksesshëm i mbylljes së kapitujve të kaluar të konflikteve dhe ndërtimit të një niveli të lartë bashkëpunimi, ndërvarësie e solidariteti në të gjitha rrafshet e qeverisjes.

Me pak fjalë është e vështirë që eurokratët të na kuptojnë apo të na mbështesim kur kërkojmë të sillemi ende si viktima për një luftë të para 20 vjetëve ndërkohë që ata vetë janë mësuar që të bëjnë paqe, të hedhin pas e të mbyllin kapitujt e konflikteve (luftëra që kanë qenë edhe më gjakatare se yni) brenda shumë pak vitesh. Ndërkohë që ne kultivojmë ende sensin e marazit ndaj Serbisë, imazhi i këtij shteti për BE-në ka ndryshuar në mënyrë radikale tanimë që kanë kaluar 20 vjet prej luftës.  Serbia sot është goxha afër finishit për sa i përket integrimit evropian. Në fakt negociatat për anëtarësim i ka hapur që në 2014, ka marrë datë potenciale anëtarësimi vitin 2025 dhe vetëm gjatë 8 viteve të fundit ka pasur si investimet e drejtpërdrejta prej vendeve të BE-së mbi 11 miliardë euro. Po ashtu shumica e brezave të vjetër të politikanëve apo zyrtarëve evropianë që kanë qenë në dijeni të vuajtjeve shqiptare nën ish-Jugosllavi janë zëvendësuar prej kohësh. Për këtë arsye është vështirë që të përfitohet keqardhje e favorizimi nga ata eurokratë të tanishëm ndërkohë që sot ka kriza humanitare dramatike aktuale si ajo e Sirisë që janë më të mprehta e kërkojnë shumë më tepër vëmendje e dhembshuri.

Për të gjithë ata që sot flasin me tone të ndezura nacionaliste duke kërkuar hakmarrje e jo paqe duhet thënë se studimi i historisë së luftërave të shekullit të kaluar ka nxjerrë në pah se konfliktet janë përmbyllur me tre lloje paqeje. Forma e parë është paqja ndëshkimore apo shpaguese ku fitimtari e ndëshkon kundërshtarin humbës e detyron të shlyejë koston e luftës dhe i imponon detyrime të rënda që ia pamundësojnë rimëkëmbjen dhe e bëjnë të vështirë që kjo palë të përbëjë kërcënim për fitimtarin në të ardhmen. Ky është lloji që do të preferente ky segment i shoqërisë por që është vështirë i pranueshëm sot. Lloji i dytë është paqja adoptive ku fitimtari pas konfliktit ndërmerr një lloj sjelljeje kujdestare apo birësuese ndaj vendit të humbur dhe kujdeset që ta rimëkëmbi e transformojë. Shembull tipik është Koreja e Jugut, Japonia, RFGJ-ja apo Italia e pas-luftës ku trupat pushtuese amerikane u kujdesën për rimëkëmbjen ekonomike dhe ndërtimin e demokracive liberale.  Qasja e tretë dhe më e pranueshme për sot është ajo e paqes konstruktive ku fitimtari kujdeset që pala e humbur të trajtohet me dinjitet dhe e ndihmon për të ndryshuar sistemin qeverisës e për të ndërtuar një raport miqësor në të ardhmen. Pra nuk merren hapa ndëshkimorë për të shmangur krijimin e mllefeve e marazeve që në të ardhmen mund të shërbejnë si motive për ripërsërtijen e konflikteve.

Kur flitet për rreziqet e paqes ndëshkimore, shembulli kryesor që përdoret nga studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare është traktati i paqes së Versajës. Faktikisht pas fitores Prusisë me Francën në 1871, Bismarku vendosi kushte të rënda për mbylljen e luftës duke imponuar dëmshpërblime prej 5 miliardë frangave për të paguar kostot e luftës si dhe duke aneksuar Alsasë-Lorenën. Nga ana tjetër pasi fitores së Luftës së Parë Botërore, Franca jo vetëm që ktheu territorin e marrë në 1871 por edhe mori në kontroll zonën mineralmbajtëse të Ruhrit. Po ashtu imponoi dëmshpërblime të rënda e kufizime të shumta të cilët pak vite më pas fermentuan zemërimin që solli në pushtet Hitlerin dhe shkaktoi Luftën e Dytë Botërore. Për këtë arsye paqja ndëshkimore që doli nga konferenca e paqes në Versajë konsiderohet si një ndër dëshmitë më bindëse për dëmet që sjell kjo lloj paqeje hakmarrëse. Prandaj amerikanët, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm që nuk mbajtën një qëndrim nëpërkëmbës ndaj Gjermanisë por e bënë pjesë të Planit Marshall të ndihmës bujare për rimëkëmbjen prej shkatërrimeve të luftës.

Sot, në Shtetet e Bashkuara, tek aleatët e tjerë perëndimor  dhe në mbarë botën demokratike, është çimentuar tashmë bindja se paqja konstruktive është forma më e pëlqyeshme dhe më efikase për të mbyllur një konflikt pasi krijon një atmosferë  miqësore jetëgjate mes vendeve. Në rastin e Kosovës, mbështetja për pavarësinë tonë mund të konsiderohet tashmë si një formë e paqes ndëshkimore. Pra mund të konsiderohet deri diku se Serbia tashmë është ndëshkuar për krimet e bëra nëpërmjet mbështetjes së pavarësimit të Kosovës.

Megjithatë konflikti i Kosovës me Serbinë ngelet ende aty i pazgjidhur, gradualisht po transformohet në një konflikt të ngrirë me kosto oportune të pallogaritshme për Kosovën. Prandaj ka ardhur koha që të qëndrojmë me këmbë në tokë, të lëmë mënjanë dëshirat apo ëndrrat apo shpresën për një zgjidhje ideale për ne. Ka ardhur koha që të dëshmojmë maturi e dituri si dhe kurajo për ta pranuar realitetin si është e për të vepruar me pragmatizëm duke synuar përmbushjen interesave tona shtetërore. Ka ardhur koha për ta kuptuar dhe pranuar se konflikti me Serbinë mund të mbyllet njëherë e mirë vetëm me një paqe konsensuale konstruktive ku edhe pala tjetër serbe të ketë arsye apo leverdi për ta nënshkruar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.