Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dekada e humbur: stagnimi i pagave në Kosovë

Rritja ekonomike e dekadës së fundit nuk është reflektuar mjaftueshëm në rritjen reale të pagave në Kosovë. Rritja e pagave ka ndodhur kryesisht në terma nominalë (pa marrë parasysh efektin e inflacionit). Pra, rritja reale e pagës mesatare është pothuajse e pavërejtshme. 

Paga reale mesatare është indikator i rëndësishëm në ekonomi, duke shërbyer si tregues i përparimit ekonomik të një vendi. Ajo pasqyron fuqinë blerëse të punëtorëve, duke u mundësuar atyre përmirësimin e cilësisë së jetës, investimin në arsim, shëndetësi dhe banim, mes të tjerash. 

Në një kuptim më të gjerë, rritja e pagave reale tregon një ekonomi më produktive, ku fitimet ndahen në mënyrë të barabartë dhe nuk përqendrohen vetëm në një grup të caktuar. Rrjedhimisht, mungesa e rritjes reale të pagave përbën një kërcënim për nivelin e pabarazisë dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Rritja e mesatares së “pagës nominale” kundrejt rritjes së “pagës reale”

Në Kosovë, paga mesatare nominale ka arritur vlerën prej 506 euro neto më 2023. Kjo rritje, në masë të konsiderueshme, është ndikuar nga përmirësimi i pagave në sektorin privat, i cili vitin e kaluar arriti vlerën prej 459 euro neto në muaj.

Në vitin 2023 ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave, i cili po ashtu ka ndikuar rritjen e pagës mesatare nominale. Siç shihet edhe në figurën më poshtë, krahasuar me vitin 2020, ky ligj nuk pati efekt real në pagën mesatare të punëtorëve të sektorit publik.

Rritja e pagës nominale shpjegohet nga dy faktorë kryesorë: emigrimi dhe rritja e inflacionit. Trendet e larta të emigrimit kanë shkaktuar mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në disa profesione, duke ushtruar presion për përmirësimin e kushteve të punës, si dhe rritjes së pagave. 

Po ashtu, rritja e inflacionit në nivele rekord ka ndikuar në rritjen e pagave mesatare nominale. Natyrisht, në disa sektorë specifikë, siç është sektori i teknologjisë, pagat mund të jenë rritur skajshëm për shkak të kërkesës nga tregjet e jashtme, por ky sektor është shumë i vogël për të ndikuar ndjeshëm në pagën mesatare në nivel vendi.

Sidoqoftë, kjo rritje e pagave mesatare në vitet e fundit ka ndodhur vetëm në terma nominalë, pasi kur i përshtatim me indeksin e çmimeve të konsumit, nuk ka pasur rritje të pagës mesatare reale që nga viti 2018.

Grafiku më poshtë tregon trendin e pagës mesatare në mënyrë të përgjithshme dhe sipas sektorit privat dhe publik përgjatë 11 vjetëve të fundit:

Cilat janë pasojat potenciale për Kosovën?

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të paraqitura në grafik tregojnë se pagat mesatare reale nga viti 2012 janë rritur mesatarisht për vetëm për 1% në vit. Me fjalë të tjera, gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur një rritje të pagës reale prej 42 euro, ose mesatarisht rreth 3.8 euro në vit.

Kjo përbën një shqetësim serioz, pasi stagnimi i pagave do të thotë se aftësia e punëtorëve për të përmbushur nevojat e tyre mbetet e njëjtë. Kjo ul kërkesën e brendshme dhe me kalimin e kohës e ngadalëson rritjen ekonomike, duke krijuar një cikël të ngadalshëm mes produktivitetit dhe rritjes së pagave.

Pasojat e stagnimit të pagave reale janë më të thella sesa thjesht ndikimi në konsum. Një nga efektet më shqetësuese është rritja e emigrimit. Kosova, si shumë vende të tjera të Ballkanit, ka përjetuar rritje enorme të emigrimit, veçanërisht mes të rinjve dhe profesionistëve. Këta të rinj nuk largohen vetëm për paga më të larta, por për një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi profesionale.

Nëse pagat reale në Kosovë nuk rriten, vendi do të përballet vazhdimisht me largimin e rinisë dhe profesionistëve, gjë që e ul potencialin ekonomik të vendit, duke e dobësuar më tej ekonominë.

Si krahasohet Kosova me vendet e tjera?

Raporti i Pagave i Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregon që rritja mesatare e pagave reale në vendet në zhvillim, në periudhën para pandemisë, ka qenë rreth 3% në vit. 

Disa vende të Azisë kanë përjetuar rritje edhe më të madhe. Për shembull, pagat mesatare reale në Kinë janë dyfishuar në dekadën e fundit, me një rritje prej 9-10% në vit. Norma të ngjashme rritjeje janë regjistruar edhe në Indonezi dhe Vietnam.

Në nivel rajonal, sipas një raporti të Bankës Botërore, Kosova ka ngecur në nivelin e pagave reale, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Shqipëria dhe Bosnja kanë pasur rritje të pagave dy herë më të madhe sesa Kosova, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë përjetuar rritje pothuajse trefish më të madhe. 

Kjo ngecje e vazhdueshme e rritjes së pagave reale, mbi të gjitha, tregon për modelin ekonomik të vendit, i cili është i paaftë të krijojë vende të punës që bazohen në sektorë produktivë dhe inovativë.

Çfarë politika duhet të ndërmerren? 

Për të mundësuar përmirësimin e pagave reale në vend, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në përpilimin e një strategjie efektive. Në zemër të çdo strategjie për rritjen e pagave reale duhet të jetë krijimi i vendeve efektive dhe produktive të punës. 

Krijimi i këtyre vendeve të punës bazohet në një strategji të zhvillimit që vë produktivitetin në qendër. Në Kosovë, pjesa më e madhe e fuqisë punëtore është e përqendruar në sektorë me paga të ulëta, si tregtia me pakicë, gastronomia dhe ndërtimi. Këta sektorë janë të njohur për pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për avancim dhe kushtet e pasigurta të punës. 

Për të ndryshuar këtë dinamikë, politikëbërësit duhet të nxisin krijimin e vendeve të punës në sektorë me paga të larta, si teknologjia e informacionit, financat dhe shërbimet digjitale.

Vendet që kanë parë rritje të qëndrueshme të pagave kanë ndërtuar një bazë të fortë të industrive të kualifikuara dhe me produktivitet të lartë. Në të kundërtën, ekonomitë që mbështeten kryesisht në sektorët e ulët të aftësive kanë vështirësi në gjenerimin e rritjes së nevojshme të pagave për përmirësimin e standardeve të jetesës.

Kosova nuk mund ta përballojë edhe një dekadë tjetër me paga të stagnuara. Megjithatë, pa një shtysë të fortë për të rritur pagat, vendi rrezikon të ngecë në një kurth të pagave të ulëta dhe produktivitetit të dobët, gjë që do të pengojë zhvillimin afatgjatë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.