Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dialogu Kosovë-Serbi: një “sagë” ballkanike nën hundën e BE-së

Në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të filluar tash e 11 vjet, palët kanë arritur që t’i nënshkruajnë mbi 30 marrëveshje e një pjesë të mos i zbatojnë edhe vite pas arritjes së tyre, ndërkaq qëllimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli – pra, normalizimi i marrëdhënieve – akoma nuk ka ndodhur. Madje, duket ende si diçka e largët.

Mirëpo, përderisa në të kaluarën palët dialoguese e kanë pasur mundësinë të mos përkushtohen seriozisht në procesin e dialogut, lufta në Ukrainë ka rishfaqur në diskurs rëndësinë për paqe dhe rrezikun për përshkallëzim.

Përgjatë këtyre 11 viteve të dialogimit, ndërmjetësi – Bashkimi Europain – është treguar i paaftë për të garantuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Duke e pasur parasysh edhe mënyrën komplekse të funksionimit të BE-së, vendimmarrja nuk ka qenë e lehtë, ndërsa konsensusi brenda BE-së mbetet i vështirë për t’u arritur. Për ta kuptuar arsyen për këtë, është e nevojshme të elaborohet funksionimi i BE-së; e për këtë duhet të kemi parasysh fillimisht se BE-ja përbëhet nga disa organe që e rregullojnë funksionimin e saj. Ato janë: Këshilli i Europës, Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Bashkimit Europian (i njohur edhe si Këshilli i Ministrave).

Këshillin e Europës e përbëjnë krerët e shteteve apo të qeverive të vendeve anëtare, dhe ky institucion merret me çështjet e rëndësisë së lartë brenda Unionit.

Komisioni Europian shërben si degë ekzekutive e BE-së dhe bën menaxhimin e punëve dhe zbatimin e politikave të BE-së.

Parlamenti Europian është dega legjislative e Unionit, e cila megjithatë për dallim nga legjislaturat e shteteve, nuk propozon ligje; mirëpo ligjet në BE nuk mund të kalojnë pa aprovimin edhe të PE-së. Ky institucion miraton buxhetin e BE-së dhe e mbikëqyr punën e Komisionit Europian. PE-ja është i vetmi institucion europian, anëtarët e së cilit zgjidhen direkt nga qytetarët europianë.

Ndërsa, Këshilli i Bashkimit Europian, përbëhet nga ministrat e shteteve anëtare të cilët mbulojnë fushat e njëjta, e të cilët mblidhen në një grup – p.sh. të gjithë ministrat e jashtëm, të gjithë ministrat e brendshëm, të gjithë ministrat e bujqësisë, etj.

Për ta komplikuar edhe më tej punën, për disa vendimmarrje të natyrës sensitive, brenda Këshillit të BE-së kërkohet unanimiteti i të gjithë anëtarëve. Fakti që Kosovën nuk e njohin si shtet të pavarur pesë vende anëtare të BE-së, ka krijuar pengesa për avancimin e proceseve dhe përafrimit drejt BE-së.

Për rrjedhojë, BE-ja përpos që nuk ka arritur t’i ndëshkojë palët dialoguese kur nuk janë treguar konstruktive, ka dështuar edhe t’i shpërblejë ato atëherë kur kanë arritur progres. Kjo ka bërë që pala serbe të mos i marrë seriozisht kërcënimet e BE-së, e pala kosovare të mos ketë besim në ndërmjetësin – mosliberalizimi i vizave për Kosovën për katër vjet me radhë, me gjithë vendimin e Komisionit Europian se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, ka zbehur kredibilitetin e BE-së në Kosovë.

Të ballafaquar me këtë situatë, ndryshimi i kursit është parë i nevojshëm nga aleatët e Kosovës në BE dhe SHBA. Pavarësisht se nën administratën e Donald Trump-it, Uashingtoni i kishte marrë gjërat në duart e veta, duke e anashkaluar Brukselin totalisht, nën administratën e Joe Biden-it duket të ketë koordinim më të mirë.

Tashmë është bërë e zakonshme që i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, të marrë pjesë në takimet që palët i zhvillojnë me Emisarin e BE-së Miroslav Lajçak. E megjithatë, dy fuqitë më të mëdha europiane – Franca dhe Gjermania – kanë vendosur të shkojnë edhe një hap më tej, duke i angazhuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të presidentit francez dhe të kancelarit gjerman për të mbështetur përpjekjet e BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e Pallatit Elysée dhe e Kancelarisë Federale gjermane në procesin e normalizimit, në vetvete është tregues i rëndësisë që përfundimi i dialogut ka për paqen në Ballkan – e rrjedhimisht rëndësisë që paqja në Ballkan ka për stabilitetin e vetë kontinentit, i cili veçse po ballafaqohet me luftë në frontin lindor.

Përfshirja e Berlinit dhe Parisit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në fakt duhet mirëpritur nga lidershipi kosovar, të cilët tashmë kanë mundësi për të arritur më shumë, pa pasur nevojë që domosdoshmërisht të japin shumë. Mirëpo, është poashtu tejet e rëndësishme që tash, më shumë se kurrë, ne të kemi një konsensus politik brenda vendit sa i përket dialogut dhe zgjidhjes finale të tij.

Zgjidhja e kontestit me Serbinë kërkon patjetër edhe përfshirjen e opozitës dhe shoqërisë civile, si dhe hartimin e një strategjie kombëtare për dialogun, që do të përcaktonte prioritetet dhe vijat e kuqe për Kosovën. Megjithatë, Qeveria Kurti nuk po tregon gatishmëri për të bashkëpunuar me shoqërinë civile në Kosovë dhe kryesisht neglizhon aktivitetet, konferencat dhe diskutimet e organizuara nga ta.

Gjithashtu, qeveria nuk është fort e interesuar të jetë transparente me publikun kosovar. Informacionet pas takimeve ne Bruksel janë të pakta, e paraqitjet mediale pothuajse inekzistente. E për më keq akoma, kjo po bëhet pikërisht nga ata të cilët kanë kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet e Kosovës lidhur me këtë proces në të kaluarën.

Prandaj, qeveria e Kosovës duhet që sa më parë ta ndërrojë qasjen e saj karshi dialogut, duke filluar koordinimin me të gjithë akterët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Për asnjë moment, pala kosovare nuk duhet të ndërmarrë veprime të ngutshme e të pakoordinuara, në mënyrë që, në njërën anë, Kosova të mos krijojë përshtypjen e vendit bllokues të dialogut dhe, në anën tjetër, të mos humbet momentume të cilat deri më tani i kemi humbur, e pasojat e së cilave vendi po i vuan.

Përfshirja e Pallatit Elysée dhe e Kancelarisë Federale gjermane, ofron një mundësi të mirë për qeverinë e Kosovës për të kërkuar garanci nga dy fuqitë më të mëdha europiane për dy procese me rëndësi për vendin: për liberalizmin e vizave dhe për dhënien e një afati kohor për integrimin të vendit në BE, pas përfundimit të dialogut.

Sagës së dialogut tashmë 11-vjeçar duhet t’i vijë fundi. E fundi i këtij procesi, duhet të nënkuptojë normalizim të marrëdhënieve, njohje të ndërsjellë, e përfaqësim të barabartë të Kosovës në botë si anëtare e OKB-së.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.