Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dialogu me Serbinë dhe mësimet nga pësimet e Palestinës

Kur flitet për diplomaci e negociata, në mënyrë të pashmangshme mendja të shkon tek Lindja e Mesme në përgjithësi, dhe tek konflikti mes Palestinës dhe Izraelit në veçanti. Ky konflikt ka marrë aq shumë vëmendje dhe angazhim ndërkombëtar për dekada me radhë, sa një pjesë e mirë e teorive dhe e teksteve mësimore të fushës janë shkruar mbështetur mbi përvojën e kësaj çështjeje ende të pazgjidhur. Rasti i Palestinës është shumë ndryshe në shumë aspekte nga rasti i Kosovës dhe kurrsesi s’mund të vendosim shenjën e barazimit mes tyre. Përpos kësaj është histori aq e ndërlikuar dhe e ngarkuar sa kurrsesi një shkrim i thjeshtë nuk mund të paraqesë me saktësi dhe hollësi ngarjet, faktet e rrethanat. Megjithatë si një çështje që, ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare dhe negociatave të paqes, ka disa elemente që mund t’i shërbejnë rastit të dialogut tonë me Serbinë.

Ajo që i ka ndodhur popullsisë civile palestineze është një tragjedi e mirëfilltë dhe populli ynë, që ka pësuar një histori të ngjashme traumatike, e kupton më së miri dhimbjet e përjetuara nga palestinezët. Si pasojë e luftës së koalicionit arab kundër Izraelit në 1948, pati mbi 700 000 palestinezë që u larguan nga vendlindja. Vuajtjet e tyre të kujtojnë muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit, çamët e dëbuar në 1923 dhe 1945, dëbimet masive të shqiptarëve për në Turqi gjatë kohës të së ashtuquajturës reformë agrare, operacionit të kërkimit të armëve, gjatë viteve 50-të prej mizorisë se Rankoviqitt apo gjatë luftës së Kosovës. Mirëpo rasti i Palestinës është një ndër shembujt më konkretë të kostos oportune që sjell një qasje maksimaliste dhe pozicioneve kokëforta nëpër negociata. Po ashtu është një dëshmi për rrezikun që sjell mungesa e pragmatizmit dhe realizmit në negociata si dhe shpresa që viktimizimi apo kërkesa për shpagim për padrejtësitë e bëra të përmbushet. Pra refuzimi për të pranuar marrëveshjen e mundshme me ëndrrat e një ujdije ideale ndëshkimore ndaj Izraelit ka bërë që palestinezët ende të mos kenë shtetin e tyre funksional, të pavarur, edhe pse britanikët kanë 72 vite që janë larguar.

Një ndër shprehjet më të famshme për qasjen kokëforte dhe jorealiste të palestinezëve nëpër negociata është nxjerrë prej një diplomati izraelit në 1973 i cili ka thënë se “palestinezët nuk humbasin asnjë mundësi për të humbur një mundësi”. Duke dashur gjithçka ose asgjë në njëfarë mënyre palestinezët kanë humbur disa mundësi historike për të krijuar një shtet të pavarur në një territor më të vogël sesa territori i pretenduar i Palestinës. Në shumë raste madje është krijuar përshtyja se palestinezët më shumë kanë pasur dëshirë të shkatërrojnë e hakmerren ndaj Izraelit sesa të ndërtojnë një shtet të tyrin të pavarur. Shpesh në arenën ndërkombëtare angazhimi në negociata i palestinezëve është parë si fitim kohe kohe për t’u rigrupuar e për të rritur kapacitetet e për ta rinisur mandej konfliktin sërish mandej nga pozita të tjera të përmirësuara. Për këtë arsye kanë shpresuar që mosmarrëveshjet me hebrenjtë t’i zgjidhin nëpërmjet forcës; mirëpo këta të fundit ia kanë dalë të korrin fitore të njëpasnjëshme kundër koalicioneve arabe. Historia e çështjes së Palestinës mund të konsiderohet tashmë e karakterizer me liderë jolargpamës që ia kanë humbur shumë shanse historike për të ndërtuar një shtet të pavarur palestinez.

Fillimisht mundësia e parë e humbur ka qenë ajo e raportit të Komisionit Peel, e nxjerrë prej Britanisë në 1937 e cila asokohe kishte mandatin e Lidhjes së Kombeve për të qeverisur Palestinën. Raporti i nxjerrë nga ky komision deklaronte se mandati i protektoratit nuk po funksiononte më e po ashtu një shtet i bashkuar qoftë edhe me kantone i Palestinës nuk do kishte mundësi për të mbijetuar, prandaj propozoi ndarjen e Palestinën dhe krijimin e dy shteteve ku shumica e territorit i takonte arabëve. Ky propozim u refuzua nga arabët ashtu sikurse u refuzua edhe propozimi më i avancuar që erdhi dy vjet më vonë në formën e “Letrës së Bardhë” apo “Raportit të MacDonald”.

Në 1939, në kushtet kur Lufta e Dytë Botërore dukej e pashmangshme, Çambërleni bëri një propozim të ri edhe më të favorshëm për arabët sepse donte të shmangte armiqësinë e tyre të mundshme gjatë luftës. Ky propozim konsistonte në krijimin brenda 10 vitesh të një shtetit unitar arab të Palestinës që të konsiderohej gjithashtu atdhe për hebrenjtë e kua ta të kishin statusin e pakicës. Po ashtu përcaktonte se imigrimi i hebrenjve do të kufizohej në 75 000 për 5 vjetët e mëpasshme sikurse do të kufizohej edhe blerja e tokave prej arabëve nga hebrenjtë. Mirëpo çuditërisht përfaqësuesit e arabëve e kundërshtuan këtë propozim duke kërkuar në mënyrë të menjëhershme krijimin e një shteti arab dhe ndalimin e imigrimit të hebrenjve që vinin nga Evropa. Madje gjatë Luftës së Dytë Botërore, lideri i palestinezëve Amin al-Husseini u aleancua me boshtin fashist duke u transferuar në Gjermani e Itali e duke u bërë pjesë e propagandës nazi-fashiste.

Lufta e Dytë Botërore solli tragjedinë e Holokaustit dhe një ndërgjegjësim e mbështetje më të madhe ndërkombëtare për kërkesat e hebrenjve. Po ashtu kishte shkaktuar një sasi shumë të madhe të refugjatëve hebrenj të larguar prej mizorive naziste që kërkonin një strehë në Palestinë, ndërkohë që britanikët i përmbaheshin kufizimeve për të pranuar emigrantë të rinj hebrenj. Menjëherë pas luftës u rikthyen edhe përplasjet mes formacioneve luftarake të hebrenjve dhe të arabëve dhe në kushte të tilla Britania vendosi të hiqte dorë nga protektorati mbi Palestinën dhe ta shtronte këtë çështje në organizatën e sapoformuar të Kombeve të Bashkuara. Më 29 nëntor 1947 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 181, e cila bëri thirrje për ndarjen e mandatit të Palestinës të sunduar nga Britania në një shtet hebraik dhe një shtet arab. Si rrallëherë në historinë e OKB-së, SHBA-të dhe Bashkimi Sovietik së bashku me satelitët e tjerë komunistë votuan në favor të kësaj rezolute.

Plani bëri thirrje për ndarjen e Palestinës në dy shtete, një hebre dhe arabë të tjerë. Plani i ndarjes së OKB-së e ndau vendin në atë mënyrë që secili shtet të kishte shumicën e popullsisë së vet, edhe pse disa vendbanime hebraike do të binin brenda shtetit të propozuar palestinez dhe shumë arabë (45% e popullsisë) do të bëheshin pjesë e shtetit hebraik të propozuar. Po ashtu zona e Jeruzalemit dhe Betlehemit do të bëheshin zonë nën administrimin ndërkombëtar. Arabët, brenda dhe jashtë Palestinës e refuzuan këtë plan ndërsa hebrenjtë e pranuan. Pasi britanikët u larguan prej Palestinës, më 15 maj 1948, udhëheqësit zionistë shpallën shtetin e Izraelit mirëpo u sulmuan nga shtetet fqinje Egjipti, Siria, Jordania, Libani dhe Iraku si dhe nga vullnetarë prej shteteve të tjera me shumicë muslimane. Izraeli ia doli të mbijetonte e ta fitonte këtë luftë të pabarabartë e cila për arabët do të konsiderohej si një katastrofë e vërtetë, sepse u shoqërua me largimin e qindra mijëra refugjatëve palestinezë. Nga ana tjetër edhe hebrenjtë që jetonin në shtetet arabe iu nënshtruan hakmarrjeve të shumta dhe në dy dekadat që pasuan pati mbi 850 mijë syresh që u detyruan të largoheshin për në Izrael ose SHBA e Francë.

Nëse bëjmë një krahasim në vija të trasha me përpjekjet shqiptare për pavarësi, mund të themi se fatmirësisht rilindasit tanë janë treguar më pragmatistë për mundësitë e ofruara nga fuqitë e mëdha të kohës. Ndryshe nga lidershipi palestinez, rilindasit tanë u treguan me këmbë në tokë dhe nuk e refuzuan shtetin shqiptar të arritur në konferencën e Londrës në 1913, pavarësisht se ishte territor i gjymtuar. Territori i këtij shteti të pavarur për të cilin arritën kompromis fuqitë e mëdha, ishte sa gjysma e territorit të kërkuar për Shqipërinë e pavarur prej Ismail Qemalit në vizitat e tij nëpër kancelaritë e perëndimit. Mirëpo prapëseprapë ky shtet ishte më mirë se asgjë dhe rilindasit tanë me logjikën e realpolitikës, e pranuan me shpresën se duke e ndërtuar dhe forcuar mund të luftonin që gradualisht të bashkonin edhe pjesët e tjera të trungut etnik të ngelur jashtë shtetit të gjymtuar shqiptar. Madje kjo aspiratë e shtetit shqiptar, e quajtur Republika e Shqipërisë, është ende pjesë e preambulës së Kushtetutës së saj të vitit 1998 ku përmendet “aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Po të kishin përdorur logjikën emocionale palestineze, elita shqiptare e asaj kohe do të duhej ta refuzonte këtë ofertë të pjessshme bazuar në argumentet e së drejtës historike, kërkesës për shpagim për vuajtjet e së kaluarës dhe morales.

Situata e palestinezëve u përkeqësua akoma më keq pas Luftës së 6 Ditëve në 5-10 qershor 1967 ku Izraeli mundi koalicionin e vendeve fqinje arabe dhe pushtoi Bregun Perëndimor prej Jordanisë, rripin e Gazës dhe gadishullin e Sinait prej Egjiptit dhe malësinë Golan prej Sirisë. Në përpjekje për të përmbysur këtë rezultat organizohet një tjetër sulm i koalicionit arab në 6 tetor 1973 në atë luftë që u quajt Lufta e Yom Kippurit. Pas sukseseve fillestare të arabëve, kundërofensiva izraelite siguroi fitoren çka solli një situatë ku të dy palët pësuan humbje të mëdha dhe vendosën të bënin armëpushim e të ndiqnin negociata paqeje. Lideri i Egjiptit, Anëar Sadat shtyu përpara një tryezë negociatash ku ishte rezervuar një karrige për Jordaninë, një për Sirinë, një për Palestinën, një për Egjiptin e një për Izraelin në mënyrë që të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse për mbarë rajonin, mirëpo Siria dhe Jaser Arafati i Organizatës çlirimtare të Palestinës refuzoi të merrte pjesë në këto negociata. Bëhet fjalë për një kohë kur nuk kishte koloni në Bregun Perëndimor.

Në kuadër të këtyre negociatave kryeministri izraelit i kohës, Begin, propozoi në 1977 dhënien e autonomisë pesëvjeçare për territoret e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës e mandej negocimi i statusit final. Mirëpo Arafat i refuzoi totalisht të gjitha bisedimet e u zhvendos në Liban ku u përfshi në luftën civile brenda këtij vendi dhe e përdori Libanin si bazë për të bërë sulme ndaj Izraelit. Kjo gjë e shtyu Izraelin mandej që ta pushtonte Libanin e ta dëbonte Arafatin drejt Tunizisë. Nga ana tjetër negociatat u materializuan me Akordet e Kamp David që u nënshkruan nga presidenti egjiptian dhe kryeministrit izraelit në 17 shtator 1978, pas dymbëdhjetë ditëve të negociatave sekrete në Kampin David. Një vit më pas u hodh hapi final i nënshkrimit të një traktati paqeje mes Egjiptit dhe Izraelit, gjë që Sadati e pagoi me kokën e tij pasi u vra si ndëshkim për këtë paqe prej ekstremistëve. Jordania po ashtu shkoi gradualisht drejt rrugës së paqtimit me Izraelin duke finalizuar një marrëveshje paqeje në 1994.

Për palestinezët vazhdoi gjendja e mjerueshme e konflikti u karakterizua sulme të ndryshme terroriste, raprezalje të egra dhe ndërtime të dhjetëra kolonive hebraike nëpër Bregun Perëndimor e kulmoi mandej me Intifadën që pati një faturë të mëdha civilësh sidomos në krahun e palestinezëve. Vetëm shembja e murit të Berlinit dhe rrënimi i perandorisë sovjetike krijoi kushte për marrëveshjet e Oslos në 1993.

Këto marrëveshje erdhën si rezultat i bisedimet e fshehta të organizuara në Norvegji midis akademikëve izraelitë dhe zyrtarëve të OçP-së vendosën një axhendë me një afat kohor pesëvjeçar për një marrëveshje të plotë paqeje që fillimisht do të lejonte vetëqeverisje të kufizuar palestineze (Autoriteti Palestinez) në pjesë të territoreve të pushtuara dhe do të sillte gjithashtu njohje të ndërsjellë midis Izraelit dhe OçP-së. Plani i ndarjes së OKB-së i vitit 1947, u ofroi palestinezëve pothuaj gjysmën e tokës midis Jordanisë dhe detit ndërkohë që në Oslo, gjysëm shekulli më pas palestinezët ranë dakord të merrnin vetëm 27% të territorit në kontroll. Me negociatat u kalua në një hap më lartë në duke firmosur në 1995 në Taba të Egjipit marrëveshjet e dyta të Oslos mirëpo pak kohë pas tyre u vra kryeministri Jitzhak Rabin prej ekstremistëve hebrenj pikërisht sepse kishte bërë lëshime e firmosur një ujdi me palestinezët.

Prej kësaj periudhe mundësia tjetër që u shfaq për të pasur një marrëveshje paqeje ishte në vitin 2000 kur presidenti i SHBA Bill Klinton mblodhi një samit të paqes midis presidentit palestinez Jaser Arafat dhe kryeministrit izraelit Ehud Barak në Kamp David. Propozimi që doli prej tyre e që u quajt si paketë parametrat e Klintonin konsistonin në krijimin e një shteti palestinez në të gjithë Gazën dhe 97 përqind të Bregut Perëndimor. Këtë 3% të territorit të Bregit Perëndimor ku ishin vendosur kolonë hebrenj do kompensohej me tokë të pabanuar në Negev dhe po ashtu pothuaj i gjithë Jeruzalemi i vjetër pranohej të lihej në dorë të Palestinës e të bëhej kryeqytet ndërkohë që hebrenjtë do të mbanin vetëm pjesën hebraike të qytetit ku përfshihet edhe muri i vajtimit të Tempullit të Malit. Arafati nuk i kundërshtoi parametrat, por shtoi aq shumë kushte e hollësira të tjera që marrëveshja u shpërbë dhe ndërkaq Klintoni e përfundoi mandatin si president ndërsa Baraku u mund në zgjedhje nga Ariel Sharon që i përkiste një krahu më ekstremist. Veprimet ekstremiste të Sharonit provokuan revoltimin e palestinezëve duke i hapur rrugën Intifadës së Re e cila shkaktoi mijëra të vrarë nga të dy krahët.

Klima e përshtatshme për negociata u mundësua vetëm disa vite më pas kur prej dhjetorit 2006 deri në shtator 2008, kryeministri izraelit Ehud Olmert u takua 36 herë me presidentin palestinez Mahmud Abaz ndërkohë që paralelisht kishte takime të shumta në nivel më të ulët teknik. Në fund Olmerti propozoi një plan që në thelb synonte largimin nga pothuaj gjithë Bregu Perëndimor si dhe pranonte të hiqte dorë nga sovraniteti i Tempullit në Jerusalem, vendit më i shenjtë i judaizmit. Ai madje propozoi që në kuadrin e një marrëveshjeje paqeje, zona që përmbante vendet fetare në Jeruzalem të drejtohej nga një komitet i përbërë nga përfaqësues nga pesë vende: Arabia Saudite, Jordania, Palestina, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli (pra shumicë myslimane). Plani i tij gjithashtu synonte të aneksonte 6.3 për qind të Bregut Perëndimor në Izrael, zona që janë në shtëpi për 75 për qind të popullatës hebraike të territoreve të pushtuara ndërkohë që kolonitë e tjera do të çmontoheshin dhe evokuoheshin. Këtë hapësirë të aneksuar ai propozoi ta kompensonte me territore të tjera ekuivalente në Izrael si dhe propozi ndërtimin e një korridori të sigurtë nga Bregu Perëndimor deri në Rripin e Gazës nëpërmjet një autostrade (me shumë ura) që do të mbetet pjesë e territorit sovran të Izraelit, por në të cilën nuk do të kishte prani izraelite. Mirëpo pala palestineze nuk iu përgjigj fare kësaj oferte, që është më bujarja e bërë ndonjëherë prej kohës së planit të OKB-së në 1947 dhe ky propozim tjetër shkoi në kosh të plehrave. Prej asaj kohe ka pasur orvatje e raunde të reja negociatash, mirëpo asnjë prej tyre gjatë kësaj dekade të fundit nuk ka pasur asnjë plan apo projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse që t’i afrohet përmasave të planit të Olmertit.

Rasti i shanseve të humbura të Palestinës dhe i negociatave që nuk janë materializuar në paqe ka edhe një element tjetër interesant që mund të shërbejë si leksion për ne. Liderët palestinezë që e mbanin konfliktin në jetë ishin njëherazi super të pasur e kishin leverdi materiale nga status quo-ja. Janë bërë shumë vite që palestinezët e rendisin korrupsionin si problemin e dytë më të madh me të cilin përballen pas krizës ekonomike, ndërkohë që pushtimi izraelit zë vendin e tretë. Korrupsioni galopant i liderëve të partisë Fatah ka bërë që një numër gjithnjë e më i madh palestinezësh të revoltuar të shkojnë e të mbërshtesin Hamazin. Pas vdekjes së Arafatit, ish ministri i tij i financave Salam Fayyad pajtoi një kompani amerikane kontabiliste për të shqyrtuar llogaritë e ish-presidentit dhe të dhënat ishin tronditëse, sepse u zbulua një portofol i fshehtë me mbi 1 miliardë dollarë. Bëhej fjalë për investime të Arafatit në kompani si një fabrikë shishe Coca-Cola në Ramallah, një kompani telefonike tuniziane dhe fonde të kapitaleve në SHBA dhe Ishujt Kajman. Edhe pse paratë për portofolin personal të Arafatit vinin nga fonde publike si taksat palestineze, pothuajse asnjëra prej tyre nuk ishte përdorur për popullin palestinez. Në vitin 2003, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) filloi të kryejë një auditim dhe gjeti të paktën dy miliardë dollarë fonde të Fondit të Autoritetit Palestinez që mungonin dhe gjeti prova që tregonin se këto fonde janë transferuar në familjen e Arafatit në Paris. E njëjta gjë vlen për sot, lideri aktual Mahmud Abaz, llogaritet se ka së paku pasuri prej së paku 100 milionë eurosh pa llogaritur bizneset e panumërta të djemve të tij. Muhammed Rashid i cili ishte këshilltar financiar i Arafatit për dy dekada, tani është një i arratisur, madje dhe ai vetë akuzohet se ka përvetësuar 33.5 milionë dollarë nga Fondi i Investimeve Palestineze). Ky vlerësim është dhënë në vitin 2012. Vetëm për një krahasim Angela Merkel sot ka një pasuri të përllogaritur prej 11.5 milionë dollarë, ndërkohë që Abazi në deklaratat e tij të pasurisë ka folur për pasuri prej 10 milionë dollarësh. Por edhe kjo është ende pak qesharake se vështirë se mund të bëhesh i pasur duke qenë një politikan në një vend të botës së 3-të përveç se duke vjedhur apo abuzuar me pushtetin. Letrat e Panamasë nxorrën të dhëna të hollësishme për llogaritë e fshehura të liderëve të ndryshëm palestinezë përfshi këtu të njërit prej djemve të Abazit, ndërsa media dita-ditës nxjerr pronat milionëshe të fëmijeve të tij në Londër, Dubai, Aman e qytete të tjera. Është bërë traditë ndërkaq sa herë që dalin skandale korrupsioni Abazi e acaron retorikën antisemite në mënyrë që konfliktualiteti të eklipsojë abuzimet e denoncuara.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.