Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dilema e Serbisë për Kosovën: sprapsja nga marrëveshja përfundimtare

Read the article in English here.

Dialogu i gjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – që ka zgjatur mbi një dekadë – ka prodhuar marrëveshje të shumta. Megjithatë, mbetet e vështirë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, që do të kishte si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Derisa Kosova mori pjesë në negociatat e Brukselit me kryeministra të ndryshëm, për Serbinë situata ka mbetur e njëjta, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, që drejton vetë shfaqjen. Gjatë dekadës së fundit, Vuçiqi ka mbajtur poste të ndryshme të pushtetit në Serbi, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit, atë të kryeministrit dhe aktualisht presidentit.

Pavarësisht nga roli i tij specifik, Vuçiqi ka ushtruar kontroll të madh – nëse jo të plotë – mbi vendimmarrjen në Serbi, veçanërisht në raport me Kosovën. Pavarësisht ndikimit dhe autoritetit të tij të konsiderueshëm, Vuçiqi ka treguar një mungesë interesi për ta finalizuar një marrëveshje me Kosovën. Në këtë mungesë entuziazmi kanë ndikuar shumë faktorë.

Implikimet politike dhe ligjore

Ekziston një pritshmëri e përhapur gjithandej se dialogu Kosovë-Serbi përfundimisht do të çojë në njohje reciproke. Ky qëndrim nuk është ekskluziv vetëm për Kosovën, por gjithashtu mbahet edhe nga shumë vende europiane dhe ShBA-ja. Megjithatë, për liderët politikë në Serbi, përfshirë Vuçiqin, njohja e Kosovës si shtet i pavarur do të ishte një vetëvrasje politike.

Një sondazh i fundit i opinionit publik tregoi se 75% e qytetarëve të Serbisë do ta kundërshtonin njohjen e Kosovës, edhe nëse kjo do të nënkuptonte përshpejtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Motivi kryesor politik për prolongimin dhe vonimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse është dëshira për ta zgjatur pushtetin e Vuçiqit.

Partia Progresive Serbe (SNS) dhe Vuçiqi erdhën në pushtet më 2012, pas një periudhe kur ish-presidenti Boris Tadiq u perceptua gjerësisht si jokonstruktiv dhe i papërgatitur për ta ndjekur normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Tensionet midis Tadiqit dhe kancelares Merkel në lidhje me Kosovën gjatë vizitës së saj në Beograd më 2011 kontribuuan në këtë ndryshim.

Vuçiqi premtoi të angazhohej më aktivisht në dialog dhe inicioi këtë angazhim duke nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit më 2013, duke lehtësuar kështu integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës dhe duke tërhequr policinë dhe gjyqësorin serb (institucionet paralele) nga katër komunat veriore të Kosovës.

Sidoqoftë, Vuçiqi përfundimisht e kuptoi se përfundimi i procesit të dialogut do ta shënonte fundin e karrierës së tij politike. Si rrjedhojë, nisi ta vononte zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe shmangu nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, si dhe qëllimisht krijoi tensione për t’i bllokuar negociatat.

Për më tepër, njohja e Kosovës bie ndesh me kushtetutën serbe. Preambula e kushtetutës e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të territorit të Serbisë. Veç kësaj, çdo amandament kushtetues kërkon një shumicë prej 2/3 të votave, ndjekur nga një referendum i detyrueshëm, në rast ndryshimi të kushtetutës. Kësisoj, këta faktorë e komplikojnë ndjeshëm mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që përfshin njohjen eksplicite të Kosovës.

Shpresat për një shkëmbim territoresh

Mungesa e zbatimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), për të cilën ishte rënë dakord në Bruksel më 2013, ka krijuar pengesa shtesë në dialog.

Mungesa e progresit në zbatimin e AKS-së shtyu ish-presidentin Thaçi dhe presidentin Vuçiq, siç thuhet, të diskutojnë opsionin e një shkëmbimi territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij propozimi, Serbia do t’i lëshonte zonat e banuara me shqiptarë në Luginën e Preshevës në Serbinë Jugore, ndërkohë që do të rimerrte kontrollin mbi zonat me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës.

Sidoqoftë, kjo ide u përball me rezistencë të atypëratyshme të Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera anëtare të BE-së, duke çuar kështu përfundimisht në hedhjen poshtë të saj.

Nga marrëveshja e shkëmbimit të territoreve Vuçiqi do të kishte përfituar në dy mënyra. Së pari, ajo do t’i kishte lejuar të ruante fytyrën para qytetarëve serbë, duke shmangur humbjen e plotë të Kosovës dhe së dyti, ai do të mund ta shpallte veten si një lider i fortë që merr vendime të zorshme për të ardhmen e Serbisë.

Kjo është në përputhje me strategjinë e viktimizimit të Vuçiqit, që paraqitet si i gatshëm të “sakrifikohet” dhe të “vdesë” për hir të interesave të Serbisë. Më 2023 është e besueshme që Vuçiqi qëllimisht po shkakton tensionet – dhe po përfiton nga veprimet e iniciuara nga qeveria Kurti – për të treguar se integrimi i serbëve në veri të Kosovës është i paarritshëm.

Kjo qasje shërben për ta përforcuar nocionin se një shkëmbim territoresh mund ta zgjidhë një problem të moçëm në Ballkan. Kështu, diskutimet e vazhdueshme rreth idesë së një shkëmbimi territoresh mund të jetë një nga arsyet pse ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.

Integrimi (joekzistent) europian

Premtimi për anëtarësim në BE ka luajtur rol vendimtar në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kur premtimi për anëtarësim në BE ishte i besueshëm, u arrit vërtet përparim i rëndësishëm në dialog.

Për shembull, Serbia u pajtua të nënshkruajë marrëveshje të shumta me Kosovën më 2012, pasi mori statusin e kandidatit për në BE. Kosova, nga tjetra anë, nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit më 2013 pasi nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në. Një vit më pas nisën negociatat e pranimit të Serbisë në BE.

Megjithëkëtë, Vuçiqi përfundimisht e kuptoi se perspektiva për anëtarësim në BE nuk ishte e afërt në kohë, përballë lodhjes që tregonte BE-ja sa i përket zgjerimit, dhe për rrjedhojë u tregua më pak i përkushtuar karshi dialogut. Për më tepër, vonesat dhe pengesat e përsëritura me të cilat ballafaqohet Kosova në marrjen e liberalizimit të vizave ngritën shqetësime serioze rreth përkushtimit të BE-së ndaj politikës së saj të zgjerimit.

Kësisoj, kjo kontribuoi në një ndjesi pasigurie dhe skepticizmi nga të dyja palët, duke penguar kështu përparimin e mëtejshëm në dialog.

Serbia aktualisht heziton të bëjë lëshime të mëtejshme pa marrë diçka në këmbim nga BE-ja. Bashkë me anëtarësimin në BE, pritshmëritë e Serbisë përfshijnë autonominë territoriale për popullatën serbe në veri të Kosovës, sikundër përcaktohet me Marrëveshjen e parë dhe të dytë të Brukselit (2013 dhe 2023).

Vuçiqi nuk do ta nënshkruajë kurrë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën

Vuçiqi është nacionalist i krahut të djathtë dhe baza e tij zgjedhore përbëhet nga mbështetës nacionalistë e konservatorë të krahut të djathtë të cilët nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis për Kosovën, për shkak të rëndësisë së saj historike dhe kulturore.

Ky qëndrim u shpreh publikisht më 2019, kur Vuçiqi deklaroi pa asnjë mëdyshje se për aq kohë sa ai do të jetë në krye të presidencës, Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Për më tepër, ai përsëriti qëndrimin e tij kur propozimi franko-gjerman u nxor në media vitin e kaluar. Vuçiqi deklaroi se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe kundërshtoi anëtarësimin e saj në OKB.

Edhe pas Marrëveshjes së Ohrit në mars 2023, Vuçiqi deklaroi sërish se Serbia nuk do ta zbatojë asnjë pjesë të marrëveshjes që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe nënvizoi se njohja mbetet vijë e kuqe për Serbinë.

Kësisoj, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, ka shumë pak gjasa që Vuçiqi të shqyrtojë nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse me Kosovën, të përqendruar në njohje reciproke.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.