Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Diplomacia e vaksinave në Ballkanin Perëndimor

Në muajt e fundit diplomacia e vaksinave është kthyer në bosht qendror të raporteve ndërshtetërore, duke u bërë instrument i qeverive për rritje ndikimi nëpër rajone specifike dhe prestigj ndërkombëtar. Anashkalimi i mekanizmave shumëpalëshe përballë pushtetit të qeverive shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, ka shtuar rëndësinë e aspekteve politike dhe diplomatike, krahas atyre shëndetësore. Se sa politike është çështja e vaksinimit e paraqet edhe harta e ritmit të vaksinimit të deritanishëm, ku shtetet e varfra dhe me fuqi të pakët ndërkombëtare mund të dallohen fare lehtë nga shtetet e pasura dhe me peshë ndërkombëtare.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk përbën përjashtim nga këto rrjedha. Aktualisht shtetet e këtij rajoni qëndrojnë në stade të ndryshme për sa i përket numrave të vaksinimit të popullsisë. Serbia kryeson listën me një ndër shifrat më të larta të dozave të vaksinave të administruara në nivel global, ndërkaq Kosova është shteti i vetëm i rajonit që ende nuk e ka filluar vaksinimin brenda territorit të saj (vaksinimi i rreth 500 pjesëtarëve të personelit shëndetësor në Shqipëri sapo ka nisur). Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjenden midis tyre.

Ky shkrim i paraqet dy dinamika kryesore brenda këtij konteksti. Së pari, diplomacia e vaksinave ka ndikuar në thellimin e mëtutjeshme të raporteve të Serbisë me Kinën. Së dyti, duke iu falënderuar edhe qasjes së ngadalshme të Bashkimit Evropian (BE), ndihma kineze i ka ofruar Serbisë mundësi që të tentojë të zbatojë një politikë të ngjashme në vendet e rajonit, natyrisht të materializuar në përmasa dukshëm më të ulëta.

Për sa i përket dinamikës së parë, në mesin e muajit mars u bë e ditur së rreth 2 milionë qytetarë serbë nga rreth 7 milionë popullsi kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës. Prej këtyre rreth 1.5 milionë vaksina kishin prejardhje nga kompania shtetërore kineze Sinofarm. Serbia ishte një ndër shtetet e para evropiane që arriti të shtinte në dorë vaksinën e prodhuar në Kinë. Për më shumë, një kontratë e re e nënshkruar në praninë e Presidentit Vuçiq dhe Ambasadores së Republikës Popullore të Kinës në Beograd me datën 18 mars, parasheh ardhjen e 2 milionë vaksinave tjera të Sinofarm.

Partneriteti i Serbisë me Kinën nuk është një zhvillim i ri. Edhe pse Serbia aktualisht është në procesin e hapjes dhe përmbushjes së kapitujve për anëtarësim në BE, ajo vazhdimisht ka ndjekur një politikë të jashtme shumëdrejtimëshe, tradicionalisht përmes raporteve të afërta me Rusinë, ndërkaq në vitet e fundit duke thelluar bashkëpunimin me Kinën. Në kuadrin gjeopolitik, këto relacione janë përdorur edhe si levë kundërbalanci ndaj Perëndimit, veçmas karshi procesit të integrimit në BE.

Kësisoj, këto relacione janë thelluar gjatë procesit të pajisjes me vaksina, si pasojë duke e vendosur Serbinë në maje të listës së shteteve me vaksinimin më të lartë. Në plan më të gjerë, pandemia që në fillimet e saj ka ndikuar duke e thelluar raportin Serbi-Kinë, pasi edhe në fazën e parë të shpërndarjes së virusit kishte pasur bashkëpunim të vazhdueshëm për teste dhe pajisje mjekësore mbrojtëse.

Diplomacia e vaksinave të Kinës gjithashtu i ka mundësuar Serbisë të jetë më ambicioze në rrafshin rajonal. Ndryshe nga dinamikat e ndërveprimit me Kinën ku ajo ishte palë pranuese, në nivelin rajonal roli i Serbisë brenda transaksionit të diplomacisë së vaksinave ka qenë tjetërsoj, pra si palë ofruese.

Duke shfrytëzuar pamundësinë e shteteve të rajonit për të siguruar vaksinat e nevojshme, sidomos pas ndërlikimeve me vaksinat e premtuara nga BE, deri tash Serbia ka dërguar donacione të vaksinave në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Në Kosovë donacione shtetërore nuk janë dërguar, por serbët e Kosovës janë në proces të vaksinimit në mënyrë të organizuar përmes institucioneve paralele të Serbisë.

Kjo situatë gjithashtu është mundësuar nga qasja letargjike e BE-së dhe shteteve anëtare. Në dhjetor ishte bërë e ditur se Komisioni Evropian i BE ka ndarë një pako prej rreth 70 milionë euro për vaksina drejtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidoqoftë vonesat kanë bërë që ky proces të ngadalësohet, prandaj vaksinat ende nuk kanë arritur. Situatë e ngjashme vërehet edhe në rrafshin global, meqë deri në mesin e marsit Kina dhe Rusia kanë dërguar më shumë se 800 milionë doza vaksinash në mbi 40 shtete, krahasuar me rreth 35 milionë doza vaksinash të BE.

Natyrisht se shifrat e donacioneve të vaksinave që janë dërguar nga Serbia në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut nuk janë as afërmi të mjaftueshme për të arritur imunizimin e tufës në këto shoqëri. Megjithatë, këto donacione shërbejnë si tregues i tendencës së Presidentit serb Vuçiq për të rritur ndikimin e Serbisë në nivelin rajonal, duke e projektuar imazhin e shtetit serb si shtet mirëbërës, që kultivon raporte të sinqerta me fqinjët. Në aeroportin e Sarajevës, Presidenti serb ishte pritur nga tre anëtarët e Presidencës së Bosnje Hercegovinës Sefik Dzaferovic, Zeljko Komshiq dhe Milorad Dodik, një skenë shumë e pëlqyeshme për Vuçiqin karshi aspiratave të lartpërmendura.

Në kontekst më të gjerë, duke ditur raportet e Serbisë me shtetet fqinje si pasojë e luftërave të shkaktuara gjatë viteve 1990, tendenca e Vuçiq për të rehabilituar imazhin e shtetit serb dhe për të përmirësuar performancën ekonomike përmes ndërveprimit rajonal ka qenë evidente. Në këtë vazhdë, diplomacia e vaksinave dhe situata me mungesën e dozave në rajonin e Ballkanit Perëndimor i ka ofruar një mjet të ri Vuçiqit për të shtyrë përpara këto synime.

Mbi të gjitha, duke konsideruar kontratën e re të nënshkruar së fundmi për ardhjen e 2 milionë vaksinave të reja kineze në Serbi, mund të parashihet që qasja e njëjtë do të vazhdojë së zbatuari. Nuk është rastësi që gjersa Vuçiq njoftoi për ndërtimin e fabrikës kineze të vaksinave Sinofarm në Serbi, përmendi synimin që kjo fabrikë të jetë e drejtuar për “shëndetin e të gjithë rajonit.”

Në përgjithësi, transaksioni i vaksinave kundër Covid-19 ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë dinamika të reja në arenën ndërkombëtare. Shfrytëzimi i vaksinave mund të ketë qëllimet shëndetësore si parësore, por prodhimi dhe shpërndarja e tyre është duke u bërë mbi bazën e relacioneve dhe fuqisë së aktorëve brenda skenës ndërkombëtare. Këto trende natyrisht janë reflektuar edhe brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku ndër tjera ngathtësia e BE-së ka krijuar një vakum që po synohet të shfrytëzohet nga Pekini dhe Beogradi, përmes diplomacisë së vaksinave.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.