Më 1991, pas dështimit të Komunitetit Evropian (KE) për të ndërhyrë suksesshëm në “Krizën e Gjirit”, ish-Ministri i Jashtëm belg Mark Eyskens pati thënë se BE-ja është “gjigant ekonomik, xhuxh politik dhe krimb ushtarak”. Po atë vit, Shefi i Këshillit për Punë të Jashtme të KE-së dhe ish-Ministri i Luksemburgut Jacques Poos kishte thënë se “Kjo është ora e Evropës – jo ora e Amerikanëve… Nëse një problem mund të zgjidhet nga ne, është ai i Jugosllavisë. Ky është vend evropian dhe nuk u takon amerikanëve të përzihen. Është vetëm çështje e jona”.
Çfarë pasoi ishte reagimi i çakorduar i anëtarëve të KE-së kundrejt luftërave në ish-Jugosllavi. Ora e Evropës nuk kishte ardhur. Gjermania pa u konsultuar me asnjë shtet kishte njohur pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Kjo e shtyu komunitetin që të avancojë me proces të integrimit të mëtutjeshëm. Traktati i Mastrihtit një vit më vonë jo vetëm ndryshoi emrin e KE-së në BE, por krijoi edhe një shtyllë të veçantë për politikë të jashtme, që u quajt Politika e Përbashkët për Siguri dhe Punë të Jashtme, që edhe sot është institucioni më i lartë në këtë rrafsh.
Derisa Jugosllavia dezintegrohej dhunshëm dhe me luftë, Evropa integrohej së brendshmi për të luajtur rol më të madh ndërkombëtar. Prandaj Ballkani mund të quhet edhe vendlindja e politikës së jashtme të BE-së. Nga ajo kohë BE-ja ka bërë përpjekje të suksesshme për të rritur kapacitetet e “aktorësisë”. Ajo ishte më efektive në luftën e Kosovës dhe kontribuoi shumë në rindërtimin e saj. BE-ja tani ka shumë më tepër rol në fqinjësi të vet.
Mirëpo as tetë vite dialog nuk i mjaftuan që të mbajë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë nën ombrellën e vet. Atëherë kur pritej që të bëhej hapi i madh përpara, dialogu i facilituar nga BE-ja mori në thua dhe stagnoi. Marrëveshjet e zbatuara nuk u zhbënë, por ato nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar marrëveshjen përfundimtare. Siç argumentuam në shkrimin e fundit, negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Nga viti 2015 dialogu nuk ka shënuar përparim. Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar. Serbia vazhdon agresivitetin e vet diplomatik duke e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe duke orkestruar një fushatë të çnjohjeve kundër saj. Si kundërpërgjigje, Kosova ka vendosur fillimisht tarifën 100% për produktet nga Serbia e së fundmi për pak ditë edhe masat e reciprocitetit. Përpos këtyre zhvillimeve, u hap edhe çështja e kufijve që shënoi edhe dekompozimin e formatit të BE-së dhe braktisjen e paradigmës që ndryshimin e tyre e sheh si recetë për konflikt e kaos. Në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo shënon një moment revizionist sepse Kosova dhe Serbia u bënë shtete që kërkojnë të dalin jo vetëm nga status-quo e kontestit mes tyre, por edhe nga matrica normative që rregullon çështjen e kufijve shtetërorë, sidomos në Evropë.
Përveç kësaj është zbehur edhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor për integrim, për shkak të mospajtimeve mes Gjermanisë dhe Francës rreth hapave të mëtutjeshëm të BE-së. Një trend i tillë nuk ndikoi vetëm në uljen e ritmit të dialogut të BE-së, por edhe rriti diskrepancën mes BE-së dhe Kosovës e Serbisë. Në anën tjetër, ShBA-ja gradualisht, por sigurt, ka shtrirë praninë e vet në vakumin e krijuar nga inercioni i BE-së dhe është bërë lojtari numër një. ShBA-ja me forcën e saj politike është duke e bërë këtë përmes adresimit të dy dobësive më të mëdha të BE-së: paqartësinë dhe afatet kohore.
ShBA-ja eliminon ambiguitetin kur flet në mënyrë eksplicite për njohje reciproke, duke i dhënë dialogut qartësinë e merituar. Poashtu, derisa BE-ja flet për çështje vitesh, ShBA-ja flet për çështje muajsh, duke e bërë shumë më të prekshëm procesin. Me ShBA-në palët janë të sigurta se nuk po përhumben në spiralen e një tregimi që nuk përfundon kurrë, por se po angazhohen në një plan të qartë më shumë gjasa për marrëveshje.
Për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, muajve të fundit BE-ja ka intensifikuar përpjekjet për t’u reimponuar si autoriteti numër një në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Për një kthim në situatën e para pak viteve, ku integrimi evropian ishte alfa dhe omega e çdo problemi në Ballkanin Perëndimor dhe ku e ardhmja në BE shërbente si meta-parim përmes të cilit kjo pjesë e botës krijon sens politik për secilin proces lokal e regjional.
Për fat të keq duket se kjo më shumë i përket të kaluarës e më pak të ardhmes, sidomos për Kosovën. BE-ja nuk e ka trajtuar barabarësisht Kosovën me vendet tjera e sidomos me Serbinë. Kosovës nuk i janë liberalizuar vizat edhe pse ka përmbushur kritere më shumë se secili shtet në Evropë. Në ndërkohë me vendosjen e Josep Borellit nga Spanja dhe Miroslav Lajcakut nga Sllovakia në krye të dialogut, BE-ja e ka prerë degën në të cilën qëndronte relevante në Kosovë. BE-ja ka pasur gjithnjë mungesë konsensusi sa i përket Kosovës, por kjo është hera e parë që dialogu udhëhiqet nga dy zyrtarë që vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.
Kjo përzgjedhje ndoshta është bërë nga fakti që, duke parë rreshtimin strikt të Kosovës në anën e ShBA-së, BE-ja po mundohet ta joshë dhe nxjerrë Serbinë nga dialogu, në mënyrë që formati i Washingtonit të dështojë.
Për më tepër, problemi qëndron tek fakti se BE-ja po këmbëngul që dialogu të vazhdojë pa strategji të qartë në terma përmbajtësorë dhe kalendarikë. Këtë e konfirmuan para disa ditëve në artikullin e përbashkët të Ministrit të Jashtëm të Francës Le Drian dhe atij të Gjermanisë Maas. Në letër konfirmohet vullneti i BE-së për të rinisur dialogun, por edhe këtë herë mungoi gatishmëria për ta artikuluar qartë natyrën e kontestit Kosovë-Serbi.
Prapë nuk përmendet njohja reciproke dhe përsëri mungojnë afatet. Siç e tha edhe një njohës i dialogut, në letër vërehej ngjashmëria me vitin 2010, kur kishte nisur dialogu. Njohjen nuk e përmendi as Angela Merkel në urimin e saj për Kryeministrin e ri, Avullah Hoti, ku ritheksoi se “dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifilllojë”.
Për shkak të kundërthënieve të brendshme, BE-ja e ka të pamundur të prodhojë një adresë të qartë dhe një politikë koherente. Ky realitet e mban ende peng ambicien e BE-së për t’u bërë superfuqi politike botërore. BE-ja nuk është “një xhuxh politik”, siç thoshte Eyskens, por nuk është as vigan i përmasave të ShBA-së.
Kjo pamundësi për të larguar mjegullën vërteton krahasimet që Robert Kagan bënte mes ShBA-së dhe BE-së në librin e tij “Pushtet dhe Parajsë”, ku thotë që për dallim prej ShBA-së, BE-ja më shumë interesohet për procesin sesa për rezultatet. Sipas tij, BE-ja beson se bota është shumë komplekse për zgjidhje të thjeshta dhe se është shumë e mbyllur në parajsën e idealeve të “paqes së përhershme” kantiane për të qenë efektive në një botë anarkike hobsiane. ShBA-ja ka më pak durim dhe parapëlqen aksionin për të zgjidhur problemin. Ndryshe nga BE-ja që operon vetëm me karrotë, amerikanët nuk e kanë problem ta përdorin edhe shkopin.
Me një fjalë, thotë Kagan, “ShBA-ja vjen nga Marsi, kurse BE-ja nga Afërdita: ata pajtohen shumë pak dhe edhe më pak kuptohen”. Sidomos kjo vlen kur vjen puna tek dialogu Kosovë-Serbi. Me “normalizim” BE-ja nuk i kërkon Serbisë që ta njeh Kosovën, kurse ShBA-ja po. Poashtu, ato dallojnë edhe në tolerancën ndaj revizionizmit të Kosovës dhe Serbisë në përpjekjet për ta përfshirë ndryshimin e kufijve në marrëveshje. Edhe pse nuk mund të ketë marrëveshje kuptimplote pa BE-në dhe Britaninë e Madhe e madje edhe Rusinë, është e qartë se dallimet që i rendit Kagan në fund do të bëjnë dallimin mes BE-së dhe ShBA-së në raport me dialogun.
I frustruar me KE-në, Henry Kissinger pyeste se “kë duhet ta thërras, kur thërras Evropën?” – Kjo pyetje vlen akoma dhe sidomos për ne: kë duhet ta thërrasim, kur thërrasim BE-në? Merkelin, Macronin, Borellin apo Lajçakun? Spanjën apo Gjermaninë? Deri sa të mos kemi vetëm një numër, ora e Evropës nuk do të vijë. Jo në Ballkanin që tani po e matë kohën me orën e Washingtonit, që ka vetëm një numër të telefonit, atë të Shtëpisë së Bardhë. Evropa mund të pret orën e saj në këtë regjion sepse tani për tani ora është e Amerikës.