Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Feminizmi si anti-autoritarizëm

Ka kohë që demokracitë liberale nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ato po sfidohen si brenda nga lëvizjet populiste dhe anti-pluraliste, ashtu edhe jashtë nga regjimet autokratike . Sipas studiuesit Larry Diamond ky sistem politik ka kohë që është futur në një gjendje recesioni. Shto këtu faktin, se tjetërsimi i demokracive sot po bëhet në mënyrë “tejet tinëzare, të fshehur dhe pa spektakël brutal”.

Ndërkaq, dy studiuesit e njohur, Sergei Guriev dhe Daniel Treisman, në librin e tyre me të ri, “Spin Dictators: The Changing Face of Tyranny in the 21st Century” pohojnë se, për dallim nga diktatorët e së shkuarës që e bazonin dominimin e tyre në frikë, dhunë, brutalitet dhe kampe të përqendrimit, siç bëri Stalini në Bashkimin Sovjetik apo Mao në Kinë, sot në shumicën e rasteve “liderët autoritarë, qoftë të majtë apo të djathtë, angazhohen që të jenë më shumë popullorë dhe të dashur nga masat, sesa të ngjallin frikë. Edhe pse qëllimi mbetet i njëjtë: dominimi dhe kontrolli mbi shoqërinë, megjithatë metodat dallojnë”. Turqia, Singapori, Rusia, Venezuela, Brazili, Hungaria etj, janë vetëm disa nga rastet me të njohura të kësaj tendence.

Terreni ku më shumti manifestohet ky përkeqësim ka të bëjë me tendencën për t’i pakësuar dhe cunguar liritë që lidhen me avancimin dhe përmirësimin e të drejtave gjinore.

Madje, për këtë kategori të sundimtarëve modernë, as që kanë ndonjë rëndësi statistikat shkencore si dhe konstatimet e instituteve hulumtuese që argumentojnë qartë për efektet ekonomike që do t’i kishte krijimi i kushteve për punësim të barabartë si për burrat ashtu edhe për gratë. Bie fjala, Rachel Vogelstein në shkrimin Let Women Work -The Economic Case for Feminismduke u bazuar në të dhënat e një raporti të shkruar në vitin 2015 nga Instituti Global McKinsey, pat konkluduar se në rast të “ngushtimit të hendekut gjinor ndërmjet burrave dhe grave vetëm në vendin e punës, pasuria botërore përafërsisht do të shtohej deri në 12 trilionë dollarë sa i përket BPV-së globale deri në vitin 2025”.

Kështu, edhe përkundër këtyre efekteve të përgjithshme pozitive, përsëri shtytja irracionale kundër fuqizimit të grave, siç argumentojnë Erica Chenoweth dhe Zoe Marks, në shkrimin Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women, ka kohë që është duke e formësuar sjelljen politike të protagonistëve të pushtetit patriarkal autoritar. Dhe atë pa dallim. Operimi me gjuhën e diskriminimit të hapur, seksismit pervers, përjashtimit gjinor, mizogjenisë dhe nënvlerësimit të rolit të grave për proceset politike është shpërfaqur në secilin prej këtyre regjimeve aktuale populiste.  E të mos flasim këtu për kulturën homofobe që e promovon shkeljen e të drejtave individuale të komunitetit LGBT. Për shkak të këtij mentaliteti ideologjik dhe Kuvendi i Kosovës nuk arriti që ta miratojë Projktkodin Civil, me anë të të cilit parashihej njohja e të drejtës për martesë për personat e seksit të njëjtë. (Por, për këtë temë në njërin nga shkrimet e radhës)

Sidoqoftë, urrejtje e tillë e hapur ndaj të drejtave demokratike të grave ka marrë forma të shumta. Madje, është e pamundur të radhiten të gjitha. Bie fjala në Kinë Xi Jinping-uka “shtypur lëvizjet feministe duke i shtrënguar gratë që të heshtin për sulmet seksuale ndaj tyre. Në Rusi, Vladimir Putini, po e “afirmon vetëm rolin tradicional të gruas shtëpiake” (Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women). Një frymë të tillë ka kohë qe ka ushqyere edhe kryetari i Turqisë, Recep Taip Erdogan. Të mos flasim këtu për vende si Afganistani ku “fitorja e talibaneve paraqet fundin e progresit 20 vjeçar që ishte bërë në këtë vend, sa i përket edukimit dhe përfaqësimit të tyre në institucione publike” (Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women).

Mjerisht, kjo frymë e “autoritarizmit patriarkal” (Ethics of Sexual Difference) i ka infektuar edhe disa demokraci perëndimore, duke i bërë që të anojnë më shumë kah varianti joliberal i këtij modeli. Në shumë shtete, si Hungaria dhe Polonia, “ku kemi pasur rastin ta shohim ngritjen e lëvizjeve të djathta përtej qendrës po promovohet narracioni mbi rikthimin e grave në sferën e tyre tradicionale” (Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women). Madje ky prapakthim po glorifikohet si një detyrë e shenjtë patriotike. Kurse “ideologjia e gjinore po portretizohet si hiç më shumë se një mashtrim i frikshëm” (Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women).

Të gjitha këto fakte, sipas Erica Chenoweth dhe Zoe Marks, tregojnë se armiku kryesor i liderëve populistë mbeten politikat e barazisë gjinore. Dhe nuk është “koincidencë që forcimi i regjimeve autoritare shkon paralelisht me dobësimin e të drejtave të grave dhe anasjelltas që sulmet mbi vlerat liberale demokratike shoqërohen me sulme ndaj kauzave gjinore” (Revenge of the Patriarchs -Why Autocrats Fear Women). E, një strategji e tillë është e mirë shestuar. Sepse, çdo lëvizje politike dhe sociale që ka mëtuar të promovojë përmbysjen e regjimeve diktatoriale të të gjitha ngjyrave, ka mundur të ketë impakt më të madh vetëm nëse ka arritur t’i mobilizojë edhe gratë në radhët e veta.

Ndërkaq, projektin e margjinalizimit të grave nga shumë sfera të jetës shumica e liderëve populistë dhe autokratë mundohen që ta jetësojnë në mënyra të fshehta dhe tejet të sofistikuara. p.sh. duke mveshur petkun dhe rolin e prindit apo bashkëshortit të përgjegjshëm, e jo atë të diktatorit brutal. Pra, sikur që në familje i takon sigurimi i të mirave materiale dhe shpirtërore, kurse grave lindja dhe edukimi i fëmijëve, po ky parim duhet të implementohet edhe në përmasa shoqërore. I pari identifikohet me botën, e dyta me shtëpinë. Njërit i takon sfera politike, tjetrës ajo private. Maskuniliteti lidhet me lirinë politike, kurse feminiteti me domosdoshmërinë biologjike.

Operimi me imazhe dhe simbole të tilla, që edhe autoret në fjalë, çuditërisht s’e potencojnë, nuk është diçka e paqëllimshme,por produkt i motërzimit bizar ndërmjet populizmit, autoritarizmit dhe patriarkalizmit me ideologjinë e “nacionalizmit organik”. Këtë doktrinë e ka analizuar Hannah Arendt te “Gjendja njerëzore”. Sipas saj, shoqëria nuk është thjesht bashkësi pluraliste e përbërë nga individë që gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes, si qenie të lira dhe pavarura, por një konglomerat biologjik kolektiv. Dhe janë kategori të tilla homogjene, të cilat duke e “identifikuar kombin dhe raportet e anëtareve brenda tij me familjen dhe raportet familjare” që më shumë se asgjë tjetër po i ushqejnë edhe sot shumicën e lëvizjeve politike me prirje populiste. E ku me këtë rast, udhëheqësi na shfaqet si imitim i ‘Pater Familias’ mbi të cilin ka rënë barra e drejtimit kolektiv shoqërisë, qëllimi themelor i së cilës është mirëqenia e jetës kombëtare.

Kurse me anë të këtij paravëni ideologjik, lëvizjet populiste mëtojnë t’i konservojnë relacionet shtypëse si në shoqëri ashtu edhe brenda familjes. Sepse, duke e çimentuar në rend social dhe politik ku grave u caktohet vetëm një rol biologjik dhe familjar gjysma e shoqërisë përjashtohet nga vendimmarrja e çdoditshme politike, rrjedhimisht përgjysmohet edhe mundësia e rezistencës demokratike,  ndërkaq vetë gratë, duke qenë të mbyllura në kafazin e jetës private, privohen nga kultura e përbashkët e aksionit politik dhe publik për ta përmirësuar dhe demokratizuar edhe gjendjen e tyre në familje.

Çmontimi i shtyllave të këtij sundimi dinak, tregon më mirë as asgjë tjetër pse projekti feminist ka një rëndësi strategjike në kufizimin e potencialeve të regjimeve autoritare që kanë lulëzuar kohën e fundit, si dhe mbetet e vetmja mundësi për të ruajtur perspektivat plurale të demokracisë.

E për të zgjeruar imagjinatën dhe horizontet e kësaj beteje, nuk është e rastësishme që shumë nga teoricienet e spikatura të mendimit feminist si Luce Irigaray, apo Judith Butler i janë rikthyer edhe tragjedive antike. E para në një sërë punimesh që mund të gjenden në veprën “Ethics of Sexual Difference” ka treguar se si te Antigona e Sofokliut, mund të vërehen disa prej impulseve të para të rebelimit feminist. Madje këtë vepër, pohon Luce Irigaray,  nuk duhet ta lexojmë ashtu siç e ka interpretuar Hegeli: si konflikt ndërmjet dy të drejtave, atë të shtetit që përfaqësohet nga Kreoni, i cili vendos që trupi i vdekur i Polinisit  të shndërrohet në ushqim për korbat duke ia mohuar të drejtën e varrimit, dhe refuzimit të Antigonës për t’iu bindur këtij dekreti për të mbrojtur të drejtën e familjes, sepse siç dihet, kufoma ishte vëllai i heroinës tragjike. Por, në thesaret e kësaj drame gjenden të pleksura parimet e revoltës së “femintetit kundër rregullave të etatizmit dhe anti-autoritarzimit”. Ky konflikt që u lind nga shpërfillja e Antigonës ndaj urdhrave të Kreonit, më shumë se nga detyrimi për ta mbrojtur të “drejtën hyjnore të familjes” në të vërtetë u “provokua” nga vendosmëria e saj, për të mos i ndjekur verbërisht kufizimet legale shtetërore të ndërtuara mbi modelin e reprezentimit politik patriarkal. Sepse, me aktin e mosbindjes, Antigona, del nga roli i tradicional i gruas dhe konfrontohet në terrenin e jetës publike.

Prandaj, edhe kjo dramë mbetet inspiruese edhe sot e kësaj dite.  Mesazhi që na e përçon është i qartë: se vetëm duke e radikalizuar përpjekjen kundër kufijve të përfaqësimit politik autoritar me sfond patriarkal krijohen kushtet për trajtim të barabartë gjinor dhe për ndërtim të një rendi të mirëfilltë demokratik.  Mbase kjo është arsyeja se pse demokracia dhe feminizmi ndodhen në një bashkëdyzim të përhershëm. Dhe e vetmja alternativë për t’iu kundërvënë rrezikut që paraqesin lëvizjet bashkëkohore populiste për vlerat liberale dhe demokratike.

Author

  • Afrim Kasolli

    Afrim Kasolli ka studiuar Filozofi-Sociologji. Një kohë ka ligjëruar lëndën “Hyrje në Shkencat Politike në Kolegjin Victory”. Ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Merret me shkrime dhe ese filozofike. Sferë e veçantë e interesit të tij është filozofia politike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.