Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Fundi i paparashikueshëm i luftës në Ukrainë

Më 24 shkurt 2023 u shënua njëvjetori i fillimit të luftës totale në Ukrainë. Në shumë media, vendore dhe ndërkombëtare, u raportua mbi bilancin e njëvjeçarit të luftës. U analizuan shumë çështje, si: taktikat ushtarake, tragjeditë njerëzore, pasojat ekonomike, efekti i sanksioneve, rezervat e armatimeve dhe retorika nukleare, mes të tjerash.

Askush nuk mund ta parashikojë përfundimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, duket se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë në një periudhë afatshkurtër.

Në literaturë njihen kryesisht tre skenarë se si përfundojnë luftërat. Përgjatë viteve, studiuesit kanë mbledhur dhe studiuar të dhëna për t’i analizuar shkaqet dhe rrethanat e luftës dhe për të ndërtuar modele shpjeguese se kur dhe si përfundojnë luftërat ndërshtetërore.

Ndër autorët me të njohur në këtë drejtim është studiuesi Dan Reiter. Në librin e tij “Si përfundojnë luftërat,” Reiter identifikon tri mënyra se si mund të përfundojnë luftërat ndërshtetërore: fitorja absolute e njërës palë, armëpushimi dhe zgjidhja politike.

Fitorja absolute e njërës palë

Sipas Reiter, fitorja absolute arrihet në rastet kur shteti fitues në mënyrë të përhershme asgjëson kërcënimin potencial që vjen nga kundërshtari. Në të tilla situata, shteti fitues synon të ndryshojë udhëheqjen politike në shtetin e mposhtur, duke e pushtuar apo duke i aneksuar territorin.

Rasti më i njohur dhe më ilustrues i një fitoreje të tillë ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, ku shtetet aleate, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, arritën fitore absolute kundrejt Japonisë dhe Gjermanisë.

Në rastin e Ukrainës duket se asnjëra palë e përfshirë në konflikt nuk e ka mundësinë që të arrijë fitore absolute. Bazuar në deklaratat zyrtare, por edhe zhvillimet në terren, në fillim të luftimeve – në shkurt të vitit 2022 – Rusia synonte që përmes një “operacioni special 10-ditor” të arrinte një fitore të shpejtë, të stilit “Blitzkrieg”, duke demilitarizuar Ukrainën dhe duke instaluar një regjim të ri në Kiev.

Mirëpo, Moska nuk kishte arritur të parashikonte se një sulm i tillë do të rriste kohezionin në mesin e vendeve anëtare të NATO-s, duke stimuluar kështu edhe vendosmërinë e ukrainasve për të rezistuar. Të ballafaquara me këtë situatë, forcat ruse ndryshuan strategji dhe braktisën aspiratat për një fitore të shpejtë dhe absolute.

Fillimisht Moska ndoqi taktikën e bombardimeve ajrore përmes dronëve kamikazë me qëllim të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të Ukrainës dhe popullsisë civile. Që nga tetori 2022, Rusia aplikoi politikën e aneksimit duke pushtuar katër rajone ukrainase. Aktualisht qëllimi kryesor i Moskës duket se është mbajtja nën kontroll e këtyre rajoneve të aneksuara.

Në anën tjetër, duket se edhe Ukraina e ka të pamundur të arrijë një fitore absolute kundrejt Rusisë. Presidenti ukrainas disa herë ka deklaruar se synimi i Kievit është ta rikthejë nën kontroll të gjithë territorin e Ukrainës, duke përfshirë edhe çlirimin e Krimesë.

Armëpushimi

Modaliteti tjetër i përfundimit të luftës – siç sugjeron autori Reiter – është arritja e një marrëveshjeje armëpushimi. Armëpushimi nënkupton ndalimin afatgjatë të luftimeve në mes të palëve. Në një situatë të tillë, të dyja palët ndërluftuese angazhohen të ndalojnë luftën dhe të ndërtojnë mekanizma përkatës që do të pengonin rifillimin e luftimeve.

Në këto situata zakonisht përdoren zonat e çmilitarizuara, siç janë Paralelja e 58-të (si në rastin e Luftës e Koresë, 1953) dhe rasti i Transnistrisë në Moldavi (1992).

Në rastin e Ukrainës, Rusia do të ndalonte sulmet kundrejt ushtrisë, popullsisë dhe infrastrukturës në të gjithë territorin ukrainas, duke pezulluar edhe përpjekjet e mëtejme për ta zgjeruar territorin e pushtuar. Në anën tjetër, Ukraina do të stoponte përpjekjet për ta rikthyer territorin e pushtuar.

Mirëpo, një fund i tillë i luftës është vështirë i mundshëm, sidomos kur merren në konsideratë qëllimet përfundimtare dhe qëndrimet divergjente të palëve të përfshira sa i përket territorit të pushtuar ukrainas.

Arritja e një marrëveshjeje armëpushimi është problematike në planin afatgjatë, sepse përmes saj nuk do të adresohen shkaqet burimore të konfliktit. Së këndejmi, ndërveprimi në mes të shteteve të përfshira në marrëveshje armëpushimi është minimal. Për më tepër, ekziston rreziku permanent që tensionet të rriten sërish dhe luftimet të rinisin.

Në të njëjtën kohë, ky modalitet nuk do t’i jepte zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate burimit të konfliktit. Në këtë rast do të krijohej një konflikt i ngrirë me potencial të eskalimit në të ardhmen.

Zgjidhja politike

Autori Reiter argumenton se zgjidhja politike është modaliteti i fundit që mund të zgjidhë një konflikt. Kjo mund të ndodhë përmes marrëveshjes së një traktati paqeje për përfundimin e luftës. Kjo formë e zgjidhjes përfshin një armëpushim të qëndrueshëm mes palëve dhe akomodim të mosmarrëveshjeve esenciale që janë burimi kryesor i konfliktit.

Literatura ka evidentuar që pas Luftës së Dytë Botërore përfundimet e luftërave nëpërmjet një dakordimi gjithëpërfshirës politik apo nënshkrimit të një traktati paqeje janë më të rralla sesa marrëveshjet e armëpushimit.

Fillimi i luftimeve në mes të Ukrainës dhe Rusisë kishte shënuar edhe nisjen e negociatave në mes të palëve për arritjen e një zgjidhjeje eventuale politike. Këto përpjekje – me ndërmjetësimin aktiv të Turqisë – kishin kulmuar në mars të vitit 2022. Në këtë takim, pala ukrainase kishte paraqitur kërkesat e veta në formën e dhjetë pikave, e njohur edhe si “Komunikata e Stambollit”.

Përmes kësaj komunikate u kumtuan kushtet për një armëpushim mes palëve, që përfshinin arritjen e një neutraliteti të përhershëm të Ukrainës dhe ofrimin e garancive ndërkombëtare të sigurisë, duke u zotuar se statusi i Krimesë do të zgjidhej brenda 15 vjetësh. Kurse për Rusinë ishte jetike që të kodifikonte statusin e neutralitetit të përhershëm për Ukrainën, duke e asgjësuar kështu ambicien e saj për anëtarësim në NATO.

Mirëpo kjo marrëveshje nuk u arrit. Negociatat e mëtejme u pezulluan dhe lufta vazhdoi. Ka zëra që mbështesin idenë se ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara që për arsye gjeopolitike, përmes ish-kryeministrit britanik Boris Johnson, u siguruan që këto negociata të dështojnë.

Në këtë pikë të luftimeve, duke marrë në konsideratë edhe përfshirjen e thellë të Perëndimit – udhëhequr nga ShBA-ja – në mbështetje shumëdimensionale të Ukrainës, vlerësohet se edhe nëse pala ukrainase do të kishte vullnet politik që të arrinte një marrëveshje paqeje, do të ishte praktikisht një “mision i pamundur”. Kjo edhe për shkak të ndikimit të palëve të treta.

Një vit pas fillimit të luftimeve në Ukrainë duket se asnjëra nga modalitetet e përfundimit të luftërave – siç identifikohen nga literatura – nuk shihen në horizont. Fundi i kësaj lufte bëhet i paparashikueshëm edhe për faktin se në të janë përfshira, në një rivalitet të ashpër gjeopolitik, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Pra, edhe pse ShBA-ja formalisht nuk i ka deklaruar luftë Rusisë, mbështetja e parezervë për Ukrainën përbën rast klasik të “proxy war” (luftë në të cilën palët luftuese nuk janë të përfshira direkt në luftime, por shfrytëzojnë palët e treta për qëllimet e tyre gjeopolitike).

Së këndejmi, pa një dakordim në mes të këtyre dy superfuqive, të gjitha idetë për përfundimin e luftës do të mbesin vetëm në nivel teorik. Kjo në fakt është edhe arsyeja kryesore se përse nuk ka një perspektivë të qartë për fundin e luftës në Ukrainë. Për më tepër, një element i tillë na bën të kuptojmë se kjo luftë mund të zgjasë edhe për shumë kohë.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.