Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Fushëbeteja politike mes Chamberlain-it dhe Churchill-it: një analogji historike mes paqësimit dhe konfrontimit

“E tillë është natyrë e ligësisë. Atje në mes të injorancës së anëpërtejme të botës lëshon rrënjë e shpërndahet, si hije që rritet në errësirë, si e keqe e përgjumur dhe futë e zezë po aq sa muri i natës që afrohet mbi ne. Kështu ka qenë përherë, kështu do jetë përgjithmonë. Me kohë, të gjitha krijesat e këlbazëta shpërfaqen” – J. R. R. Tolkien

Trajektorja e historisë njerëzore është plot episode luftërash të përgjakura, mes të së cilave, si oaza të brishta, pipëtijnë sekuenca të paqes. Luftërat shkaktohen kryesisht nga agresorë megalomanë që i futen valles së kobshme të betejës në emër të korrigjimit të padrejtësive historike apo idealeve nacionaliste-shoviniste.

E në raste të tjera duke pretenduar se gëzojnë bekimin e vetë Perëndisë, të manifestuar nëpërmjet dorës së klerit fetar që i uron ushtarët teksa nisen për në front. Për të përdorur një metaforë të thjeshtëzuar, janë forca të errëta këto që vajtojnë për viktimizimin e trilluar historik, derisa përgatisin veglat e kasaphanës për masakra popujsh e pushtim territoresh.

Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithherë. Mostra e dorës diktatoriale është e njëjtë. Ndryshojnë vetëm rrethanat, vendi e koha. Por, skenari që çon në luftë është po ai, me ca modifikime të vogla.

Për ta përligjur të ardhmen, tentohet kthimi në pretendime të së kaluarës. Nuk është me rëndësi në janë këto pretendime të vërteta apo jo. Zakonisht nuk janë. Me rëndësi është që të shpiket e kaluara, të gjendet fajtori (një konferencë e paqes, një intervenim nga jashtë, një shtet fqinj që ka gllabëruar tokat, një konspiracion imperialist, kapitalist, apo semit).

Kjo është bukuria e tmerrshme e nacionalizmit shovinist: shpikja e së djeshmes së ndritshme për ta përligjur stërkeqjen e tanishme dhe për ta përgatitur popullin për luftërat e së nesërmes. Është një aparaturë e tërë që kontribuon në ndërtimin e këtij narracioni viktimizues e luftëndjellës. Janë politikanët, natyrisht, kasta që, në pamundësi për të adresuar nevojat e përditshme të shoqërisë, mezi pret të ndërtojë narracione të tilla së cilave as vetë nuk u beson. Është edhe inteligjencia e atij vendi: akademitë e shkencave, profesorët, mediat.

Në fakt, roli i tyre është edhe më i rëndësishëm në ndërtimin e këtij narracioni sesa i vetë politikanëve pasi në emër të arsimit, të dritës e informatës, kjo inteligjencie mbjell farat e urrejtjes, frytet e së cilave do të depërtojnë si helm radioaktiv nëpër tërë shtresat e shoqërisë dhe do të jetojnë gjatë ndër gjenerata, edhe pasi ajo kastë e parë politikanësh të jetë tretur në mauzoletë e turpshme të totalitarizmit historik.

Manuali i së Ligës

Së pari fillohet me paaftësinë e klasës politike për të ofruar mirëqenie për popullin e vet. Vendi zhytet në varfëri, pakënaqësi, keqmenaxhim dhe qeverisje të korruptuar.

Së dyti, vëmendja zhvendoset në imagjinatë kolektive, në të kaluarën e lavdishme e përplot dritë të kombit, dhe denoncohen ata që kontribuuan në dobësimin e tij.

Së treti, identifikohen fajtorët përgjegjës për situatën në vend dhe potencohet se si lideri aktual (i cili ndërton narracionin për luftë) do ta bëjë të pamundurën për ta rikthyer lavdinë e vjetër.

Së katërti, me identifikimin e fajtorëve dhe ndërtimin e narracionit luftëndjellës, shteti u kundërvihet zërave të pavarur dhe kritikë që i thërrasin arsyes e paqes: intelektualë, shkrimtarë, e pjesëtarë të shoqërisë civile zhvendosen në shënjestrën e pamëshirshme të pushtetit gjithnjë e më totalitar.

Disa do të ngashënjehen me tituj e privilegje, disa të tjerë do të dërgohen nëpër institucione për të çmendur, do të dëbohen nga vendi e do të jetojnë të syrgjynosur, e të tjerët thjesht do të ekzekutohen. Kohërat e krizave nuk tolerojnë zëra ndryshe. Ata janë mish i huaj, disidentë, tradhtarë.

Në fund, pasi të jetë krijuar uniformitet në mendim e në veprim, pasi të jenë përforcuar radhët e forcave të armatosura, shteti përkujdeset që të inskenojë incidente me vendet fqinje. Gjithmonë do të ketë njerëz (të së njëjtës përkatësi, fe apo etni) që jetojnë në vendet fqinje e që gjoja kanë nevojë për përkujdesjen e shtetit “amë”. Gjithmonë do të ketë territore që kanë qenë pjesë e së kaluarës së lavdishme të cilën inteligjencia është kujdesur që ta qëndisë “shkencërisht” në memorandumet e saj.

Mediat, në anën tjetër, bambardojnë pareshtur vetëdijen e masave popullore duke shpërndarë opiumin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Dhe kështu, në emër të “mbrojtjes”, në emër të nevojës për hapësirë jetese, të asaj që pushteti pretendon se i takon me Perëndi e me tapi, shteti i rreket agresionit kundër popujve të pafajshëm.

Kështu mëton të ngadhënjejë e Liga: me krime lufte, agresion e gjenocid.

Fillon me Chamberlain-in, mbaron me Churchill-in

Kështu ka qenë gjithmonë, kështu është edhe tani: para së gjithash, përballja me agresorin është fushëbetejë në mes të Chamberlain-it dhe Churchill-it në prag të Luftës së Dytë Botërore, pra në mes të të dy qasjeve mjaft të ndryshme politike që simbolizojnë këta kryeministra britanikë.

I pari ka hyrë në histori si promovues i politikës së paqësimit [appeasement], kurse i dyti si ushtar i politikës së konfrontimit direkt e të pakompromis me agresorin. Në kundërpërgjigjet e botës së lirë e demokratike, zakonisht gjithmonë preferohet politika paqësuese, e shumë më rrallë ajo konfrontuese. Dhe ndoshta nuk ka se si të jetë ndryshe.

Historia nuk ka treguar fare mëshirë për figurën e Chamberlain-it. Ai shërbeu si kryeministër britanik në periudhën 1937-1940. Konsiderohet si njeri që në një moment historik tregoi dobësi të pafalshme ndaj Adolf Hitler-it, në kohën kur ai kishte shfaqur haptazi ambiciet për pushtimin e Evropës.

Në shtator të vitit 1938, në Mynih, Chamberlain-i nënshkroi ”marrëveshje të paqes” me Hitlerin, e cila e obligoi Gjermaninë dhe Britaninë që të mos hyjnë në luftë me njëra-tjetrën. Marrëveshja po ashtu ia njohu Hitlerit të drejtën që të pushtojë një pjesë të Çekosllovakisë, me shpresën se ky do të ishte fillimi dhe fundi i ambicieve ekspansioniste të Gjermanisë naziste.

Besoj se kjo nënkupton paqe për kohërat tona”, kishte deklaruar Chamberlain-i pas kthimit nga Mynihu në Londër. Këto fjalë tingëlluan tmerrësisht naive kur një vit më vonë Gjermania filloi pushtimin e Evropës. Chamberlain-i dha dorëheqje në maj 1940 dhe në vend të tij erdhi Churchill-i me politikën e pakompromis të konfrontimit ushtarak ndaj Hitlerit.

Tash së fundi, një film i quajtur “Munich: The Edge of War” jep një këndvështrim autentik mbi figurën e Chamberlain-it. Sipas filmit, historia është treguar jo e drejtë me Chamberlain-in, pasi ai bëri më të mirën e mundshme në rrethanat në të cilat veproi. Chamberlain-i nuk ushqente iluzione për Hitlerin. Duke u orvatur që ta mbajë të gjallë dialogun, ai fitoi kohë të vlefshme që Britania të përgatitej për luftë dhe shfrytëzoi çdo mjet të mundshëm diplomatik që t’i japë shans paqes.

Sot sërish mes paqësimit dhe konfrontimit

Filmi mund të ketë të drejtë. Edhe historia e mëvonshme na tregon se politika e paqësimit është përgjigjja e parë intuitive e shteteve karshi agresionit. Këtë politikë e praktikuan shtetet perëndimore për vite me radhë kundruall Serbisë së Millosheviqit gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Të kujtojmë se përkundër krimeve të bëra në këto vende, Millosheviq u cilësua si “arkitekt i paqes” pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dayton-it më 1995.

Paqësimi i Serbisë në fakt vijoi deri diku kah fundi i vitit 1998, pra shumë muaj pas fillimit të luftës në Kosovë, kur ende shpresohej se me Beogradin mund të bisedohej për një zgjidhje diplomatike. Në rastin tonë, kapërcimi nga politika e paqësimit në politikë të konfrontimit, pra nga Chamberlain-i te Churchill-i, ndodhi me fillimin e intervenimit ushtarak të NATO-s në mars 1999.

Megjithatë, nuk është lehtë për Perëndimin që të shndërrohet në Churchill në çdo situatë. Lufta është gjithmonë më e kushtueshme, më traumatike, pakrahasimisht më tragjike dhe më e paparashikueshme. E parë nga ky kënd, është disi e kuptueshme edhe politika gjermane e cila ndër vite ka kultivuar raporte miqësore diplomatike e ekonomike në raport me Rusinë e Vladimir Putin-it.

Është lehtë që nga pikëpamja e sotme të fajësohet ish-kancelarja gjermane Angela Merkel për keqkalkulim politik ndaj Putinit. Mirëpo, shikuar nga prizmi i viteve 2000 e 2010vërtet ekzistonte besimi se me intensifikim raportesh ekonomike do të arrihej përafrimi me Rusinë dhe zhdukja e ballafaqimit ushtarak.

Me të kuptuar konteksti, pra, politika paqësuese është më e kuptueshme. Çfarë nuk është e kuptueshme është kur paqësimi bëhet mjet i inercisë politike për të vepruar. E tillë ishte Evropa në vitet e fundit, sidomos pas pushtimit të Krimesë nga Rusia.

U desh një luftë totale mbi Ukrainën që shtetet evropiane të shkundeshin nga dremitja e paqësimit dhe të kalonin në barrikadim dhe sanksione përball rrezikut rus. Këtu barrikadimi nuk nënkupton medoemos qasjen churchilliane të përballjes së drejtpërdrejtë ushtarake, por konfrontim politik, ekonomik, kulturor, financiar etj., si dhe, natyrisht, ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Dhe, në fund, duket se politika paqësuese vazhdon të mbijetojë edhe në Ballkan. Perëndimi ende aplikon politikë paqësuese karshi qeverisë serbe, përkundër veprimeve të saj qartazi pro-ruse dhe armatimit të shtetit serb nga Rusia e Kina.

Është zor të besohet që Brukseli të jetë kaq i pavëmendshëm sa të mos shohë mundësinë e rrezikut të një skenari alla rus nga aleati i saj në Ballkan. Fashizmi nuk bën të përkëdhelet. Historia dëshmon se paqësimi nuk është gjithmonë përgjigjja; konfrontimi politik e diplomatik (me shpresë se nuk ka nevojë për skenar ushtarak) mund të kthejë besimin në paqe e stabilitet.

Megjithatë, ka të ngjarë se është taktikë e qëllimshme që të afrohet Beogradi sipas logjikës se komplimentet afrojnë, ndërsa kritikat largojnë. Përndryshe, paqësimi syverbër i Beogradit do të ishte gabim trashanik, sidomos nëse qeveria serbe vazhdon me avazin e vjetër të shteteve agresore që përgatiten për sulm.

Sot bota e lirë e demokratike sërish gjendet në pozitën e lavjerrësit që epohet në mes të dy ekstremeve: politikës së paqësimit dhe asaj të konfrontimit. Gjithmonë me shpresën se animi mbi këtë të dytën mjafton me konfrontim të çfarëdo lloji përpos atij ushtarak.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.