Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Gjuha Diplomatike në Kohën e Twitter-it

Thënia popullore çka ta bën goja nuk ta bën armiku, sot edhe mund të përshtatet në çka ta bën cicërima nuk ta bën as goja.

Digjitizimi dhe avancimet teknologjike nuk kanë ndikuar vetëm në mënyrat e komunikimit tonë si individë, por edhe të organizatave në përgjithësi, përfshirë shtetet. Tanimë është bërë normë që zyrtarët t’i shprehin mendimet e tyre (dhe/apo Qeverive që reprezentojnë) përmes mediave si Twitter, Facebook dhe Instagram. Në këtë shkrim po fokusohem në Twitter, i cili përdoret më shpesh, por se efektet janë të njëjta edhe në mediumet e tjera. Twitter paraqet mundësi të mira, por edhe rreziqe nëse nuk menaxhohet si duhet. Mundësitë e ndonjë komunikimi të gabueshëm strategjik janë edhe më të mëdha nën rrethanat e lëkundjeve globale që po përjetojmë.

Në ketë aspekt, Qeverisë së Kosovës i duhet plan në mënyrë që teknologjia t’u shërbej interesave shtetërore duke komunikuar efektivisht dhe në përputhje me strategjinë e shtetit.

Përfitimet nga Twitter

Me një mesazh, në mënyrë të menjëhershme një udhëheqës mund të arrijë miliona lexues. Nuk ka mënyrë më të drejtpërdrejt sot për të komunikuar më gjerësisht. Obama ishte Presidenti i parë me rol global, i cili shfrytëzoi potencialin e Twitter-it. Prej atëherë, kemi parë adaptim të Twitter-it nga të gjitha shtetet përfshirë udhëheqës që censurojnë qytetarët e vet, si Ayatollah Khomeini nga Irani i cili shpesh kritikon qasjen e Amerikës dhe të Izraelit por edhe paralajmëron e kërcënon udhëheqësit e këtyre shteteve përmes mesazheve në Twitter.

Kur jemi tek të mirat e Twitter-diplomacisë, ja vlen të analizojmë shembujt e përmendur më lart në komunikim me njëri tjetrin. Qysh prej Revolucionit Islamik në Iran në vitin 1979 dhe krizës me marrjen peng të personelit të Ambasadës Amerikane, marrëdhëniet mes dy shteteve janë përkeqësuar dhe nuk ka pasur ndërlidhje direkte diplomatike.

Si urë lidhëse për komunikim mes dy shteteve, rolin zyrtar e ka luajtur Zvicra. Por edhe shtetet tjera sikur Omani, Franca e Japonia kanë kontribuar në këtë komunikim. Por, në vitin 2013 kur negociatat rreth programit nuklear të Iranit kishin rifilluar, u vërejt një ndryshim në anën e Iranit dhe ai ishte tentimi i udhëheqësve të shtetit për të komunikuar me Amerikanët në një mënyrë proaktive dhe me mesazhe inkurajuese. Shkëmbimi mes ish Ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit Javad Zarif dhe ish Sekretarit të Shtetit Amerikan John Kerry në Twitter, ishte një tentim i qartë nga të dy palët për krijimin e besimit dhe mirëkuptimit në mënyrë që të dy shtetet mund të ndryshonin pikëpamjet armiqësore ndaj tjetrës dhe të negocionin me më pak pengesa.

Natyrisht se Twitter nuk i zëvendësonte negociatat e vështira rreth programit nuklear, por ai padyshim se ndikonte pozitivisht ngase tani haptas dhe drejtpërdrejt me gjithë botën si audiencë, Zarif dhe Kerry kishin një hapësirë të re ku mund të tejkalonin kanalet tradicionale dhe pa ndryshuar politikat ndëshkuese te shprehnin vullnet të mirë për bashkëpunim.

Dëmet e Twitter-it

Pa përkujdesje të duhur, dhe pa ndjekje të planit të komunikimit strategjik, zyrtaret rrezikojnë të kthejnë këtë hapësirë në incidente të cilat vetëm përkeqësojnë marrëdhëniet. Një zyrtar mund të vërë parathënien se mendimet e shprehura aty janë vetëm personale, por e gjitha varet nga rrethanat se si, çka dhe kur është thënë.

Shkëmbimi mes Kanadasë dhe Arabisë Saudite në anën tjetër është një shembull se si Twitter mund të ndikojë negativisht. Në vitin 2018 Ministrja e Punëve të Jashtme te Kanadasë Chrystia Freeland, kishte cicëruar që aktivistët e burgosur në Arabi Saudite të liroheshin. Qëllimi i këtij cicërimi nuk ishte eskalimi i gjendjes, por Arabia Saudite reagoi duke dëmtuar marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë të papritur, tërheqjen e ambasadorit dhe deklarimin e ambasadorit kanadez persona non grata.

Kur e analizojmë ketë incident, shihet se Kanadaja gjithnjë ka qenë kritike ndaj qasjes së Arabisë Saudite në trajtimin e të drejtave të njerëzve. Ndryshimi në këtë rast dyshohet të ketë qenë kritika në gjuhën Arabe përmes Twitter-it, e cila mund të ketë frikësuar zyrtarët për rolin e mundshëm mbi qytetarët e Arabisë Saudite (duke mos harruar efektin e internetit në Pranverën Arabe.)

Twitter në Diplomacinë e Kosovës

Është e lehtë, nëse e shikon nga sytë e një të jashtmi, të vëresh se cicërimat e këshilltarëve politikë por edhe zyrtarëve të lartë të Kosovës përshkruajnë gjendjen e politikës së jashtme të vendit. Me një filtrim të cicërimave mund të kuptosh në mënyrë indirekte se a) nuk ka politikë të jashtme të unifikuar në Kosovë, që i bie se lehtë mund të thyhen qëndrimet e një Qeverie apo sektori shtetëror. Përçarjet rreth tarifave e negociatave me Serbinë janë një shembull i tillë, dhe b) nuk ka politikë të qartë sa i përket qëllimeve strategjike në skenën ndërkombëtare që lejon për zyrtarët herë të kritikojnë Kinën, herë Rusinë apo BE-në pa ndonjë paramendim se si ndërlidhen të gjitha në komunikimin strategjik të shtetit dhe pozicionimin ndërkombëtar.

Përveç përçarjes së dukshme nga një pjesë e zyrtarëve të Kosovës kundër Bashkimit Evropian, apo edhe disave që ndeshen me zyrtarët amerikanë, ia vlen të ceken edhe cicërimat jo të rralla që kritikojnë p.sh. autoritarizmin rus apo zhvillimet në Kinë.

Nuk e besoj që ka nevojë për sqarim se sa e rëndësishme është politika pro SHBA dhe pro BE, si shtylla mbrojtëse të ekzistencës së Kosovës. Ajo të paktën ishte e qartë derisa filluan lëkundjet në marrëdhëniet SHBA – dhe vendet kyçe të BE-së. Por, për Kosovën edhe pse e zhytur në këtë betejë ndoshta edhe pa dëshirën e saj, komunikimi duhet të jetë konstant në përkrahje të dy entiteteve ndërsa ndeshjet e interesave të diskutohen përmes kanaleve tradicionale (jo duke ushqyer sentimente negative.)

Njëkohësisht, si princip Kosovës i intereson të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe përkeqësimi të jetë vetëm si rezultat i ndonjë rreziku që një shtet paraqet ndaj saj (p.sh. kërcënimet nga Serbia.) Sa për ilustrim, Kosovës i nevojitet të jetë në terma sa më të mirë me Kinën, sepse nuk fitohet asgjë kur një shtet me peshë jorelevante ndërkombëtare e kritikon Pekinin. Qasje tjetër, e duhur në këtë rast, është dhe ajo e tentimit të vazhdueshëm për të deportuar në qarqet diplomatike në Kinë dhe për t’u bërë faktor relevant. Pyetja pra, duhet të ishte se si mund të përdoret Twitter për të fituar përkrahje kineze në çështjen e Pavarësisë apo të ekonomisë, e jo si të kritikohet vetëm pse ajo nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Ndërsa me shtetet sikur Rusia p. sh. edhe kërkohet pozicionim më i ashpër duke ditur fushatat e saj proserbe, por edhe me të duhen zgjidhur betejat dhe ndërlidhur komunikimi, me qëllimet më të mëdha përtej ngjarjeve ditore të cilat vetëm sa mund të shkaktojnë skandale dhe nuk kanë ndonjë vlerë të shtuar.

Nga ky këndvështrim, shihet se cicërimat mund të kenë ndikim të madh pozitiv ose negativ, varësisht se si përdorën, ndërsa Qeverisë së Kosovës i duhet plan në mënyrë që teknologjia t’u shërbejë interesave shtetërore duke komunikuar efektivisht dhe në përputhje me strategjinë e shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.