Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Greqia dhe Kosova

Raporti i Greqisë me Ballkanin Perëndimor dallon nga raportet e vendeve tjera të BE-së. Kjo për shkak që Greqia është vend ballkanik. Në qarqet të akademisë diplomatike thuhet se pozita e saj gjeografike e shkëput atë prej bërthamës së BE-së dhe e mban afër rajoneve jostabile jashtë BE-së. Ky jostabilitet në Ballkanin Perëndimor ka ndikuar shumë që Greqia të jetë një përkrahëse e zgjerimit të BE-së në këtë rajon. Megjithatë qasja e saj ka qenë ambivalente.

Në njërën anë ajo në nivel deklarativ ka mbështetur fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, kurse në anën tjetër e ka instrumentalizuar politikën e zgjerimit të BE-së për interesa të veta nacionale. Kjo e ka shtyrë Greqinë që të mos e përkrahë integrimin e Ballkanit Perëndimor si tërësi, por si pjesë-pjesë dhe në ritme të ndryshme, varësisht interesave të saj strategjike.

Kjo ka ndikuar që Greqia ta përkrahë integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE, por të bllokojë rrugën e Maqedonisë dhe Kosovës në BE. Maqedoninë e ka bllokuar për shkak të çështjes së emrit të Maqedonisë, që tani është më afër zgjidhjes, kurse Kosovën për shkak se nuk përkrah shpalljet e njëanshme të pavarësisë dhe për shkak të afërsisë me Serbinë. Megjithatë, arsyeja kryesore e mosnjohjes së Kosovës është kontesti që Qipro e ka me Qipron turke.

Siç tregojnë raporte të ndryshme, tri karakteristika e kanë shoqëruar qasjen e shtetit grek në raport me Ballkanin Perëndimor: e para, veçantitë e politikës së jashtme greke dhe insistueshmëria e tyre; e dyta, prapavija e marrëdhënies së Greqisë me regjionin dhe ekzistenca e kontesteve të krijuara pas Luftës së Ftohtë dhe e treta, shndërrimi i politikës evropiane të zgjerimit në vegël kombëtare greke gjatë viteve ’90.

Këta faktorë shpjegojnë sjelljen diplomatike të Greqisë në tri dekadat e fundit dhe pritet të luajnë rol vendimtar edhe në vitet në vazhdim. Kësisoj, Greqia do të oscilojë në një baraspeshë delikate mes kushtëzimit për të siguruar kompromise të favorshme me fqinjtë dhe mosrrezikimit të procesit të zgjerimit të BE-së.

Në raport me Kosovën, Greqia operon me një regjistër të dyfishtë. Në njërën anë nuk e njeh, e në anën tjetër kultivon një ndërveprim solid me Kosovën. Në vitet ’90 Greqia kishte marrëdhënie të tensionuara me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendi i vetëm me të cilin kishte marrëdhënie miqësore ishte Serbia. Kur filloi lufta në Kosovë Greqia luajti rol të paqartë.

Në njërën anë nuk mori pjesë në bombardimet e NATO-s mbi Serbinë, por në anën tjetër e mbështeti logjistikisht këtë fushatë dhe e ndihmoi në menaxhimin e krizës së refugjatëve. Vlerësime të njohësve të politikës greke tregojnë se Qeveria greke e asaj periudhe mundohej të mbante një ekuilibër mes presionit të brendshëm nga qytetarët grekë dhe përgjegjësive të saj multilaterale.

Sipas të dhënave të kohës, 97% e qytetarëve grekë kundërshtonin intervenimin e NATO-s në Serbi. Por kërkesat e NATO-s e detyruan Greqinë që të gjejë një rrugë të mesme. Me të mbaruar lufta, Greqia filloi t’i harmonizonte më shumë qëndrimet e saj me Perëndimin dhe u pajtua që e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE dhe NATO.

Kjo politikë më së shumti gjeti shprehje në Samitin e Selanikut të vitit 2003 gjatë kohës kur Presidenca e Këshillit Evropian i takonte Greqisë. Mirëpo, përkrahja në parim e zgjerimit të BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor u mbështet me kushtëzime që lidheshin kryesisht me interesat nacionale greke dhe më pak me vizionin e BE-së.

Problemet rreth emrit e shtynë Greqinë që të bllokonte hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ndërkohë që kur Kosova e shpalli pavarësinë, Greqia refuzoi ta njihte. Këtë qëndrim e bazonte në dy arsye kryesore. E para, Greqia u arsyetua se pavarësia e njëanshme e Kosovës shkel ligjin ndërkombëtar. E dyta, shpallja e njëanshme e Kosovës mund të ndikojë negativisht në çështjen e Qipros.

Mosnjohja e Kosovës nga ana e Greqisë nuk është qëndrim i palëkundshëm. Greqia ka përsëritur disa herë se në rast të një marrëveshje me Serbinë, ajo do ta njohë Kosovën. Pra Greqia nuk është inerte në këtë drejtim. Mirëpo në debatin e brendshëm grek, Kosova zë një vend të skajuar. Përgjatë viteve janë organizuar debate të ndryshme akadamike rreth qëndrimit grek për Kosovën, por me pak efekte në politikën e jashtme.

Megjithatë, përkundër mosnjohjes së Kosovës, Greqia mban një angazhim efektiv në Kosovë. Nga të gjitha shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia është i vetmi vend që ka funksionalizuar një Zyrë Ndërlidhëse dhe që ka Ambasador në Prishtinë. Në këtë zyrë janë mbajtur takime të rëndësishme të nivelit të lartë përfaqësues politik mes Greqisë dhe Kosovës.

Greqia njeh dokumentet e Kosovës dhe lejon futjen e automjeteve me targa të Kosovës në territorin e saj. Greqia e ka ndihmuar Kosovën që të anëtarësohet në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qoftë duke votuar në favor të Kosovës, qoftë duke i bërë kuorumin. Poashtu, nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia është i vetmi vend që nuk ka ofruar opinion kundër pavarësisë së Kosovës në GJND.

Greqia ka ndihmuar Kosovën edhe në çështje kulturore. Ambasadori grek Dimitri Moschopoulos ishte udhëheqës i programit të BE-së për Trashëgiminë Kulturore Serbe në Kosovë. Kjo Zyrë Ndërlidhëse Greke në Kosovë e afroi Kishën Ortodokse Serbe dhe Qeverinë e Kosovës që nivelin e bashkëpunimit e kishin shumë të ulët. Që nga viti 2016 Alexandra Papadopoulou është në krye të misionit të EULEX-it dhe ka një rol shumë aktiv në Kosovë.

Në dokumentet zyrtare të shtetit grek thuhet se Greqia ka bërë përpjekje që të ndërtojë marrëdhënie të mira ekonomike me Kosovën brenda vizionit të saj për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Greqia mendon se zhvillimi i ekonomisë është mirëmbajtës i paqes dhe i stabilitetit në regjion. Greqia ka pranuar që të hapet Zyra e Kosovës për Punët Ekonomike dhe Tregtare në Athinë.

Në këtë rrafsh Greqia ka investuar në disa sektore, si në atë të ushqimit, pijeve, materialeve ndërtimore, karburanteve dhe menaxhimit të mbeturinave. Shkëmbimet tregtare ende nuk janë të kënaqshme, por baza për forcimin e tyre është solide.

Greqia është e përkushtuar në garantimin e një paqeje rajonale të bazuar në respektin e  të drejtave dhe të lirive themelore të tij. Ajo angazhohet për rritjen e standardit jetësor, mbrojtjen e minoriteteve dhe respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Duke qenë se Greqia e mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ajo ka përkrahur edhe dialogun Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e BE-së. Dialogun që ka filluar më 2011 Greqia e ka vlerësuar si hap pozitiv drejt integrimit në BE. Ajo ka përshëndetur arritjen e Marrëveshjes së vitit 2013 për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sikur shtetet e tjera që nuk e njohin Kosovën, edhe Greqia do të vazhdojë të mos e njohë Kosovën derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultonte me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Në atë rast shtetësia e Kosovës nuk do të përbënte problem as për Greqinë, e as për Qipron, shtet shumë i afër me Greqinë dhe që ka problemin me Qipron turke.

Mirëpo, thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë është pritur me skepticizëm në Greqi për shkak të frikës se kjo mund të fuqizojë kauzën çame dhe t’i nxjerrë problem Greqisë. Nacionalistët grekë kanë frikë se një bashkim Kosovë-Shqipëri mund të ushqejë aspiratat secesioniste të çamëve. Mirëpo kjo nuk pritet të jetë arsye aq e fortë sa të mos lejojë Greqinë që ta njohë Kosovën, por nuk do të jetë edhe pa vështirësi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.