Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Historia komplekse e marrëdhënieve Kosovë-Rusi (IV)

Historiku i zyrave diplomatike ruse në Kosovë dhe vizita e Lavrovit në Prishtinë

Faza finale e Rezolutës 1244 parashikonte zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe për ta çuar punën deri në fund, ishte riaktivizuar Grupi i Kontaktit për Kosovën. Ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit ishte edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishin përcaktuar tashmë në nëntor të 2005 tri parimet themelore për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, që ishin: nuk ka kthim të Kosovës para vitit 1999, nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë vend tjetër.

Gjatë nëntorit të vitit 2005 Lavrov kishte bërë një hap të rëndësishëm. Çuditërisht, atë që diplomacia ruse gjatë viteve ’90-ta kishte hezituar ta bëjë, pra që të vë kontakte direkte me liderët politikë të Kosovës. Pra, duke e dëgjuar vetëm versionin e Beogradit për Kosovën dhe të motivuar nga aspekti etnik, religjioz e kulturor, Rusia nuk vepronte, atë që shtetet perëndimore tashmë e bënin prej vitesh – vënien e kontakteve me të gjitha palët e një konflikti. Pavarësisht këtij hapi, politika ruse ende sot nuk merr parasysh vuajtjet e popullatës shqiptare të Kosovës.

Lavrov vizitoi Kosovën më 7 nëntor 2005. Përpos takimit me kryeadministratorin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, ai u takua edhe me Presidentin Rugova, duke shënuar një nga takimet më të larta ndërmjet Moskës dhe Prishtinës. Lavrov nuk kishte hezituar ta takojë Presidentin Rugova në rezidencë, pas diagnostifikimit të tij me kancer. Gjatë këtij takimi, ministri Lavrov kishte shprehur qëndrimin e shtetit të tij, se Rusia do të respektojë bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari dhe Rohan, të cilët ishin ngarkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.

Gjatë kësaj vizite në Kosovë, Lavrov kishte marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, kohën e hapjes e të cilës Lavrov e përshkruante si të rëndësishme, pikërisht në kohën kur kishin filluar përgatitjet për nisjen e bisedimeve për statusin final të Kosovës. E në hapjen solemne të Zyrës Ndërlidhëse Ruse, Lavrov shoqërohej nga kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen. Por, në lidhje me hapjen e Zyrës Ndërlidhëse ruse në Prishtinë, ka edhe një fakt tjetër historik.

Misioni i parë diplomatik rus në Kosovës ishte hapur në Prizren (Nën-konsullatë) në vitin 1866, gjatë kohës kur Kosova ishte nën pushtimin osman. Në kuadër të shtrirjes së ndikimi rus në Ballkan dhe me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të krishterëve në Perandorinë Osmane ishin hapur edhe dy misione tjera konsullore në Vilajetin e Kosovës, një në Shkup në 1880 dhe në Mitrovicë në 1903. E vetëm gjashtë muaj pas hapjes së misionit konsullor rus në Mitrovicë, pason hapja e asaj austro-hungareze.

Lavrov është aktualisht një nga ministrat e Jashtëm me një karrierë të gjatë diplomatike. Pas 32 vite shërbimi në MPJ, Lavrov u ftua nga presidenti rus në vitin 2004 ta marrë drejtimin e diplomacisë ruse, në të cilin ai shërbente që nga viti 1972. Por, para se të emërohej ministër, ai nga viti 1994 kishte shërbyer si ambasador rus në Kombet e Bashkuara. Duke i ndjekur zhvillimet politike në shpërbërjen e Jugosllavisë e sidomos gjatë luftës së Bosnjës dhe bisedimeve ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes së Daytonit, Lavrov mbarte me veti një eksperiencë të jashtëzakonshme diplomatike dhe një nga ambasadorët e vetëm në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili më vonë do të merret edhe me intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Gjatë çështjes së Bosnjës (1992-1995), qëndrimi rus ishte përshkruar nga shumica e diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë si tejet konstruktiv. Një qasje të tillë konstruktive për Kosovën shihej edhe në gjykimin e ish ministrit të Jashtëm gjerman, Joschka Fischer (në librin “Vitet kuq-gjelbër. Politika e jashtme gjermane – nga Kosova e deri më 11 shtator”). Mirëpo, ky konstruktivitet ishte venituar gjatë intervenimit në Kosovë, duke e kthyer Lavrovin një nga zërat më oponent të këtij intervenimi.

Strobe Talbott, në librin e tij të lartcekur e përshkruante rolin e Lavrovit në hartimin e rezolutës 1244 si pengues, ngaqë i është dashur edhe presidentit Clinton gjatë një bisede telefonike me presidentin Jeltsin më 7 qershor 1999, ta paralajmërojë atë për “taktikat e Lavrovit në Kombet e Bashkuara”, ku Lavrov e vështirësonte procesin duke mos u pajtuar me tekstin e rezolutës. Gjatë viteve të mëvonshme, Lavrov me paraqitjet e tij në Këshill të Sigurimit mbahet mend për kritikat e tij jo vetëm në drejtim të palës kosovare, por edhe të punës së misionit ndërkombëtar në Kosovë.

Nga partner konstruktiv në bllokues e agresor

Tri parimet themelore të lartcekura për zgjidhjen e statusit final të Kosovës të nëntorit 2005 të Grupit të Kontaktit ishin bërë tashmë të shenjta për ekipin negociator ndërkombëtar (UNOSEK) të drejtuar nga presidenti Ahtisaari dhe ambasadori Rohan. Dy ndërmjetësuesit evropianë nuk kishin dyshim se ata do të gjejnë një zgjidhje e cila do t’i kënaqë të dy palët konfliktuoze. Ahtisaari ishte pothuajse i vetmi lider që kishte arritur të “ndërtojë paqe në tri kontinente” (Kofi Annan) e me mbështetjen e Rohanit, i cili ishte një referencë ndërkombëtare për zhvillimet në Ballkan, hartimi i një marrëveshje do të jetë edhe më i lehtë.

Gjatë një bisede të Rohanit me autorin e këtyre rreshtave, ai kishte shprehur bindjen e tij se Moska do ta mbështeste planin e tyre, ngaqë Lavrov që nga fillimi ishte mbështetës i parimeve tashmë të hartuara nga Grupi i Kontaktit. E diplomati rus Petr Ivantsov (aktualisht ambasador i Rusisë në Sarajevë), i cili përfaqësonte qëndrimin e Moskës në negociata, përkujdesej para së gjithash për të drejta më të privilegjuara për serbët e Kosovës.

Por, në janar të 2006 gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit, ku Ahtisaari kishte elaboruar procesin e negociatave, Lavrov e kishte kapur thelbin. Ai pyet Ahtisaarin, “kjo do të thotë se rusët duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës?”. Lavrov propozon “ndryshimin e kësaj pike”. E Ahtisaari i kundërpërgjigjet se “që kur ju keni premtuar të përkrahni këtë proces, unë jam duke ju treguar juve se çfarë ju duhet bëni”. Ahtisaari e kishte fjalën për një marrëveshje e cila është e pranuar për 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës dhe rusët e dinin këtë. Muaj më vonë Lavrov ia kishte bërë me dije Ahtisaarit se Moska nuk ka në plan t’i detyrojë serbët për ta pranuar marrëveshjen.

Mbështetje ruse ishe e nevojshme jo vetëm për t’i bindur serbët, por edhe për votën e tyre në Këshill të Sigurimit. Gjatë një takimi me liderët e Troikës evropiane në Sochi, Putin thuhet të jetë shprehur i shokuar me qëndrimin e evropianëve ndaj marrëveshjes dhe për ngutinë e Perëndimit për Kosovën. Problemi real i Rusisë nuk ishte Kosova e as Ahtisaari, problemi themelor ishte Perëndimi dhe ndryshimet gjeopolitike e gjeostrategjike që tashmë kishin marrë tatëpjetën. E disa prej tyre janë të domosdoshme të vihen nën llupë analitike, ku Kosova ishte efekt anësor.

E para lidhet domosdoshmërisht me ardhjen në pushtet të presidentit Putin. Gjatë viteve të para të qeverisjes së tij, ai ishte përpjekur për krijimin e raporteve të afërta me SHBA-të dhe BE-në dhe këto vite “janë vite të qëndrimeve konstruktive të presidentit Putin”, deklaroi Daniel S. Hamilton, njohës i raporteve transatlantike, në një intervistë për autorin e këtij artikulli. Gjatë sulmeve terroristë të 11 Shtatorit kundër SHBA-ve, Putin ishte ndër të parët që kishte telefonuar presidentin Bush Jr. dhe kishte shprehur gatishmërinë ruse për ndihmë amerikanëve në luftë kundër terrorizmit. Të njëjtin mirëkuptim rus duhet parë edhe gjatë intervenimit amerikan në Afganistan (2001).

E dyta, intervenimi amerikan dhe britanik në Irak (2003) nuk ishte parë me sy të njëjtë nga Moska dhe me të njëjtin mirëkuptim sikurse luftimi kundër terrorizmit të Al-Kaidës dhe Talibanëve në Afganistan. Në këtë drejtim zgjerimi i NATO-s drejt kufijve rus është parë dhe shihet si kërcënim për Rusinë. Kërcënim i tillë direkt dhe serioz ishte parë edhe vendosja e mbrojtjes raketore në Poloni dhe Republikën Çeke, si dhe ndërtimi i bazave ushtarake amerikane në Bullgari dhe Rumani dhe më vonë në shtetet e Baltikut. Të gjitha këto u interpretuan nga Putini si poshtërim i Rusisë.

E treta, intervenimi amerikan në Kosovë (1999) dhe në Irak (2003) pa vendim të Këshillit të Sigurimit dhe planet e mëtutjeshme amerikane për një rend botëror monopolar sipas gjykimit të Moskës duhet ndalur. Kështu që Rusia priste momentin për vendosjen e “vijës së kuqe” ndaj Perëndimit. E këtë vijë të kuqe e kishte bërë të ditur vetë presidenti Putin në Konferencën e Sigurisë në shkurt të 2007 në München e cila konsiderohet padyshim si një pikë kthese në gjeopolitikën globale. Putin ishte i drejtpërdrejtë, i ashpër dhe i pamëshirshëm, duke deklaruar se Rusia nuk do të durojë një poshtërim të mëtutjeshëm. Ai në asnjë rast nuk e përmendi me emër SHBA-të, por mesazhi i tij e kishte atë si adresë të vetme.

“Unë mendoj se për botën e sotme modeli monopolar jo vetëm që është i papërshtatshëm, por është aspak i pamundur”, deklaroi Putin duke pyetur: “Tani kemi të drejtë të pyesim: Kundër kujt drejtohet ky zgjerim [i NATO-s]? Dhe çfarë ndodhi me garancinë që partnerët tanë perëndimorë na dhanë pas shkatërrimit të Traktatit të Varshavës? Ku janë këto deklarata tani? As nuk i mbani mend më.” E për Putinin ishte e “qartë se zgjerimi i NATO-s nuk ka asnjë lidhje me modernizimin e vetë aleancës ose me garantimin e sigurisë në Evropë. Përkundrazi, ai përfaqëson një provokim serioz që ul nivelin e besimit të ndërsjellë”.

Për Ahtisaarin, fjalimi i Putinit në München ishte një votë kundër për planin e tij në Këshill të Sigurimit. Sipas ambasadorit Wolfgang Petritsch, ishte e qartë se “Kosova u bë viktima” e parë e politikës së re të jashtme ruse dhe si rrjedhojë Rusia ende heziton ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në librin e tij “Ngritja e një shteti”, shkruan se rivaliteti ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë “nuk është vetëm në raport me Kosovën. Madje, në fakt, ajo [Kosova] nuk është fare esenca e rivalitetit”. Sipas Hoxhaj, “brutaliteti diplomatik nën udhëheqjen e Putinit nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet Rusi-Kosovë. Ai ka të bëjë mbi të gjitha me marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Rusisë dhe rivalitetin e tyre kudo”.

Vetëm një vit pas fjalimit të Putinit në München, NATO-ja shprehu interesin e saj në një samit në Bukuresht që në aspektin afatgjatë të pranojë në gjirin e saj edhe Ukrainën e Gjeorgjinë. Vetëm pas pak muajsh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe samitit të NATO-s, Rusia marshoi kundër Gjeorgjisë në gusht të 2008. Pas vitit 2010 vazhdoi seria e protestave kundër sunduesve në Mesdhe në atë që tashmë quhet “Pranvera Arabe”, të cilat prekën direkt interesat ruse. Kulminacioni i tyre padyshim që ende është Siria dhe Libia. Jetike për interesat ruse ishin padyshim protestat e opozitës në Kiev kundër presidentit ukrainas Viktor Yanukovych në vitin 2013, i cili synonte përafrimin me Rusinë dhe Unionin Ekonomik Euroaziatik. Një vit më vonë, Moska aneksoi Krimenë dhe ende mbështet luftëtarët separatistë në Ukrainën Lindore.

Dhe me këto veprime, Rusia u shndërrua në një kërcënues të sigurisë evropiane. Duke mos përfshirë këtu tendencat autoritare të presidentit Putin në shtypjen e opozitës dhe vrasjen e helmimin kundërshtarëve politik, politika e Kremlinit shkoi aq larg, sa tregoi edhe fuqinë e tij në ndërhyrjen në zgjedhjet e shteteve të BE-së duke mbështetur partitë e ekstremit të djathë. Kulminacioni ishte në ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, duke mbështetur kandidatin republikan Donald Trump, kundër oponentës Hillary Clinton.

Pra, në një interval kohor gati dhjetë vjeçar, Putin dhe perandoria e tij, e ndihmuar edhe nga tendencat agresive të Xi Jinpingut, u shndërruan së bashku në një kërcënim serioz për vlerat perëndimore. Në një nga botimet me të reja dhe më voluminoze për politikën e jashtme ruse është padyshim libri “Mr. Putin: Operative in the Kremlin (Geopolitics in the 21st Century)” nga Fiona Hill, e cila konsiderohet një nga njohëset më të mprehta të politikës së jashtme ruse, për të cilën presidenti Trump mendonte se është vetëm pjesë e stafit teknik, kur ajo merrte pjesë në bisedat telefonike ndërmjet Trumpit dhe Putinit.

Author

  • Faruk Ajeti

    Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë. Gjatë vitit akademik 2019/20 ishte visiting scholar i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Institutin për Politikë të Jashtme në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.